LOST IN TRANSLATION

U befasova pak kur lexova, në Tema dhe konfirmova në Top-Channel e Panorama, se Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ishte shpallur “qytetar nderi” i New York-ut, “në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e tij në mbrojtje të interesave të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.”

Në njoftim, pa cilësuar ndojë burim, thuhet edhe se:

Me kërkesë të rajonit të Manhatanit dhe presidentit të këtij rajoni, Scott M. Stringer, Kreshnik Spahiu është shpallur qytetar nderi i Nju Jorkut, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi nënshtetas i huaj që merr këtë titull.

U befasova, para së gjithash, sepse nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë titull: “qytetar nderi i New York-ut”; dhe pasi u bëra kurioz dhe kërkova në ueb, mësova se një titull i tillë nuk ekziston – çka edhe shpjegon pse asnjë “nënshtetas i huaj” nuk e ka marrë.

Ekziston, përkundrazi, titulli i “qytetarit të nderit të ShBA”, të cilin e akordon Kongresi i ShBA dhe që e kanë marrë, deri më sot, gjithsej shtatë personalitete. Përndryshe, një mysafiri të shquar mund t’i jepen “Çelësat e New York-ut”, nga kryetari i bashkisë së qytetit (në momentin e tanishëm, Bloomberg).

faqen zyrtare të Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci (FSHAD), lexoj, përkundrazi, se është fjala për një “çmim nderi” që u është dhënë Kreshnik Spahiut dhe Shinasi Ramës, gjatë një takimi të organizuar nga ky forum, midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Kryetarit të AKZ-së, Kreshnik Spahiu, në ambientet e restorantit Lura në Manhattan.

kresh-spahiu1Në brendësi të njoftimit, thuhet, përndryshe, se Kreshnik Spahiu dhe Shinasi Rama kanë marrë “çertifikata nderi”, nga presidenti i Manhattan Borough Scott Stringer dhe presidenti i Bronx Borough Ruben Diaz Junior.

Honor Certificates quhen këta tituj edhe në versionin anglisht të njoftimit për shtyp të FSHAD-it, në të njëjtën faqe të cituar.

Tema i ofron lexuesit edhe një foto nga kjo veprimtari, ku z. Spahiu ka dalë së bashku me një person të paidentifikuar (pas gjase, z. Esad Rizai, kryetar i Fondacionit Shoqëror Shqiptaro-Amerikan; por kurrsesi jo presidenti i Manhattan Borough Scott Stringer, as kolegu i tij Ruben Diaz Junior), duke pozuar me një dokument që lexon, në anglishte, “Certificate of Appreciation.”

Tani, në shqipe, certificate of appreciation ne e kemi pasë përkthyer gjithnjë si fletë lavdërimi; dhe është gjë e mirë që z. Spahiu dhe prof. Rama janë nderuar me fletë lavdërimi nga autoritetet lokale të NYC; por është vështirë të marrësh me mend si është shndërruar kjo fletë lavdërimi në titullin “qytetar nderi”, i cili ka pushtuar sot, veç Temës, edhe kryetitujt e dhjetëra gazetave dhe faqeve online të mediave shqip.

Lajmi në anglishte nuk gjendet gjëkundi, as ka ndonjë njoftim në faqen zyrtare të Manhattan Borough; në një kohë që gazetat dhe mediat e tjera shqip kanë shpërfillur faktin që nderi i është bërë jo vetëm Spahiut, por edhe Shinasi Ramës; madje Shinasi Rama e meriton shumë më tepër se mysafiri Spahiu, që të nderohet për 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës; për çfarë përfaqëson sot dhe për kontributin politik të drejtpërdrejtë që ka dhënë në këtë fushë.

Mos harroni të vëreni, me këtë rast, si krejt lajmi i dhënë nga mediat është i rremë, me përjashtim të emrave të personave të përfshirë në këtë ngjarje; e cila, përndryshe, do të kish merituar të përcillej me seriozitetin dhe masën e duhur të entuziazmit.

Vetë AKZ-ja e ka publikuar lajmin në faqen e vet në FB.

Nuk ka komente

  1. Kujt plas njeriu ne NY per spahiun, a jeni ne vete ju qe i besoni keto gjera! Edhe per kete certiikat ju sigroj qe kane paguar.

  2. Problemi eshte se Kreshniku ose Shinasiu dhe as ata te tjeret nuk e kane pergenjeshtruar lajmin – dmth tipike per shqiptaret… Genjeshtare te pacipe, nuk ka faj perkthimi

  3. Hahahaha.
    Po te mos me vinte keq per prof. Shinasiun, do thoja, mire t’i behet, kur vete perzihet me sharlatane si Kreshniku–Jazz Hands-i.
    Por me vjen keq, ndaj s’e them.

  4. Xhaxhai, po flisja me nje mikun tim per kete pune. Rame dakord qe Spahiu e kish hak nje kove te pegere surratit sikur vetem per paturpesine e ekzagjerimit te nje cmimi simbolik ne “qytetar nderi”. Mirepo nuk po kuptonim dot se si dhe pse kjo i vjen nga ju dhe Respublica pa fonde, dy simpatizante dhe aleate te Rames. Kjo sepse miku im qe kish qene ne nje nga takimet e Spahiut me thoshte qe eshte e sigurt qe ky i fundit do dale ne zgjedhje ne aleance me PSne. Paskesh qene nje sekret i hapur. E pra, si shpjegohet qe mire ju qe jeni gjuhetar i pavarur, por edhe Respublica qe eshte media ne sherbim te kauzes rotacionale nuk ben kujdes te ruaje aleatin? I dhame dum me nje shprehje popullore, Rama me siguri duhet te perdore parimin doren ne qafe e …”te tjera e te tjera” do thosh Dor poeti drite paste. Ndoshta eshte vetem koincidence xhanem e s’duhet te behemi kaq cinike.

    Nderkohe sa per info me thane qe ata te FSHAD-it kane ftesa per fjalimin e pervitshem te guvernatorit Kuomo me Asemblene, Senatin dhe dinjitare te tjere te shtetit. Nese deshironi kontaktojini se me thane qe pas reklames qe u keni bere bejne be per juve. Urime per punen e re, duket se po ecni mire.

    1. Bulkth, shumë hollë e ke tjerrë.

      Unë interesohem më shumë për të vërtetën, sesa për politikën. Kulisat e mykura të politikës në Tiranë as i marr vesh mirë, as kam ndërmend t’i vizitoj ndonjëherë.

      E megjithatë, me shkrimin më lart unë besoj se e kam ndihmuar Kreshnik Spahiun, ergo edhe “kauzën rotacionale.”

      Sa për FShAD-in, nuk di nëse ke qenë ndonjëherë në NYC apo jo; por të siguroj se është fshad i madh, ka vend për të gjithë.

  5. Ka ngatërruar “fletë lavdërimin” për nxënësin e dalluar me “heroin e punës”. Shenjë e keqe duket për Kreshnikun; shenja lodhje që pa filluar. Ka parë ndonjë që merr miletin për gjë të gjallë e ka thënë me vete pse mos ta bëj dhe unë.
    Lajmi është me vend e ndihmon të vërtetën.

  6. Te gjithe dhane si ‘kryelajm’ dhe askush nuk e ‘retushoi’ sot…

    Mediat shqiptare i pranojne apriori njoftimet ngado qe te vijne, duke i vleresuar si fakte, dhe servirin ‘buke kashte’ per ‘simite’. Dhe detyrimisht ‘fukarai’ i shkrete thote ‘kete e mbeshteska Amerika’…

  7. Te gjithe ketu beni sikur vetem Kreshniku genjen (retushimi eshte i turpshem ne fakt), por e verteta qe i intereson pronarit te bllogut eshte se jo me larg se sot Top Kanali kishte nje lajm Svoboda thote koha e Berishes ka mbaruar dhe Rama eshte kryeministri i ardhshem. Jo se nuk eshte e vertete po si mund ta dije kete Svoboda pa u hedhur as edhe nje vote e vetme. Apo Rama kerkon te krijoje idene qe me mbeshtet Europa. Ah mor vella, ka te drejte Sh Rama kur thote ky eshte vend me sovranitet te kufizuar. Po ju ketu e keni hallin tek e verteta dhe skeni kohe me u marre me ate pune.

    http://top-channel.tv/artikull.php?id=252019

    1. E verteta eshte se askush nuk hiqet sikur Kreshniku eshte i vetmi. E verteta eshte se Kreshniku pretendon te jete si i pikuar nga qielli meqe e prezanton veten si prurje e re ne skenen politike. E verteta eshte se shume njerez e perceptojne si te tille. E verteta eshte se angazhimin per te verteten nuk e ka vetem pronari i blogut. E kemi dhe duhet ta kemi te gjithe. E vertata eshte se ti je humbur ne perkthim. E verteta eshte se Svoboda tha se Ramen “e shoh si kryeministerin e ardhshem.” E verteta eshte se jo cdo parashikim del i vertete. E verteta eshte se Kreshniku nuk u shpall qytetar nderi. E verteta eshte se Sh. Rama thot se ky eshte vend me sovranitet te kufizuar. E verteta eshte se e shoh Sh. Ramen si nje kryeminister te ardhshem me shume se ce shoh K. Spahiun. E verteta eshte e shumefishte. E verteta eshte se ky blog percjell disa te verteta njekohesisht qe jo doemos duhet te jene te pajtueshme e te nje vije politike. E verteta eshte se bolero nuk je aspak i interesuar te plotesosh peizazhin me te verteta per aq kohe sa e imagjinon te verteten dhe “ate punen” si te divorcuara nga njera tjetra. E verteta eshte se nuk je vella me ndonje ketu. E verteta eshte se nuk ke byth te na kerkosh te germojme te vertetat e tua e te na besh me pergjegjesi perpara te vertetes. Bolero kush je ti vertete?

    2. Në fakt, nuk ka thënë njeri këtu që “Kreshniku gënjen.” Jo – kush e shkroi atë lajm, gënjeu. Edhe ti që shkrove “të gjithë këtu bëni sikur vetëm Kreshniku gënjen” gënjeve. Sa lehtë që është të gënjesh!

    1. E kisha lexuar këtë shkrim shumë të mirë, madje e kisha bërë në plan të thoja edhe unë diçka; sepse dizinformimi ka arritur nivele të papranueshme, madje edhe për standardet e mediave në Tiranë.

      Falemnderit që e solle lidhjen këtu, shpresoj ta lexojnë të gjithë ata u entuziazmuan nga mundësia për të përbaltur edhe të majtën greke, në mbështetje të filozofisë së tyre, të neveritshme, se politika s’mundet veçse të burojë nga kombi.

      Dhe meqë flasim për rrena, një e tillë qarkulloi tani së fundi për Tom Hanks, që paskësh deklaruar nuk di ku në Izrael, se Kosova i përket Serbisë ose diçka e ngjashme; deklaratë që u përgënjeshtrua sakaq nga një përfaqësuese e aktorit (por jo para se disa të zellshëm të bënin thirrje për një demonstratë dhe të hapnin një faqe në FB kundër aktorit në fjalë).

      Tani, jo se mua më bëhet shumë vonë se ç’thotë Tom Hanks, por gjithsesi, më shqetëson kjo kulturë e gënjeshtrës nga njëra anë dhe e besimit të verbër nga ana tjetër.

      Është kultivuar një lloj lexuesi militant, i cili beson atë që dëshiron të besojë dhe që ushqehet me rrena, sepse pa rrena bie në krizë.

    2. Solnox, meqe edhe une kam punuar nje kohe prane mediave shqiptare, me lejon dashamiresisht te bej nje pyetje? Nisur nga gjendja e tanishme e medias shqiptare, ti beson te mundesia e saj per rilindje? Se lexova shkrimin dhe pashe qe ke hasur, tek-tuk, gazetare apo redaksi korrekte.

  8. Xhaxha, kape nje tjeter “qytetare nderi te Nju Jorkut”. Autorja e shkrimit ketu, flet per nje grua pa pune qe jeton ne Toronto, te ciles, nje bashkiak i Ontarios, i ka dhene, nder 60.000 persona te tjere, nje flete lavderimi meqe jane pjesetare te shume komuniteteve qe ka Kanadaja. Ama Monda me poshte, thote qe i jepet nje cope diamanti, veprimtares sone nga Laberia. Per kete duhet te festojme, dhe jo Kreshnikun.

    ” një medalje DIAMANTI- nga më të veçantat që jepet nën kujdesin e drejtpërdrejtë nga Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë,dhe për herë të parë i është dhënë në kuadër të 60 vjetorit Mbretëreshës Elisabetë e II-të dhe hera e dytë brenda këtij 10 vjeçari, i jepet intelektuales shqiptare me banim në Kanada, Dr. Rukije Kondaj.”

    http://www.tiranaobserver.al/2013/02/20/dr-rukije-kondaj-intelektualja-qe-u-vleresua-qeveria-e-kanadase/

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: