SHTATË SHPIRTRA

bashkiaKëto ditë, teksa u përfol dështimi qesharak i përpjekjeve të xhenierëve për të rrëzuar, me shpërthim të kontrolluar, një ndërtesë abuzive në Tiranë, mediat kujtuan, jo pa një farë nostalgjie, kohën kur shpërthime të tilla jo vetëm dilnin me sukses, por edhe ishin të dënuara të dilnin me sukses; duke përmendur rastin e demolimit shembullor të ndërtesës së vjetër të Bashkisë, në qendër të Tiranës.

Unë e mbaj mend atë ndërtesë dhe hapësirën rreth saj, edhe unë jo pa një farë nostalgjie, meqë aty rrotull kam kaluar fëmijërinë time. Për nga arkitektura, ajo ishte pjesë e kompleksit të sheshit Skënderbej dhe harmonizohej me ministritë; duke i dhënë një farë drejtpeshimi sheshit dhe duke e mbyllur, për nga ana e bulevardit Zogu I (atëherë i quajtur Stalin).

Njëlloj mbaj mend edhe kur e rrethuan me gardh dhe filluan ta përgatitin për shkatërrimin e madh. Njëlloj si ata mamuthët në ilustrimet e librave të antropologjisë, ajo ndërtesë e prerë keqas në besë nuk u ikte dot ekzekutorëve të saj, por veç e përjetonte, jo pa njëfarë fisnikërie, afrimin e fundit.

Shpërthimi, që nëse nuk më gënjen kujtesa u krye herët në mëngjes që pa gdhirë, doli vërtet me sukses; por gjërat e bukura gjithnjë shkatërrohen lehtë, pse entropia është në vetë natyrën e universit. Pa çka se atëherë na thoshin që ndërtesa e Bashkisë i kish muret të trashë prej betoni dhe ishte solide si bunkeri, të cilit edhe i ngjante nga forma; dhe se puna e xhenierëve për ta minuar të tërën ishte kushedi po aq estetike sa edhe puna e atyre që e kishin ndërtuar.

Pallati tek Ekonomiku, të cilin xhenierët e NATO-s nuk e shpërthyen dot me përsosmëri, por vetëm e plagosën dhe gjymtuan, ishte, përkundrazi, diçka e shëmtuar dhe primitive; njëlloj buburreci arkitektonik, që nuk do t’ia dijë për teknologjinë e shfarosjes, pse do t’i mbijetonte deri edhe shpërthimit atomik. Nëse do të sjellim prapë metaforën e mësipërme të termodinamikës, këtë farë krijese nuk mund ta përfytyrojmë dot, veçse si parazit të entropisë, ose një formë jete të projektuar për t’i mbijetuar fundit.

Por nuk ka pasur asgjë të lavdishme në shkatërrimin e atëhershëm të Bashkisë; dhe ta kujtosh si best practice do të ishte sikur të lëvdosh një skuadër pushkatimi për nishanin e mirë. Monument i braktisjes, i tërheqjes, i rrudhjes, i shpopullimit, i përdhosjes, qendra tradicionale e Tiranës sot nuk arrin dot t’i përkasë qytetit, sidomos natën; pse nuk ka as fillim as mbarim, as perimetër, as mbrojtje; por është katandisur në një fushëtirë ku enden natën shpirtrat e paqetë të çfarë ka qenë por nuk është më dhe as do të jetë.

Nuk ka komente

  1. Nëse nuk gabohem, ndërtesa quhej Komiteti ekzekutiv, pra Bashkia e sotme. Mua më pëlqente shumë. Rreth saj kishte pemë hijeshuese, ku mblidheshin fshatarë e kalimtarë. Më duket se ka pasur edhe banjë publike diku aty afër.

    Ai shkatërrim e prishi idenë arkitekturale të qendrës së Tiranës, pavarësisht se lidhej me një epokë të caktuar. Fjalëve se i kishte muret e trasha e të fuqishme unë u besova. Madje jam i prirur t’u besoj edhe sot. Xhenierët e asaj kohe e kanë ditur mirë, ndaj edhe ia kanë shtuar me siguri tritolin dyfish.

    Prishjet e sotme kundër ndërtesave abuzive duan tritol material, por edhe eksploziv mendor për të shkatërruar atë mentalitet që i ndërton me vend e pa vend.

  2. Por cudite nuk mbarojne ketu. Thuhet se “pronaret” e kesaj thagme arkitektonike jane pasardhesit e Gjon Markagjonit qe kishin qellim te jetonin familjarisht aty duke okupuar dicka me shume se nje kat pallati per familje. Interesant eshte fakti qe ata e llogarisin vleren e kulles se maskuar si pallat ne….250 000$. Po. Nuk eshte gabim shtypi, nje cerek miljoni dollare.
    Keshtu shpjegohet se pse “xhenieret e Natos” deshtuan ne punen e tyre.
    Nese do ishte pallat per tua shitur gjynahqareve (me 250 000$ apartamenti) jo 65 kg tritol por nje termet 4.5 shkalle Rihter do mjaftonte.
    Nje nga arsyet valla qenka se duhet hapur vendi per Rrugen…….”Gramoz Pashko”!
    Ky i fundit pasi ja doli mbane (me ndihme) ta coje Shqiperine ketu ku eshte me teorite e importuara per shkaterrimin e kontrolluar te nje shteti te tere, morri pas vetes edhe ne prag te takimit me Krijuesin edhe ca pilote e mjeke.
    Tani Gramozi godet perseri. Viktima e rradhes: nje nga rrjedhimet logjike te Kapitalizmit te tij te cfrenuar.

  3. Edhepse ishte thene qe plani ishte per dicka madheshtore ne ate shesh; Muzeun Kombetar dhe shatervanin ne qender, perseri na vinte keq per prishjen e tij. Godina e Komitetit Ekzekutiv na bashkonte shume fije kujtimesh te femijerise tone.

    Nderkohe kujtesa ime me thote qe godina eshte ulur ne toke ne nje nate dhjetori 1981, diku rreth ores dhjete. Trafiku dhe kalimi i qytetareve u ndalua qe ne oren tete. Kongresi dhe festat e medha te Nentorit porsa kishin mbaruar per ti lene vendin pergatitjeve per ato te rradhes pas pese vjetesh. Pas shperthimit nje shtellunge e madhe tymi e pluhuri erdhi ne drejtim te pallatit tone si re’ gjigande dhe mbuloj gjithshka. Por ajo qe na cuditi me shume se shembja ishte shpejtesia ne kohe rekord qe u hoqen e mbeturinat.

    Sot pas tridhjet vjetesh nuk mund te gjykoj nese sheshi do ishte me mire me Komitetin apo pa te.

  4. Ajo ndertesa ishte nje perle e vockel ne qender te qytetit. Ishte ne harmoni te persosur me ate plan urbanistik te asaj kohe, aty fillonin dy rruget me te bukura te Tiranes: e Durresit dhe e Kavajes. Midis tyre ishte nje bar-lulishte po aq terheqese e romantike sa edhe Komiteti Ekzekutiv. Ne fakt ajo qe i jepte rendesi atij sheshi ishin reklamat e kinemase (pas nderteses se komitetit), ku çdo te henave shpalleshin filmat e rinj. Ishte koha kur bliheshin filma te huaj dhe kinemate e Tiranes mbusheshin plot, aq sa u be mode ta shihje i pari filmin, ndonsese kjo mund te kushtonte stremundime (madje ndeshje boksi) per sigurim te biletes.
    Ka qene kohe e endrave e shpresave te medha….

  5. Tirana, eshte nder te paktat kyeqytete ne Evrope, ne mos i vetmi, qe nuk ka ruajtur nje qender tradicionale apo nje lagjie tradicionale. Nuk eshte bere asgje per te ruajtur arkitekturen e vjeter te qytetit. Kasaphana e kryer urbanistike eshte pertej cdo perfytyrimi. I gjithe qyteti ngjan me nje shtellunge tymi, smogu, pluhuri, balte, plehrash, ndertesa te deformuara dhe te paperfunduara aty ketu, fytyra te rrenuara nga varferia, papunesia, mungesa e shtetit social, edukates sociale, etj, etj..

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: