Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

PASURIA INSTITUCIONALE

Shënim i redaksisë: versioni anglisht mund të lexohet këtu.

Më në fund u kry; Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson (AJR) u shpërblyen me çmimin Nobel për punën e tyre mbi efektin afatgjatë të institucioneve në rritjen ekonomike. Çdo ekonomist që njoh, madje edhe ata që nuk janë veçanërisht të kënaqur me tezën e tyre, ishin të sigurt se çmimi ishte i pashmangshëm. Vlerësimi është për kërkime shkencore që drejtohen nga pyetje vërtet thelbësore dhe të rëndësishme: “Përse disa vende janë aq të varfra dhe disa të tjera aq të pasura?”. Dallimet në të ardhura midis vendeve janë vërtet të thella; siç shënon lajmërimi i Komitetit të Çmimit Nobel, 20% e vendeve më të pasura janë 30 herë më të pasura se 20% më të varfrat. Pyetja është aq e vështirë për t’iu përgjigjur sa dhe e rëndësishme: gjetja e një formule për rritjen ekonomike do të nxirrte miliarda njerëz nga varfëria, dhe ka munduar ekonomistët gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të. Përgjigjet e hershme u përqendruan në grumbullimin e kapitalit, konkretisht në normën e kursimeve, e cila përcakton kapitalin e disponueshëm për prodhim, ose në efikasitetin e kapitalit dhe të punës në procesin e prodhimit (produktiviteti). Mesatarisht, holandezët janë shumë më produktivë sesa shqiptarët, prodhimi i brendshëm bruto për orë pune në Holandë është pothuajse pesë herë më i lartë se në Shqipëri. Por pse? Shqiptarët nuk duket se kanë vështirësi në të qenët produktivë kur ndodhen jashtë vendit. Në fakt, nëse shikojmë të ardhurat mesatare të ekonomive familjare në SHBA sipas përkatësisë etnike, shqiptarët renditen në vendin e 16-të nga një klasifikim me 71 vende, një arritje mjaft e mirë duke pasur parasysh se migrimi shqiptar në SHBA është mjaft i vonshëm krahasuar me të tjerët[1]. Shpjegimi i produktivitetit është i dobishëm por mbetet pak a shumë i pjesshëm. Disa vende janë më produktivë se të tjerët në përdorimin e punës dhe të kapitalit, por pse? Siç thekson pika e mësipërme, kur shqiptarët zhvendosen nga Shqipëria në SHBA, prodhimi i tyre rritet ndjeshëm, kështu që çfarë ka SHBA-ja që i mungon Shqipërisë?

Një përgjigje e propozuar nga Douglass North, një tjetër fitues i çmimit Nobel, ishte e bazuar në institucionet[2]. Në gjuhën e ekonomistëve, institucionet janë mënyrat se si njerëzit e organizojnë shoqërinë, më konkretisht, në fjalët e tij:

“Institucionet janë rregullat e lojës në një shoqëri ose, më formalisht, janë kufizimet e përcaktuara nga shoqëritë njerëzore, që u japin formë marrëdhënieve midis nesh”.

Çfarë do të thotë kjo në terma praktikë? Institucionet janë në thelb udhëzime formale dhe joformale që i drejtojnë njerëzit se si të ndërveprojnë, të marrin vendime dhe të kryejnë veprimtari ekonomike. Mendojini si struktura themelore që përcaktojnë nëse një shoqëri ka tendencë të shpërblejë ose të penalizojë norma të caktuara të sjelljes.

Këto institucione paraqiten në dy forma kryesore:

Institucionet ekonomike: Këto qeverisin çështje, si të drejtat e pronës (a mund ta mbani atë që fitoni?), zbatimi i kontratave (a do t’i mbështesin gjykatat marrëveshjet e biznesit?) dhe qasja në treg (a mund të fillojë kushdo një biznes, apo ka pengesa të padrejta?). Për shembull, në disa vende, mund të duhen muaj të tërë mes dokumentesh dhe rryshfetesh për të filluar një biznes ligjor, ndërsa në të tjerë procesi mund të bëhet online në një pasdite.

Institucionet politike: Këto përcaktojnë se kush ka pushtet në shoqëri dhe si e përdor pushtetin. Për shembull, ka kufizime mbi pushtetin qeveritar? A mund të votojnë qytetarët kundër udhëheqësve? A veprojnë gjykatat në mënyrë të pavarur?

Kontributi kyç nga AJR është se këto institucione nuk janë thjesht detaje në sfond – ato janë në fakt arsyeja kryesore pse disa vende pasurohen, ndërsa të tjerë jo. Kur institucionet inkurajojnë inovacionin, mbrojnë të drejtat e pronës dhe parandalojnë të plotfuqishmit të përvetësojnë atë që nuk i përket, zakonisht shihet rritje ekonomike. Kur institucionet nuk e kryejnë dot këtë rol, shpesh ndodh rënia.

Ky mënyrë e përcaktimit të institucioneve, edhe pse e qartë, është mjaft e gjerë dhe e vështirë për t’u kutpuar, por mund të sjellim një shembull për të qartësuar idetë.

Shembull: Le të supozojmë se një kompani eksplorimi mineralesh beson se ka depozita të konsiderueshme bakri në një zonë të largët të veriut të Shqipërisë. Gjeologët e kompanisë duhet të vendosin kampe dhe të fillojnë të mbledhin mostra për të provuar hipotezën e tyre. Ata kontaktojnë qeverinë shqiptare, shkruajnë një kontratë eksplorimi, që përcakton se nëse gjendet me të vërtetë një depozitë e konsiderueshme, kompania do të ketë të drejtën të ndërtojë vetë minierën ose të shesë të drejtat e eksplorimit. Kontrata, gjithashtu, përcakton shumën e taksave (royalties) që qeveria do të mbledhë nëse projekti del me sukses. Zona në fjalë është në tokë shtetërore, kështu që qeveria ka të gjitha të drejtat mbi të. Le të supozojmë se pas një viti mbledhje mostrash, gjendet një depozitë e konsiderueshme bakri dhe, sapo ky informacion bëhet publik, një palë private bën një pretendim se toka iu përket atyre me ligj dhe se kontrata me qeverinë është e pavlefshme. Kompania pyet tek zyra përkatëse e qeverisë dhe zbulon se regjistri për këtë copë toke ka humbur. Për më tepër, një gjykatës i korruptuar i jep te drejtë ankuesit dhe kompania mbetet praktikisht pa asnjë mundësi rekuperimi të punës së saj. Jo vetëm kaq, por një kompani tjetër fillon të shpojë diagonalisht, afër zonës, pikërisht jashtë kufijve të përcaktuar, duke nxjerrë kështu bakrin që i përket kompanisë fillestare. Operacioni konkurrues nuk është efikas, sepse nuk mund të ngrihet miniera e duhur, prandaj nxirret pak bakër. Në fund, eksploruesi fillestar largohet nga Shqipëria, duke pranuar humbjen.

Ky shembull thekson dy rezultate të rëndësishme ekonomike të përcaktuara nga institucionet: të drejtat e pronësisë dhe zbatimi i kontratave[3]. Në shembullin e mësipërm, të drejtat e pronësisë nuk janë të qarta, pasi qeveria nuk është e aftë t’i zbatojë. Edhe zbatimi i kontratave nuk ekziston, pasi gjyqtarët mund të blihen për të favorizuar kërkesat e rreme, kështu që kontrata nuk vlen, edhe nëse është nënshkruar nga një zyrtar qeveritar. Cili është rezultati i gjithë kësaj? Projektet që kërkojnë investime të mëdha nuk do të ndërmerren, pasi ndoshta përfitimet mund të zhduken për shkak të mungesës së të drejtave të pronësisë dhe zbatimit të kontratave. Kështu që shuma e përgjithshme e investimeve zvogëlohet, duke ulur prodhimin e përgjithshëm. Nëse mendojmë për rastin në të cilin qeveria sillet korrektësisht, do të ndërtohej një minierë e madhe që do të punësonte qindra vendas dhe do të nxirrej shumë bakër. Përveç kësaj, qeveria do të merrte taksa për bakrin e shitur, që do të mund të përdoreshin për shërbime dhe arsim. Kjo nuk ndodhi. Skema institucionale në këtë shembull është e tillë që gjykatat dhe gjyqtarët nuk zbatojnë ligjin, por u shërbejnë interesave të tyre privatë dhe zyrtarët qeveritarë nuk janë përgjegjës për kontratat që nënshkruajnë.

Kontributi i AJR-së është se institucionet ekonomike janë endogjene, d.m.th. ato nuk janë aksidentale, por përcaktohen nga pushteti politik. Nëse një vend ka mundësi të zgjedhë midis institucioneve efikase që nxisin rritjen dhe disa institucioneve të tjera që nuk e bëjnë këtë, zgjedhja do të varet nga interesat privatë të atyre që mbajnë pushtetin politik. Dhe nga vjen pushteti politik? Sipas AJR-së, ai vjen nga shpërndarja e të ardhurave. Nëse shpërndarja e të ardhurave është mjaft e gjerë, pushteti politik i elitave do të kufizohet dhe vendimet e tyre do të jenë në shërbim të një pjese të madhe të popullsisë. Në këtë drejtim, AJR përkufizojnë dy lloje institucionesh; institucione gjithëpërfshirëse dhe institucione ekstraktive.

Institucionet gjithëpërfshirëse i shpërndajnë gjerësisht pushtetin dhe mundësitë në gjithë të shoqërinë. Ata sigurojnë pjesëmarrje dhe llogaridhënie politike, zbatim të barabartë të ligjit dhe të drejta të mbrojtura për të gjithë qytetarët, ndërkohë që nxisin sisteme ekonomike ku kushdo mund të fillojë një biznes, të investojë, të inovojë dhe të përvetësojë shpërblimet e punës së vet. Tregjet mbeten konkurruese, të drejtat e pronës janë të sigurta dhe suksesi varet nga merita dhe jo nga lidhjet politike.

Institucionet ekstraktive, nga ana tjetër, e përqendrojnë pushtetin dhe pasurinë në duart e një elite të vogël. Ata e kufizojnë zërin politik dhe llogaridhënien, ndërsa krijojnë sisteme ekonomike që i kalojnë të ardhurat nga popullata më e gjerë tek të privilegjuarit. Suksesi varet më shumë nga lidhjet sesa nga merita, të drejtat e pronësisë janë të dobëta për shumicën e njerëzve dhe inovacioni shpesh shkurajohet pasi mund të kërcënojë strukturat ekzistuese të pushtetit.

Kontributi kryesor i punës së AJR-së, dhe ai që e rilançoi literaturën, është se të dyja llojet e institucioneve kanë prirjen të jenë vetëpërforcuese – institucionet gjithëpërfshirëse zakonisht mbështesin përfshirjen e mëtejshme, ndërsa ato ekstraktive zakonisht e përkeqësojnë ekstraktimin. Ata tregojnë empirikisht se në zonat e botës së re, ku institucionet koloniale ishin gjithëpërfshirëse, rritja ekonomike ishte e konsiderueshme dhe përfaqësimi politik shumë më i gjerë se në vendet e tjera ku këto institucione fillestare ishin ekstraktive[4]. Kështu që tipologjia institucionale është e varur nga historia ekonomike e vendit dhe kushtet historike janë vendimtare në zhvillimin ekonomik.

Si përmbledhje: për t’iu përgjigjur pyetjes pse disa vende janë shumë më të pasura se të tjerat, duhet të reflektojmë për mënyrën se si individët e organizojnë shoqërinë, d.m.th. të ashtuquajturat institucione. Institucionet mund të jenë gjithëpërfshirëse (të mira) ose ekstraktive (të këqija) dhe nëse një vend ka njërin apo tjetrin tip, varet nga historia e tij e veçantë dhe mënyra se si ishte dhe është shpërndarë pushteti politik. Ka shumë material në internet mbi tezën qendrore dhe punën empirike të autorëve. Ata kanë shkruar katër libra mbi këtë pikëpamje, kështu që kontributi im këtu është relativisht i vogël. Megjithatë, mund të ngremë pyetjen: Si mund të vlerësohet zhvillimi aktual i ekonomisë së Shqipërisë nga një pikëpamje institucionaliste? Çfarë do të thoshte ky kuadër për Shqipërinë? Edhe kryeministri ynë shpesh i ka përmendur rrënjët osmane të shtetit modern shqiptar si arsye për zhvillimin e ngadaltë të tij, pohim që mund të shihet si një lexim institucionalist i gjendjes sonë aktuale. Në vijim do të përpiqem të jap një shpjegim institucional për zhvillimin e dobët ekonomik të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit.

Rrugëtimi shqiptar

Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 shënoi krijimin e një shteti të ri me strukturën e vet të pushtetit, edhe pse shumë nga kuadri politik dhe ekonomik u trashëgua nga Perandoria Osmane. Në atë kohë, Shqipëria ishte një vend kryesisht rural dhe i varfër, me nivele shumë të ulëta arsimimi. Shumica e popullsisë mbështetej në bujqësi për mbijetesë. Elita ekonomike dhe politike e kombit përbëhej nga një grup i vogël familjesh me prona të mëdha toke (latifondistë), të cilët kishin akses në arsimimin evropian. Po për shumicën e shqiptarëve, qasja si në arsim, ashtu edhe në prona, ishte e jashtëzakonisht e kufizuar.

Në librin “Pse dështojnë kombet”, AJR identifikojnë latifondinë në Amerikën Latine si një formë të veçantë të institucioneve ekstraktive. Ekzistojnë dy pasoja kryesore të pronësisë së madhe të tokës që e ndalojnë zhvillimin.

Pasojat ekonomike: Pronësia e përqendruar e tokës krijon disa pengesa kryesore ekonomike për zhvillimin. Pronarët e mëdhenj të tokës zakonisht nuk i shfrytëzojnë plotësisht pronat e tyre, duke preferuar bujqësi të gjerë, si kullotat, në vend të metodave më intensive bujqësore që mund të rrisin produktivitetin. Duke e pasur të lirë krahun e punës, këta pronarë kanë pak shtysa për të investuar në mekanizimin ose përmirësimet teknologjike. Në të njëjtën kohë, përqendrimi i tokës në duart e tyre e pengon ndërtimin e kapitalit nga fermerët e vegjël ose investimet në përmirësime bujqësore, duke kufizuar më tej zhvillimin ekonomik.

Pasojat politike: Pasojat politike të pronësisë së përqendruar të tokës e thellojnë më tej mungesën e zhvillimit. Pronarët e mëdhenj të tokës shfrytëzojnë pushtetin e tyre ekonomik për të ruajtur ndikimin politik, duke e përdorur këtë pozitë për të bllokuar reformat për zhvillimin ekonomik më të gjerë. Ata u bëjnë aktivisht qëndresë investimeve në të mira publike, si arsimi dhe infrastruktura, që mund të zvogëlojnë aksesin e tyre në krahun e lirë të punës ose të zvogëlojnë kontrollin e tyre politik. Përmes këtyre mekanizmave, pronarët e fuqishëm të tokës mund të parandalojnë në mënyrë efektive shfaqjen e institucioneve më gjithëpërfshirëse, që do të kërcënonin pozicionin e privilegjuar të tyre në shoqëri.

Gjatë sundimit të Mbretit Zog, u bënë përpjekje për reformë agrare, por dështuan për dy arsye kryesore: së pari, elita politike kundërshtoi fort reformën, dhe, së dyti, shteti shqiptar nuk e kishte kapacitetin e nevojshëm për të zbatuar vullnetin e tij në të gjithë vendin. Përtej një revolucioni të shkurtër dhe të pasuksesshëm, shteti nuk ishte në gjendje të trajtonte çështjen e pronësisë së tokës, dhe kuadri i tij institucional në përgjithësi u shërbente interesave të latifondistëve.

Ishte e natyrshme që, pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist të shfrytëzonte çështjen e reformës agrare si një aspekt qendror të programit të tij, duke e ditur se do të fitonte mbështetje të gjerë. Megjithatë, reforma ishte jetëshkurtër dhe kolektivizimi që vijoi, së bashku me eliminimin e të drejtave të pronësisë private, hoqën çdo lloj shtyse për zhvillim dhe rritje ekonomike. Edhe pse u forcua kapaciteti shtetëror, ai mbyti investimet dhe inovacionin privat, duke minuar në fund rritjen ekonomike afatgjatë. Shtytja e hershme komuniste për industrializim pati sukses në themelimin e një sërë industrish, por mbështetja në planifikimin qendror, kontrollin shtetëror dhe ndihmën e huaj rezultoi në një periudhë të zgjatur të rënies ekonomike. Libri i Mëhillit është një kronikë e shkëlqyer dhe shumë e hollësishme e ditëve të hershme të socializmit shqiptar, si dhe një pasqyrë e hollësishme e përpjekjeve të hershme për industrializim.

Rënia e komunizmit e la Shqipërinë përsëri në një gjendje varfërie ekstreme. Pjesa më e madhe e bazës industriale ishte e shkatërruar dhe prodhimi bujqësor tejet jo efikas. Fundi i regjimit komunist, gjithashtu, çrrënjosi çdo kapacitet shtetëror që kishte mbetur. Duke qenë se e kam përmendur më parë kapacitetin shtetëror, është e dobishme ta përkufizojmë. Kapaciteti shtetëror i referohet aftësisë së qeverisë për të zbatuar vendimet e saj në të gjithë territorin e republikës. Ky koncept është jetik brenda kuadrit institucionalist, sepse, pa kapacitet shtetëror, reformat thelbësore nuk mund të zbatohen dhe shteti e ka të vështirë të funksionojë në mënyrë efektive. Qoftë në një monarki apo në një demokraci të mirëfilltë, kapaciteti i fortë shtetëror është thelbësor. Dallimi kryesor qëndron në mënyrën se si ai përdoret: në një monarki absolute, kapaciteti shtetëror zakonisht u shërben interesave të një elite të vogël, të pasur, ndërsa në një demokraci ai është (në parim) i drejtuar kah përfitimi i një shumice të gjerë.

Në vitet ’90, Shqipëria u kthye në një entitet politik të bazuar në klientelizëm të pastër, d.m.th. në përdorimin e fuqisë së shtetit për qëllime private dhe politike. Shteti u bë oktapodian në praninë e tij, por vetëm si një entitet kërcënues. Paqartësia e të drejtave të pronësisë u bë një vegël e fuqishme për manipulim politik. Aty ku të drejtat formale të pronësisë fillimisht ishin të dobëta ose inekzistente, partitë politike krijuan organizata lokale për zbatimin dhe njohjen selektive të kërkesave për tokë. Në vend që partitë të garonin mbi ideologji ose platforma të gjera, ato fituan mbështetje kryesisht duke premtuar mbrojtjen ose formalizimin e kërkesave të pronës së votuesve të tyre, ndër të tjera shërbime të ofruara nga shteti. Votuesit, nga ana e tyre, u bashkuan jo me partitë që përfaqësonin më mirë interesat e tyre në tërësi, por me ato që mund të garantonin në mënyrë bindëse pronësinë e pasigurt për tokën dhe pronën[5]. Kjo krijoi një ekuilibër të padëshirueshëm: ndërsa partitë në dukje mbështesnin reformën e të drejtave të pronës, ato kishin pak shtysa reale për të vendosur të drejta universale dhe të qarta të pronës, pasi kjo do të eliminonte vetë mekanizmin – zbatimin dhe njohjen selektive – që siguronte bazën e tyre të votuesve. Rezultati është një informalitet në të drejtat e pronësisë, ku siguria e pronës varet më shumë nga patronazhi politik sesa nga kuadri ligjor. Kështu, mungesa e të drejtave të sigurta të pronësisë është një veçori, jo një defekt, i sistemit. Politikanët e bënë veten të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kontrata dhe prona, duke promovuar një sistem të paqartë të të drejtave të pronësisë dhe rregulloreve, duke i dhënë vetes pushtetin përfundimtar të arbitrazhit që e përdorën si një mjet për të siguruar vota.

Politikanët lokalë, të pakënaqur me pagat modeste të një shteti të varfër, rrisnin të ardhurat nëpërmjet rryshfeteve për shërbime që do të ishin falas në një burokraci të ndershme. Këta politikanë vareshin nga udhëheqja partiake dhe natyrisht që një pjesë e këtyre fitimeve të paligjshme iu përcollën drejtuesve të partisë. Ky rrjet patronazhi i ngjason shumë sistemit të Timar-it të Perandorisë Osmane, ndoshta trashëgimia më e fuqishme e sundimit osman. Në këtë mjedis, qytetari i thjeshtë nuk e sheh shtetin si një entitet që të zgjidh hallet, por si një pengesë për t’u shmangur ose për t’u përvetësuar për përfitim privat[6]. Ky organizim institucional është i qëndrueshëm, sepse as politikanët, as qytetarët nuk kanë shtysat e nevojshme për ta ndryshuar. Për qytetarin e zakonshëm, vota për politikanin që premton të përdorë shtetin për përfitimin e tij privat është optimale, dhe për politikanin, mbajtja e paqartësisë së rregullave të lojës për të mbetur arbitri përfundimtar i pushtetit shtetëror, është e vetmja mënyrë për të siguruar vota.

Perspektiva institucionaliste sugjeron se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përvojë historike me institucione gjithëpërfshirëse, as në dekadat e fundit, as në të kaluarën e largët. Përkundrazi, vendi ka vuajtur në mënyrë të vazhdueshme nën institucione ekstraktive që kufizuan zhvillimin dhe që ruajtën pushtetin politik përmes dhunës. Një Shqipëri me institucione gjithëpërfshirëse, që mundësojnë rritje dhe prosperitet të gjerë, mbetet e paprovuar – dështimi ynë për të krijuar një shtet të tillë mund të vijë nga mungesa e kësaj precedence historike. Ky boshllëk institucional ndoshta përfaqëson dobësinë tonë themelore, duke shpjeguar rritjen e dobët ekonomike.

Të lutem, mbylle!

Të shkruash për çështje të mëdha si këto, është e vështirë, sepse përshtatja e historisë botërore në një narrativë ose model të caktuar është e destinuar të prodhojë shembuj, ku narrativa ka mangësi. Shumë ekonomistë kanë theksuar se modeli i AJR-së e ka të vështirë të shpjegojë eksperiencën e zhvillimit të Kinës ose Azisë Lindore. Kritikat e hershme theksuan rolin e akumulimit të kapitalit njerëzor si katalizatori kryesor i rritjes ekonomike, si një narrativë konkurruese. Shumë studiues modernë argumentojnë se institucionet kanë fuqi shpjeguese të kufizuar. Mendimi im është se institucionet mund të jenë të nevojshme për zhvillim, por nuk janë të mjaftueshme. Vendet që nuk prodhojnë mjaftueshëm kapital njerëzor që mund të konkurrojë në një arenë globale, kanë tendencë të ngecin në të ardhura të mesme, dhe kur bëhet fjalë për rritjen afatgjatë, institucionet nuk e zëvendësojnë dot kapitalin njerëzor.

Mënyra se si i kuptoj unë institucionet, në terma praktikë, është mënyra se si sistemi politik dhe ekonomik u përgjigjet tentativave për abuzim nga një ekzekutiv agresiv dhe popullor. AJR përdorin shembullin e dy udhëheqësve, Perón në Argjentinë dhe Franklin D. Roosevelt në SHBA, që u përpoqën të ndryshonin përbërjen e gjykatave të larta për të miratuar disa ligje që ishin shpallur jokushtetuese. Në Argjentinë, kur Perón u përball me kundërshtimin e Gjykatës së Lartë në vitin 1946, reagoi duke shkarkuar katër nga pesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nëpërmjet mbështetësve të tij politikë në Kongres. Peroni i zëvendësoi gjykatësit me besnikët e tij, duke shkatërruar pavarësinë e gjykatës dhe duke dobësuar institucionet e Argjentinës. Nga ana tjetër, kur Franklin D. Roosevelt u përball me një situatë të ngjashme me Gjykatën e Lartë, që bllokonte programet e tij të New Deal-it në vitet 1930, propozoi të “mbushte gjykatën”, d.m.th. të shtonte numrin e gjykatësve. Megjithatë, ky plan u ballafaqua me një kundërshtim të fortë, edhe nga brenda Partisë së tij Demokratike, dhe në fund dështoi. Kuadri institucional ekzistues e parandaloi Roosevelt-in të minonte pavarësinë e gjykatës, edhe pse ai ishte president shumë popullor gjatë një periudhe krize. Institucionet funksionale dhe të qëndrueshme parandalojnë veprimet afatshkurtra që dobësojnë qëndrueshmërinë afatgjatë dhe e detyrojnë ekzekutivin të veprojë brenda disa udhëzimeve të forta, të cilat parandalojnë luhatje të mëdha në politikat publike, që mund të dëmtojnë procesin e zbatimit të tyre afatgjatë.

 

[1] Ka mundësi që të ketë paragjykim të përzgjedhjes (selection bias) në kampionin e shqiptarëve që emigrojnë në SHBA, por, duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e emigracionit të fundit ndodh për shkak të lotarisë së vizave, kampioni është mjaftueshëm i rastësishëm për të ngjallur dyshime.
[2] Për informacion më të detajuar shih këtë fillin.
[3] Përqendrohem shumë te këto të dyja si shembuj të institucioneve në stilin e AJR-së. Ky është një thjeshtësim i tepërt, por një mjet ilustrues i dobishëm për një shkrim të shkurtër.
[4] Metodologjia empirike e ndjekur nga AJR nuk është e pakritikueshme. Nuk do të hyj në detaje këtu, por për ata që janë aq sa duhet të guximshëm për të ndjekur detajet, do të sugjeroja të fillonin me Albouy dhe përgjigjet e AJR-së.
[5] Kjo është vetëm një pjesë e tregimit që përshtatet me kuptimin institucionalist të botës. Sigurisht, disa votues kanë marrë transferime më të drejtpërdrejta në formën e vendeve të punës dhe të shërbimeve publike.
[6] Kam shkruar, shumë kohë më parë në këtë revistë, për këtë pasojë afatgjatë të sundimit osman, ku qytetari i thjeshtë e sheh shtetin si grabitqar.

 

© 2024 Elton Dusha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin