Ia bëra vetes që të dielën këtë pyetje, por tani që u njoftua se Kadareja ka fituar çmimin Jerusalem Book Fair 2015 me motivimin se “i dha shprehje lirisë njerëzore,” po e them hapur: pse të mos parakalonin ARTISTË shqiptarë në Paris, meqë lirinë e fjalës dhe shprehjes këta e kanë pa dyshim më të shenjtë se katër klerikët?
Pastaj, në ka një figurë publike që natyrshëm na mban të lidhur me Parisin, Francën dhe Europën dhe vlerat e tyre që i kemi bërë tonat, kjo është Kadareja, aq më tepër që lapsi i tij prej shkrimtari ka luftuar me censurën për pjesën më të madhe të jetës së vet krijuese.
Do të kisha preferuar, pra, që mesazhi ynë i solidaritetit me popullin francez të vinte edhe prej artistëve, dhe të mos kufizohej vetëm me faktin se kryeministri ka qenë (dhe është) artist; dhe të shihja, krahas Ramës e përkrah tij, edhe Kadarenë, Anri Salën, Angjelin Prejlocajn dhe Ermonela Jahon; që ashtu edhe të bindesha se misioni BRAND ALBANIA nuk është se ka zgjedhur veç “harmoninë fetare” si eksportin tonë kulturor.