SI ZGJEDHOHET GREVA NË SHQIP

parashtresën e vet për grevën – për lakimin e grevës në shqip – Pishaku që në titull e sqaroi se do të përqendrohej në perceptimin që i bëhet grevës në diskursin publik shqip; dhe e bëri, besoj, ngaqë grevat në Shqipëri, njëlloj si sindikatat, kanë mbetur në nivelin e fjalës, por praktikisht janë përjashtuar nga ai i veprës.

Dhe meqë greva në kuptimin klasik tek ne nuk ndodhin, ose edhe po të ndodhin gjëkundi ato nuk i përfshin kush në fokusin e komunikimit masiv, atëherë ka gjasë që të rritet një brez i cili të mos e dijë më se çfarë është pikërisht greva. Ose që ta ngatërrojë këtë, me mutacionet e saj kryesisht në politikë, duke filluar nga greva e urisë, të cilën edhe Pishaku e veçon, duke vërejtur se meriton të trajtohet më vete.

Unë do t’i nisja këto shënime me vërejtjen se, tradicionalisht, greva është një formë e protestës masive dhe të padhunshme; e cila gjithnjë e përfshin një element shantazhi. Karakteristikë për grevën sot në Shqipëri, është se elementi i protestës ka ardhur duke u tkurrur, përballë fuqizimit të elementit të shantazhit.

Dhe kjo duket më qartë se gjetiu te greva e urisë, një formë proteste e skajshme, jashtë-parlamentare, e praktikuar sot në Shqipëri kryesisht nga politikanët e mbarë spektrit politik, por gjithnjë në bashkëlidhje me kërkesa të ndryshme; ose në forma ultimative. Kush e ndjek sado pak historinë e kësaj forme të protestës së padhunshme, që në fillimet e saj klasike te Gandhi, do ta vërë re se shantazhi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e rëndësishme e grevës së urisë[1]; dhe se të ndërpresësh ushqimin, ose të kërcënosh vetë-lëndimin ose vetë-vrasjen po të mos të plotësohet një kërkesë e caktuar, sado legjitime, është një mënyrë efikase për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe për të ngjallur simpatinë e publikut; por në thelb mbetet një formë e histerisë. Njëlloj do të ndodhte edhe sikur deputetët ose politikanët e tjerë të rëndësishëm të kishin vendosur të vetë-fshikulloheshin me kamzhik, ose të vareshin në zinxhirë si mishrat te kasapi, për të mobilizuar opinionin publik.[2]

Madje greva e urisë, në trajtat siç praktikohet sot nga politikanët në Shqipëri, as mund të përfytyrohet pa përcjelljen prej mass mediave; sepse nuk mjafton vetëm lëndimi i vetes, nëpërmjet refuzimit për të mos u ushqyer, por duhet edhe që publiku ta marrë vesh këtë dhe të shqetësohet, për jetët e rrezikuara; pra unë agjëroj dhe vetë-lëndohem duke performuar për ty që më sheh dhe merr pjesë në vuajtjen time; dhe pikërisht këtu unë e gjej aspektin performativ të grevës së urisë, te prania shpesh 24-orëshe e kamerave pranë “çadrave të grevistëve,” e cila në thelb e shndërron vetë grevën e urisë në reality show. Për nga teknika, ky vendim i të mosngrënit në emër të një kërkese, kauze, padrejtësie të bërë ose ultimatumi, sado kolektiv dhe i organizuar, i ngjan gjestit të dëshpëruar të qyqarit që ka humbur punën dhe nuk ka më me se “të ushqejë fëmijët”, dhe që ngjitet në tarracë të pallatit ose kacavarret në majë të vinçit, duke kërcënuar se do të hidhet që andej, po të mos ndërhyjë shteti ose kisha ose OJQ-ja përkatëse. Shantazh sentimental, në të dy rastet; dhe këtë e them pa paragjykuar qëllimet që mund të jenë dhe në fakt shpesh janë fisnike.

Ndryshe nga greva klasike, e ndërprerjes së punës, kjo e urisë mund të shpresojë se do të arrijë diçka vetëm po të shndërrohet në lajm; ndërsa e para mund të konsumohet edhe vetëm brenda marrëdhënies mes punëdhënësit dhe punëmarrësve, ose sindikatës që i përfaqëson këta. Nga kjo pikëpamje, greva e urisë i ka disa anë të ngjashme me terrorizmin; sepse në të dy rastet bëhet fjalë për lëndime të vetëdijshme jetësh, të cilat e arrijnë efektin në atë masë që shkaktojnë terror (keqardhje, indinjatë, shqetësim, revoltë) në radhët e publikut. Përndryshe, një grevë urie larg kamerave nuk do të dallonte shumë nga, të themi, një kurë dobësimi.

Karakteristikë e viteve të tranzicionit post-komunist, të paktën në Shqipëri, mbetet përçudnimi i formave dhe i teknikave të huazuara të veprimit politik; ngaqë protagonistët gjithnjë janë përpjekur t’i stilizojnë këto në përputhje me qëllimet ngushtësisht praktike. Veç grevës së urisë, këtu hyn edhe bojkotimi i veprimtarive institucionale nga ana e politikanëve (që zakonisht është shprehur si bojkotim i punimeve të Parlamentit nga opozita). Bojkotimi është edhe ai refuzim për të punuar; dhe në rastin konkret, refuzim për të mbajtur në funksionim Parlamentin, të kuptuar si një fabrikë të legjitimitetit politik. Ka edhe të tjerë që bojkotojnë; si studentët ose nxënësit e shkollave ose sportistët – por shembulli i deputetëve të Parlamentit është jo vetëm më pikant, por edhe spikat ngaqë, ndryshe nga punëtorët që dalin në grevë, deputetët nuk janë të punësuar në Parlament, por vetëm gjenden atje si përfaqësues të zgjedhësve; dhe e drejta e tyre për bojkotim të institucionit mbetet për t’u diskutuar.

Dhe meqë flasim për zgjedhjet, këtyre u shoqërohet gjithnjë – të paktën në parim – një formë refuzimi që mund ta quajmë edhe grevë të votuesve (siç e kanë quajtur në Itali: sciopero del voto) dhe që në Shqipëri sikurse kudo gjetiu në vendet demokratike përfshin një numër të madh votuesish potencialë; edhe pse këta vendimin për të mos votuar e marrin individualisht. Më interesant do të ishte rasti kur bojkotimi i zgjedhjeve, ose forma të tjera të ngjashme, si vota e bardhë, vijnë si pasojë e një presioni politik nga një forcë ose parti e caktuar; e cila pastaj numrin e madh të atyre që nuk votojnë e llogarit si mbështetës të saj. Ka pasur edhe në Shqipëri përpjekje të tilla, por ato kanë mbetur në tentativë; pa çka se refuzimi për të votuar, ose mospjesëmarrja në zgjedhje, mbeten dukuri sa të atomizuara, aq edhe masive.

Pishaku e shpjegoi, në shkrimin para këtij, se greva në kuptimin klasik të fjalës i dëmton të gjithë: punëdhënësit, punëmarrësit dhe publikun. Mbetet për t’u parë se kush dëmtohet, sa dhe si, në format mutante të grevës që ndeshen në jetën publike në Shqipëri, si greva e urisë, bojkotimi institucional ose mosvotimi. Pamë se, me grevën e urisë, aspekti skenik, performativ ose thjesht teatral tashmë e ka komprometuar vetë domethënien e gjestit; dhe se lëndimi i supozuar i trupave fizikë të grevistëve asnjëherë nuk lihet që të çojë në vdekje – meqë grevistët mbahen nën mbikqyrjen e pandërprerë jo vetëm të kamerave, por edhe të mjekëve (madje mund të shfaqet edhe ndonjë klerik diku, për t’u kuruar shpirtrat lëngimtarëve). Bojkotimi i punimeve të Parlamentit do të dëmtonte shumëçka, sikur të kish qenë ndonjëherë Parlamenti në Shqipëri në lartësinë që ia kërkon publiku, zgjedhësit dhe kushtetuta; por këtë s’e kemi parë prej shumë vitesh që të ndodhë. Më në fund, mosvotimi i vetëdijshëm dhe i orkestruar mund të vinte në dyshim, së paku teorikisht, rezultatin e zgjedhjeve; dhe këtu ka mjaft potencial për t’u shfrytëzuar nga ndonjë forcë politike që kërkon të mobilizohet në mënyrë jashtë-parlamentare nesër.

[1] Në krye të herës, ose siç u praktikua nga Gandhi, greva e urisë si formë e mosbindjes civile ishte praktika e mirënjohur e agjërimit, e bartur në kontekstin e politikës. Ky i pat shkruar dikur mikut të vet Louis Fisher: “Unë agjëroja për të reformuar ata që më donin […] Nuk mund të agjërohet kundër një tirani. […] Unë mund të agjëroj kundër tim eti, për ta kuruar nga një ves, por nuk mund të agjëroj për t’ia marrë pronat.”  Këtë parim Gandhi e zbatoi pa lëkundje edhe në praktikën politike; shumë prej agjërimeve të tij ishin në favor të së drejtave civile në përgjithësi, por pa implikuar ndonjë kërkesë politike imediate. Kështu, ai agjëroi në 1924 për miqësinë hindu-myslimane, në shtëpinë e një udhëheqësi mysliman; kundër një sugjerimi britanik për ta ndarë elektoratin indian më tresh; për të purifikuar vetveten; për të purifikuar ashramin e vet; për të drejtat civile të popullsisë së një krahine në Indi; kundër burgimit për motive politike, e kështu me radhë. Shih më tej këtu.

[2] Ndonjë koleg mund t’i plotësojë këto shënime me informacion dhe komente për grevat e urisë të minatorëve të kromit, për të cilat më mungon informacioni i nevojshëm, çka është në vetvete edhe argument në favor të tezës që po mbroj këtu.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, me citimin e grevës së minatorëve, më kujtove se vërtet greva e punës është shumë e ndryshme nga greva e urisë – sepse e para lidhet detyrimisht me kushtet e punës, kurse e dyta jo doemos – megjithatë këto dy lloje grevash puqen kur bëhet grevë urie në vendin e punës. Si rasti i mësipërm.
    Edhe unë jam dakord se elementi i protestës është reduktuar në Shqipëri, për shumë arsye, midis të cilave do të veçoja individualizmin dhe shantazhin. I pari si produkt i zhvillimit të shoqërisë shqiptare në rrjedhën e globalizmit postmodern, i dyti si veçori e një shoqërie në fazë klanore ku mbizotëron ligji i xhunglës. Për fat të keq nuk ka asnjë kontradiktë midis këtyre karakteristikave.
    Tani, protesta është koncept shumë i gjerë dhe greva është shprehja më e fundit, po të pranojmë parimin e mjeteve demokratike. Protesta mund të zhvillohet në shumë mënyra, nëpërmjet manifestimeve, mediave, votës. Por të gjitha këto kërkojnë që të paktën nga pala jote të ketë interes e vëmendje. Po të bësh grevë urie kundër një qeverie që as e di nëse ekziston, rrezikon të lësh puplat pa e marrë vesh njeri. Problemi tjetër është se protesta ka pasur gjithnjë ngjyrë politike në Shqipëri. Edhe ato pak raste proteste të shoqërisë civile, interpretohen sot si veprime në funksion të strategjive politike. Pra me ngjyresa politike.
    Të gjitha këto kanë të bëjnë me nivelin (pragun) e indinjatës në shoqëri. Në qoftë se na duket normale që gjërat të ecin siç po ecin, atëherë nuk ka kuptim të protestosh. As me heshtje, siç bëjnë plot shqiptarë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: