Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim / Politikë

PËR NJË GRAMATIKË TË FOLJES POLITIKE

Shkrimi i Pishakut për sindromën “do të”, më bëri të mendoj për nevojën e një skice gramatikore të foljes politike në shqipe.

Duke filluar nga…

E ardhmja: e cila vjen e dyfishtë, si e ardhme elektorale, dhe e ardhme profkatare. Këto dallojnë mes tyre ngaqë, gjatë një fushate elektorale, profkat mbrohen nga shteti – ose, më mirë akoma, nga gjuha vetë. Një politikan që përdor të ardhmen, gjatë një fjalimi me zgjedhësit, është duke premtuar; dhe premtimi, si akt gjuhësor, nuk mund të gjykohet si pohim faktik (me vlerë vërtetësie), por si dëshirë e dikujt që, sikur të marrë besimin e zgjedhësve, mund edhe ta realizojë. Kandidatit për deputet i lejohet të thotë, bie fjala, se do ta lidhim Zvarrishtin me rrugë automobilistike – me kusht që zgjedhësit ta mbajnë mend këtë premtim dhe pastaj t’ia kujtojnë premtuesit, kur të vijë koha e bilanceve – përndryshe premtimi i djeshëm kthehet edhe ai, retroaktivisht, në profkë. Përkundrazi, e ardhmja profkatare, për të cilën më duket se flet edhe Pishaku, duhet shpallur non grata në ligjëratën e ekzekutivit: një ministri nuk i ka hije të përdorë të ardhmen, sidomos kur i flet publikut (do ta lyejmë fasadën e shkollës së fshatit me ngjyrat e flamurit; sepse publiku pastaj mund t’i përgjigjet: nga ne e ke lejen me pashë, o ministër); por vetëm të tashmen e aktualizuar: po punojmë për ta përfunduar rrugën brenda këtij viti; ose jemi duke negociuar një çmim të përshtatshëm për bojërat ose edhe po presim të gjejë pak kohë për të ardhur nga Kanadaja artisti konceptual Loro Kcira me projektin përfundimtar. Dhe, gjithsesi, në gojën e ministrit, e ardhmja rrezikon ta humbë forcën ilokutive – meqë ky këtë kohë të foljes bën mirë ta përdorë vetëm kur flet me shefin e vet dhe në kontekste kur i duhet të dalë pa lagur, por jo me publikun; nëse nuk do të akuzohet pastaj se ka filluar fushatën elektorale tjetër të radhës.

E kryera: këtë kohë duam ta dëgjojmë më shpesh, sidomos në vetën e parë: kemi hapur 2500 vende pune; kemi ulur çmimin e bukës me 5%; kemi siguruar furnizimin me ujë të pishëm për plazhin e Nënkolonelit; i kemi dhuruar ambasadorit belg një çift fajkonjsh e kështu me radhë. Koha e kryer dëshmon një ekzekutiv që ka punuar, ka arritur rezultate dhe tani po ia njofton këto publikut, me ballin lart: kemi rritur numrin e shfaqjeve të baletit në një kohë që ky art gjendet në krizë në gjithë Europën dhe Lindjen e Afërme; gjatë nëntë muajve të para të këtij viti, kemi nxjerrë 352 gomerë nga balta; kemi marrë masa që qytetarit të Shkodrës të mos i duhet më barka për të qarkulluar në qytet.

Lidhorja e tashme: Këtë formë të foljes e komprometuan praktikat e shqipes totalitare, duke e përdorur si formë mobilizimi. Të zbatojmë vendimet e Kongresit VII të PPSh-së! T’u qepemi kodrave dhe maleve… Megjithatë, e dëgjon ndonjëherë në mbledhjet me dyer të mbyllura, pse ende nuk e ka humbur aftësinë për t’i trembur të tjerët, ose për të përcjellë praninë e një autoriteti sa difuz, aq edhe të pashmangshëm: t’i ngremë pritë korrupsionit; t’i themi JO racizmit; t’i japim fund abuzimit me oborret e brendshme të garnizoneve osmane. Kjo lloj lidhoreje me funksion urdhëror, nga njëra anë shmang ambiguitetin e së ardhmes, e cila gjithnjë luhatet midis premtimit dhe konstatimit parashikues; dhe nga ana tjetër, shmang agresionin implicit të urdhërores. Të krahasohet, në këtë kontekst, edhe shprehja parazitare ju bëj thirrje, zotërinj, e cila paralajmëron një modalitet urdhëror (ose ftues) dhe që tashmë sinjalizon zhargonin e çdo parvenu-je politike, i cili arrin t’i afrohet një mikrofoni me logo.

E kryera e thjeshtë: kjo është koha e nekrologjive: mbrëmë u nda prej nesh, pas një sëmundjeje të rëndë por të shkurtër, agronomi veteran Rëndo Shkurti, por edhe koha e sihariqeve kozmike: Edhe ishulli Bonga-Bonga e njohu më në fund Republikën e Kosovës; ose, më mirë akoma, Shqipëria u pranua si vëzhguese në Organizatën Botërore të Bletarisë. Të vërehet edhe që disa të ardhme, të tipit: Leo Mesi do të vizitojë privatisht Vlorën, e përmbajnë një të kryer të thjeshtë implicite, të tipit Leo Mesi tha (deklaroi) se do të vizitojë privatisht Vlorën; ose u bë e ditur, u njoftua, zyra e shtypit pranë ekipit të Barcelonës lajmëroi se… Merita e së kryerës së thjeshtë është se, thjesht duke qenë e pranishme në thënie, e vështirëson shumë profkën; të krahasohet, për shembull, Shqipëria pritet të jetë një nga destinacionet turistike të preferuara të zviceranëve këtë verë (bullshit) me Ministri zviceran i turizmit shpalli se Shqipëria pritet të jetë një nga destinacionet turistike të preferuara të zviceranëve këtë verë… etj. Deklarata e ministrit, si një fakt ose akt gjuhësor që ka ndodhur në një pikë në të shkuarën, mund të verifikohet menjëherë; dhe përgjegjësia e vërtetësisë i mbetet deklaruesit, me cilësinë përkatëse prej ministri. Dhe gjithsesi, publiku dëshiron të dëgjojë më shumë të kryera të thjeshta nga politikanët e vet; në vend të do të ndërtojmë stadiumin e ri në Tiranë, një premtim që ka forcën ilokutive të ta boftë Zoti mbarë, të na thuhet Banka qendrore e Kuvajtit e livroi huanë e nevojshme për të ndërtuar stadiumin e ri në Tiranë; në vend të do t’i strehojmë të gjithë romët e Bregut të Lumit në hotele me tre yje të na thuhet I dërguari i BE-së na vuri si kusht për statusin që t’u sigurojmë strehim romëve të Bregut të Lumit.

Pësorja në vetën e tretë ose e mospërgjegjësimit: kjo është edhe forma foljore e parapëlqyer për të folur për dështimet – të krahasohet Këtë vit siguruam për herë të parë furnizimin e rregullt me barna të spitaleve për fëmijë me Edhe këtë vit, barnat e nevojshme për spitalet e fëmijëve nuk u siguruan dot; ose e paguam në kohë këstin e huasë që ia kemi FMN-së me kësti i huasë që ia kemi FMN-së nuk u pagua në kohë. Kjo lloj pësoreje, në vetën e tretë, ka vetinë magjike që ta bëjë fajtorin përgjegjës të padukshëm, të papërfillshëm, ta heqë nga fusha e lojës; t’i shndërrojë gafat e thjeshta për shkak të inkompetencës ose të intrigës në acts of God, të krahasueshme me dëmet nga shpërthimi i një vullkani. Megjithë përpjekjet e palodhura të drejtuesve të anijes, përplasja e Titanikut me ajsbergun nuk u shmang dot (!).

Mohimi: politikani i shkathët u vidhet ndërtimeve mohore – duke u ardhur rrotull, falë edhe mundësive të mëdha që i jep shqipja. Kështu, në vend që të thotë se edhe këtë sezon turistik, nuk arritëm të sigurojmë furnizim të rregullt me ujë të pishëm në plazhin e Bërdicës ai do të shprehet se ky do të jetë viti i fundit kur pushuesit në plazhin piktoresk të Bërdicës do të kenë tek-tuk probleme me furnizimin e rregullt me ujë të pishëm (vëreni edhe të ardhmen profkatare, të kamufluar si pseudo-profetike, ose të llojit “në mos qoftë u sajoftë”). Ose, pyetjes së gazetares se a do të përballojë dot diga e Zabzunit një përmbytje si ajo e vitit 2012, politikani nuk mund t’i përgjigjet më falni, por unë nuk di as se ku bie diga e Zabzunit, por vetëm me jam i sigurt se specialistët tanë të shkëlqyer i kanë marrë të gjitha masat, në bazë edhe të eksperiencës që fituan gjatë përmbytjes së vitit 2012. Kështu do të shmanget, falë padijes (e cila mund të mos jetë argument, por të nxjerr megjithatë nga bataku) edhe fataliteti i pohimit tjetër, se diga e Zabzunit nuk do të përballojë dot më asnjë lloj përmbytjeje.

Foljet modale: këto u shpëtojnë lëkurën të gjithëve. Duke filluar nga e kudogjendura duhet të cilën politikani e var në qafë, zakonisht si dëshmi, në mos si medalje të virtytit të vet publik: duhet siguruar zbatimi i ligjit; kur nuk e var si etiketë emërore të parashikuesit të motit të keq, në mos të plakës që sheh në filxhanët e statistikave. Jo kushdo mund të thotë duhet pa iu skuqur faqja – më parë, kërkohet një farë autoriteti teknokratik ose moral, që vjen, për shembull, nga mbipesha e titujve që renditen para ose pas emrit, e llogarisë bankare ose adresave e koordinatave në Google të pallateve dhe tokave në pronësi; pa harruar këtu edhe se, mbi këtë premisë, çdo përdorim i mëtejshëm i duhet e përforcon edhe vetë autoritetin moral. Çuditërisht, ndërtimet me duhet përmbajnë një forcë ilokutive urdhërore, por të kamufluar mirë; në vend të t’u shoh të gjithëve në miting, qelbësira, politikani mund të thotë: duhet siguruar pjesëmarrje e plotë në miting. Në fakt, një pjesë e mirë e diskursit politik mund dhe duhet të analizohet si shprehje e larmishme e modalitetit urdhëror; edhe pse politikani që i flet vazhdimisht me duhet publikut të vet nuk ka as guximin histrionik të atij tjetrit, që flet me do të dhe së paku e merr mbi vete modalitetin pseudo-dëftor të së ardhmes. Përndryshe, ndërtimet me duhet janë, si rregull, lajmëtare të rëndomta të profkës; çka nuk mbetet vetëm me klishetë, e tipit duhet të respektojmë të moshuarit, por edhe me pohime nga ato që ta bëjnë mishin kokërr, të tipit duhet të shohim nga e ardhmja, por pa humbur kontakt me të shkuarën. Jo rrallë, ai që thotë duhet, e ushqen një shpresë të brishtë se ndokush mund t’ia marrë fjalët seriozisht dhe të fillojë ta kundrojë, duhet-thënësin, si autoritetin e ngarkuar me detyrën fisnike të parashtrimit të ndonjë misioni ose direktive (strategjike).

Paskajorja gege: Në gojën e një profesionisti, kjo formë gramatikore (ende) jostandard mund të shndërrohet në armë që garanton fitoren: Duhet me i thënë gjërat ashtu siç janë! Për shembull, gjatë një fjalimi elektoral në trevat ku ende flitet ose është rijetësuar gegnishtja, si shenjë elegante e populizmit krahinor, por jo vetëm; politikani i shkathët e kupton se zotësia për të ndërruar regjistrin do t’i vlerësohet si formë e ekumenizmit pan-kombëtar që nuk përjashton por përfshin, ose edhe atje ku regjistri përkatës nuk përdoret fare; dhe publikut këto marifete nuk i shpëtojnë kurrë – kush hedh valle gjuhë, nesër do të hedhë valle edhe me gjuhë.

1 Koment

  1. Thënien e Konfucit: “Kur fjalët humbin kuptimin, njerëzit humbin lirinë” e kemi cituar disa herë në blog. Nuk e di nëse mund ta parafrazonim duke ndërruar vetëm dy fjalë: “Kur foljet e humbin kuptimin dhe kohën, njerëzit humbin lirinë”.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading