DITË VDEKJESH

Një numër vdekjesh – sa të dhimbshme, aq edhe të rastit – kanë pushtuar kryetitujt në mediat e Tiranës.

Duke filluar nga dy të vrarët nga ekipazhi i rimorkiatorit privat “Iliria”, që ishte përfshirë në operacionet e shpëtimit të tragetit grek në flakë, afër brigjeve shqiptare.

Në momentin që shkruaj, viktimat janë lajmëruar si të moshave 59 dhe 57 vjeç; në moshë të shtyrë për t’u përleshur me elementet, në det të hapur.

Pyes veten si ndodh që një vend i NATO-s, në zemër të Europës, nuk gjen mënyrë tjetër për të ndihmuar në operacione shpëtimi në det, përveçse të dërgojë atje rimorkiatorin privat “Iliria” me një ekipazh gjyshërish.

Këto dy vdekje janë të freskëta; deri dje, ishte një tjetër vdekje, nga një tjetër aksident, që kish kapur faqet kryesore në të gjitha mediat: një letër e hapur e Eda dhe Visar Zhitit, dy qytetarë të republikës, në lidhje me djalin e tyre të vrarë në një aksident rrugor.

Visarin kam patur fatin ta njoh kur punonte në ambasadën tonë në Romë; kam simpati të madhe për të. Si prind, e kuptoj dhimbjen e pakufishme për humbjen e një fëmije. Prandaj edhe e kam të vështirë të them tani se kjo shpërfaqje e letrës, në çdo gazetë shqiptare online, mund të ishte shmangur.

death1Nuk e kuptoj arsyen pse duhej bërë kaq publike një dhimbje tepër private; sikurse nuk kuptoj ç’ndryshim ka vdekja e këtij të riu, sado të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm për ata që e njihnin, nga vdekje të tjera që ndodhin përditë në rrugët e amortizuara të Shqipërisë.

Si edhe herë të tjera, ky teprim – që mund ta ketë pasur zanafillën në dëshpërimin e çiftit Zhiti por që duhej të ishte dekurajuar nga miqtë e tyre në mediat – jep efekt të kundërt: një ngjarje e rëndë shndërrohet, dashur pa dashur, në një shenjë a fjalëkalim, për të rigrupuar klanet në pushtet.

Me këtë vdekje aksidentale konkurroi një tjetër katastrofë, që i ndodhi qytetarit Avenir Peka – të cilin e prezantuan, në media, si “ish-zv.ministër të Brendshëm”; dhe që humbi fëmijën e vet 11 vjeç, në një aksident rrugor.

Nuk e kam të qartë se çfarë synon të arrijë shtypi, duke u dhënë kaq prominencë vdekjeve aksidentale në trafik, që të paktën mund të kishin shërbyer, bie fjala, për të denoncuar gjendjen e mjerë të qarkullimit dhe të sigurisë rrugore anembanë Shqipërisë; por ma merr mendja që palët e prekura drejtpërdrejt duhej të mos kishin lejuar këtë popullarizim brutal të çfarë u ndodhi.

Mund ta përfytyroj çfarë torture do të jetë tash e tutje jeta për të dyja këto familje, marr pjesë në heshtje, në dhimbjen e tyre; por di edhe që bëhet fjalë për ngjarje që u interesojnë, e shumta, familjarëve miqve dhe të njohurve të familjeve, por jo publikut si të tillë.

Familja Zhiti dhe familja Peka nuk besoj se kanë nevojë për keqardhjen, sado të ndier, të publikut të mediave të Tiranës.

Duke u marrë gjerësisht me këto dy aksidente, mediat e Tiranës e vunë veten në rolin e një fletushke që shtypet dhe qarkullohet nga një elitë e vogël në pushtet, për nevojat e veta intime – ose për t’i treguar publikut se kush është “in” dhe kush është “out”: një meskinitet tipik për provincën e vogël.

Dhe më duket arrogancë e skajshme, që kjo elitë të përdorë edhe vdekjet e dy fëmijëve, për të treguar se në duart e kujt është pushteti.

Të gjitha këto vdekje iu mbivendosën një tjetre – këtë herë shumë më domethënëse: asaj të Qamil Zelës, një qytetar që s’kish qenë as “ish” dhe as “in”; dhe që gjendej në burg për një kundërvajtje në lidhje me energjinë.

Ky i shkretë vrau veten; u lajmërua pastaj se kish tentuar vetëvrasje edhe më parë; dhe se ishte duke u mjekuar për depresion.

Disa media thanë se kundërvajtja e tij nuk kish qenë e tillë sa të përligjte arrestin dhe burgimin; unë do të pyesja këtu se pse ishte në burg ky qytetar – edhe pse asnjë gjykatë nuk e kishte dënuar me heqje lirie. Ç’rrezik përbënte për publikun ky pater familias, për më tepër i sëmurë, që duhej mbyllur në paraburgim?

Për fat të keq, i vetmi shpjegim që më shkon në mendje është ai i “shembullit” për të trembur të tjerët – sa kohë që vjedhja e energjisë nga përdoruesit është reale dhe shqetësuese.

Natyrisht, nuk është vetëvrasja që provon se Zela ishte futur në burg pa arsye; meqë vetëvrasja është reagim ekstrem, zakonisht nga dikush që vuan nga depresioni.

Por këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut: ç’ishte kjo masë sigurie “arrest me burg” ndaj këtij qyqari? Cili institucion vallë po guxon të ndëshkojë qytetarët jashtë sistemit gjyqësor? Dhe më në fund – pas tentativave të Zelës për vetëvrasje, si ndodhi që ky njeri u la sërish në burg dhe nuk u transferua menjëherë në një qendër kurimi?

Janë pyetje që duhet t’i shtrojnë me forcë dhe publikisht shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Tiranë – të cilat kanë përfituar, deri më sot, miliona dollarë nga donatorë të huaj, por edhe nga fondet publike; dhe kanë në gjirin e tyre njerëz të përgatitur dhe të përkushtuar. Apo jo?

Dhe pikërisht këto pyetje do të doja t’i shihja në faqet e para të mediave, në vend të gjigantografive të viktimave fatkeqe të aksidenteve rrugore dhe pasioneve nekrologjike të elitës së tanishme.

Nuk ka komente

  1. Te njejten ndjesi pata dhe une xha xha kur lexoja mbi viktimat e aksidenteve dhe qe disa gazeta (jo te gjitha) i shenjestronin viktimat fatkeqe duke i lidhur me emra te njohur publik. Sa per rastin e te vetvarurit fatkeqit nga Lushnja, duhet me patjeter te kryhet nje inspektim i imet ndoshta nga avokati i popullit per te gjithe kalvarin e historise qe nga aresyet e arestimit e deri tek neglizhenca e punonjesve te burgut. Ai, nuk ishte i burgosur, por i paraburgosur; pra nuk i ishte bere akoma gjyqi. Por edhe ketu ka vend per hetime pasi qyqari kishte me duket qe ne muajin Tetor qe rinte ne paraburgim. Por edhe ketu prape ka paqartesi pasi thuhet se ai vuante paraburgimin ne te njetin ambjent me te burgosurit qe jane te denuar tashme nga gjykatat. Pra ka shume gjera te paqarta qe duhen zbardhur – gje me te cilen ironikisht nuk merren gazetaret dhe mediat tona te pavarura.

  2. Nje teme teper interesante.
    Personalisht mendoj se problemi shkon edhe me tej, ose te pakten mund te shihet edhe nga nje kend tjeter. Mospermbajtja e dhimbjes dhe shprehja e saj ne publik, sipas nje rituali te caktuar eshte shenje karakteristike e popujve orientale, me te cilet shqiptaret ndajne shume me teper gjera nga sa mendohet.

  3. ndoshta eshte pa vend te jesh cinik, porse menyra e paraqitjes se lajmit acaron edhe shpirta te qete me mendje grindavece si kjo e imja. P.sh. ne te dyja rastet, te z. Zhiti dhe te z. Peka, jane hetuar kompanite e ndertimit te rruges per ndikim ne aksident. Kesi gjerash nuk lexon te ndermerren kur neper rruge vriten njerez te thjeshte. Keta e kane gjithmone vete fajin. Robi i thjeshte vdes vete, ai skadon.
    Cfare duhet te deshiroje ciniku? qe ish-ministri i transportit te vritej ne rrugen qe firmosi si te kryer? qe ish-ministri mjedisit te kumbiset gjekundi ne ndonje hidrovor gjysem te perfunduar? qe ndonje zyrtar i ministrise se mbrojtjes te gjeje belane nen ndonje tank qe shkon per skrap apo cmontim predhe? apo qe, large qofte, edhe ish-kryeministri te varet gjekundi me ndonje shirit perurimi apo te gjymtohet nga ndonje gershere?
    duhet ruajtur publiku nga keto kobe!
    Zot i madh qe je ne qiell, mos na shti ne ngasje te justifikojme a arsyetojme vepren tende, e as ti urojme te keqen tjetrit. Amin!

  4. Në hullinë e lajmeve të kota për vdekje, sado të dhimbshme në vetvete, dhe të nekrofilisë si sëmundje dinake të informacionit shqip, ja ku u shfaq edhe njoftimi për një prift katolik 72-vjeçar që ka ndërruar jetë në Rrëshen, pasi është ndier keq gjatë meshës. Lajm që kushedi do të meritonte vëmendje nga mediat lokale dhe me siguri i hidhur e tronditës për të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin – por që përndryshe nuk përbën interes publik (jam i sigurt se vendi i priftit të vdekur nuk do të mbetet bosh). Për më tepër, u njoftua dhe pastaj u përgënjeshtrua se Ipeshkvi i Dioqezës së Mirditës ishte ndier edhe ai keq, pasi e kish mësuar këtë lajm. Përveçse po të jetë fjala për hijezime të ndonjë komploti diabolik për të eliminuar klerin katolik në Mirditë, ky informacion nuk kish pse të përcillej nga të gjitha mediat – dhe nuk po dua të spekuloj më tej për arsyet.

    1. me duhet se eshte kthyer ne sport “xhaxha bashing”. Po ky tipi nuk mund te shkruante ne blog, te perdorte te njejten adrese per shqetesimin e tij? duhet te shkruante tek RD-ja e te bente 100-ra pyetje sikur flet ne nje mbledhje te bashkimeve profesionale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin