TRISHTIMET E PIERRE BRASSAU-T

BrassauNë një ekspozitë të vitit 1964, të hapur në Gallerie Christinae, në qytetin e Göteborg-ut, Suedi, tërhoqën vëmendjen katër piktura të artistit frëng avant-garde Pierre Brassau, deri atëherë krejt i panjohur për artdashësit skandinavë.

Njëri prej kritikëve, Rolf Anderberg i Göteborgs Posten, u impresionua kaq shumë me artin e Pierre-it, sa shkroi një ditë më pas, në një të përditshme lokale:

Brassau pikturon me penelata të fuqishme, por edhe me vendosmëri të madhe. Pelenatat e tij përdridhen me qibër vrrullplotë. Pierre-i është një artist që performon me delikatesën e një kërcimtari të baletit.

Në përgjithësi, kritika i priti krahëhapur prurjet e Brassau-t, me një përjashtim të vetëm – një koleg që shkroi se “vetëm një majmun mund të pikturojë kështu.”

Për fat të keq, ky i fundit kish pasur të drejtë, meqë Pierre Brassau doli se kish qenë Peteri, një shimpanze në parkun zoologjik të Borås-it; dhe ideja për ekspozimin e “veprave” të tij i kish lindur një gazetari lokal, Åke “Dacke” Axelsson, në bashkëpunim me një artist, Yngve Funkegård.

Të dy këta, arritën ta bindin kujdestarin e primatëve, në zoo, që t’i lejonte të futnin bojëra vaji dhe një penel në kafazin e Peter-it; dhe pas një faze përgatitore, kur Peter-i preferonte të ushqehej me bojërat, në vend që t’i përdorte për të bërë “art”, erdhi një moment kur peneli e gjeti kanavacën dhe kështu u përftuan edhe katër tablotë e ekspozitës në Gallerie Christinae, mes të tjerash.

Thonë se pasi doli në dritë ky hoax, kritiku që e kish krahasuar Pierre Brassau-n me një kërcimtar baleti, nguli këmbë se pikturat e këtij avant-gardisti francez ishin, megjithatë, “më të mirat në ekspozitë,” çka do marrë si gjykim, besoj, për ekspozitën vetë.

Një nga pikturat e Brassau-t u shit, me atë rast, për $90 – çmim i respektueshëm.

E solla këtë shembull në vijim të diskutimit që patëm nisur për raportet e artistit me veprën; sa kohë që, të paktën për pak ditë, pikturat në fjalë ekzistuan si vepra arti, të ekspozuara krahas veprash të tjera arti, ose në një kontekst të natyrshëm.

Ndërkohë, pasi u mor vesh se këto i kish bërë një pan troglodytes, statusi i tyre menjëherë u vu në pikëpyetje, meqë zakonisht biem dakord që kafshët nuk mund të krijojnë art.

Dhe nëse kafshët nuk mund të krijojnë art, atëherë mbetet të sqarojmë se çfarë ishin ato katër piktura, që u admiruan pothuajse njëzëri nga publiku dhe kritika në Göteborg. Nëse nuk ishin art, atëherë kushedi… trash?

Nuk dua të provokoj kënd me këtë përsiatje. Arti bashkëkohor avant-gardist ruan lidhje të forta dhe eksplicite me plehrat: mjafton një vizitë në një nga muzetë e artit, në NYC, për t’u bindur.

Dhe, meqë flasim për raporte të veprës me kontekstin, a mund të supozojmë, qoftë edhe për hir të debatit, se vepra e artit këtu ka diçka të bëjë me vetë aktin e krijimit të Pierre Brassau-t, si personazh dhe “artist”, nga Axelson dhe Funkegård?

Nëse e pranojmë këtë, atëherë vetë autori i nivelit të parë, ose Brassau, është produkt i një gjesti artistik kompleks, që ka Axelson dhe Funkegård si autorë të nivelit të dytë.

Praktika njihet mirë në letërsi, sa herë që një shkrimtar ndërvendos një personazh-kallëzimtar midis vetes dhe tekstit; ndonjëherë edhe thjesht për ta mashtruar publikun.

Gjithsesi, nuk kam dëgjuar ende që një vepër letrare të paraqitet si e shkruar nga një majmun, ose ndonjë gjitar tjetër.

Nga ana tjetër, të marrësh një zhgarravinë të një majmuni dhe ta paraqitësh si pikturë avant-gardiste të një Pierre Brassau mund të jetë vërtet vepër arti, por kjo vepër nuk është e të njëjtit lloj dhe nivel me veprat e tjera të ekspozuara në galeri – edhe pse synon që të merret si e tillë, dhe pikërisht nga suksesi i këtij marifeti varet edhe forca e performancës përkatëse.

Për shembull, artisti Ai Weiwei ka paraqitur, në ekspozitat e veta, një triptik fotografik ku e shohim të hedhë në tokë dhe të thyejë një urnë  kineze të dinastisë Han. Nëse ky gjest i Ai Weiwei-t është art apo jo, mund të diskutojmë; por nuk besoj se ka kuptim të diskutojmë nëse thyerja e një vazoje ka të njëjtin status artistik me ekspozimin e vazos.

Shënim: te kjo faqe, kureshtarët mund t’i nështrohen një quiz-i të thjeshtë dhe të dallojnë kryevepra të artit abstrakt, nga piktura të dala nga duart e majmunëve të ndryshëm.

Gjithashtu lidhet me temën tonë shkrimi i paradokohshëm FARCE & FARTS; vëreni sidomos diskutimin rreth artistit fiktiv, në komentet.

Nuk ka komente

  1. Hyrje: Ne njerin krah kemi; gjuha e shkruar, lexuar, mjet perdorimi nga specialist i gjuhes, dhe gjithkush tjeter, specialist ne cdo fush tjeter pervec gjuhes. Cdo specialist i fushave te tjera jasht gjuhesis perdor ne njeren apo tjetren form gjuhen, pa vecuar se permes gjuhes po ben specialistin e llojit te vet. Gjuhetari nga ana e tij, mund te shoh ne menyre gramatike gjuhen e specialistit cfardo, pa qen nevoja te jet specialist i cdo fushe qe perdor gjuhen ne fjale. Pyetja e pare eshte: Gjuha qe perdorim ne fusha te ndryshme eshte e njejte, apo jemi te ndryshem ne perdorim te se njejtes gjuhe?! Sado e ndryshme te jet gjuha ne perdorimin e specialisteve te ndryshem, ne pikpamjen e gjuhetarit ka gjithnji nje pikveshtrimi, kuptimi gjuhesor. Tani specialistet po perdorin gjuhen e pecialitetit te tyre ne gjuhen e caktuar te gjuhetarit, pa qen gjuhtar. Me fjale te tjera specialisti i nje fushe tjeter pervec gjuhes, sheh qart edhe pa qen i qarte gjuhesisht po aq, ose ashtu si edhe gjuhetari, pa ndonji problem te dukshem mosfunksionimi. Po ashtu eshte edhe gjuhetari vezhgues kuptimplot dhe nhmues, permiresues i gjuhes, ne fenomenin e vezhgimit te perdorimit te se njejtes gjuhe nga specialitete te tjera te pafundeme, pa qen nevoja te jet specialist i te gjitha llojeve te perdorueseve te gjuhes.
    Pra, nje perdorues i gjuhes eshte po aq gjuhetar, sa edhe nje gjuhetar eshte specialist i cdo njeres nga llojet e pa fundeme te specialiteteve.
    Ne art nuk vertetohen gjerat, ato jan te vertetuara, ashtu si edhe per gjuhetarin jane te lexueshme gjuhesisht. Kur gjuhen dhe artin e marrim jo si te pa ndryshueshme, por ne ndryshim, atehere na mbetet te jemi mire, si gjuhetar apo artist. Asnjeher nuk eshte vend per sheshimin e vleres, si absolute, edhe brenda nje individi, natyrish edhe ne gjuhen apo artin ne shoqeri. Ka gjuhe personale qe konsumohet shoqerisht, po ashtu edhe art personal, qe konsumohet shoqerisht. Perderi sa te jemi me gjuhe dhe art, tregojme se jemi jo me pak se individ te shoqeruar.

  2. “Arti bashkëkohor avant-gardist ruan lidhje të forta dhe eksplicite me plehrat: mjafton një vizitë në një nga muzetë e artit, në NYC, për t’u bindur.”

    Shume reduktive me duket kjo qasje ndaj artit bashkekohor apo avant-gardist. Edhe pse perkufizimi i plehrave nga nje ane dhe artit nga krahu tjeter, duke krijuar pune qe ngjajne si plehra, mund te jete nje prej drejtimeve te avant-gardes, avant garda faktikisht eshte shume e gjere ne drejtime per te hequr nje lidhje eksplicite me plehrat. Nje shembull i artit bashkekohor, eksperimental, avant-gardist, nder te tjera, eshte nje poezi e jotja Xhaxha, shkruar me nje gjuhe ne dukje arbereshe, ne mos gaboj shkruar me pseudonim, por qe ne fakt nuk ishte gjuhe por jerm. Madje jo vetem poezine, por edhe nderhyrjen me pas te kritikut qe e vleresonte poezine, edhe kritiku nje tjeter pseudonim i yti, eshte pjese e te njejtes pune avant-gardiste. E megjithate, kete pune tenden Xhaxha, une nuk mund ta quaj trash, sepse, njesoj si kjo e Pierre Brassau, vleren nuk e ka tek dhenia e pergjigjes se cfare eshte dhe cfare s’eshte art, por tek ngritja e pyetjeve. Keto jane pune problematizuese, te cilat ngrene pyetje, te cilave nuk mund tu qasesh me pergjigje te gatshme te llojit “nuk eshte art, rrejdhimisht eshte trash,” pasi keto pune ve ne pikepyetje pikerisht cfare eshte art dhe cfare eshte trash.

    Keshtu psh, thua se nuk ka kuptim te diskutojme nese thyerja e vazos nga Weiwei ka te njejtin status artistik me ekspozimin e vazos. Por kjo do te thote se pikepyetjet qe kerkon te ngreje Weiwei, ku eshte pikerisht statusi artistik i ekspozimit te vazove ai qe vihet ne diskutim duke e thyer vazon, te mos merret parasysh. Dhe ky ngurrim, kjo frike, per te diskutuar statusin artistik, dhe kjo mani per te patronizuar gjeste te tilla duke bere dallime fiktive te llojit “mund ta diskutojme nese eshte art apo jo, por kanoni, statusi artistik, eshte i padiskutueshem,” mua kjo qasje me duket e manget per shume arsye. Ne rradhe te pare “it begs the question.” Se cfare eshte status artistik, nuk mund te merret si premise e padiskutueshme, pasi eshte premisa ne pyetje. Ne rradhe te dyte, nuk mund te besh dallim mes artit dhe statusit te artit. Nese eshte art ka status artistik, dhe nese s’eshte art atehere s’ka. Pra nese nuk ka te njejtin status artistik me ekspozimin e vazos, atehere c’kuptim ka te diskutojme eshte apo s’eshte art. Se treti, eshte qasje e manget, sepse i jep status vetem llojit vagnerian (per te perifrazuar Niçen) te proceseve artistike. Thyerja e vazos eshte tjeter lloj procesi artistik nga prodhimi dhe ekspozimi i vazos, por c’lidhje ka kjo me statusin? Me c’te drejte ka me teper status artistik prodhimi dhe ekspozimi (apo bayreuthizmi, per te vazhduar me te njejten gjuhe) se sa shkaterrimi? Dhe se fundi, po ti qasemi pak me filozofikisht kesaj pune, apo pak me filologjikisht, statusi si i tille — artistik, politik, apo edhe shkencor qofte — eshte subjekt diskutimesh, disensusi, konsensusi dhe kompromisash. Keshtu qe te thuash se dallimi ne status nuk duhet vene ne diskutim, me duket se e redukton ne arbitraritet dallimin mes ekspozimit te vazos dhe shkaterrimit te vazos, kur fare mire dallimi mund te behej jo nepermjet statusit, por nepermjet qellimeve te thyerjes dhe te ekspozimit, procesit, dhe fundja pse jo, hirit (grace) me te cilin kryhet thyerja, apo prodhimi dhe ekspozimi.

    1. Pyetje: A eshte Xha Xhai dhe Pishaku i njejti njeri?

  3. Une per vete bera vetem nga nje gabim, ne dy quiz-e. Sidomos ai ‘Pollock or birds’ qe ishte edhe me i veshtire, ma mbushi mendjen qe megjithese nuk mund ta quaj hic veten nje njohese te artit modern, per aq pak De Chirico, Monet, Picasso, dhe Kandinsky qe kam pare, me sa duket paskam zhvilluar te pakten nje intuite relativisht te mire ne keto pune te ngaterruara te artit modern.

    Dhe entuziazmi i supozuar i Picassos per pikturat e Congo-s ma perforcoi bindjen qe nje pjese e arteve vizuale e ka humbur tashme lidhjen, cfaredo lloj lidhjeje qofte dhe te rastesishme me ndonje shenje intelekti prej humanoidi. Mund ta pranosh me qetesi kete fakt, ashtu sic mund ta pranosh me qetesi faktin qe nje pjese e mire e arteve vizuale kane si qellim te shprehur a te pashprehur jo qe te hedhin poshte kanonet greke/romane apo ato te Rilindjes, meqe keto te fundit i kane hedhur poshte mjaftueshem mjeshtrat e medhenj te abstraksionizmit apo futurizmit apo impresionizmit, por thjesht te provokojne, ndonjehere bindjet e turmes, ndonjehere te luajne me pritshmerite e turmes intelektualiste ose kinse-estetiste, apo pse jo, me bon sensin e publikut dhe artdashesve te rafinuar.

    A eshte art ky? Me sa duket eshte i vetmi art gjenuin qe mund te krijohet sot ne metropolet e medha, installacione gjigande arti modern ku plehrat dhe konsumizmi dhe riciklimi jane kthyer tashme ne shenje permanente te kinse qyteterimit. Kjo nuk i pengon piktore te tjere te vazhdojne te pikurojne vazo te lezecme, nese kane fatin te jetojne ne ambjente idilike, larg metropoleve pra, ketu ku i vetmi art i mundur me sa duket eshte ai i provokimit te spektatorit qe kushedi per cfare arsye pret gjithmone pune te logjikshme nga artisti. Si te thuash, nese pararendesit hodhen poshte kanonet klasike dhe i groposen ne kuti me m., nga ne pritet te tallemi me pritshmerite e artdashesit klasik, do te thoshte Peteri. I cili mbetet bashkeautor i nivelit te pare, nese ‘Pierre Brassau’-n e konsiderojme thjesht pseudonimin e nje kolektivi artistesh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin