MOTRA, SHPAGIME DHE KONSPIRACION

Ata që duan t’i gëzohen normalisht fitores së kombëtares së futbollit dhe kualifikimit për në Francë 2016, duhet t’u rrinë larg edhe vendeve publike edhe mediave.

Vendet publike të shqiptarisë, me sa shoh – doemos edhe unë në mediat – janë pushtuar nga një turmë e ndërkryer, që kërkon me çdo kusht të kryejë marrëdhënie seksuale me “motrën e serbit.”

Kjo grigjë edhe gëzimin për fitoren kërkon ta kremtojë duke shprehur zemërim, sepse është produkt i asaj kulture instinktive, e cila moralitetin e vet, motivimin për veprim etik dhe perceptimin e tjetrit e ka të mbështetur në mekanizmin e shpagimit ose të hakmarrjes.

Nuk do t’i jepja rëndësi një grupi njerëzish, sado të madh, që gjendet aty sot sepse, si gjithnjë pa e kuptuar edhe vetë, është mbledhur bashkë nga provokimit populiste të politikës dhe nga histerizmi i mediave, përfshi edhe ato socialet.

Nuk do t’i jepja rëndësi, sikur të mos shquaja një aleancë tripalëshe që po përvijohet mes turmës histerike, politikës populiste me poza kombëtariste dhe mediave, të cilat e kanë përvetësuar fitoren futbollistike në forma të shëmtuara dhe imorale.

E vështirë të marrësh vesh se ç’kërkojnë pikërisht këto media, kur i japin hapësirë të ekzagjeruar një personi folklorik dhe grotesk, si Ballist Morina, tashmë edhe të celebruar si autor i “fitores kundër Serbisë.”

Tipik më duket, në këtë kontekst, një lajm i përcjellë dora-dorës, se ndeshja me Armeninë qenka “shitur”, dhe se “Mediat serbe publikojnë shifrat që pagoi Shqipëria për fitoren”, siç thotë Lapsi.al, dhe bashkë me të edhe Tema dhe kushedi kush tjetër.

mediat serbe

Ironike është se, në imazhin e publikuar nga Lapsi, duket qartë që lajmin se “katër lojtarë armenë janë paguar mirë që t’ua lehtësojnë lojën shqiptarëve”, portali serb e ka marrë nga “albanski mediji” – siç e shpjegojnë edhe vetë autorët e lajmit në shqip.

Po nëse e kanë dhënë vetë mediat shqip këtë lajm të parat, atëherë pse janë eksituar portalet tona kaq shumë, që pastaj lajmin e kanë përcjellë edhe serbët? Si shpjegohet që plehu ynë prodhim vendi i mirëfilltë, i ricikluar prej plehnatoreve serbe, rikthehet sërish te ne? A përftohet ndonjë mbivlerë brenda këtij qarkullimi vicioz, dhe nëse po, kush po e fut në xhep?

Pavarësisht nga origjina e lajmit, ideja se çdo ndeshje futbolli vendimtare është “shitur” paraprakisht, buron vetvetiu dhe natyrshëm nga një mendësi e caktuar, e cila beson se fijet e rastësisë gjithnjë i lëvizin, fshehurazi, një grup të fuqishmish.

Pa çka se, kur vjen puna për futbollin shqiptar, teoritë e konspiracionit gjejnë mbështetje të gjerë edhe në faktet; sa kohë që herë pas here dëgjon për lojtarë, trajnerë dhe klube të dënuara, në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, për manipulime me ndeshjet.

Që nga momenti kur rezultatet e ndeshjeve të futbollit u përfshinë sisteme të basteve, atëherë edhe futbolli profesionist tek ne e siguroi përfundimisht platformën për të kaluar nga veprimtari ekonomike në spekulim financiar.

Shoqëritë e shëndetshme dhe shtetet ligjore i zgjidhin këto dyshime nëpërmjet ndjekjes penale dhe sistemit gjyqësor; shoqëritë e tjera, më të korruptuara, mjaftohen t’i shndërrojnë në legjenda urbane dhe të lënë mediat të merren me to.

E megjithatë, mendësia konspirative që gjithnjë i lexon ngjarjet e rastit si të planifikuara me kujdes, i përket po asaj turme që i shan tani “serbët” nga motra në mes të Tiranës dhe që e përdor edhe një sebep të lumtur, si fitoren, për të nxjerrë inate.

Sepse, në një kontekst historik ku gjithçka është e paravendosur, individit veç i mbetet në dorë të vendosë se ku dhe si të marrë hak, për padrejtësitë që i janë bërë dhe për ato që do t’i bëhen.

Qoftë edhe duke ricikluar, në sheshet urbane të shekullit XXI, një model të kthyer kokëposhtë të epit të Gjergj Elez Alisë.

Nuk ka komente

  1. kishin nxjerre dje per te pritur ekipin kombetar nxenesit e eksituar te shkollave te mesme te Tiranes e Kamzes. Ca nga hormonet, e ca nga ekzaltimi se morren pushim ate dite fill pas te djeles.ata pushtuan rruget e baret e Tiranes. I keputen edhe ca te shara per te nxjerre frustracionin seksual e kaq e pati ajo dite.

    Kjo tregon raportin qe ka shkolla, si institucion shteteror, me politiken dhe shoqerine ne Shqiperi. Nuk ka mundur kurre te emancipohet, te krijoje nje sistem te pavarur ku te ekzistojne te tjera norma e sjellje.

  2. Kjo është një video nga ato që

    ngelen,

    një nga ato për të cilën “ata” kanë vite, në mos dekada, që po e presin, për të na e kthyer me të njëjtën monedhë, kur ne t’i tregojmë prapë me gisht si “anti-shqiptarë, primitiv dhe barbarë”…

  3. keto me poshte* ishin disa nga thirjet qe u degjuan nga tifozet greke ne greqi e ne portugali ne vitin 2004 kur greqia fitoi kupen europiane:

    me mer nje gojore para se te nisem, luis figo, luis figo
    nuk vute mend, nuk vute mend, kar ne premiere e kar ne finale (per portugezet)
    eshte i rend, eshte i rend, kari i colias (ushtari i gardes presidenciale)
    ngriheni te shkerdhyeren (per kupen), nuk mund, nuk mund te pres.

    sic shihet, mbizoteron deshira seksuale e tifozeve, madje edhe e natyres homoseksuale (edhe pse jo te pasive). dhe te mendosh se greket nuk ishte se kishin ndonje armiqesi stershekullore me portugezet e shkrete, perkundrazi keta te fundit i priten dhe i percillen mire. por keshtu eshte futbolli, nuk eshte njje shfaqje e operes apo baletit klasik. nese tifozet shahen nga nena e motra brenda kampionatit kombetar pse te mos shahen edhe ne ndeshje nderkombetare? pak ore para ndeshjes, gjate ndeshjes, dhe pak ore pas saj jemi NE dhe ATA. nuk mund ta racionalizojme; sic thoshte eco, eshte nje semundje qe i prek te gjithe. nuk ben dallime.

    me falni per shprehjet

  4. po lexoja keto dite nje liber interesant per ultrasit e partizanit te beogradit (grobari) nga nje autor anglez, james moor. libri nuk le dyshime mbi ndjenjat e tifozeve serbe karshi shqiptareve. kapitulli i pare i librit ka titullin elokuent “kill the albanian”! ku autori anglez u thote tifove se u ndie disi nga ieto thirje, ata me nje sinqeritet befasues i thane, “dakort, por skuadrat e tjera bejne me keq”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin