Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjekësi

NGA MAGJIA NË PROTOKOLL

Vite më parë, kur im atë i sëmurë rëndë duhej të transferohej nga Turqia për në ShBA, pyeta mjekun e tij në Stamboll, një profesor me emër ndërkombëtar, mos duhej të më jepte një përshkrim të mjekimit (barnat, dozat etj.), në mënyrë që këtë ta mbante parasysh edhe mjeku në New York City.

Më tha se kjo nuk kishte rëndësi dhe se mjaftonte diagnoza; meqë mjekimi i atij lloj tumori malinj tashmë u përmbahej protokolleve të standardizuara kudo në botë.

Protokollet vërtet mund të bazohen në studime dhe statistika rigoroze, por adoptimin e tyre e vendos autoriteti i burimit; ose institucioni që i ka bërë të vetat (p.sh. FDA ose struktura të ngjashme në BE). Një protokoll i përpunuar sado me kujdes nga Spitali Notre Dame de la Paix i Uagadugu-t, në Burkina Faso, nuk ka shumë gjasë të gjejë përhapje dhe aq më pak miratim në pjesën tjetër të botës.

Kush jeton në ShBA, e di që sigurimet shoqërore marrin përsipër t’i mbulojnë shpenzimet farmaceutike me kusht që barnat e parashkruara nga mjeku të respektojnë një të ashtuquajtur “formular”, i cili nuk është veçse një listë që u rekomandon mjekëve se cilat barna të përdorin, për të kuruar këtë apo atë sëmundje, ose më saktë diagnozë, e cila sërish duhet t’i konformohet një liste sëmundjesh “të miratuara.”

Disa prej nesh do ta shihnin këtë si burokratizim, të tjerë si një rikthim të ritualit; ose të praktikave të rregulluara dhe të standardizuara, të cilat pritet të garantojnë, në mënyrë statistikore, suksesin sado të pjesshëm të një terapie ose ndërhyrjeje mjekuese.

Rituali, protokolli ose standardizimi procedural ia kufizon shumë lirinë mjekut, teksa vetë pacientin e shndërron në një ekzemplar anonim të një kategorie të normalizuar të homo sapiens – pa çka se, edhe thjesht nga pikëpamja biologjike, gjithsekush prej nesh është unik, për nga gjenet dhe për nga historia e trupit të vet dhe e jetës që çon.

Vetëm një shekull më parë, mjekësisë ende i duhej të negocionte midis artit dhe shkencës; në kuptimin që mjekut i duhej të kishte parasysh arritjet në fusha të tjera, si biologjia dhe biokimia; por gjithnjë t’i zbatonte këto arritje në mënyrë absolutisht të individualizuar, sipas pacientit që kishte përballë. Edhe vetë procesi i diagnostikimit i ruante lidhjet me semiotikën, duke qenë më shumë interpretim mundësisht virtuoz dhe krijues i një bashkësie unike simptomash, sesa lexim dhe klasifikim mekanik i rezultateve të testeve, analizave laboratorike dhe imazhimit.

E megjithatë, mjekësia e sotme i ka rrënjët e hershme në magji; ose në bindjen se sëmundja mund të shërohet duke komunikuar me të – me anë metaforash, ose ritualesh dhe marifetesh të tjera, ose formulash kimike, alkimike dhe gjuhësore dhe gjithfarë teknikash të tjera, ku përzihen efektet e lëndëve në trup me efektet e emrave të tyre; dhe ngjashmëria mes simptomave dhe mjeteve shëruese.

Unë ende kam arritur të përjetoj, kur isha fëmijë, magjinë dhe ritualin e yshtjes me ujë ku ishte shuar një thëngjill; dhe që ngulte këmbë për ta praktikuar stërgjyshja ime; duke u kujdesur që t’i riprodhonte gjestet ekzaktësisht sipas një protokolli të trashëguar kushedi si dhe pse. Shërimi do të vinte jo nga uji me thëngjillin brenda, por nga përsëritja besnike e formulës, ose protokolli. Ishte fjala për disiplinim të procesit, jo për arsyetim.

Në këtë kuptim, kalimi nga mjeku artist, semiolog dhe dijetar i racionalizmit, iluminizmit dhe autoritetit individual tek protokollet, standardet dhe emërtimet e disiplinuara të sëmundjeve (manualet diagnostike) është një kthim tek irracionalizmi i mjekësisë magjike dhe rituale të Mesjetës; meqë burokratizimi i praktikës terapeutike nuk i lë shumë vend vizionit të mjekimit si komunikim i ndërsjelltë midis mjekut (institucionit) dhe individit pacient; aq më tepër që ky i fundit tashmë priret të shndërrohet në një ekzemplar biologjik relativisht të parametruar dhe të standardizuar, të cilit i bashkëlidhet mundësia për të paguar për shërbimet që merr.

Capture

Këtë shndërrim po e ndërlikon tani edhe prirja për të sinkronizuar disiplinimin dhe protokollizimin e praktikave terapeutike me legjislacionin që rregullon marrëdhëniet midis pacientëve dhe institucioneve shëndetësore; tani vonë po dëgjojmë të thuhet, gjithnjë e më me këmbëngulje, se mjekët nuk do të mbajnë përgjegjësi për lëndimin madje edhe vdekjen e pacientëve, sa kohë që u janë përmbajtur protokolleve terapeutike në trajtimin e tyre.

Kjo heqje e lirisë së mjekut për t’u përfshirë në komunikim thellësisht njerëzor me të sëmurin që ka përballë; dhe kalimi i kompetencave vendim-marrëse nga mjekët te sistemi ose institucioni mbikëqyrës, mund të jenë edhe shenja se mjekësia e tanishme nuk do të mund të dalë më nga gracka e burokratizimit dhe e formalizimit protokollar; çka do të thotë se, pas kësaj, nuk mund të vijë veçse kompjuterizimi total i diagnostikimit dhe trajtimit mjekësor – me fjalë të tjera, martesa e përbindshme e inteligjencës artificiale me biopolitikën.

1 Koment

  1. Nuk e di sa lidhje ka me temën, por: ndërkohë sot njoftohet edhe një nga bashkimet më të mëdha në historinë e korporatave midis Pfizer and Allergan, për $160Miliard, midis të tjerash për të shitur më shumë ilaçe, dhe për të fshehur më shumë taksa.

    Ku ma gjen atë ritualin e yshtjes me ujë, krahasuar me këto “barnat” e këtyre. Të paktën nuk të ngordh shpirti.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin