NJË KOMB, NJË KOMBËTARE

Fitoret e tanishme të përfaqësueses së Shqipërisë, ose “kombëtares” sikurse quhet shpesh, në eliminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit, tërhoqën vëmendjen edhe ndaj lojtarëve që janë përzgjedhur nga trajneri De Biasi për këtë skuadër.

Mjafton një vështrim i shpejtë ndaj faqeve me informacion dhe statistika, për parë se një pjesë e mirë, në mos shumica dërrmuese e këtyre lojtarëve, jo vetëm luajnë në kampionate kombëtare të vendeve të tjera të Europës, por edhe kanë lindur jashtë Shqipërisë dhe, në disa raste, edhe jashtë hapësirës shqiptare në Ballkan.

Në një kuptim, kjo skuadër është më shumë përfaqësuese e Republikës së Kosovës, sesa e Republikës së Shqipërisë.

Do të më thonë: po pastaj? Të gjithë këta lojtarë janë shqiptarë “safi”, prandaj e meritojnë që të luajnë me fanelën kuqezi; madje shumë më tepër se ç’e meritojnë ca shqiptarë të tjerë “safi”, që të luajnë me fanela skuadrash të tjera kombëtare, si Zvicra.

Vërtet. Por edhe pa u futur në hollësitë juridike të çështjes, të cilat ekzistojnë por që unë nuk kam kompetencë t’i trajtoj, po mjaftohem të vërej se, tradicionalisht, skuadrat “kombëtare” në një sport duhet të jenë, pritet të jenë shprehje e lëvizjes sportive përkatëse në vendin që përfaqësojnë.

Të paktën tradicionalisht. Ka një kampionat kombëtar, ku luajnë një numër i madh lojtarësh, prej të cilëve zgjidhet pastaj një formacion, sipas kriteresh teknike, që do të përfaqësojë vendin në nivelin ndërkombëtar.

Megjithatë, kjo traditë tashmë u përket librave të historisë; sa kohë që shumë skuadra kombëtare, në mos të gjitha, thërresin në radhët e tyre edhe lojtarë që luajnë në kampionate kombëtare vendesh të tjera.

Mirëpo, kështu në përgjithësi, edhe këta lojtarë që luajnë gjetiu, janë produkt i shoqërive dhe kulturave sportive të origjinës; për shembull, italiani Marco Verratti, sa për të sjellë një shembull, mund të luajë vërtet sot me Paris Saint Germain, por e ka filluar karrierën në Itali (me Pescara-n).

Dhe, çfarë vlen më tepër për temën këtu, është produkt i futbollit italian.

Kur flas për produkt, kam parasysh një organizim sportiv që angazhon të rinjtë, madje fëmijët, në një sistem kampionatesh dhe skuadrash të moshave të ndryshme, dhe që është – në thelb – pjesë e shoqërisë civile në shtetin përkatës.

Sikurse shumë sporte të tjera popullore, futbolli nuk është hobby dhe passatempo amatorësh, por nuk është as argëtim i kulluar, si professional wrestling. Është, përkundrazi, një veprimtari sociale e organizuar, e cila kurorëzohet me kompeticione gjithfarësh dhe nga ku, tek e fundit, duhet të dalë edhe skuadra kombëtare – si përzgjedhje (seleksion) e më të mirëve.

Ky model është i ndryshëm nga ai që ndjekin klubet e futbollit profesionist, të cilat janë biznese (for profit) dhe mund t’i gjejnë lojtarët e tyre ku dhe si të duan, pa kufizim pasaporte ose kombësie.

Ai organizim i futbollit që shprehet, në analizë të fundit, tek ekipi “kombëtar”, ka në fakt natyrë shtetërore; jo aq ngaqë mbikëqyret nga institucionet shtetërore, sesa ngaqë drejtohet nga institucione që veprojnë në kuadrin ligjor të një shteti të caktuar (Federata Shqiptare e Futbollit është “person juridik, shoqatë, e cila perfaqëson bashkimin vullnetar të shoqatave dhe klubeve sportive të futbollit në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në statutin e kësaj organizate jo-fitimprurëse).

Dy gjëra për t’u shënuar në këtë përkufizim identiteti: që FShF-ja i përket Republikës së Shqipërisë dhe që është shprehje e shoqatave dhe klubeve sportive të futbollit që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda këtij shteti.

Tani, sikurse e dimë dhe mund ta verifikojmë me lehtësi të madhe, skuadra përfaqësuese e Shqipërisë në futboll nuk përfaqëson futbollin që luhet në Republikën e Shqipërisë, as kampionatin kombëtar të futbollit të këtij vendi; por përfaqëson një entitet të një lloji tjetër: shqiptarinë, ose tërësinë e shqiptarëve anembanë botës, duke filluar nga shqiptarët e Kosovës.

Ka një risi juridike dhe social-kulturore, në këtë mes, që nuk mund të shpërfillet.

Në kuptimin që De Biasi nuk i ka përzgjedhur lojtarët nga skuadrat që militojnë në kampionatet e futbollit në Shqipëri, por nga një masë lojtarësh të cilët kanë të përbashkët kombësinë, ose prejardhjen etnike (veç shkëlqimit teknik, natyrisht).

Disa prej këtyre lojtarëve nuk kanë luajtur kurrë në Shqipëri; disa të tjerë kushedi nuk kanë luajtur kurrë në skuadra futbolli as në Shqipëri as në Kosovë; disa të tjerë kanë lindur, në familje shqiptare, për në shtete të tjera të Europës.

Mjaft të përmend, që nga lojtarët e grumbulluar në dy ndeshjet e fundit të kombëtares, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Amir Abrashi, Migjen Basha, Shkëlzen Gashi dhe Taulant Xhaka kanë lindur në Zvicër, nga fëmijë emigrantësh kosovarë; Herolind Shala ka lindur në Gjermani; ndërsa Alban Meha, Ledian Memushaj, Naser Aliji, Elseid Hysaj, Lorik Cana kanë lindur në troje shqiptare, por kanë emigruar që fëmijë dhe e kanë filluar futbollin gjetiu. Të gjitha këto të dhëna nuk i sjell thjesht për të shuar kuriozitetin; futbollistët shqiptarë që kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër janë produkt i sistemit sportiv të atij shteti dhe kanë përfituar nga strukturat e atjeshme, të cilat janë jo të “kombit” zviceran, por të shtetit zviceran dhe mbahen me taksat e qytetarëve atje – mes të cilëve, pas gjase, edhe familjet e atyre vetë. Ky është edhe argumenti që sillet, në debate të tjera, kur vihet në dyshim angazhimi i lojtarëve shqiptarë, si Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka, Admir Mehmeti, Valon Behrami dhe Pajtim Kasami në ekipin përfaqësues të Zvicrës. Ftoj të lexoni, me këtë rast, një artikull të Enver Robellit (Luajmë për Zvicrën! Ku është problemi?).

Sikur Kosova – Republika e Kosovës – të ishte pranuar në UEFA me të drejta të plota, një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve do të ishin regjistruar me atë skuadër.

Statusi i lojtarëve jo nga Shqipëria, që luajnë për “kombëtaren” tonë, më kujton njëfarësoj dukurinë e “oriundi” në futbollin italian; dhe që filloi të përdorej në vitet 1920-1930, kur disa atletë kryesisht jug-amerikanë, por edhe zviceranë, me origjinë italiane, filluan të kthehen në Itali për të luajtur me ekipet e atij vendi dhe, sidomos, për të veshur fanelën blu të nazionale-s italiane (42 të tillë, gjatë 100 vjetëve të fundit).

Mes tyre, do të kujtoj Omar Sivori-n, Schiaffino-n, Altafini-n dhe, tani së voni, Mauro Camoranesi-in dhe Thiago Motta-n. Gjithsesi, këta “oriundi” kanë qenë gjithnjë një pakicë, brenda ekipeve italiane përfaqësuese; dhe për më tepër, një pjesë e madhe e tyre edhe kanë luajtur rregullisht me klube italiane.

Dukuria e përfaqësueses së Shqipërisë duket të jetë, kështu, pa precedent; pse u detyrohet rrethanave historike unike, përfshi këtu edhe pamundësisë së Kosovës për të marrë pjesë në veprimtari sportive si Kampionati Europian i Futbollit.

Kjo skuadër, e cila do të luajë tani në Francë, nuk është në fakt përfaqësuese e Shqipërisë, si shtet dhe shoqëri civile dhe bashkësi qytetarësh me institucionet përkatëse; por përfaqësuese e një entiteti imagjinar, të themeluar mbi bashkësinë e gjuhës dhe të “gjakut” (prejardhjes etnike).

Lojtarët e “kombëtares” janë tashmë heronj për publikun shqiptar anembanë botës, por nuk janë produkt i futbollit në Shqipëri, si veprimtari e organizuar qytetare. Për këtë arsye, skuadra e tanishme i përket një modeli tjetër, të ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar, dhe që – me sa kuptoj unë – nuk është parë ndonjëherë më parë në Europë.

KombetarjaDhe kjo po ndodh njëkohësisht me një dukuri thelbësisht të kundërt: dobësimin dramatik të lidhjeve midis përbërjes së përfaqësueseve të shteteve të Europës dhe përkatësisë etnike kombëtare: sa kohë që skuadra të ndryshme po forcojnë radhët me futbollistë të natyralizuar; ose gjithsesi të një etnie “tjetër”; mjaft të përmend këtu lojtarët me prejardhje shqiptare që luajnë për kombëtaren e Zvicrës.

Ka një lidhje, midis këtyre dy dukurive; e cila njëfarësoj i referohet edhe krizës së raporteve ekzistuese midis shteteve dhe kombeve, në kontekstin e Bashkimit Europian.

Përfaqësuesja e Shqipërisë që do të shkojë në Euro 2016 përfaqëson shqiptarët anembanë botës në mënyrë më të mirëfilltë se ç’përfaqëson Republikën e Shqipërisë; dhe, nëse duam, ajo shkon atje si “kombëtare” e Shqipërisë etnike, duke bërë realitet atë çfarë përndryshe mbetet një entitet imagjinar, në mos i imagjinuar.

Për t’u shënuar është edhe qëndrimi i ndryshëm i autoriteteve shtetërore në Shqipëri, përkatësisht në Kosovë, ndaj suksesit të kësaj skuadre: teksa kryeministri i Shqipërisë, Presidenti dhe të tjera figura të larta institucionale treguan interes të jashtëzakonshëm për “kombëtaren” dhe u kujdesën që t’ia shoqëronin imazhin e tyre në çdo ekran, autoritetet në Kosovë nuk më rezulton të kenë treguar ndonjë entuziazëm të krahasueshëm.

Tërthorazi, kjo i blatoi kryeministrit Rama rolin – besoj të padëshiruar – të një lideri të “Shqipërisë etnike”, ose të kujdestarit të shqiptarëve kudo ku janë.

Kjo nuk do të binte kaq shumë në sy, sikur të mos kontrastonte, në mënyrë flagrante dhe dramatike, me gjendjen e mjerueshme të sportit të organizuar në Shqipëri dhe në përgjithësi të veprimtarisë sportive të qytetarëve, për të cilën qeveria e kryesuar nga z. Rama mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Tek e fundit, kontradikta mes qytetarisë dhe kombësisë nuk është e vetmja, që ia lëkund themelet statusit social të përfaqësueses së Shqipërisë në futboll; sepse ajo kushedi as do të ndihej kaq dukshëm, sikur të mos e merrte energjinë nga një kontradiktë tjetër – ajo midis futbollit si sport masiv, agjent të riprodhimit të komuniteteve anembanë vendit dhe të kalitjes fizike dhe psikologjike të moshave të reja, dhe futbollit si argëtim (entertainment) dhe burim fitimesh përrallore, jo vetëm në para por edhe në prestigj.

Duket sikur po fiton ky model i dytë, edhe atje ku shteti, shoqëria civile dhe komunitetet duhej t’i kushtonin vëmendje të parit; çka e bën edhe vetë përfaqësuesen e Shqipërisë, që do të shkojë të luajë në Euro 2016, të vijë e t’i ngjajë një force speciale, të ndërhyrjes së shpejtë, në tregun europian të imazhit. Të mirat që do të vijnë nga kjo mbeten për t’u parë.

8 Komente

  1. Fijet midis nje ekipi dhe vendit fizik qe ai perfaqeson kane dekada qe jane dobesuar.
    Fjala vjen, nje Mancesterli qe gezon si femija kur Manchester United fiton Kupen e Kampioneve – jo dhe shume ndryshe nga shqiptari i Shqiperise per kualifikimin e saj- nuk besoj se gezon me pak kur kujtohet se kaq e aq lojtare jane lere e rritur ne Manchester.
    Lidhja midis klubit te tij te zemres dhe dembabademllekut te lojtareve dhe trajnerit do ti dukej ketij tifozi nje subjekt krejt i pavend analize, ne rastin me te mire, dhe armiqesi e hapur ndaj cdo gjeje te mire qe i ndodh qytetit te Manchesterit, ne rastin me te keq.

    1. Ky arsyetim, që mund edhe të vlejë për klubet e mëdha, nuk vlen për kombëtaren, e cila nuk është klub. Dhe – këtë e them miqësisht – nuk besoj se opinioni i tifozëve ngre ndonjë peshë në këtë muhabet.

  2. Xhaxha: “Përfaqësuesja e Shqipërisë që do të shkojë në Euro 2016 përfaqëson shqiptarët anembanë botës në mënyrë më të mirëfilltë se ç’përfaqëson Republikën e Shqipërisë; dhe, nëse duam, ajo shkon atje si “kombëtare” e Shqipërisë etnike, duke bërë realitet atë çfarë përndryshe mbetet një entitet imagjinar, në mos i imagjinuar.”

    Ky paragraf qendron mbi gjithshka tjeter qe analizon, Xhaxha. Kjo tregon se Shqiperia, ajo Shqiperia qe eshte sot, nuk mund te ngrihet ne nivelin furbollistik per tu kualifikuar, ne nje aktivitet sic eshte kaompionati europian. Nje pjese te arsyeve i ke trajtuar ne artikull, por mbi te gjitha, arsyeja e thjeshte qe qendron ne themel te deshtimit te futbollit lokal, eshte se talentet qe kerkon ne kete rast futbolli, nuk mund te dalin ne pah, te nxiten dhe te arrijne nivele te tilla, ne ambjentet sportive te Shqiperise, apo vecse nga territori i Shqiperise shteterore

    Ne nje menyre eshte dhe nje predikativ per te ardhmen, se pari ne kuptimin e ngushte sportiv, pra qe suksesi sportiv nderkombetar i shqiptareve do t’i kete shanset shume me te rritura kur veprohet ashtu sic veproi De Biasi, duke grumbulluar lojtare talente edhe nga trevat shqiptare, perfshire shtetin e Kosoves, (ose qe kane emigruar ne Perendim prej ketyre trevave).

    Duke e zgjeruar temen, suksesi i shqiptareve(si etni dhe komb) varet nga numri i tyre. Ky eshte nje princip i thjeshte matematikor statistikor: duke rritur numrin e “sample”, probabiliteti per te rritur numrin e talenteve, ne sport edhe ne cfaredo fushe do te rritet.

    Ne ekuacionin matematikor do te duhet te faktorizosh edhe shume “data” te tjera, sic jane “cherry picking”(to select the best and most promising elements) nga vendet e ndryshme si eshte rasti i futbollisteve. Kete vizion shqiptaret shpresoj ta mesojne nga nje italian.

    Situata futbollistike eshte predikativi me i mire edhe i suksesit te nje etnie, kombi sic jane sot shqiptaret, te ndare. Cfare do te ndodhte nese do te ishin te bashkuar?

  3. Kuakifikimi i kombetares sone per ne France, te asaj kombetareje qe ju xha-xha e zbertheni mjaft mire si perfaqesuesja e gjithe etnise shqipetare, shpresoj te jete nje ogur i mire edhe per bashkimin ekononomik e pastaj politik te Kosoves me Shqiperine.

  4. Xhaxha: “Sikur Kosova – Republika e Kosovës – të ishte pranuar në UEFA me të drejta të plota, një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve do të ishin regjistruar me atë skuadër.”

    Artikulli ne linkun me poshte ploteson skenarin e mundeshem dhe predikativat e komentit tim te meparshem:

    >
    Kosovo’s FA secretary Erol Salihu told Reuters this week that although Kosovo had given the Albanian team its “backbone” and an enlivened fan base, it will sit down with Albania to talk in a “brotherly way” about the future.

    “We shall be demanding our natural right to get back the players who have the will to return,” he said.

    “Kosovo will be accepted as members at the next UEFA Congress and although we won’t take any unilateral steps, everyone should understand that nobody should prevent anybody the natural right to represent his own state.”

    >

    Kosova dhe Shqiperia nuk mund te bejne dot pa njeri-tjetrin, qofte ne sporte apo ne cdo angazhim tjeter. Kjo qe thote kosovari, nuk mund ta coje Kosoven ne asnje vend. Te dyja i duhen njera tjetres.

    http://www.channelnewsasia.com/news/sport/italian-coach-and-diaspor/2195806.html

  5. Po pikerisht pra pikerisht. Kjo kombetare eshte “triumfi” i kombit mbi triumfin e institucioneve si Kryeministria apo FSHF-ja. Dhe kjo eshte e vecanta e bukur per shqiptaret.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin