ARS GRATIA ARTIS

Edhe pse si lloj incidenti ky është konsumuar tashmë deri në shaka ose legjendë urbane, ka ndodhur sërish.

Një pastruese në Muzeun Ostwall, në Dortmund, ka shkatërruar pjesë të një instalacioni të skulptorit gjerman Martin Kippenberger, të quajtur “Wenn’s anfängt durch die Decke zu tropfen” (“Kur fillon të pikojë tavani”).

Pastruesja shkatërroi, duke e fshirë dhe kruar me kujdes, një pellg të pikturuar nën një koritë prej gome të zezë poshtë një pirgu listelash; pellg të cilin autori e kishte menduar të dukej si ujë shiu i tharë.

Sipas gazetës La Repubblica, vepra ishte e siguruar për 800,000 euro.

Meqë Kippenberger ka vdekur prej vitesh, muzeu s’mund të këshillohet me të, për ta restauruar instalacionin.

Dihet tashmë se shumë njerëz e kanë të vështirë të dallojnë vepra të artit modern nga pisllëqet e zakonshme.

Kjo nuk ndryshon shumë, si dukuri, nga çfarë ndodh kur besimtarët puthin statujën e një shenjti ose falen para një ikone; vetëm se nevoja e artit për t’u legjitimuar si i tillë ndihet veçanërisht që prej modernizmit e këtej.

Në fakt, shumë artistë bashkëkohorë do ta kishin përshëndetur gjestin e pastrueses anonime, duke e konsideruar edhe atë si performance art. Tek e fundit, të shkatërrosh një vepër të tillë, nëpërmjet një gjesti pastrues, nuk është dhe aq i ndryshëm, si gjest, nga ekspozimi i një legeni të pistë prej gome të zezë në një galeri arti prestigjioze.

Nëse artisti e merr trash-in nga rruga dhe e vendos në muzeum, atëherë është ironike që po ajo vepër t’i kthehet rrugës, ose, në rastin e tanishëm, ujërave të zeza të Dortmund-it.

Ndërkohë, është njoftuar se instalacioni do të mbetet i ekspozuar në museum; edhe pse i dëmtuar. Njëlloj si kafshët e ulëta, p.sh. krimbat e shiut ose hardhucat, vepra të tilla e ruajnë vlerën edhe kur humbin ndonjë gjymtyrë aksidentalisht. Madje, madje, mund të pritet që publiku të dyndet për të parë instalacionin e ri, nga duo-ja Kippenberger & pastruese, si variant të korrigjuar të të parit.

Ose, më mirë akoma, muzeumi mund t’i propozojë vetë pastrueses që të qëndrojë ca ditë e ekspozuar (jo doemos lakuriqe), pranë instalacionit, si pjesë e tij integrale; ashtu ajo mund të fitojë edhe paratë që i duhen, për të shlyer dëmin e shkaktuar nga pakujdesia.

Nuk ka komente

  1. Ekziston nje lloj paragjykimi, ne fakt arkaik, i vjeteruar, dhe njekoheisht arrogant, ku arti duhet detyrimisht te dalloje nga jeta. Eshte paragjykim i thelle; platonik, sepse i themeluar mbi implikimin e shkrimit si te vdekur dhe gjuhes se folur si te gjalle. Keshtu psh, dyshoj se Xha Xhai do i kishte kushtuar te njejten sarkazem dhe ironi ketij aksidenti, nese pastruesja ne fjale te mos kishte prishur kete pune, por nje pikture, bie fjala, ku korniza qe percakton kufirin mes asaj hapesire ku mbaron arti dhe asaj hapesire ku fillon jeta, do ishte nder te tjera prej nje druri qershie, me ornamentet e renda qe dhe bejne te mundur dallimin mes artit dhe jetes. Mirepo nuk ka asnje arsye pervec nje regjimi arrogant kornizash dhe jo ne fakt arti, qe nderfaqja mes artit dhe jetes, e rrjedhimisht bujaria ndaj aksidentit te ironizohet ne kete menyre. Kippenberger eshte nje nga artistet e shumte e gjysmes se dyte te shekullit 20, tek te cilet influenca e artistit gjerman Joseph Beuys eshte me shume se eksplicite, filozofia e te cilit i takon pikerisht shuarjes se ketyre kornizave mes artit dhe jetes, e qe mund te permblidhet me ane te shprehjes se tij se “Cdo njeri eshte artist.”

    Natyrisht qe gjithsecili ka opinionin e vet ne lidhje me cfare perben art, megjithate, nuk mund te mos shpreh befasine e vazhdueshme qe me ngjall mediokriteti kembengules i opinionit te Xha Xhait. Per Xha Xhain, nuk eshte ceshtje e nje legjitimiteti te barazise se mediumeve, te barazise se subjekteve, te barazise se stileve, ne art, legjitimitet qe po te besojme sa studiuesit me te mprehte te ceshtjes aq edhe tekstet me fillestare, do verejme se ka tashme me shume se dy shekuj qe eshte pranuar pertej kunjave bajate te turistit te artit pamor. Perkundrazi, per Xha Xhain ceshtja eshte “trash-i” qe merret nga rruga per te ofenduar shijet tona te kulluara dhe vendet e shenjta si muzete ku keto shije duhet te mbesin te kulluara. Per Xha Xhain dhe opinionin qe perfaqeson, muzeu eshte vend i shenjte, tip kishe apo panteoni pagan, vend ku pastertia shpirterore duhet te mbese e pastert, ne mos herezia do ndeshkohet nga aksidente ironike te tilla si ky i pastrueses.

    E megjithate, ky aksident nuk ka asgje ironike. “Cdo njeri eshte artist,” propozim te cilit do vija bast qe Kippenberger do i referohej ne lidhje me kete aksident po te ishte gjalle, do te thote pikerisht kete, qe cdo njeri eshte artist, dhe ky aksident, si dhe cdo aksident qe me fillimin e modernizmit, pervecse po te benim kritikun a la XhaXha qe ben luften kunder modernizmit si Don Kishoti kunder mullinjve me ere, do ishte i mireseardhur ne rradhe te pare nga autori. Ajo qe do theksohej nuk do ishte ironia, apo “poetic justice” e cshenjterimit te nje pune arti qe eshte perpjekur te cshenjteroje shijet tona te kulluara dhe pastertine tone shpirterore duke cshenjteruar muzeun me “trash.” Ajo qe do theksohej do ishte pikerisht vertetesia e aksidentit si elementi me i qenesishem i artit dhe i te qenit artist. E mbi te gjitha, ajo qe do theksohej do ishte kontrasti midis arbitraritetit te shperndarjes platonike te punes (ku artisti, filozofi, politikani, etj, kane nje status me te priviligjuar se sa pastruesi, rrobaqepesi, apo kepucari ne shoqeri) dhe ndarjes arbitrare te hapesirave ne te shenjta apo te pastra dhe profane apo trash nga nje krah, dhe midis idese se thjeshte se cdo njeri eshte artist nga krahu tjeter.

    1. Shkruan:

      Ekziston nje lloj paragjykimi, ne fakt arkaik, i vjeteruar, dhe njekohe[s]isht arrogant, ku arti duhet detyrimisht te dalloje nga jeta. Eshte paragjykim i thelle; platonik, sepse i themeluar mbi implikimin e shkrimit si te vdekur dhe gjuhes se folur si te gjalle.

      Por ky nuk është paragjykim, dhe aq më pak arkaik dhe i vjetëruar. Në atë masë që pohimi se “arti duhet detyrimisht të dallojë nga jeta” ka kuptim, atëherë është jo paragjykim, por truizëm. Natyrisht, gjithçka varet nga kuptimi që i japim fjalës “jetë”.

      Shkruan:

      Keshtu psh, dyshoj se Xha Xhai do i kishte kushtuar te njejten sarkazem dhe ironi ketij aksidenti, nese pastruesja ne fjale te mos kishte prishur kete pune, por nje pikture, bie fjala, ku korniza qe percakton kufirin mes asaj hapesire ku mbaron arti dhe asaj hapesire ku fillon jeta, do ishte nder te tjera prej nje druri qershie, me ornamentet e renda qe dhe bejne te mundur dallimin mes artit dhe jetes.

      Unë nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë rast, kur një punonjës muzeumi, qoftë edhe pastrues, të ketë dëmtuar një pikturë brenda kornizës; meqë korniza nuk lë vend për dyshim, si vendi ku ndahet arti nga joarti.

      Mirepo nuk ka asnje arsye pervec nje regjimi arrogant kornizash dhe jo ne fakt arti, qe nderfaqja mes artit dhe jetes, e rrjedhimisht bujaria ndaj aksidentit te ironizohet ne kete menyre.

      Në fakt edhe muzeu vetë është një lloj kornize; dhe aq më e vërtetë është kjo në rastin e artit konceptual, ose të ready made (objet trouvé). Ndonjëherë puna konkrete e artistit modern konsiston në zhvendosjen e një objekti nga rruga (dyqani, plehrat, dhoma e gjumit) në muze.

      Kippenberger eshte nje nga artistet e shumte e gjysmes se dyte te shekullit 20, tek te cilet influenca e artistit gjerman Joseph Beuys eshte me shume se eksplicite, filozofia e te cilit i takon pikerisht shuarjes se ketyre kornizave mes artit dhe jetes, e qe mund te permblidhet me ane te shprehjes se tij se “Çdo njeri eshte artist.”

      Edhe kjo shprehje nuk ka shumë kuptim. Çdo njeri mund të krijojë vepra dhe t’i quajë art; sikurse çdo njeri mund të këndojë karaoke – po a e bën kjo këngëtar? Në një kuptim po, por ashtu do të humbiste çdo vlerë praktike koncepti i këngëtarit (artistit). Unë, ndryshe nga Joseph Beuys, do t’i ndaja njerëzit në tri kategori: në artistë, në njerëz që e kuptojnë artin, dhe në njerëz që nuk e kuptojnë artin (ndarja mund të rafinohet më tej, por kaq mjafton sa për një ide, besoj). Edhe ti mund të zhgarravisësh ndonjë gjë në pëlhurë, por kjo nuk e bën zhgarravinën tënde art, në kuptimin e arsyeshëm të fjalës. Për ty mund të jetë art; por kaq nuk mjafton. Fakt është që ti nuk ke talent (kjo është një ti gjenerike, nuk e kam fjalën për ty si LK). Në artin e shekullit XX ka pasur një prirje të fuqishme për të glorifikuar mungesën e talentit – teksa vlerësimi i artistëve po u mbetet gjithnjë e më shumë në dorë tregtarëve të artit. Dukuria është, shpresoj, e përkohshme, edhe pse ka lënë shumë viktima. Nga ana tjetër, e gjithë kjo do të thotë që edhe ti ke ende shanse, në teori, që të bëhesh artist i madh, dhe të t’i dëmtojnë veprat pastrueset e muzeve.

      Per Xha Xhain, nuk eshte ceshtje e nje legjitimiteti te barazise se mediumeve, te barazise se subjekteve, te barazise se stileve, ne art, legjitimitet qe po te besojme sa studiuesit me te mprehte te ceshtjes aq edhe tekstet me fillestare, do verejme se ka tashme me shume se dy shekuj qe eshte pranuar pertej kunjave bajate te turistit te artit pamor.

      Ky i barazisë është diskurs politik, jo artistik. Arti, për mua, është i themeluar mbi pabarazinë, prandaj edhe i ka tërhequr sistematikisht snobët e të gjitha ngjyrave.

      Per Xha Xhain dhe opinionin qe perfaqeson, muzeu eshte vend i shenjte, tip kishe apo panteoni pagan, vend ku pastertia shpirterore duhet te mbese e pastert, ne mos herezia do ndeshkohet nga aksidente ironike te tilla si ky i pastrueses.

      Vërtet, unë ashtu e shoh, si vend të shenjtë, ku arti ndahet nga joarti. Po ti si e sheh? Si një vend për të bërë shurrën?

      [Ky] aksident, si dhe cdo aksident qe me fillimin e modernizmit, pervecse po te benim kritikun a la Xha Xha qe ben luften kunder modernizmit si Don Kishoti kunder mullinjve me ere, do ishte i mireseardhur ne rradhe te pare nga autori.

      Në fakt këtë e kam thënë edhe unë në shkrim. Përndryshe unë nuk kam ndërmend të luftoj modernizmin; por vetëm të tallem me të gjithë ata që tallen me publikun, duke i paraqitur plehrat e tyre dhe të miat si vepra arti (qoftë edhe të siguruara për €800,000). Nuk e kam fjalën, natyrisht, për Kippenberger-in, të cilit nuk ia kam parë asnjë vepër (por e kam fjalën për Koons-in). Arti modern dhe bashkëkohor është i tillë, që dallimi midis artit dhe pleh-ut, në kuptimin konceptual të fjalës, është eliminuar qëllimisht; në të njëjtën kohë që i është shpallur luftë, nga shumë anë, talentit artistik, në emër të shkathtësisë mendore dhe numrave të cirkut. Këtë do të ta shpjegojnë, më mirë se unë, artistët e mirëfilltë, të cilëve krijimi edhe iu dhemb, edhe iu dhimbset.

      [N]uk mund te mos shpreh befasine e vazhdueshme qe me ngjall mediokriteti kembengules i opinionit te Xha Xhait.

      Po ti nuk është se ke harruar, ndërkohë, të marrësh frymë, apo jo?

      1. Ma paska kaluar Iliri, por 4:33 e John Cage ishte pikerisht ku do e coja analogjine qe ngrite me muziken. Dy gjera qe duhen pas parasysh ne lidhje me Cage: ne rradhe te pare qe nuk eshte nje anomali, apo dicka anormale dhe e papritur, por qe ne menyre qe te kuptojme “ofendimin” duhet te dime edhe kontekstin historik dhe influencat, apo student i kujt ishte. Dija ime ne historine e muzikes eshte zero ne krahasim me tenden Xhaxha, prandaj edhe besoj se me mire se une do ishe ne gjendje vete te shpjegoje revolucionin muzikor qe sollen 12 tonet e Schoenberg, student i te cilit ishte edhe Cage. Dhe gjeja e dyte qe duhet pasur parasysh, eshte se perpara se t’i ndajme njerezit neper kategorira ne raport me artin, do benim me mire t’i ndanim neper kategorira ne raport me kritiken.

        Kategoria e pare jane ata njerez qe ndaj John Cage do thoshin se po “glorifikon mungesen e talentit,” se po cshenjteron muziken, se dallimi mes muzikes dhe jo-muzikes eshte truizem, se kjo eshte pshurrje e arritjeve sublime te mjeshtrave te muzikes, etj, etj. Ne kete kategori kritikesh vihet re edhe arroganca, edhe arkaizmi, per te cilen po flisja, edhe kembengulja madje per t’u tallur bajtshem me eksperimente te tilla, vetem pse keto ekpserimente nuk u permbahen kategorive fikse dhe a priori, apo me keq, qe i kemi trasheguar nga disa njerez te medhenj qe na kane thene se cfare eshte muzika.

        Nje kategori e dyte kritikesh do thoshin, “dale pak, se nuk me duket se qellimi i John Cage eshte qe te tallet me audiencen, por qe ta beje audiencen ta mendoje ne lidhje me cfare perben muzike dhe cfare perben zhurme, apo se heshtja, nje nder elementet thelbesore te pauzave muzikore, eshte ne fakt nje pamundesi.” Per kritike te tille, dallimi midis muzikes dhe jo-muzikes, midis artit dhe jo-artit, nuk eshte “truizem,” por hapesire e diskutueshme, e levizshme, dhe ne thelb, eshte dallim qe nuk behet nga arti, por nga politika. Per kritike te tille, te thuash se “arti eshte ceshtje barazie” eshte pretendim po aq politik sa dhe te thuash se “arti eshte ceshtje mosbarazie,” sa do qe implikimi i atij qe flet per mosbarazi eshte se nuk po merret me politike, se nuk po percakton keshtu nje regjim klasifikimi. Shperndarja e roleve, apo edhe ndermarrja e nje pyetje ontologjike si “c’eshte arti?” si dhe percaktimi i privilegjeve ne baze te – e ritheksoj – “paragjykimeve” ne lidhje me keto role, eshte ne thelb politike, madje per te qene te sakte, pushtet apo ideologji, cfaredo qofte pergjigja qe i japim pyetjes ontolojike, apo pavaresisht pozicionit te kulluar apo pisllik qe marrim.

        Llojit te kritikut te pare qe eshte i bindur ne lidhje me kategorite fikse, ne lidhje me truizmat, dhe ne lidhje me kete shperndarje rolesh, apo ne lidhje me cfare perben art, art i larte, hapesire e shenjte, etj, etj, lloji i kritikut te dyte i thote: “hold your horses, sepse edhe kategorizimet e tua jane politike, dhe jo ne fakt aq te pafajshme sa piedestali i pastertise shpirterore qe pretendon. Pasi fundja, konkluzioni logjik i ketyre kategorive te tua eshte se arti me i larte duhet te jete nje skulpture prej ari te kulluar, dhe jo ne fakt edhe pshurrimi i se njejtes skulpture. Te ishte per ty qe tani me mburresh me connoisseurship-in qe zoteron mbi Jazz-in, Jazz-i nuk do ishte kurre muzike e respektueshme, pasi domosdo, jo te gjithe mund te jene muzikante te repsektueshem, le me te bejne muzike te respektueshme zezaket.”

        Lloji i trete i kritikut eshte negativi i i te parit, ku i vetmi art eshte shurra, ku e vetmja muzike, eshte e llojit te John Cage, por ky lloj kritiku ka shume me teper te perbashketa me artistin, se sa me kritikun. Dallimi themelor mes te parit dhe te tretit eshte i njejte me dallimin mes konservatorit te flakte dhe revolucionarit te flakte, si dhe fakti qe i treti nuk vuan nga ndonje ndergjegje e rreme ne lidhje me “autonomine e artit,” apo ne lidhje me “neatness” te dallimit mes artit dhe politikes. Dallimi kryesor, sidoqofte, ka te beje me kete ndergjegje te rreme, pasi per llojin e trete, eshte e vleresueshme edhe te jesh aq konservator apo reaksionar sa Koons, me kusht qe mos kesh iluzione ne lidhje me shpirtin e kulluar te artit. Ne fund te fundit, per llojin e trete te kritikut, me mire nje skicofren si Koons se sa nje kritik fodull qe shikon gjithandej “vrasjen e babait (lexo tradites) me qellim qe t’i behet shurra nenes (lexo hapesirave te shenjta). ”

        “Mire,” do thuash ti, “John Cage mund te mos jete anomali, por konkluzioni logjik i nje tradite qe kishte filluar perpara tij.” Po ashtu mund te biesh dakord te shkryqesh pak nga fodulleku i ofenduar i kritikes se llojit te pare dhe te vleresosh faktin qe Cage nuk ka per qellim te tallet me audiencen, por ta beje te mendoje. “Por” do vazhdoje objeksioni, “John Cage mbetet gjithsesi nje singularitet. U tha, u be, tashti muzika iu rikthye tradites. Nderkohe qe ne artet pamore, po te ishte vetem per ta bere audiencen per te menduar, do kishte dale dikush si John Cage, do e kishte bere nje here dhe hajd tungjatjeta t’i rikthehemi tradites. Mirepo jo, sepse ‘shenanigans’ aty s’kane te sosur.”

        Problemi me kete eshte se analogjia mes muzikes dhe arteve pamore nuk mund te shkoje me larg se sa analogjia mes shqises degjimore dhe shqises pamore. Me vlere ketu eshte edhe po te meditohet ne kete drejtim: Si ka mundesi qe impakti i John Cage eshte pothuaj zero ne muzike, nderkohe qe ne artet pamore influenca e John Cage, qe nga artisti pop – por edhe konceptual – Robert Rauschenberg i cili citohet nga Cage te kete thene se “Piktura ka lidhje edhe me artin edhe me jeten. Asnjera prej te dyjave nuk mund te behet – une perpiqem te leviz ne hapesiren mes te dyjave,” tek levizja Fluxus, tek “happenings” te Allan Caprow, etj, etj?

        Eshte pyetje interesante po ta mendosh. Kritiku nr.1 mund te vazhdoje te kembengule te beje kopshtarin kantian, duke thene se plehrat e rruges, bishtat e cigares, te vjellat e te permjerat, (por pse te ndalemi me aq, pse jo edhe pak nga kjo e kuqja, pak nga ky lloj guri, pak nga ky lloj perfaqesimi, per te mbetur vetem “lopa e arte” apo vetem Koons ne kishen laike qe eshte muzeu) te gjitha keto, qe duhen shkulur nga ky kopsht i mrekullueshem (ah O Kant ca i ke bo kritikut me ate sublimitetin e natyres dhe me kopshtarin si prift i saj! ) normal qe perbejne terren te mire per John Cage.

        Kritiku nr.2, do i pergjigjej pyetjes ne lidhje me influencen e Cage ne artet pamore por jo ne muzike, duke filluar me de-skilling apo de-glorifikimin e talentit – sa terminologji adolshentesh, liceu, tingellon kjo: Talent! – si strategji fillimisht dadaiste kunder shnderrimit te artistit ne teknokrat akademik i folur nga institucioni, shteti, pushteti, ideologjia, tregu, per te vazhduar ne komplikime te mevonshme historike, strategji te tjera nga de-skilling, qe nuk kane per qellim glorifikimin e mungeses se talentit, si dhe pretendon Prof. Kritiku nr.1, por de-glorifikimin, ndonjehere edhe te vete artit apo te botes se artit – si c’ben edhe Kippenberger – duke perdorur edhe de-glorifikimin e talentit, me qellim jo vetem qe arti te mos mbese ne nje stasis te bukur dhe sublim si vdekja dhe shenjterimi muzeal “henceforth” por qe edhe te arrihet nje lloj emancipimi i audiences.

        Ndersa per Kritikun nr.3 talenti as qe nuk ekziston; gjithcka eshte praxis: artistike, politike, shkencore apo seksuale – all utopias, anyway – qofte ky praxis. Kunati i “artistit te talentuar” eshte per Kritikun nr.3 “politikani karizmatik,” mbetje te nje regjimi jodemokratik qe duhet tejkaluar, qe te dy, ashtu si jane mbetje te nje regjimi dinosauresh edhe krokodilat apo dragonjte. Prandaj edhe me shume Cage, per kete kritik. Jo vetem qe impakti i Cage nuk eshte i mjaftueshem sa do i madh qe eshte ne artet pamore, por le te kete impakt edhe ne muzike, edhe kudo. “Long live anarchy!”

        p.s. Te gjithe do donim te ishim Kritiku nr.2, por ja qe na shpeton ndonjehere, dhe zgjedhim te parin, te tretin, e fundja edhe asnjerin. Ne fund te fundit, kategorike jane keto dallimet, dhe ashtu si nuk eshte truizem qe arti dallon nga jo-arti (edhe ne logjike doktrina e Law of Excluded Middle nuk perben me truizem, le me ne diskutimet mbi artin) ashtu dhe nuk do ishte truizem po t’i thyenim sipas rastit keto kategori e te dilnim nga qoshja ku e kemi konceptuar vetveten, sa do e larte kjo qoshe, sa do e sakte, apo sa do e drejte te mund te na duket.

        1. Mendoj se çfarë bëri John Cage ishte një shaká që nuk mund të riprodhohet më, në asnjë lloj forme. Unë nuk pres prej muzikantit, të më bëjë të mendoj për dallimin midis muzikës dhe jomuzikës, por të më krijojë ose japë muzikë. Përndryshe, do të thoja edhe se muret e shtëpisë sime janë të shtruara me tablo të heshtura, të cilat më ftojnë të reflektoj për dallimin midis zhurmës dhe jozhurmës në pikturë – mirëpo kaq nuk mjafton.

          1. Dakord. Prandaj edhe te thashe qe analogjia deri aty mund te shkoje me muziken, dhe prandaj edhe impakti i Cage nuk eshte ne muzike por ne artet pamore. Besoj se syri ka nje lloj diapazoni me te gjere se sa veshi ndaj konfliktit, nje lloj imuniteti me te larte ndaj disharmonise, dhe nderkohe qe muzika na ve ne pune vatrat e imagjinates ne tru (pervec Cage, i cili nuk na con me imagjinate kerrkund ku mund te na coje kushdo muzikant tjeter, por na ve ne dukje nje sens te theksuar te prezences) imazhi apo simboli me te cilat operojne artet pamore na vene ne pune vatrat konceptuale. Por tani po spekulloj.

      2. Kam filluar te vizatoj rreth moshes 12 vjeç, Pasi mbarova liceun artistik e me vone akademine e arteve figurative ne Tirane studiova 3 vite grafizem ne vendin mikprites. E konsideroj veten si dikush qe ka marre nje edukim artistik te mjaftushem.

        Ka disa vite qe vemendja me eshte kthyer nga fotografia e per fat zbulova disa negative te vjeter qe kisha bere kur isha ne lice. Cilesia artistike, teknike, estetike, etc… le shume per te deshiruar, vlera dokumentuese nuk kane, e megjithate, pamjet e lagjes sime, pas shiut, te zbrazur nga njerezit me ngacmojne emocionalisht, dhe perkojne me imazhet e mia mendore.

        Keshtu qe me ka shkrepur ti ekspozoj.

        A do ti konsideronit ju, xhaxha e julian si pjese arti?

        Po nese ju thoja qe fotografite jane bere ne 1984 e qe seria do te mbaj te njejtin emer, a ndryshonte gje?

        1. Për aq sa ka vlerë mendimi im (në këtë fushë unë besoj se nuk ka), fotografitë e vjetra të tuat, Drit, nuk janë art. Janë dokumente, madje relike, kanë vlerë emocionale për ty dhe ndoshta edhe për të tjerë, i referohen një të shkuare që ti dhe të tjerë mund ta kujtojnë me mall, dëshmojnë për një botë që sot nuk është më; por unë s’i quaj dot art, pa cenuar statusin e fotografisë që është edhe art. I njëjti arsyetim mund të vlente edhe për fotot që ia bëra unë sheshit “Skënderbej” pardje. Ndoshta pas 50 vjetësh njerëzve mund t’u mbushen sytë me lot kur t’i shohin…

  2. E ndiej të mos kem kompetencat e J. K, prandaj i kërkoj vetëm një mendim mbi videon:

    Di që autori është pjesë e historisë së muzikës amerikane …..

  3. Në po atë gozhdë

    Njëherë e një kohë, shkoi Lakuriq Nata të blinte një pikturë në ankandin e ekspozitës “Pikturat e kohës.” Fluturoi e fluturoi por nuk po i ndali mendja tek asnjëra, ndaj u var sipas zakonit të fisit me kokë poshtë në tavan.
    “Zot i madh! Brilante!” – prej aty, kokëposhtë, ai shqoi një pikturë të mrekullueshme titulluar “Pamje nga ferma” të cilën pa hezituar e bleu. Pastaj gjithë qejf shkoi dhe e vari në hyrje të fermës së tij në një vend që mund ta shihte kushdo sa herë hynte. Piktura me inicialet e kaligrafuara “fnq” majtas-lart u admirua nga gjithë banorët e fermës.
    Shkuan shumë kohë deri kur në fermë, për të pikturuar disa punë, ja mbriti piktor Bufi me gjithë veglat e veta. E para gjë që pa piktor Bufi sa zbriti ishte një piktura e tij varur në hyrje por me kokë poshtë. “Zot i madh! Injorantë!” shfryu piktor Bufi dhe një ta kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
    Në mesnatë duke u kthyer për në fermë Lakuriq Nata sheh se një krah i padukshëm e kishte kthyer pikturën e tij me kokë poshtë. “Ç’injorantë!” – shfryu Lakuriq Nata dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
    Mbas mesnate piktor Bufi vendos të fluturojë njëherë rreth e rrotull por duke dalë sheh se një krah i padukshëm e kishte kthyer pikturën e tij me kokë poshtë. “Ç’injorantë!” – shfryu Bufi dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, e një të ngjitur një shënim në krah: “Ju lutem, mos e ktheni pikturën time me kokë poshtë! Buf.”
    Atë mbrëmje, sapo del, Lakuriq Nata e vë re pikturën e kthyer me kokë poshtë dhe shënimin krah saj. “Ç’injorantë!” shfryu Lakuriq Nata dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, një të hequr shënimin e piktor Bufit e një të ngjitur shënimin e tij: “Ju lutem, mos e ktheni pikturën time me kokë poshtë! Lakuriq Nata.”
    Mbas pak del dhe piktor Bufi, vë re pikturën e kthyer me kokëposhtë dhe shënimin krah saj. “Ç’injorantë!” shfryu Bufi dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, një të hequr shënimin e Lakuriq Natas, një të kryqëzuar flatrat e një të pritur të shihte atë që i kthente pikturën me kokë poshtë.
    Lakuriq Natan nuk e zinte ajri, se mos përsëri ja kthenin pikturën e tij me kokëposhtë, ndaj u kthye shpejt, dhe pa atje ngrefosur një Buf, që ja kishte kthyer pikturën e tij me kokëposhtë e i thotë:
    – Kush je ti që kthen pikturën time kokëposhtë?
    – Kush je ti që kthen pikturën time kokëposhtë?
    – Jo, kush je ti që kthen pikturën time të mrekullueshme kokëposhtë?
    – Jo, kush je ti që kthen pikturën time të mrekullueshme kokëposhtë?
    – Unë pyeta i pari, përgjigju!
    – Mirë pra, mëso se unë jam piktori i kësaj pikture, Bufi, ja lexoje në qoshen djathtas poshtë, tani më thuaj ti kush je, që e kthen pikturën time me kokëposhtë.
    – Mirë pra, mëse se unë jam pronari i kësaj pikture, Lakuriq Nata, – dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, dhe i thotë Bufit – dhe lexo në qoshen majtas lart inicialet fnq të piktorit të pikturës sime.
    – Kjo është piktura ime e mrekullueshme dhe drejt varet kështu – tha Bufi e një ta kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
    – Kjo është piktura ime e mrekullueshme dhe drejt varet kështu – tha Lakuriq Nata e një ta kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
    Vazhduan kështu për gjithë natën sa prishën qetësinë e banorëve të fermës, të cilët njëri pas tjetrit filluan të dalin, e të pyesin secili me gjuhën e vet “Ç’bëhet kështu? Ç’bëhet kështu? Ç’bëhet kështu?” pambarim.
    Lakuriq Nata dha variantin e tij. Piktor Bufi dha variantin e tij. Kafshët e fermës vendosën që të mblidhen e të gjejnë një zgjidhje pa praninë e palëve, Lakuriq Natas dhe piktor Bufit.
    Në mbledhjen e parë me unanimitet u pranuan:
    Së pari, piktura “Pamje nga ferma” është e mrekullueshme.
    Së dyti, përderisa palët, si Lakuriq Nata ashtu dhe piktor Bufi, e varin pikturën në po atë gozhdë, mbetet të zgjidhet vetëm kush është pozicioni “drejt” dhe kush është pozicioni “kokëposhtë” i pikturës “Pamje nga ferma”.
    Mirpo që nga mbledhja e parë kanë kaluar qindra, mijra, mbledhje të tjera dhe kafshët e fermës ende nuk e kanë zgjidhur kush është pozicioni drejt i pikturës “Pamje nga Ferma”. Në fermë vazhdojnë të dëgjohen përnatë zhurma të frikshme që s’janë gjë tjetër vetëm se kthimi i pikturës së mrekullueshme drejt në po atë gozhdë.
    Jeta e kafshëve të fermës është kthyer në ferr të vërtetë, kryetar Gjel Kikiku i thërret mbledhjet që pa gdhirë, zëvendëskryetar Gomar Pëllima ju jep nga një pushim të shkurtër në drekë, ndërsa sekretare Kukuvajkë Kukuja si lë rehat duke i pyetur “Ku ku, ku ku, ku ku?” Dhe sapo ata bien të flenë, … gërrrr, Lakuriq Nata vendos pikturën drejt në po atë gozhdë , …ggggër, Bufi vendos pikturën drejt në po atë gozhdë, ja mbani vesh, … gëëëër…
    Ju po gërhisni? Lum si ju…
    Por, kafshët e fermës prej atëhere jetojnë të hidhëruara.

    Diabolis – 25-01-2005

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: