Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Politikë / Sociologji

LUNDËRTHYER NË MESDHE

A është europiane Greqia? Is Greece European? Kësaj pyetjeje kërkon t’i përgjigjet Robert D. Kaplan, me një analizë gjeopolitike të botuar këto ditë në stratfor.com.

Nëse Greqia është apo jo europiane, kjo çështje nuk është se nuk më le të fle natën; meqë unë vetë nuk kam dyshim se Greqia është po aq europiane sa edhe Irlanda ose Estonia.

Megjithatë, pyetja e Kaplan-it dhe sidomos përgjigjja e tij kanë interes, për të kuptuar mënyrën si mund t’i përgjigjen të tjerët, sot dhe nesër, pyetjes nëse është apo jo Shqipëria europiane.

Kaplan-i vëren pozicionin e paqëndrueshëm të Greqisë moderne, midis Perëndimit dhe Lindjes; duke pranuar, në mënyrë implicite, një shenjë barazie midis Perëndimit dhe Europës.

Ai gjithashtu vëren se zhvillimi ekonomik dhe politik i Greqisë ka shenjat e një trashëgimie që nuk i përket e tëra Perëndimit modern (“not wholly in the modern West”: vëreni kalimin, tinzar, nga Europa e titullit te Perëndimi i tekstit; i cili nënkupton se veç Perëndimi mund të jetë mirëfilli Europë).

Argumentet e Kaplan-it për këtë papërkatësi të Greqisë në botën Perëndimore janë këto:

1. Gati ¾ e bizneseve greke janë prona familjesh dhe mbështeten në punën familjare, çka e vështirëson shumë promovimin meritokratik për ata që janë jashtë familjes.

2. Mashtrimi në taksa mbizotëron.

3. Ekonomia vuan nga një mungesë e madhe e kompetitivitetit, edhe ngaqë Greqia ka një ekonomi shërbimesh, që mbështetet në turizmin, dhe ku prodhimi (manufacturing) përfaqëson një sektor të dobët.

Këta tre faktorë, vëren autori, kanë shumë të bëjnë me politika të këqija të zbatuara gjatë viteve dhe dekadave, por janë edhe produkt i historisë dhe kulturës, të cilat, nga ana e tyre, janë produkte të gjeografisë.

Veç kësaj, kemi edhe prapambetjen politike, sa kohë që, për një kohë të gjatë, në shekullin 20, partitë politike greke kanë pasur një cilësi paternaliste, prej kafeneje, të organizuara siç kanë qenë rreth personaliteteve të forta – ose kapedanëve, në çdo kuptim, me përjashtim të emrit – me shumë pak mbështetje organizative formale. Dhe, më tej akoma, partia në pushtet jo vetëm ka dominuar instancat më të larta të burokracisë, siç ndodh normalisht në një demokraci, por edhe instancat e mesme dhe të ulëta.

Autori përmend, si faktor shtesë që e largon Greqinë nga Perëndimi, edhe praninë e disa partive radikale, të së majtës dhe së djathtës, çka bie ndesh me prirjen e politikës moderne, për t’u orientuar ndaj qendrës.

Por, nëse është kështu, atëherë pse e pranuan Greqinë në Bashkimin Europian në 1981, pyet autori; dhe përgjigjet: vendimi i Brukselit ishte politik dhe idealist, jo ekonomik.

Kaplan-i ka jetuar në Greqi shtatë vjet, në vitet 1980, dhe e njeh realitetin e atjeshëm, sikurse e di që prurjet e parasë europiane, në atë kohë dhe më pas, mund të ishin përdorur për të disiplinuar dhe reformuar ekonominë, në vend që të forconin burokracinë.

Përfundon autori: tani që Greqia rrezikohet të dëbohet nga eurozona (ose të ikë vetë që andej), orientimi i saj politik nuk mund të merret si i mirëqenë; dhe përmend, në këtë kontekst, interesimin e rusëve dhe të kinezëve në ekonominë e këtij vendi.

Unë këtë e lexoj kështu: jo vetëm Greqia tradicionalisht nuk ka qenë tërësisht pjesë e Europës (lexo: Perëndimit), por edhe pasojat e kësaj trashëgimie mund ta largojnë Greqinë e sotme nga Europa.

Ua lë mendjeve të ftohta të vendosin nëse këtu kemi të bëjmë me një paradoks apo me një gabim logjik.

Greqia është pjesë e Europës, sepse Europa është e tillë që të konsistojë në shumë pjesë; madje ky është edhe thelbi i Europës, si njësi jo vetëm politike, por edhe historike dhe kulturore.

Europa ka qendrën e vet dhe skajet e veta; nuk mund të jetë e gjitha qendër – dhe Greqia qëllon të jetë në një nga skajet, ose në kufi me jo-Europën.

Arsyetimi mund të rimerret edhe për Shqipërinë; meqë, po të zbatojmë kriteret e Kaplan-it, Shqipëria ka një trashëgimi historike të tillë, që do ta zhvendoste diku andej nga Kirgizstani ose Turkmenia.

E megjithatë, jemi në buzë të Adriatikut, përballë Italisë, dhe po aq pjesë e Europës sa kombet dhe kulturat e tjera.

As Europa as Perëndimi nuk janë kombe, por ide; dhe ide që fillojnë atje ku mbarojnë kombet.

Karakteristikat sociale dhe ekonomike që ia atribuon Kaplan-i Greqisë, dhe që, sipas tij, e mbajnë këtë larg “Europës”, i kanë edhe vende të tjera të Ballkanit, por edhe Italia nga mesi e poshtë; dhe me siguri edhe pjesë të Spanjës dhe të Portugalisë.

Fati i këtyre rajoneve të prapambetura, në Itali, në Spanjë dhe ndoshta gjetiu, është se kanë qenë pjesë entitetesh më të mëdha, ose shtetesh pak a shumë kombëtare, të cilat nuk i kanë lejuar të mbeten aq prapa, sa t’i shkëputen “Perëndimit.”

Mjaft të kujtoj rolin ekonomik të Katalonisë, në Spanjë; ose të Italisë së Veriut, në Itali.

Greqia dhe, mutatis mutandis Shqipëria, nuk e kanë këtë fat; prandaj, pikërisht për këto vende të vogla, ose këto skaje të Europës, është e rëndësishme të përfshihen në struktura më të mëdha; por që të marrin prej andej jo aq pará, sesa shtysën e nevojshme për reformat politike, ekonomike dhe sociale.

Entitetet mbikombëtare, dhe këtu kam parasysh perandoritë në histori, ose edhe bashkimet dhe aleancat moderne, si Europa e Bashkuar, mund të vendosin t’i trajtojnë në mënyra të ndryshme periferitë.

Kështu, sa për të sjellë një shembull, Durrësi ose Vlora, gjatë pesë shekujve të Perandorisë Osmane, mund të kishin lulëzuar po aq sa edhe Stambolli dhe Izmiri; por kjo nuk ndodhi, sepse Porta e Lartë në marrëveshje me Venedikun preferoi ta lindte bregun e Adriatikut djerrë.

Do të ishte katastrofë, si për Greqinë ashtu edhe për Shqipërinë, që të pësonin të njëjtin fat, tani që gjenden në periferi të një perandorie tjetër, tipologjikisht të ndryshme nga ajo Osmania.

Një ekonomi që funksionon keq, në bashkëlidhje edhe me kriminalitetin e theksuar, korrupsionin dhe familizmin amoral (të Banfield-it), ose diktatin e bandave të vëllezërve dhe të kushërinjve, mund të shndërrohet në burim entropie, ose kaosi, për një shoqëri tjetër më të shëndetshme përbri.

Europa e Bashkuar, dhe pikërisht Perëndimi, e njohin mirë dhe e luftojnë kriminalitetin e organizuar me burim tradicionalisht prej Italisë së Jugut, dhe tani edhe nga rajonet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria.

Bandat kriminale kanë pushtuar hapësira kritike në tregtinë e drogës, trafikun e njerëzve, pastrimin e parave dhe të tjera veprimtari të ngjashme.

Në të njëjtën mënyrë, vrugu i Euros, me burim nga borxhi toksik i Greqisë, mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme në monedhën e përbashkët europiane.

Rreziku i izolimit nëpërmjet karantinës, prej kohësh i pranishëm në situatën gjeopolitike të Shqipërisë, tani i është avitur edhe Greqisë.

Natyrisht, çfarë ndodhi këtë periudhë me Greqinë është ogur i keq, për perspektivat europiane të Shqipërisë; sepse ato karakteristika që e ndajnë Greqinë nga “Europa”, dhe që i përmend Kaplan-i në analizën e vet, shoqëria shqiptare i ka me bollëk, madje me tepri: familizmi, tribalizmi, korrupsioni, politizimi i administratës, mungesa e industrisë prodhuese. Nëse Europa u dogj tashmë me Greqinë, do të matet mirë, para se të qasë në gjirin e vet Shqipërinë.

Sido që ta rrotullosh, kriza greke e komprometoi keq të ardhmen europiane të Shqipërisë; dhe pikërisht kur ne e kishim të gjithë mendjen te lotaria e zgjedhjes së Presidentit.

Analiza e Kaplan-it, pavarësisht nga kritikat që mund t’i bëhen, dëshmon se Europa, përballë krizës së tanishme, po i falet një mendësie prej country club-i, duke u ngushëlluar me mbiemrat dhe gjenealogjitë e anëtarëve të vet.

Dhe nëse Greqisë po i afrohen, me dhurata në duar, Rusia dhe Kina, po Shqipërisë kush vallë po i afrohet? Kjo është pyetja e madhe që kërkon jo aq përgjigje sesa një analizë të mirëfilltë, që të shkojë përtej histerisë ndërfetare dhe mërive krahinore, me të cilat kemi shkëlqyer deri më sot.

 

Pa Komente

  1. Europa ka qendrën e vet dhe skajet e veta; nuk mund të jetë e gjitha qendër

    Nqs e marrim Europen si te konceptuar nga,le te themi Iluministet, i bie qe Greqia (si vend jo si popullate) te jete qendra ideologjike e Europes. Greqia moderne eshte sajuar prej nje familje aristokrate bavareze e cila kur pa qe populli ishte nje turli orientale (shqiptare, greke etj) vendosi qe te sajonte Grekun. Kjo sajese sic duket deshtoi.

    Sa per shtjellimin qe i ben subjektit Kapllani duhet thene nuk eshte i ri. Samuel Huntigton ne 1991 ne librin e tij “Clash of Civilizations?” e cilesoi Greqine si ‘te njerkut’ ne institucionet Europiane dhe Nato, dhe parashikoi perjashtimin e saj nga keto institucione.

    1. Ok, po Huntingtoni nuk parashikoi krize ekonomike per keto arsye.

      Te ishte per Ameriken, Greqia do ish jashte Natos me kohe, nderkaq te jete sot per Gjermanine, Greqia jo vetem nga euro, por del edhe nga BE-ja , se shtet havale eshte ne te dyja.

      ‘Problemi’ eshte se Perendimi eshte peng i romantizmit, nuk ka pase rryme me te forte, mbareeuropiane e me pasoja me te forta se Romantizmi. Iluminizmi eshte pune kafenesh intelektualesh filofreng’ e frengoman’, romantizmi tashme ka hyre ne ADN-ne e Europes dhe e ka modifikuar.

      Kete nuk e ka marre parasysh Huntingtoni, kur ka vendosur Greqine ne vathen e vendeve ortodokse me ne krye Rusine. Europiani e mbush Greqine me para, jo vetem nepermjet BE-se por sidomos turizmit, per te pare ca rrenoja te zgerlaqura qe kane mbetur, ndersa ben plazh, por plazhet greke me ato çmime do katandiseshin keq, nga konkurrenca kroate e turke.

      Kur Huntingtoni shkruante librin para gati 20 vjetesh, Europa po mbeshteste Greqine te behej vend hegjemon i Ballkanit, e ka jo toleruar, por mbeshtetur sa me s’ka ne raportet me Shqiperine, Maqedonine e Turqine.

      Do thuash ti, bene gabim se ka pozicion periferik e sjellje jo prej fuqie kujdestare por agresori. Sa gabime kane bere me Greqine as te mira qofshin, por si thashe me lart, Europa eshte peng e romantizmit, Greqia do gaboje e ajo prape do e perkedhele. Greket jane mesuar me kete, kane 2 shekuj qe perfitojne, qe zgjerojne kufijte, asimilojne pakicat, zhvillohen ekonomikisht.

      Rusia nuk eshte gati t’i dhuroje as 5 leke Greqise, Kina s’e besoj se e ben prape gabimin qe beri me Shqiperine, pasi eshte absurde qe te ushtrosh influencen kaq larg ne nje zone ku levizin damaret e gjithe Fuqive te medha, siç eshte Mesdheu Lindor.

      Per rastin e Greqise , Huntingtonin fute ne sirtar edhe per nja 20 vjet te tjera, sa te marre veten Rusia e te largohet perfundimisht Amerika drejt Kines.

  2. A eshte Greqia Europe?
    Varet nga viti (koha) kur behet pyetja.
    Dikur ka qene. Me pas jo. Ca me pas po. Dhe ca dhe me pas, ndofta jo.

    E megjithate flasim per te njejtin territor gjeografik.

    Pyetja flet me shume per ate qe e ben pyetjen se sa per Greqine vete.

    Po e beri pyetjen nje historian, pergjigja eshte PO
    Po e beri pyetjen nje bankier me te gjithe rrethin e vet “shoqeror” ( gazetare/ ekonomiste/ politikane etj etj) pergjigja eshte JO.

    Duke qene se eshte koha e bankiereve pergjigja dihet.

    Mua me duket se ajo levizje, e cila filloi qe ne 326 ad, vazhdon me ritme here me te shpejta e here me te avashta. Por vazhdon ama. Problem eshte se kush do te jete Konstantinopoja e re – ai i vjetri, apo nje tjeter, diku andej nga tokat e Moscovit.

    Kurse Shqiperia, si nje fosil i vjeter, do mblidhet perseri nen guacken e vet. Si gjithnje. Pavaresisht se ku e vene te tjeret te rrije.

  3. Mua keto te Kapllanit me duken fare te pavlera. Jo se Greqia nuk eshte Perendim e vleresime te ndryshme te kesaj natyre, po sepse kriza eshte shume me ekonomike sesa pasojat e nje mendesie ndryshe te grekeve.

    Problemet jane disa, po me kryesoret, kursi liberist i borxheve, merr borxhe se i paguan me rritjen ekonomike te pashtershme si dhe tregtia e lire.

    Greqia nuk ka kapacitet gjeoekonomik per te fjetur gjume rehat duke marre borxhe e duke humbur dhjetra miliarda dollare ne vit nga tregtia e lire.

    Per t’i shpetuar gjeoekonomise, greket u futen ne euro, me shpresen se Europa do paguaje per ta. Europa po paguan, veçse greket kane vendosur te mos bejne pjesen e tyre. Kjo eshte mendesi prej tekanjozi kanakar, jo prej lindori a ku di une.
    Ne Greqi, perzihet me mentalitetin qe mbolli e majta, garanci punetorit.

    Vertet Greqia mund te kete 3/4 me aktivitet familjar, por keto jane kryesisht dyqane, bar-restorante e hotele te vogla, nuk jane prodhuese qe t’i pengojne konkurrueshmerine mallrave greke.

    Problemi i Greqise eshte qe s’ka ç’te eksportoje, pertej djathit te deles (llafi qe bie, se eksporton edhe tekstile prej leshit te deleve dhe lekures se deleve).

    Tregtia e lire, ka ne themel te vet prodhimin per ekport, por prodhim per eksport don te thote prodhim industrial, se eksporti i grurit, misrit e thekres ne vlere monetare eshte qesharak edhe per shtete si SHBA-ja, qe kane tokat e dynjase dhe klime te mire.

    Jo rastesisht eshte Gjermania vendi qe ka parate dhe Greqia vendi qe merr parate.

    Turizmi si burim valute eshte i mire kur je vend ne zhvillim, por pesha e tij bie drastikisht kur behesh vend i zhvilluar, sepse potencialin e vet e arrin ne fazen e zhvillimit dhe pastaj pesha e tij ne perqindje bie vazhdimisht. Kete pesoi Greqia.

    Me zhvillimin e terciarit, ekonomia hyri ne nje faze paradoksale, mund te ishe vend agrar dhe te zhvilloheshe shpejt, pa kaluar ne fazen e industrializimit. Greqia eshte shembulli i persosur, terciari i dha zhvillim pa u industrializuar (ne kuptimin perendimor te fjales).

    Por, tregtia e lire supozon gjithnje eksport te pashtershem mallrash industriale. Greku u ngop me borxhe per te paguar importet, se po te ish vetem per defiçitin buxhetor sot do kish shume me pak se gjysmen e borxheve.

    Tani keta, meqe s’kapen dot me tregtine e lire se eshte ideologjia sunduese jane kapur me defiçitin buxhetor dhe sjelljen e keqe te burokracise dhe politikes greke.

    Kesaj po i nxjerrin ujet e zi, duke ia mveshur edhe fajet e tregtise se lire dhe filozofise liberiste, merr borxhe se i paguan me zhvillimin e pafundem.

    Greqia po shembet sepse pati zhvillim alogjik.

    Tani te dale nga euroja, ti vere tapen tregtise se lire dhe shishes se borxheve e me parate qe do vjele nga turizmi te behet lidere europiane ne prodhimin e anijeve, se e ka te vetmen dege me potencial e tradite.

    Me nje Ballkan te shembur post-komunist e nje Turqi te varfer, Greqia do kish pasur mjaftueshem treg per te nxitur çdo lloj prodhimi industrial, e sot do ishte lule e do ishte eksportues dominant ne tregjet ballkanike e ate turk, po ja qe zgjodhi rrugen e vetevrasjes ekonomike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin