nga Gjilpëra
Nëse Ministri i Financave vërtet mendon se mund të mbledhë 330 milionë dollarë për buxhetin e tij të ardhshëm nga sipërmarrja private, nëpërmjet aksionit anti-informalitet dhe anti-evazion, pa dëmtuar me këtë rëndë rritjen ekonomike, pa shkaktuar largim masiv të kapitalit nga vendi dhe rritje të papunësisë, atëherë kemi të bëjmë ose me një optimist të pandreqshëm ose me një politikan naiv.
Dhe, në qoftë se ai dhe Ministria e Financave ia arrijnë vërtet këtij qëllimi brenda muajve të ardhshëm, atëherë ky aksion mund të kthehet në çartisjen më të madhe ekonomike-financiare në Shqipëri, pas Terapisë së shock-ut të viteve ’90.
Paniku në Ministrinë e Financave është i kuptueshëm. Në mes të vitit fiskal MF konstatoi papritur që, deri në fund të vitit, do të mungojnë rreth 250 milionë dollarë të ardhura nga tatimet dhe doganat, ose rreth 7% e buxhetit total, si shtesë mbi deficitin e parashikuar 3.8%. Po dhe rezultatet e korrikut për buxhetin ishin aspak më të mira se ato të 6 muajve të mëparshëm. Po dhe FMN-ja që u largua pa miratuar këstin e radhës së kredisë.
Shtoju këtyre dhe acarimin akut të krizës së vendeve në zhvillim, në tregjet ndërkombëtare këto javët e fundit, bashkë me arratinë masive të kapitaleve nga këto vende. Bashkë me uljen rekord të çmimit të naftës në javët e fundit, në nivele të papara që nga kriza e 2008-’09, po ashtu dhe me çmimet e lëndëve të tjera të para dhe atyre bujqësore. Normale pra, që në Ministrinë e Financave të punohet me “orar të zgjatur” këto ditë.
Edhe pse kjo gropë financiare, në buxhetin e rishikuar para pak ditësh, u mbulua nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve dhe investimeve të parashikuara, duket se kjo rënie e të ardhurave është konsideruar nga MF – ndoshta dhe nën presionin e FMN-së dhe nisur nga zhvillimet negative aktuale në tregjet ndërkombëtare – jo si një përjashtim i rastësishëm (“one-off”). Por si një deficit i vazhdueshëm në 6-mujorin e dytë dhe në vitet e ardhshme, që ka lidhje me uljen e rritjes ekonomike të vendit në 2015 dhe më pas – vetë MF e korrigjoi me ulje rritjen e pritshme ekonomike. Çka jo vetëm që “i lidh duart” qeverisë për të përmbushur premtimet elektorale por, nëpërmjet shkurtimit të investimeve publike, edhe e rëndon më tej ekonominë, tashmë në krizë disa vjeçare.
Prej këtej, lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal duket se ishte mundësia e vetme që i ngeli Ministrisë për të mbyllur hendekun e pritshëm të të ardhurave. Dy rrugët e tjera – rritja e taksave mbi të ardhurat personale sipas propozimit të FMN-së dhe rritja e borxhit publik – ose u hodhën poshtë për arsye politike, ose niveli aktual i borxhit thjesht nuk e lejon rritjen e mëtejshme.
Që informaliteti bashkë me evazionin në ekonominë private në Shqipëri janë në nivele të frikshme, kjo është e njohur; shifra 50% në qarkullim ka gjasa që të jetë shumë afër realitetit. Po dhe konsiderimi i taksave në Shqipëri si haraç, dhe jo si “kosto e qytetarisë”, edhe ky është mentalitet i njohur po ashtu. Po dhe që ky operacion është i vonuar – të paktën 10 vjet me vonesë – edhe kjo dihet.
Që biznesi duhet të paguajë pjesën që i takon të taksave dhe tatimeve, që kasat fiskale duhet të përdoren nga çdo sipërmarrës dhe për çdo klient, këto janë sa të vetëkuptueshme, aq dhe të domosdoshme. Jo vetëm për funksionimin normal të shtetit dhe për mbrojtjen e sipërmarrjes së ndershme, por dhe për vendosjen e drejtësisë fiskale dhe për ruajtjen e ekuilibrave social në vend.
Për më tepër që biznesi – sidomos ai i madh – është dhe përfituesi i parë dhe më i madh i 25 viteve tranzicion (të dytë janë politikanët!): përfitues nga privatizimet xhaba ose nën vlerë të viteve ’90, nga kaosi në dogana, tatime dhe në institucionet e kontrollit dhe rregullimit të territorit në vitet më pas, nga tatimi i sheshtë shumëvjeçar, nga injorimi i detyrimeve dhe nëpërkëmbjes së të drejtave të punonjësve të tyre. Dhe, thënë hapur, më shumë se një model ekonomik të tipit “blej-këtu-dhe-shit-aty” dhe “ndërto-pallate-dhe-supermarkete”, biznesmenët shqiptarë nuk ishin në gjendje që t’i ofronin shoqërisë shqiptare. Shpërdorim në masë i kapitalit, i cili sigurisht, as u krijua, as u shtua prej tyre.
Shumë arsye pra, që veçanërisht sipërmarrja e madhe të paguajë detyrimet e saj ligjore kundrejt shtetit, ashtu si i paguajnë nëpunësit dhe punonjësit, të cilëve taksat ose u hiqen direkt nga rroga, ose iu duhet që t’i paguajnë bashkë me çmimin e mallrave, nëpërmjet TVSH-së.
Megjithë drejtësinë e padiskutueshme të kësaj nisme, momenti i zgjedhur për fillimin e fushatës është shumë delikat: ekonomia është prej vitesh në vështirësi dhe, nëse të dhënat e 6-mujorit të parë merren për bazë gjykimi, kriza është thelluar më tej. Po ashtu, efektet fillestare të fushatës mbi ekonominë do të jenë shtrënguese – nga sipërmarrësit kjo mund të shihet si një lloj “takse” shtesë, edhe pse në fakt, ajo nuk është e tillë. Në kushtet e krizës, aksioni anti-evazion mund të shtyj një pjesë të konsiderueshme të sipërmarrjeve, ato që punojnë në kufi të rentabilitetit (“break-even”), drejt falimentimit dhe mbylljes.
Kjo mund të jetë e vërtetë sidomos për biznese të vogla, të cilat praktikisht veprojnë në kufirin e mbijetesës dhe për ato, taksat e papaguara ndaj shtetit janë në fakt “fitimi” i vetëm nga biznesi. Si të thuash, evazioni është për këto firma një lloj subvencionimi nga ana e shtetit, që këto biznese të mos mbyllen dhe të punësuarit aty të mos kthehen në të papunë. Se sa sipërmarrje të vogla janë në këtë gjendje, kjo është e pamundur të thuhet sot. Por jo më vonë se pas 3 deri në 6 muaj fushate anti-evazion “gjërat” do të jenë qarta.
Por dhe te biznesi i mesëm dhe ai i madh – sidomos te ato që kanë kryer evazion fiskal masiv në të shkuarën dhe që i tremben më shumë kapjes dhe detyrimit për të paguar çdo gjë të fshehur deri tani – ekziston rreziku falimentimit të qëllimshëm, edhe nëse biznesi është fitimprurës, për zhdukjen e dokumenteve dhe për t’iu shmangur detyrimeve të prapambetura, gjobave apo përgjegjësisë penale.
Në këtë fushatë duhen menduar dhe llogaritur mirë jo vetëm rezultatet e pritura – rritja e të ardhurave në buxhet dhe me to, edhe ulja e borxhit – por sidomos dhe ato të papritura: ndikimi mbi rritjen ekonomike, mbi papunësinë dhe po ashtu mbi strukturën e ekonomisë: nëse anti-evazioni çon në eliminim në masë të sipërmarrjes së vogël, përfitues përfundimtar nga ky proces i bie që të jenë përsëri biznesi i madh dhe oligarkët, siç ka ndodhur gjatë gjithë tranzicionit.
Në këto kushte, një qasje e kujdesshme dhe graduale e Ministrisë së Financave në luftën kundër evazionit dhe informalitetit do të ishte strategjia më e mirë në arritjen e eliminimit afatgjatë të evazionit, por dhe për të mos asfiksuar më tej ekonominë shqiptare në krizë. Aksione anti-evazion të tipit “shock-therapy” apo në formën e një “gjuetie shtrigash” – këto janë gjëja më e fundit që i duhen ekonomisë shqiptare sot. Dhe që duhen shmangur me çdo kusht. Edhe pa këto ekstreme, lufta anti-evazion ka për ta rënduar ekonominë në një periudhë afatshkurtër dhe ndoshta më tej, me riskun e madh që brenda 6 apo 12 muajsh Shqipëria të përfundoj në recesion dhe të ardhurat nga operacioni fiskal të “hahen” nga rënia ekonomike.
Suksesi apo dështimi politik i fushatës do të varet në radhë të parë nga mënyra se si do të zbatohet ky proces: transparent dhe i paanshëm apo politik dhe selektiv; i fokusuar te evidentimi dhe ndëshkimi i kapove e vërtetë të evazionit apo thjesht aksion sa-për-sy-e-faqe, duke goditur peshqit e vegjël dhe duke mbrojtur oligarkët e ekonomisë.
Për më tepër, siç e theksonte me të drejtë Pishak Zhgaba te shkrimi “AKSION KUNDËR ÇORODITJES”, një temë kaq e rëndësishme si kjo e ekonomisë informale kërkon detyrimisht dhe dialogun dhe mundësisht, edhe konsensusin me opozitën, nëse qeveria do vërtetë, që kjo fushatë të shkoj përtej një aksioni të radhës.
Kredibiliteti dhe serioziteti i qeverisë në luftën anti-evazion do të duken, në radhë të parë, nëse ajo është gati të përfshijë në këtë proces sipërmarrjet private të deputetëve të saj dhe të afërmve tyre. (Po. Edhe për bizneset e Koços e kam fjalën këtu.) Dhe së dyti, nëse ajo e vë fokusin te ato biznese të mëdha në ato sektorë ekonomik, në të cilat është (për)fituar më shumë gjatë tranzicionit ose ku mendohet të ketë evazion më të rëndë: nafta, mineralet, televizionet e mëdha private, telekomunikacioni, tregtia me shumicë.
Ndërsa për suksesin financiar të kësaj fushate, për këtë dyshimet janë të lejuara. Së pari, është e vështirë që të luftosh evazionin fiskal, kur tatimorët i ke të korruptuar. Eliminimi i korrupsionit në radhët e administratës tatimore është vendi se ku duhet filluar: ndalimi i punonjësve të Tatimeve që të përpilojnë bilancet për firma private (të cilët i kontrollojnë po vetë më pas), miratimi i masave administrative për ata që vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë dhe i masave penale për ata tatimorë të cilët, kundrejt shpërblimit, mbyllin sytë apo gojën para informalitetit dhe evazionit.
Së dyti, është e vështirë të luftosh evazionin, kur kontrolluesve te Tatimet u mungon ekspertiza se ku të kërkojnë, si të analizojnë shpenzimet dhe bilancet, dhe si të vërtetojnë evazionin fiskal. Jo shumë vite më parë, ministri i atëhershëm i Ekonomisë deklaronte – në stilin e zyrtarit të një republike bananesh – që qeveria nuk kontrollonte dot, nëse bilancet e kompanive të prodhimit të naftës në vend ishin të rregullta apo abuzive, pasi nuk ka ekspertizë, me rezultatin që këto kompani nuk kanë paguar asnjëherë (!) tatim mbi fitimet e realizuara në Shqipëri:
“Ne aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bërë kontrolle të vazhdueshme, por tregu është i tillë, njohuritë tona janë të tilla në fushën e hidrokarbureve, që nuk kemi arritur dot të bëjmë një kontroll të saktë.”
Së treti, evazioni nuk mund të luftohet sa kohë që llogaritarët dhe bilancierët e pavarur vazhdojnë që të përpilojnë bilance të dyfishta për sipërmarrjet private, pa patur frikë nga kapja dhe ndëshkimi ligjor.
Sigurisht që suksesi do të varet dhe nga seriozitetit i përgatitjes dhe i zbatimit në terren të masave anti-informalitet dhe anti-evazion, nga fokusimi dhe vazhdimësia e kontrolleve, nga masat ndëshkuese administrative dhe penale etj.
Por në radhë të parë, suksesi i saj do të varet nëse qasja ndaj informalitetit dhe evazionit bëhet politikisht e paanshme, financiarisht e kujdesshme, jo me “dorë të rëndë”, por qasje graduale dhe afatgjatë, pa pritshmëri shifrash absurde dhe rezultatesh të shpejta. Edhe pse sasia e të ardhurave shtesë në buxhet do të jetë e rëndësishme, suksesi i fushatës mund të matet vetëm në një hark kohor shumëvjeçar, nëse pas 5 apo 10 apo 20 vjetësh informaliteti eliminohet plotësisht dhe evazioni arrin të ulet në nivelin e ekonomive të vendeve të zhvilluara.
Në të kundërt, fiaskoja do të jetë e programuar dhe rreziku është i lartë, që së shpejti të zbulojmë se ekonomia shqiptare, përtej informalitetit dhe evazionit, ka shumë pak rrënjë dhe akoma më pak substancë.
© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të blogut.
Edhe per aksionin e “dritave” u tha qe do te deshtoje, por nuk ndodhi ashtu. Jemi deshmitare sesi njerzit e bizneset u turren dyerve te zyrave te OSHEE per te paguar detyrimet e prapambetura, apo per te lidhur marreveshje per shlyerje/pagesa te vonuara. Lufta ndaj evazionit fiskal duhet te jete permanente, por nje nisje e forte ne formen e nje aksioni perputhet, apo i shkon per shtat mentalitetit prej matrapazi qe gezojne bisnesmenet tane.
NJe takse akoma e pashfrytezuar eshte ajo ndaj pasurise. Sa me shpejt te vihet ne eficience aq me mire do te jete per shoqerine. Duhen zgjidhje eficiente qe, sigurisht ne perputhje me ligjin, prekin apo taksojne ate pjese (pakice) te popullates qe gjate ketyre 25 viteve eshte pasuruar padrejtesisht, edhe si rjedhoje e evazionit fiskal. Nje lajm pozitv eshte psh, se gjate ketyre 2 muajve nga paralajmerimi per fushaten anti-evazioniste, jane me qindra bizneset informale qe moren mundimin te shkojne e te regjistrohen tek zyra perkatese dhe keshtu te behen formale.
– Ore c’eshte kjo taksa e televizorit prej 100 leke tek fatura e dritave- me pyet para disa muajve nje komshi tek pallati ngjitur dhe qe eshte pronar i nje veture super klasi. Eshte nje takse sherbimi e vendosur shume vite me pare – i them une. Ah, tha, nuk e dija. Po nuk ke si ta dish – i thashe, nese nuk ke paguar dritat ndonjehere. 🙂
Mendoj se nuk duhet ta krahasojmë aksionin e dritave me atë të luftës kundër evazionit, sepse ky i fundit është fenomen shumë më i ndërlikuar. Nuk është se mjafton t’u dërgosh faturat (cilat fatura pastaj?) për t’i paguar e zgjidhet automatikisht puna. Realizimi i objektivit kërkon fillimisht përmbushjen e disa kushteve, siç është p.sh. lufta kundër korrupsionit, meqë nuk mund ta luftosh evazionin fiskal me zyrtarë të korruptuar, sepse këta mund të korruptohet sërish nga ata që bëjnë evazion.
Për më tepër, evazioni është edhe çështje kulturore, sepse ka të bejë me detyrimet ndaj shtetit dhe bashkësisë. Pastaj nuk ka vetëm evazion, por edhe eluzion (bishtnim) fiskal.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet luftuar, por bëhet fjalë vetëm për të gjetur mënyrat më efikase për ta zhvilluar këtë luftë.
http://www.gazetatema.net/web/2015/08/31/rama-300-dite-lufte-ndaj-informalitetit-do-angazhohen-edhe-policia-e-shtetit-dhe-prokuroria/
Shto ketu qe ky homosapiensi qe eshte kryeminister nje dite me pare na e garantoi pronen private me marreveshje dhe me task force.
Me demek le te vazhdoje evazioni se nuk paskemi c’ti bejme? Apo kishte ndonje sugjerim tjeter ne kete opinion?
Përkundrazi. Unë them që lufta kundërt evazionit është drejtë, është e domosdoshme dhe madje e vonuar. Por që të ketë sukses, ajo nuk mund të bëhet me aksione, as me dorë të rëndë, as e njëanshme.
Dhe që të ketë kuptim dhe rezultat nisma, qeveria fushatën bën mirë që ta nis te rradhët e tatimorëve dhe kontrolluesve të saj. Dhe të marri parasysh efektet anësore në ekonomi, që të mos nisemi “për të venë vetullat” e të përfundojmë duke “nxjerrë sytë”.
Me duket se qeveria i dha nje stimul rreth 600 milione dollare ekomoise kur mori qerren apo jo? Madje mori borxh qe te bente kete injeksion. Tani i kane dale 300 meleone me pak. Ok le te marrim vesh ku iku ai stimul e si i famshmi ‘GDP multiplier’ u kthye ne ‘GDP divisor’. Kjo behet vetem me aksion me goditje te perqendruar. 1/3 e bizneseve nuk paskan kasa fiskale? Athere nisja behet ne terren (jo te tatimoret qe vijne pas pilafit)
Ku shkuan 600 milionë dollarët e stimulit? Pyetje me vend, por përgjigjen mos e kërko vetëm te evazioni.
Stimuli fiskal – me uljen e taksave për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe të taksave mbi rrogat nën 130 mijë Lekë – bashkë me shlyerjen graduale të borxheve të prapambetura të shtetit tek sipërmarrja private, u miratuan nga qeveria në fund të vitit 2013 dhe hynë në veprim për herë të parë në 2014. Tani, rezultatet e vitit fiskal 2014 nuk patën ndonjë surprizë negative dhe të ardhurat e buxhetit për atë vit ishin pak a shumë brenda pritshmërive dhe brenda planit të MF.
Pra, stimuli veproi vitin e parë të vënies në zbatim dhe rezultatet ishin positive, siç edhe pritej nga MF dhe FMN-ja. Por nuk veproi në 6-mujorin e parë 2015, kur të ardhurat në buxhet ishin shumë (!) më të ulta se sa plani. Ose, stimuli veproi edhe tani njësoj si një vit më parë, por efektet positive të tij u kompensuan dhe u tejkaluan nga efekte të tjera negative, në ekonomi dhe në buxhet.
Cilët mund të jenë këto faktorë? Sipas MF janë kryesisht rënia e çmimit dhe e importeve të naftës dhe të energjisë elektrike, si dhe zëvendësimi i disa importeve të mallrave të akcizës me prodhim të brendshëm, të cilat i shmangen më lehtë TVSH-së dhe akcizës se sa importet (evazion).
Përveç këtyre, unë do të shtoja dhe rënien e fuqisë blerëse dhe të konsumit në vend në 6-mujorin e parë, si pasojë anësore e katër faktorëve, të cilët ndodhën thuajse njëkohësisht, në këto 12 muajt e fundit:
aksionit i “dritave”, të ndërmarrë në tremujorin e fundit të vitit që kaloi dhe në muajt e parë të këtij viti, aksion i cili i solli OSSHE të ardhura shtesë që shkojnë mbi 200 milion dollarë, por që në anën tjetër i munguan konsumit në 6-mujorin e parë të vitit (aksioni në vetvete ishte padyshim i drejtë dhe një sukses i qeverisë).
acarimit të krizës në Greqi nga fundviti 2014 dhe gjithë 6-mujorin e parë 2015, ç’ka duhet të ketë ulur të ardhurat nga emigracioni, përveç efekteve mbi eksportet tona drejt Greqisë.
aksioni masiv kundër drogës, i filluar në verën e vitit që kaloi në Lazarat dhe që vazhdoi me intensitet të lartë që atëherë në të gjithë vendin (edhe këtu vlen: aksioni në vetvete ishte sigurisht i drejtë dhe një sukses i qeverisë). Për shifrën konkrete të pareve të pista, që nuk hynë më në vend pas fushatë, veç mund të spekullohet, por edhe sikur 10% e asaj shifre të jetë e vërtetë, kemi të bëjmë me të paktën disa qindra miliona dollarë të “munguara”.
kriza ndërkombëtare që ka përfshirë vendet në zhvillim dhe largimi masiv i kapitaleve të huaja jashtë këtyre vendeve, në këto 12-14 muajt e fundit nuk do të ketë kursyer as Shqipërinë (nëpërmjet bankave dhe kompanive e huaja me veprim në Shqipëri)
Pasojat e përbashkëta të këtyre faktorëve, besoj unë, jo vetëm që i kanë kompensuar efektet e stimulit, por i kanë tejkaluar shumë herë ato.
Edhe këto kam parasysh më lartë, në shkrimin tim, kur përmend situatën e vështirësuar në ekonomi dhe pse MF do të bëj mirë, që të jetë e kujdesshme me operacionin anti-evazion, në këto rrethana…
Dmth ka ra cmimi i naftes e le te vazhdoje katrahura se po u vu dore per zbatim ligji (thjesht kerkohet kasa financiare dhe fatura sic e parashikon ligji) permbyset varka? Nuk e kuptoj kete llogjike. Ai lek qe nuk hynte ne arke te qeverise, hynte ne arke te privatit. Asgje nuk ndryshon.
Më pyete për stimulin, për atë t’u përgjigja.
Edhe diçka dua t’i shtoj komentit më lart: Janari 2014, kur hyri në fuqi reforma dhe stimuli fiskal, ishte dhe momenti i përshtatshëm për të filluar me luftën kundër informalitetit dhe evazionit. Sipas motos: “Po. Ne i ulëm taksat, por ama secili duhet të paguaj pjesën që i takon. Karrota dhe kërbaçi. Politikisht dhe financiarisht momenti i duhur. Pa u sforcuar, pa “goditje të përqëndruar”.
Ndërsa sot, një vit e gjysëm më vonë, stimulin njerëzit e kanë harruar dhe efektet e tij janë tretur me kohë. Bad timing. Dhe në ekonomi, sidomos në ekonomi, vlen: ‘timing is everything’.
Qafir,
Mos të gënjejmë veten se problem më i madh strukturor që ka ekonomia Shqiptare qënka evazioni fiskal.
Shqipëria nuk ka treg në kuptimin e plotë të fjalës. Ka vetëm konsumator që rrojnë me remitanca, shtet që rron me dihma, dhe biznese që vjedhin herë njërin, herë tjetrin.
Për t’a thjeshtuar arsyetimin e Gjilpërës – llogjika t’a do që këta biznesmenë nëse nuk do vjedhin shtetin do vjedhin konsumatorin.
Nese eshte e vertete qe rreth 50 % e ekonomise eshte informale, pra qe nuk tatohet, si nuk qenka problem i madh strukturor?
Nese biznesmenet nuk do te jene me ne gjendje te vjedhin shtetin, do te vjedhin konsumatorin – shume mire do bejne – me kete rast edhe konsumatori fillon e ndergjegjesohet e do te bleje tek ata qe nuk do e vjedhin.
Të mara në vete taksat në ekonomi janë ‘zero sum game’.
Përndryshe, investimet janë faktori i drejtëpërdrëjt i rritjes. Prodhimi varet nga sa efiçentë dhe konkurrentë janë investimet, dhe pak ose aspak nga efiçensa e taksave.
Arsyeja pse po flitet për taksat nuk është shëndeti total i ekonomisë, por sikleti që qeveria nuk përballon dot shpenzimet.
Nëse do të flasim për strukturë, le t’i marrim sektorët e ekonomisë me radhë: minerale; energji; turizëm; bujqësi; dhe t’i analizojmë se sa konkurrentë dhe eficentë janë ato në të vërtet.
Në të kundërt, vazhdojmë t’i biem fyellit në një vrymë.
Jam shume dakort me gjithçka shkruan Gjilpera dhe ve re se disa nga komentuesit nuk i kane kuptuar drejt argumentat e dhena ne shkrim. Po shtoj dhe une dy qindarkat e mia mbi kete teme.
Evazioni fiskal ka dy shkaqe kryesore qe ne shumicen me te gjere te rasteve bashkejetojne dhe nxisin njera-tjetren. Njera eshte indiferentizmi, injoranca dhe bindja se punet e shtetit dhe te bashkesise ku jetojme nuk jane problem i yni. Secili per vete dhe zoti per te gjithe. Ne te shumten e rasteve, ata qe kane kete bindje jane thjesht te paditur per punet e shtetit dhe i mendojne taksat thjesht si nje haraç, njesoj sikur t’ua merrte mafia, prandaj edhe mundohen t’u shmangen me çdo menyre. Por ka edhe nga ata, te pakte qe e justifikojne veten duke thene se parate e tyre do te shperdorohen pasi te merren nga shteti. Kjo bindje e fundit ushqen edhe ate te paren pasi nese shteti nuk ben detyren e tij, lind natyrisht pyetja: pse duhet te paguaje qytetari? Kjo bindje lidhet edhe me shkakun e dyte. Cdo ekonomi qe te zhvillohet duhet te kete nje sere faktoresh funksionale, te cilet ne mos incentivizim, perbejne te pakten nje ndihme ose nje mungese pengese per sipermarresit. Keshtu, zakonisht, pritet qe te kete infrastrukture rrugore, elektrike, ujore, te ujerave te zeza, por edhe siguri, qartesi dhe stabilitet ne ligjet mbi pronen e patundshme, enforcement (nuk e di si thuhet shqip) te kontratave, gjykates objektive, burime njerezore te edukuara dhe sistem shendetesor qe te garantoje nevojat bazike te popullit. Shteti dhe taksat ekzistojne per te garantuar ne nivele te ndryshme komoditeti keto lloj sherbimesh dhe faktoresh. Tani askush nga parashkruesit mendon se keto sherbime (po i quaj keshtu per thjeshtesi) jane te garantuara ne forme te kenaqshme ne Shqiperi. Ne kondita te tilla, kapitali (pra investuesi) do te kerkoje nje perqindje fitimi me te larte, pasi rreziku qe paraqet sistemi Shqiperi eshte me i larte. Rreziku merr forma nga me te ndryshme: zjarr aksidental ose i provokuar per te cilin nuk gjen asnje forme sigurimi, vjedhje e mitmarrje qe mbeten neper arkiva, korrupsion shteteror qe heq mundesi per te bashkepunuar me institucionet publike (pasiv), korrupsion shteteror qe te kerkon te paguash diçka nen rrogoz qe te te lene rehat, edhe kur nuk kane prova qe ke bere gje te gabuar (aktiv), shpronesim, ndryshim i pajustifikuar i kuadrit ligjor, pamundesi per te gjetur njerez te kualifikuar etj etj. Per te mos folur pastaj per rreziqet personale qe perjeton dikush qe ka kapitalin te investuar ne Shqiperi dhe i duhet te jetoje atje per t’u kujdesur per biznesin e tij. Nuk eshte çeshtje grykesie apo “mentalitet prej matrapazi”. Me siguri edhe keto ekzistojne ne Shqiperi, si gjithandej fundja, por biznesimeni shqiptar nuk eshte ndonje specie e rralle. Ai, si gjithe te qeniet njerezore, funksionon nepermjet incentivave qe ka. Qe çdo individ racional dhe egoist te zgjedhe te jetoje e te punoje ne Shqiperi (kur e ka mundesine e kesaj zgjedhjeje, natyrisht) duhet qe avantazhet dhe te mirat e kesaj zgjedhjeje te jene me te medha se kostot e saj. Dhe kostot e saj, pra rreziqet, jane vertet te larta. Fakti qe nje perqindje e madhe e atyre qe shkruajne ose lexojne kete blog nuk jetojne ne Shqiperi eshte nje konfirmim me shume. Fakti qe ne 2015, pasi gjasme jemi duke hyre ne BE dhe kemi lirine e levizjes ne hapesiren Shengen, eshte shtuar numri i azilkerkuesve, eshte nje tjeter konfirmim.
Dhe natyrisht qe nder keta biznesmene ka shume qe jane matrapaze e te paskrupullt, ndoshta relativisht ata jane me te shumte se sa ne vendet e tjera. Por edhe nje here, ata jane produkt i sistemit shqiptar. Ne nje sistem me rrezikshmeri te larte, me kokekrisurit, te pa skrupujt, ata qe nuk kishin çfare te humbisnin qene te paret qe levizen, qe krijuan lidhjet, qe investuan, qe korruptuan, etj etj. Sot jane po keta njerez, the new money, qe ka mberthyer shtetin ne nje sere oligarkish te frikshme. Ata me siguri duhen luftuar, sistemet qe i mbrojne artificialisht duhen shperbere, por mos u gaboni te mendoni se ata jane shkaku i semundjes shqiptare. Ata jane thjesht nje simptome me shume.
Prandaj edhe eshte e rrezikshme kjo fushata flash kunder evazionit fiskal. Pasi nje fushate e tille, gjithmone nese e paanshme (se nese do te behet e anshme, siç ka gjasa, pasojat negative do te ishin te pafundme dhe nuk do te kishte pasoja pozitive), ngre koston e te berit biznes ne Shqiperi ne menyre te menjehershme dhe te papritur, nderkohe qe nuk prek benefitet ose te mirat e te berit biznes ne Shqiperi.
Dhe ketu lidhem me analizen e Gjilperes per bizneset e vogla.
Do te kishte qene e keshillueshme nje fushate graduale, e cila do te fillonte me heqjen nga puna e te gjithe inspektoreve te korruptuar dhe zevendesimin e tyre me gjysmen e njerezve ne sasi, por te edukuar enkas, me rroga shume te larta dhe me nje disipline te hekurt. Personalisht do te isha per kthimin e taksimit te sheshte qe do ta bente punen shume me te thjeshte per keta njerez. Po ka me qindra masa te tjera qe duhen ndermarre para se te filloje kjo gjueti e rrezikshme shtrigash.
Shume interesant: arkes i derdhen me shume leke kur paska me pak personel verifikues?
Po, sepse arketimi nuk varet aq shume nga numri i personelit verifikues (i cili, si gjithandej ne administraten shqiptare, eshte i tejfryre), por varet nga aftesia dhe vullneti i atyre qe kontrollojne.
Po kur nuk ka arke fare?
Per me tepen per cilesine e administrates te Shqiperise(‘shqiptare’ sic e quan Civici me poshte)
Nuk jane leshko si mendoni ju. AKBN-ja, psh, ka kuadro te kualifikuar qe trajnohen shpesh me kontributet monetare te Bankers Petroleum. Dikush i permendi ata per evazion fiskal (me patedrejte), nderkohe eshe AlbPetroli qe i eshte taksur monitorimi, nderkohe trajnimi per kete pune i behet AKBN-se. Pra nuk eshte cilesia e personelit problem ketu.
http://www.ekon.al/2015/03/03/fund-pastrimit-te-parave-ne-shqiperi/
Shkrimin e ka marrë sot pa leje “Lapsi.al”, duke lënë jashtë edhe autorin, edhe linkun:
http://www.lapsi.al/ide/2015/09/01/nisma-e-rrezikshme-e-luft%C3%ABs-kund%C3%ABr-informalitetit#.VeYcmfZVhBc
🙂 keto lloj media on line si kjo qe permendni ju xha xha jane si kerpurdhat qe mbijne mbas shiut, por kur thatesira zgjat, vyshken dhe thahen. Ndaj mos u “revolto” se jane pa taban, pa din e pa iman!
Nuk është hera e parë. Madje nga përvoja di që “Lapsi.al” nuk i lexon as komentet. Kohë më parë ky organ botoi një shkrimin tim me emër (dhe me fotografi) të Xhaxhait. Teorikisht kjo është e rëndë, jo aq për të drejtat e autorit, se kush e ka çarë ndonjëherë kokën në Shqipëri për to, se sa për atribuimin e mendimeve dikujt tjetër, që teorikisht mund t’i ketë krejt të kundërta.
Megjithë kërkesën me shkrim të Xhaxhait (por edhe unë e bëra timen) për t’ia ndryshuar autorësinë artikullit, sot e kësaj dite ka mbetur siç ishte. Por ndoshta “Lapsi.al” e ka ndryshuar politikën e leximit të komenteve…
Ka nje opsion faqja qe mund ta besh te tille qe nuk mund te klikosh per te kopjuar shkrimet brenda faqes. Mund te aplikohet kjo si formule per te shmangur keto kopje kaq te shpeshta pa leje…edhe pse Lapsi.al ia ka marre doren duke u bere kopje.al!
Dy fjale per shkrimin kisha njekohessht. Me pelqeu trajtimi dhe do te thoja qe problemi i te ardhurave te munguara shtrihet tek Doganat 42% ne fushen e akizes, TAP 20% dhe kusuri tek Tatimet e jera. T’i futesh me koke disa bizneseve te vogla ku ne fakt politika fiskale e qeverises eshte mbytese nuk eshte gje e mencur. Madje me pak e mencur se sa ky dajaku i OSHEE-se, qe sipas nje investigimi, ka dale qe ka abuzuar me bilancin duke mashtruar qytetaret (lexo shkrimin tek reporter.al).