Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NGA PËREMRAT TE PËRGJEGJSHMËRIA

Po dua t’i kthehem një momenti të intervistës së paradokohshme të kryeministrit Rama me Tim Sebastian, në Conflict Zone të Deutsche Welle.

Jemi rreth minutës 18.40, kur po flitet për krimin e organizuar në Shqipëri dhe në Europë dhe për korrupsionin e gjyqësorit në vend.

Dhe krejt befas, Sebastian e pyet të ftuarin:

How many judges have you fired? (Sa gjykatës keni shkarkuar nga detyra?)

Rama kësaj pyetjeje të vështirë i përgjigjet kështu:

God forbid… if the government would fire judges it would be in trouble. It’s not the government that fires judges… (Ruajna Zot… po t’i shkarkonte gjykatësit qeveria, kjo do të ishte gjëmë. Nuk i takon qeverisë të shkarkojë gjykatës…)

Sebastian: Don’t you have corrupt judges? (Po a nuk keni gjykatës të korruptuar?)

Rama: We don’t have corrupt judges. We have a totally corrupt judiciary, which works like a corporation and which works like a for profit industry and we are breaking it down starting from this reform that we’ll pass in fall… (Nuk kemi gjykatës të korruptuar. Kemi një gjyqësor tërësisht të korruptuar, që punon si korporatë dhe që punon si një industri fitimprurëse dhe që ne po e shpërbëjmë, duke filluar që me reformën që do të miratojmë në vjeshtë…

Dhe kështu me radhë.

Më duhet të pranoj që, kur po e dëgjoja për herë të parë intervistën, pyetja e Sebastian-it, se “sa gjykatës keni shkarkuar” m’u duk provokative – meqë, sikur Edi Rama t’i përgjigjej drejtpërdrejt dhe t’i thoshte që “do të shkarkojmë kaq dhe aq”, atëherë do të demaskohej si një lider autokrat, që nuk e ka idenë për ndarjen e pushteteve. Përndryshe, gazetari thjesht testoi reflekset liberal-demokratike të Ramës.

Pastaj më shkoi mendja edhe te një shpjegim tjetër: kushedi Sebastian nuk beson se në Shqipëri ka vërtet ndarje pushtetesh; në kuptimin që demokracia atje është sa për sy e faqe, në një kohë që kreu i ekzekutivit i ka në dorë të gjitha pushtetet, pavarësisht nga ç’thotë Kushtetuta. Në kuptimin që këtë herë në grackë kish rënë gazetari anglez, jo kryeministri Rama.

Në një fazë të tretë, u kujtova edhe që intervista po zhvillohej në një gjuhë të huaj për Ramën, çfarë duhet mbajtur gjithnjë parasysh, kur duam të marrim vesh rrymat e nëndheshme të kuptimit.

Dhe, në rastin tonë, nuk më duket aq pa rëndësi nevoja për të ftilluar se çfarë shënjon pikërisht vetori “you” në pyetjen e Sebastian-it: How many judges have you fired? Në anglishte, you shënjon vetën e dytë edhe në njëjës edhe në shumës – prandaj nuk është menjëherë e qartë nëse Sebastian-i po i drejtohet Ramës vetë, që ka në studio, me cilësinë e kreut të ekzekutivit në Shqipëri; apo ajo you i referohet Ramës dhe krejt sistemit politik në Shqipëri, në kuptimin “ju shqiptarët e sotëm” – në vijim të temës së bisedës, që ka lidhje me dëshirën dhe kërkesën e Shqipërisë për t’iu asociuar Bashkimit Europian.

Natyrisht, Rama e interpretoi pyetjen sikur i drejtohej atij personalisht, si kryeministër ose kryetar i qeverisë; duke e lexuar you-në e Sebastian-it si njëjës. Brenda kësaj kornize interpretative, përgjigjja e tij ishte korrekte: qeveria nuk mund të shkarkojë gjykatësit nga detyra. Madje ai flet për qeverinë në mënyrë abstrakte, ose në vetën e tretë.

Megjithatë, në kontekstin e përgjithshëm të intervistës, duket se Sebastian nuk e trajton mysafirin e vet në studio thjesht si kryeministër të Shqipërisë, por edhe si përfaqësues të këtij vendi – tek e fundit, vullneti për t’u futur në Bashkimin Europian është i Legjislativit më parë, dhe vetëm më pas edhe i Ekzekutivit.

Karakteristikë e një sistemi me ndarje pushtetesh është se këto pushtete janë jo vetëm të mëvetësishme nga njëri-tjetri, por edhe që ato bashkëpunojnë mes tyre. Kreu i ekzekutivit të tanishëm në Shqipëri nuk mund të bëhet me faj për korrupsionin e gjyqësorit; por edhe nuk mund ta shohë gjyqësorin si diçka të huaj, me të cilin i lejohet të merret vetëm kur e akuzon si “të korruptuar” ose “korporatë” ose “industri me qëllim fitimi.”

Në çdo vend tjetër europian, me kushtetutë të ngjashme me të Shqipërisë, ky qëndrim i hapur dhe publik i kreut të ekzekutivit ndaj gjyqësorit do të përbënte motiv për krizë të menjëhershme dhe të thellë.

Nga ana tjetër, në vijim të bisedës, kur Sebastian ngul këmbë dhe thotë Don’t you have corrupt judges?, gjasat janë që përemri you të mos ketë ndryshuar referencë – pra të jetë i njëjtë me atë te “How many judges have you fired”.

Dhe në përgjigje ndaj kësaj pyetjeje të dytë, për gjykatësit e korruptuar, Rama papritur ia ndërron referencën shifter­-it dhe fillon të flasë në vetën e parë shumës:

We don’t have corrupt judges. We have a totally corrupt judiciary…

Po kujt i referohet kjo “we” në këtë rast? Doemos jo qeverisë, sepse pak më lart kryeministri shqiptar e bëri të qartë që qeveria është pushtet më vete nga gjyqësori dhe anasjelltas. Prandaj kjo “we” nuk mund të jetë veçse sistemi politik ose republika, pjesë e së cilës është edhe “the judiciary” ose gjyqësori.

Ndryshimi kaq i beftë i referencës së shifter-it lë vend për interpretim, madje lyp interpretim: duket sikur Rama nuk ka dëshirë të identifikohet me sistemin, kur bëhet fjalë për korrupsion të një dege të pushtetit (gjyqësorit); por identifikohet aty për aty me sistemin, në kontekstin ku ai shqipton një gjykim vlerësues për njërin prej pushteteve: sepse, tek e fundit, kush pikërisht po e quan gjyqësorin tërësisht të korruptuar? Kush po e gjykon gjyqësorin? Kujt pikërisht i referohet kjo we në “we have a totally corrupt judiciary”?

Kryeministri apo një subjekt abstrakt, që përfaqëson sistemin politik dhe maxhorancën morale, me përkrahjen dhe amplifikimin e Perëndimit?

Duket pra sikur Tim Sebastian vërtet nuk e futi dot Ramën në kurthin e cekët të autoritarizmit të nënkuptuar; por vetë kryeministri nuk i shpëtoi dot një kurthi tjetër, duke ndërruar shifter-ët sipas kontekstit, dhe duke tradhtuar një gatishmëri për të përfaqësuar Shqipërinë sa kohë që bëhet fjalë për projeksionin e saj drejt së ardhmes; por jo aq Shqipërinë, me problemet e saj të sotme dhe të trashëguara.

Nuk jam i sigurt, megjithatë, që intervistuesi e kish planifikuar këtë kurth të dytë.

4 Komente

  1. Në këtë rast nuk e bëj dot me faj Ramën. Bëj shpesh të njëjtin gabim që ka bërë Rama, ndonëse e kam anglishten gjuhë të përditëshme. Aq sa më është vënë në dukje edhe nga bashkëbiseduesit. Pothuajse në të gjitha rastet ka pasur një tendencë nga ana ime për ta personalizuar bisedën. E kotë të them se më ka ardhë turp nga vetja. Por gjuha të tradhton dhe s’ke ç’i bën.

    Lexoj shkrimin e Xha Xhait dhe pyes: a e kemi fjalorin dhe sintaksën e duhur për t’i kuptuar dhe shprehur gjërat në mënyrë etike?

  2. Mua nuk me eshte e qarte qe Rama vertete interpreton you-ne e pare qe te i referohet atij personalisht (domethene ne veten e dyte njejes). Fakti qe i eshte pergjigjur me nje emer abstrakt qe shenon nje grup qe ai i perket le te pakten dy mundesi interpretimi: ose i referohet atij personalisht si perfaqesuesi i qeverise (njejes) ose i referohet grupit te qeveritareve qe bashkepunojne si nje teresi qe quhet qeveri (shumes, domethene you government officials). Ne ai do te ishte pergjigjur ‘It’s not me that fires judges’ atehere do ishte e qarte qe e kishte kuptuar si njejes, po nje pergjigje ne veten e trete nuk na e ben dhe aq te qarte.

    Pastaj, menyra e perdorimit te shifters ne kete rast nuk eshte e thene qe ka lidhje me faktin qe anglishtja eshte gjuha e dyte e Rames. Meqe anglishtja nuk percakton njejes ose shumes ne veten e dyte do te thote qe levizje te tilla te shifter-ve mund te perdoren nga te gjithe folesit, kushdo qe te jene. Hulumtimet kane treguar qe kategorite si “foles amtar” ose “foles i huaj” jane tejet te idealizuara dhe nuk na japin shume fuqi analitike. Ky eshte shembulli i asaj qe thone antropologet: gjuha eshte veprim shoqeror.

    Nje koment interesant eshte ky: “kur duam të marrim vesh rrymat e nëndheshme të kuptimit.” Komenti parakupton shume ne lidhje me qellimet e folesit. Qellimi eshte teme e veshtire sepse lidhet me idene e te menduarit, dicka kognitive, nderkohe qe e vetmja prove qe kemi eshte fjala. Me fjale te tjera, ku jemi aq te sigurt qe nje kuptim i tille (“i vertete”?) egziston i plotformuar diku “me thelle”? Edhe ne rast qe egziston, e interpretojme vetem me ane te gjerave siperfaqesore (sinjale metalinguistike, konteksti ligjerimor, aspekte te tjera te gjuhes) se nuk kemi “hyrje” te drejteperdrejte tek i menduari.

    Dhe me ne fund, per sa i perket pyetjes te ujkut te zi, nese fjalori dhe sintaksa na japin mundesi “per t’i kuptuar dhe shprehur gjerat ne menyre etike” varet nga interpretimi jone si shoqeri, jo nga fjalori dhe sintaksa vete. Sic e dime, koncepti i “etikes” ka shume variacion mes shoqerive te ndryshme ne bote dhe per kete arsye i njejti konstruksion gjuhesor mund ta jape kete mundesi ne disa kontekste, raste, gjuhe, etj. dhe ne disa te tjera jo. Varet nga vlera qe shoqeria ia ngjit me ane te (1) diskurseve mbi te dhe (2) perdorimeve te tij ne kontekst.

    Flm xhaxhai per nje blog shume intersant.

    1. Ju falënderoj edhe unë për komentin. Në fakt, meqë kemi në mes një gjuhë që për Ramën është e dytë, në mos e tretë – atëherë mund të supozojmë, pa gabuar shumë, se mendimet e tij për këto çështje nuk janë origjinalisht në anglisht, por në shqip; dhe se vetëm përkohësisht përftohen në anglisht. Edhe pse Rama e flet anglishten mirë, gjithsesi e ndiej se ajo ka një farë opaciteti në gojën e tij; si në gojën e kujtdo tjetër që nuk e përdor rëndom në komunikimin e përditshëm. Dhe kjo do të thotë – të paktën për mua – që anglishtja i imponohet nëpërmjet formulave, stereotipive dhe frazave të gatshme. Mua m’u duk, për shembull, e çuditshme që kryeministri shqiptar t’i thotë intervistuesit Sebastian “you can do better than that” – fraza në anglisht sjell me vete një agresion verbal të panevojshëm, që do të ishte i papranueshëm, sikur të ishte Rama folës amtar i anglishtes; të paktën në atë kontekst. Por Sebastian nuk ia vuri re, ose bëri sikur nuk ia vuri re. Përtej këtij shembulli, intervista u soll rreth çështjeve përgjigjet dhe qëndrimet për të cilat Rama i ka formuluar tashmë me kohë; ose i ka të gatshme, si blloqe, në kujtesë. Problemi është se në ç’gjuhë pikërisht. Prandaj, kur flas për rryma të nëndheshme, nuk e kam aq fjalën për “qëllimet” sesa për hierarkinë e gjuhëve, te një folës që nuk është dy-gjuhësh (bilingual).

  3. Anglishtja, ndryshe nga shumë gjuhë, të jep mundësinë për të bërë një zgjedhje etike midis “you”-së të përgjithëshme (të përbashkët) dhe “you”-së të personalizuar. Sigurisht, atëherë kur nuk është qartësisht e përcaktuar se për cilin rast bëhet fjalë. Nga experienca personale, bashkëbiseduesit, sidomos kur kanë një lloj niveli, zgjedhin të përgjithëshmen.

    Përgëzime Xha Xhait, sepse në intervistën e sjellë këtu është interesante se, ndërsa Rama do duhej të mbështeste argumentin e Shqipërsë si pjesë e pandashme / e domosdoshme e politikave strategjike të Bashkimit Europian, mungesa e konsistencës (shifting) në atë se si e koncepton Rama “you”-në sjell një lloj personalizimi dhe dobësimi të argumentit kryesor, që duhet të ishte lajtmotivi i intervistës – bashkimi dhe jo ndarja.

    Nëse do ishte politikan i thekur, jo provincial, “you”-në Rama fare kollaj mund ta kthente në “we”. “We” midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Përkundrazi, e personalizoi bisedën.
    Kur pyetet “How many mafia leaders have you taken off the streets” shkon e thotë që “We don’t have mafia leaders. Mafia leaders are in Europe”.

    Por, për këtë gafën e fundit, nuk ia ka fajin “you”-ja.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin