Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

INVENTAR

Këtë javë (12 Nëntor – 19 Nëntor).

1. U prodhuan 15 (pesëmbëdhjetë) materiale të reja gjenetike. Prej këtyre, 8 (tetë) me tregues riprodhimi pozitiv dhe 7 (shtatë) me tregues riprodhimi negativ.

2. U prishën për shkaqe të ndryshme (përpara kohe) dhe në mënyrë të pariparueshme 12 (dymbëdhjetë) materiale gjenetike.

shkaqet si më poshtë:

a) aksidente automobilistike 6 (gjashtë) materiale gjenetike.
b) konfrontim fizik brenda familjes 4 (katër) materiale gjenetike.
c) arsye të tjera 2 (dy) materiale gjenetike.

3. U skadoi afati i funksioneve jetike për shkaqe natyrale 3 (tre) materialeve gjenetike.

4. U përftua bashkëpronësia me shtete të tjera perëndimore e 5 (pesë) materialeve gjenetike.

nga këto:

a) bashkëpronësi me Italinë 1 (një) material gjenetik.

b) bashkëpronësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës 2 (dy) materiale gjenetike.

c) bashkëpronësi me shtetin e Kanadasë 2 (dy) materiale gjenetike.

5. U tjetërsua (gjak-prishësua) pronësia e 2 (dy) materialeve gjenetike ndaj shtetit grek.

6. Këtë javë, kanë hyrë në territorin legjitim të materialeve gjenetike shqiptare 2135 ( dy mijë e njëqind e tridhjetëepesë) materiale gjenetike, dhe kanë lënë territorin (besohet përkohësisht) 1540 (një mijë e pesëqind e dyzet) materiale gjenetike.

Shënime të përgjithshme: Ritmi i prodhimit të materialeve gjenetike gjendet në nivele të kënaqshme, megjithëse mendohet se mund të bëhet më shumë. Ritmi i firasjes është gjithsesi, në nivele shqetësuese, dhe u kërkohet organeve kompetente që të marrin masa. Si pasojë e të dytës, rendimenti i prodhimit gjenetik, është ulur. Kërkohet që ky problem t’u adresohet instancave përgjegjëse.

Shënime të veçanta: Ndër kompeticionet sportive në mbarë Evropën, u detektua një material gjenetik që si pasojë e performancës ka fituar vendin e tretë në popullaritet në lidhje me materialet e huaja gjenetike. Gjithashtu, në të njëjtat kompeticione, 2 (dy) materiale gjenetike u vlerësuan për performancën e tyre fizike në shënim golash. Nga 1 (një) gol, për secilin material gjenetik. U zbulua gjithashtu, 1 (një) material gjenetik i rrallë, që sipas shtypit të ditës, ka marrë diplomë MBA në universitetin e Texas-it (SHBA).

Shënime të tjera: nuk ka.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Pa Komente

  1. Jemi nje mall bio me date skadence shume te afert, per aresye se kerkimet shkencore akoma nuk kane shpikur kimikatin konservativ per zgjatjen e kllockezimit te ngrohjes e celjes se jeteses ne rezidencen fillestare.

    Mbase keni zgjedhur javen me te mire statistikisht ne firosjen ( jo firasjen) e prodhimit gjenetik, pasi kane fryre erera te forta brukseliane qe kane prishur plasmasin e serave me ngrohje, duke ndikuar ne faktoret e tjere ndihmes (plehrime) politike, gjeopolitke, ekonomike e financiare qe ndikojne direkt ne rritjen e rendimentit dhe uljen e kostos.

    Ndersa nga kompeticionet sportive nuk keni informacionin e duhur e te sakte, pasi ne percollem me hap rreshtor eshtrat e monarkut te vetem pa himnin kombetar ( pa pesuar autogol) dhe i kemi shenuar shqipones se zeze ne flamur nje pend (gol) jashte kohes se rregullt (jashte ligjit). Dhe kjo e ka zanafillen se sherbimet tona sekrete ishin perqendruar ne ruajtje fizike te materialit baze gjenetik (doktorit) duke harruar kunderveprimin e spiunazheve te huaja qe kane nderhyre fort per te kthyer AK-ne ne AiA.

    Megjithate. shkenca jone gjenetike ecen ballelart nga fitorja nr fitorje…

    Jemi ne pritje te inventarit te javes pasardhese nga revizore te fushes perkatese qe i nxjerrin statistikat nga maternitetet partiake…

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading