Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KUNDËR PARTITOKRACISË

Çfarë i duhen qytetarit shqiptar partitë politike?

E formuluar kështu, kjo pyetje mund të tingëllojë absurde, sa kohë që sistemin politik ne e kemi modeluar sipas demokracive të tjera, perëndimore, në të cilat partitë politike luajnë rol të dorës së parë.

Do të më thonë: i duhen për të njëjtat arsye që u duhen demokracive të tjera.

Megjithatë, kjo arsye nuk është e mjaftueshme, sa kohë që politika shqiptare duhet të organizohet dhe të funksionojë në një mënyrë të tillë, që t’i përgjigjet sa më mirë kushteve specifike të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, edhe një vështrim sipërfaqësor në mënyrën si funksionon sistemi politik në këtë vend, nxjerr në pah faktin që roli i partive kufizohet, në masë të madhe, me vendosjen dhe mirëmbajtjen e partitokracisë.

Mjaft të shohim katrahurën që ka shoqëruar zgjedhjet e viteve të fundit, për të kuptuar sa e papërballueshme është bërë kostoja politike, sociale, psikologjike dhe financiare e luftës midis partive politike për pushtet në Shqipëri.

Partitokracia nuk është formë e demokracisë, por e diktaturës; prandaj argumenti se partitë i shërbejnë drejtpërdrejt demokracisë rrëzohet vetvetiu.

Me partitokraci kam parasysh, në këtë kontekst, një sistem ku sovraniteti kalon, de facto, nga qytetari, tek partia politike.

Vëzhguesit e jetës politike në Shqipëri kanë vërejtur, ndër të tjera, se

(1) partitë politike nuk dallojnë mes tyre në programet që kanë dhe në strategjitë për t’i realizuar ato programe, por nga njerëzit që kanë në krye dhe grupet e interesit të cilat i mbështetin;

(2) partitë politike priren të akumulojnë kompetenca dhe prerogativa të institucioneve të tjera, duke i shfuqizuar këto dhe degraduar dhe nxjerrë nga loja;

(3) partitë politike nuk kanë ndonjë lidhje organike me bazën e tyre elektorale, përveç sa u duhet që të sigurojnë votat e nevojshme; kështu, një parti e vetëpërkufizuar si e majtë, LSI-ja, ka vite që bashkëqeveris me një parti të vetëpërkufizuar si e djathtë, PD-në, jo në emër të ndonjë interesi madhor të vendit, por thjesht për arsye taktike;

(4) duke e ndarë vetvetiu bazën elektorale në mënyrë gjeografike për shkak të mendësisë krahinore dhe provinciale të një pjese të madhe të elektoratit në Shqipëri, partitë politike e kanë shndërruar politikën në një formë të luftës civile midis Veriut dhe Jugut të vendit, duke vënë në pikëpyetje unitetin kombëtar;

(5) meqë sistemi vetvetiu anon ndaj një strukture dyjare ose dyskajëshe, partitë politike janë të interesuara që çdo lloj konflikti, të çdo lloji dhe instance, ta polarizojnë, sepse vetëm duke e polarizuar mund ta vënë nën kontroll dhe ta përdorin për interesat e veta.

A janë partitë politike ndonjë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e pluralizmit politik?

Natyrisht jo. Pluralizmin politik e garanton liria individuale e mendimit dhe e shprehjes nga njëra anë, liria e komunikimit masiv nga ana tjetër. Tradicionalisht, edhe liria e organizimit numërohet mes lirive themelore të qytetarit; por sot, në rrethanat kur qytetarët informohen lirisht nëpërmjet mediave, nuk ka nevojë që pjesëmarrja e tyre në politikë dhe në qeverisje të ndërmjetësohet nga organizata burokratike dhe të etura për pushtet, si partitë politike, të ushqyera nga fondet publike.

Në fakt, kushtetuta e Shqipërisë për partitë politike thotë vetëm se “Partitë politike krijohen lirisht…” dhe “burimet financiare të tyre si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike” [neni 9]. Asgjëkundi nuk thuhet se partitë politike janë të domosdoshme për funksionimin e demokracisë (siç mund të jetë, bie fjala, vota e përgjithshme, parlamenti ose ndarja e pushteteve).

Në fillim të viteve 1990, krijimi i partive politike në opozitë me Partinë e Punës u lexua si shenja dhe shprehja kryesore e vendosjes së pluralizmit në sistemin politik; por që atëherë shumë ujë ka rrjedhur. Në mënyrë të veçantë, raportet e qytetarit me qeverisjen tani po ndërmjetësohen gjithnjë e më tepër nga mass mediat; aq e vërtetë është kjo, sa edhe vetë partitë po i drejtohen elektoratit dhe bazës së tyre konstituente nëpërmjet mediave.

Rrethanat janë të tilla që ta bëjnë legjitim, madje të ngutshëm diskutimin e hapur rreth rolit dhe statusit të partive politike brenda sistemit.

Natyrisht, askush nuk mund të kërkojë “ndalimin” e partive politike, sepse kjo do të ishte antikushtetuese, dhe në kundërshtim të hapur me të drejtat qytetare.

Çfarë mund të kërkohet, përkundrazi, është që (1) të mënjanohet financimi publik i partive politike; (2) tejdukshmëria e plotë e financimit privat të partive politike dhe (3) të mënjanohet, nga kushtetuta, implikimi se partitë politike janë institucion i domosdoshëm i sistemit politik (them “implikimi”, sepse ndonjë specifikim të qartë për këtë çështje në kushtetutë unë nuk kam parë).

Nëse realizohet kjo, qytetarët do të mund të komunikojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e tyre; madje edhe duke i mbështetur ata financiarisht. Rreziku i abuzimit nga grupe interesash që kontrollojnë burime të mëdha financiare mund të parandalohet, në këtë kontekst, nëpërmjet përcaktimit dhe imponimit të një caku maksimal të kontributit për subjekt politik.

Ndërprerja e financimit publik të partive do të kishte efekt pozitiv edhe në buxhetin e shtetit (një parashtrim serioz i problemeve të financimit mund të lexohet në këtë artikull të Rexhep Mejdanit, edhe pse zgjidhjet që propozohen aty duken krejt të pamjaftueshme.)

Gjithsesi, po të ndërpritet financimi i tyre publik, partitë do të detyrohen të varen nga kuotizacionet e anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre – çka do të përbënte një nxitje më tepër për t’i afruar me bazën dhe për t’ia dëgjuar hallet.

Pa financim publik, partitë politike në Shqipëri ndoshta do të rrudheshin e do të tkurreshin në përmasat e tyre të natyrshme – dhe kushedi, ashtu edhe do të funksiononin më mirë. Ndërkohë, politika e përditshme do të bëhej më lokale, më konkrete; dhe komunitetet do të dërgonin në parlament njerëz që do t’i zgjidhnin në bazë të meritave dhe të karizmës personale, jo sipas listave të përgatitura nga aparatçikët.

Për ndërprerjen e financimit publik të partive politike do të duhej një ligj i tillë, i cili gjithashtu të vendoste kushte shumë të rrepta për tejdukshmërinë e financimeve private; duke favorizuar, sa u takon këtyre financimeve, individët jo partitë. Një ligj të tillë, natyrisht, nuk mund ta miratojë një Parlament i dominuar nga partitokracia; prandaj lind nevoja e organizimit të një referendumi. Modeli për këtë referendum mund të merrej nga një nismë e ngjashme, e ndërmarrë në vitet 1990 nga Partia Radikale, në Itali.

Për fat të keq, partitë politike në Shqipëri, të mëdha dhe të vogla, janë rigjenerime të copërave të vdekura të PPSh-së së djeshme; ato hynë në jetën politike shqiptare njëlloj si ata luftëtarët spartoi, bijtë e Aresit, mbirë nga dhëmbët e dragoit që vrau Kadmi. Nuk po i shërbejnë më demokracisë, as qytetarëve; por kryesisht vetvetes, duke u shndërruar në agjenci totalitare dhe ekskluzive të klientelizmit të shfrenuar. Prandaj është koha që qytetarët të pyesin veten seriozisht, nëse do të vazhdojnë t’i mbështetin financiarisht këto krijesa amorale dhe vetëshërbyese, apo do t’ua mbyllin rubinetin e parave, për t’i detyruar të kavërdisen me dhjamin e tyre, si shumë institucione të tjera të shoqërisë civile.

Sa për mua, unë tashmë jam bindur se partitë politike Shqipërisë dhe qytetarit shqiptar nuk i vlejnë më për asgjë.

Pa Komente

  1. Nuk do ti hiqja asnje presje sugjerimeve konkrete qe behen ne kete shkrim, heqjen e fondeve publike dhe kufizimin e donacioneve nga aktore te fuqishem financiare per partite si dhe idene e referendumit per keto ndryshime. Por nuk duhet te harrojme se elitat (politike) ngjizen brenda organizatave reale, e komuniteteve reale, jo neper media. Zevendesimi i organizatave dhe komuniteteve nga mediat qofshin keto te vjetra (radio/televizioni) apo te reja (interneti/mediat sociale) nuk eshte pra per tu pershendetur. Perndryshe nuk do te vonoje e do te kemi ekuivalente te Lady Gagas apo te ndonje finalisti te Big Brother ne trajte politikanesh e intelektualesh. Eshte krejt tjeter gje kur mediat e reja ndihmojne ne veteorganizimin e komuniteteve apo organizatave, pra jane plotesim i tyre. Ne fund te fundit problemi kryesor eshte kultura patriarkale e klanore e shoqerise shqiptare gje qe reflektohet dhe brenda partive dhe ne marredheniet e tyre me votuesit.

  2. Duke pare fushatat shperdoruese mendoj se financimi publik nuk ngre peshe ne shpenzimet e triumviratit Berishe-Rame-Mete.
    Referendumi popullor mund te mbahet vetem me kerkese te 35 deputeteve gje qe e ben te pamundur ne rast se PD apo PS nuk e do dhe ka vetem fuqi shfuqizuese ndaj nje norme ne fuqi.

    Shtigjet jane te zena, ngado te drejtohesh urdheri eshte prapakthehu, politika eshte zaptuar ose votuesit jane izoluar me tela me gjemba. Izolimi ngadale paralizon kapitalin dhe ai pak mblidhet ne disa duar, ndersa njerezia gjezids me ankth sa majtas djathtas, keshtu shkretohet mjedisi.

    Anadolli/Anatolia ka namin e keq shkretinor jo per faj te natyres por te makuterise se njerezve. Historianet vene duart ne zjarr qe ajo pllaje ka qene e gjelbert dhe plot pyje, mirepo ne nje faze te historise bizantine mbareshtimi i bagetise nxirrte fitime me te medha se pyjet dhe bujqesia ekstensive, keshtu para rreth 1 000 vjetesh u prene pyjet dhe vendi i kthye ne kullota te paana.
    Bagetite filluan ta shkretonin pllajen. Pastaj erdhen turqit selxhuke, qe duke qene nomade u vendosen masivisht ne ate pllaje me kullota e keshtu shkretizimi mori permasa pakthyeshmerie, me pak fjale kemi shkretetiren famekeqe te Anadollit .

    Natyra i kishte vene si limit pyjet dhe bujqesi ekstensive, pak a shume si disa zonave te jugut te Shqiperise ku thundrat e bagetive duke shumefishuar proçesin e erozionit kane kthyer zona dikur plot pyje e gjelberim ne zona te zhveshura e te shkretuara.

    Keshtu edhe politika e ekonomia e tregut ne Shqiperi, meqe mbareshtimi i bagetive ka me shume leverdi, i ka mbyllur gjithe shtigjet e diversifikimit dhe shlodhjes se mjedisit, ndersa shqiptaret dhe tregtaret ashtu si bagetite rendin ne hapesiren e kufizuar ne shkretim e siper per nje fije bari.

    Te paret qe po e ndiejne kete shkretizim jane tregtaret e panumert te pakices, te cilet ndryshe nga te djeshmit nuk punojne me per te nxjerre leke por per te nxjerre buken e gojes.

    Votuesi nuk ka zgjidhje tjeter perpos oportunizmit politik per te marre ndonje gje nga burimet e kufizuara te mbledhura ne duart e triumvireve.
    Triumviret i kane mbyllur te gjitha shtigjet e diversifikimit dhe shlodhjes, media nuk i le shqiptaret as te marrin fryme, Kushtetuta eshte strukturuar si shtegmbyllese, me nje ngurtesi hermetike ndaj ndryshueshmerise politike.

    Levizja eshte vete jeta, por shqiptaret politikisht bredhin si kali ne leme, levizja nuk jep asnje produkt tjeter perveç lodhjes se subjektit dhe shkretimit te tokes qe shkelet papushim.

    Mjedisi i politikes eshte varferuar pa mase, ide te fuqishme, energjike jane vjeteruar e shfuqizuar nga (sh)perdorimi aq sa Shqiperia politike mund te quhet rrafshi me i shkretuar i jetes publike shqiptare.
    Riqarkullimi deri ne irritim i te njejtave pakogjera, terreni politik nuk po punohet me traktor , biles as me pende qe, por me shata e lopata, varferimi i kapitalit ka arritur deri ne ate pike, sa politikani politikisht me i pasur nuk ka ndonje vizion e perpunim ideor kushedi sa te eperm ndaj blegtorit te Korabit, Tomorrit apo Gramozit. Kete te fundit mund ta vesh fare mire ne krye e pas gavetes disavjeçare te kesh te njejtin perfundim, mjafton pak pergatitje ne lenden e retorikes, automatizimi i disa shprehive. njohja e disa mekanzmave.

    Ceshtja nuk qendron vetem tek oferta politike, por edhe tek shtretizimi i votuesit, gjithe mjedisi eshte ne shkretim e siper, dekadenca eshte e frikshme, shkretetira po zgjerohet, oportunizmi politik eshte kthyer ne gangrene.

    Ne kesi rastesh krijohen kushtet per autokraci te hapur, sepse autokracite zakonisht kane nje doktrine te fuqishme ideore keshtu mes shkreterires ne zgjerim dhe shpreses per gjelberim qe ushqejne doktrinat e fuqishme e te perpunuara, njeriu i shkrete anon nga e dyta.
    Mes feudaleve qe zihen e grihen dhe mbretit, njeriu anon natyrshem nga mbreti.

    Politikisht ne jemi ne dekadence prej 4 vjetesh, kur projekti antikorrupsion i Sales deshtoi, kur u pa qe Sala qimen e nderroi po zakonin se harroi , kur u be modifikimi i Kushtetutes dhe kur u pa qe Rama deshtoi ne reformimin e PS-se, kur u pa qe te rinjte ishin kot.
    Dekadenca u thellua kur hyme ne Nato, u hoqen vizat, por asgje ndryshoi dhe natyrisht kriza 2 vjeçare e zgjedhjeve.

    Nuk di ta them ne sot eshte kulmi i dekadences, po nuk duhet te jemi shume larg.

    Kerkohen zgjidhje, po dekadenca nuk ka asnje zgjidhje, ka vetem zgjatje te agonise, e vetmja zgjidhje e dekadences eshte falimentimi i sistemit.

    Te propozosh zgjidhje do te thote te soditesh ne hapesiren publike mjedise te fuqishme e virtuoze, te supozosh qenesine e energjive te brendshme te pashfrytezuara.

    Shtrohen natyrshem pyetjet:
    – Cilat jane mjediset e fuqishme e virtuoze nder shqiptare ? Ku gjenden keto energji te brendshme e te pashfrytezuara ?

    Ne jemi si puna e zezakeve ne Amerike qe vrasin ose largojne elementet e tyre me te mire dhe lagjet e tyre rrjedhimisht ngelin per ibret e per faqe te zeze.

    Per krahasim, Greqia eshte ne dekadence te plote, sipas gjasave po e do injektohen mbi 100 miliarde euro ne ekonomi, mirepo kur vendi eshte ne dekadence, s’po ben gje tjeter veçse po zgjat agonine.
    Dekadence eshte ne ajer, eshte gjendje shpirterore, qe ka kapluar gjithe shoqerine, nuk varet vetem nga mungesa e kapitalit.

    Prandaj e vetmja zgjidhje eshte falimentimi i sistemit, biles sa me i shpejte, aq me e lehte do te jete ringritja, sa me ngadale falimenton sistemi aq me te renda jane pasojat, aq me e madhe eshte shkretetira.

    Kur Greqia e vjeter e zgjati dekadencen, nuk e mori me veten,u zhduk, kur Roma e zgjati dekadencen prape u zhduk, mbijetoi Bizanti fale energjive greko-kristiane (ne ndryshim nga Roma latino-pagane), kur Bizanti e zgjati dekadencen, u zhduk ne favor te energjive turko-islamike.

    Sot ne jemi ne dekadence te plote te sistemit politiko-ekonomiko-shoqeror te ndertuar para 20 vjetesh, dekadence qe do zgjatet pas gjasave fale pasurise kombetare ende te pashitur dhe kam frike se edhe po te hyjme ne Europe do kemi vetem zgjatje te dekadences dhe jo nje fillim te ri.

    Keshtu e vetmja zgjidhje eshte falimentimi i sistemit dhe nje fillim i ri, u dogj edhe nje brez po s’kemi çti bejme, biles veteperceptimi i brezit te ri si i djegur eshte deshmi e qarte e dekadences se sistemit.

    Nuk po bej fatalistin, thjesht shoh nevojen e perqendrimit te energjive tek strukturimi ideoro-teorik i nje sistemi te ri, ne vend qe te humben energjite duke kerkuar zgjidhje alternative ndaj falimentimit, qe luajne vetem rolin e morfines tek i semuri terminal.

    1. Në lidhje me referendumin, versioni i Kushtetutës që kam unë përpara thotë se mund të mbahet po të mblidhen 50 mijë firma (Neni 150): 1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Edhe deputetët mund ta kërkojnë këtë, sipas një procedure tjetër. Janë dy rrugë të ndryshme – gjithsesi, nuk më duket se qëndron ajo që thua.

  3. Po e vertete bera nje lemsh e u ngaterrova me rishikimin e Kushtetutes.
    Sidoqofte nuk mund te propozohet miratimi i ndonje ligji me referendum, vetem per shfuqizim dhe per rendesi te veçante (hajde merre vesh se çdomethene).
    Nderkaq 50 mije firma jane te veshira per t’u mbledhe ne s’ke miratimin e triumvireve dhe po aq e veshtire eshte qe te arrish 50% e pjesemarrjes pa mbeshtetjen e triumvireve.

    Propozimi i ligjit te ri, kerkon 20 mije firma, po duhet te miratohet nga parlamentaret, gje qe prape nga çon tek triumvirati.

    Meqe u freskuam ca ne shifra nje praktike firmembledhese po e kryen Spahiu, ky ka mbledhe 45 000 firma deri tani per peticionin, nuk ka besim ne referendum se nuk arrihet 50% i pjesemarrjes pa mbeshtetje e PD+PS, mirepo edhe si projektligj qe mjaftojne 20 mije firma, meqe Sala ka shumicen e parlamentit, ligji edhe po te shqyrtohet nuk ka per tu miratuar.
    Prandaj ne thelb mbledhja e firmave ngelet vetem nje mjet proteste e presioni, sepse sistemi supozon qendersine e parlamentit dhe partive politike.

    Pra nese do ndermerrej ne praktike ndonje fushate per mbledhjen e firmave, po te synoje nismen ligjore popullore, te mjaftojne 20 mije, por ne Parlament kane per tu gajasur te gjithe deputetet, nese do synoje referendumin, ky duke qene vetem shfuqizues, mund vetem te shfuqizoje ligjin ne fuqi (po te kete sukses), çka do i bente parlamentaret te benin nje te ri sipas qejfit te tyre, te ngjashem me kete por me ndonje tolerim sa per sy e faqe.

    Shtigjet jane te zena, rruga kryesore eshte zene e para.

  4. Implikimi kushtetues mbi partitë politike është parashikuar në Pjesën “Parime themelore” të Kushtetutës, gjë që nuk është e rastësishme, por përkon me statusin e rëndësishëm kushtetues që është kërkuar t’u njihet këtyre subjekteve. Natyrisht kur u hartua neni 9, nuk u mor parasysh (mendoj të paktën) degjenerimi që do të pësonte zbatimi i tij në xhiron e gati 13 vjetëve, por një eksperiencë 7 vjeçare kulmuar me pushkë në duar, një farë traditë e fillim-shekullit të kaluar, si dhe sugjerimet e të ftuarve të huaj, me kërkesën tonë, për të pasur modele referimi të suksesshme.

    Partitë politike, për ta thënë me fjalët e vetë ligjit aktualisht në fuqi:

    “… janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit…”
    Si dhe:
    “marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet:
    a) ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike;
    b) nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidencimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike;
    c) pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.”

    Kjo ishte ideja fillestare.

    Meqë jemi te ligji, desha t’ju sjell në vëmendje ndryshimet që ai ka pësuar në shkurt të këtij viti. Fokusi i ndryshimeve është kurioz: ka të bëjë kryesisht me pjesën financiare të ligjit dhe me organin monitorues dhe administrues të procesit të financimit (dhe jo vetëm), që është parashikuar të jetë KQZ. Mbase për shkak të diskretitimit të këtij organi sa të rëndësishëm aq edhe të politizuar, sidomos me zgjedhjet e fundit vendore, mbase për vetë përmbajtjen e këtyre dispozitave, ushqej shumë skepticizëm lidhur me qëllimet e vërteta të amendamenteve ligjore. Ato shkojnë nga rritja e numrit të të anëtarësuarve (nga 500 – 3000) të vlefshëm për regjistrimin; tek ndryshimi i paragrafit që parashikonte përcaktimin në dokumentet e regjistrimit në gjykatë “të burimeve të financimit”, me togfjalëshin “burimet FILLESTARE të financimit”, ku transparenca mbetet për t’u provuar, etj, etj. që për kë ka kuriozitet mund t’i konsultojë në këtë link:

    http://www.qpz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2011/PDF-2011/14-2011.pdf

    Desha gjithashtu t’ju sjell në vëmendje se si është shtuar gama e burimeve financiare nëpërmjet ndryshimit të plotë të nenit 17 (teknicienët që e kanë hartuar, kanë dashur të shmangin çdo keqkuptim eventual të ardhshëm), sepse më duket me interes për qëllimet e diskutimit të këtushëm. Kam përshtypjen që shumica që e votoi si ligj, sheh là e më là:

    Neni 17 (sipas ligjit nr. 8580 – 2000)
    Burimet financiare dhe materiale të partive politike përbëhen nga:
    a) kuotat e anëtarësisë;
    b) çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme;
    c) ndihma financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit, të miratuar me ligj nga Kuvendi.

    Neni 17 (Ndryshuar me ligjin nr.10374 – 2011)
    Burimet financiare dhe materiale të partive politike përbëhen nga kuotat e anëtarësisë,nga fondet publike, duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit të miratuar me ligj nga Kuvendi, fondet jopublike, të cilat janë dhurimet financiare, dhurimet në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme, si dhe çdo transaksion tjetër financiar.

    1. Nja dy çështje që i kam cekur edhe në shkrim më lart, por që ndoshta duhen theksuar veçmas:

      – Tradita e partive politike në Shqipëri, edhe ajo pak që ka qenë, është shkatërruar përfundimisht nga 45 vjet totalitarizëm. Sot për sot, partiaku tipik e sheh Partinë e vet si instrument për të marrë, mbajtur dhe kontrolluar pushtetin politik, ekonomik, administrativ dhe kulturor, para së gjithash nëpërmjet manipulimit të politikës së kuadrit.

      – Funksionet tradicionale të partive politike në Perëndim (ku këto organizata kanë traditë të fuqishme) po zëvendësohen gjithnjë e më tepër nga mass mediat – televizioni, rrjetet sociale në Internet; deri në atë shkallë sa të mendosh se partitë politike në Perëndim janë ato që janë më tepër për inerci të kulturës politike. Përkundrazi, në Shqipëri kjo inerci, në atë masë që ekziston, është fund e krye toksike (tradita e PPSh-së, si kastë kalorësiake); në një kohë që mass mediat janë moderne dhe eficiente.

      – Në këto rrethana, nuk më duket e arsyeshme që partitë të financohen me fonde publike; le të ripërmasohen dhe të jetojnë me kuotizacionet ose kontributet e të interesuarve, si klubet e tenisit ose rotarianët ose shoqatat e peshkatarëve. Ashtu edhe do të mendohen mirë, para se t’i bëjnë paratë tym me shpenzime elektorale marramendëse, ose duke ndërtuar dhe mbajtur zyra dhe komitete me flamuj valëvitës në çdo cep të Shqipërisë, si PPSh-ja e dikurshme.

      1. Ndaj të njëjtat opinione. Sidoqoftë, çështja e mediatizimit të partive, duket se është një nga shkaqet kryesore të deformimit të funksionit të partive politike sot, edhe nëpër botë. Janë vërtet në krizë dhe ndoshta problemi është se ne vazhdojmë t’i referohemi një modeli të caktuar të partisë politike që përkon me fillim-shekullin, me mobilizimin e masave dhe gjenerimin prej tyre, si pasojë e artikulimit kolektiv të nevojave të punëtorëve, të vetë partive politike. Ashtu si në ‘800, partitë iu përgjigjën të tjerave nevoja, shumë më larg konceptit të përfaqësimit, siç e kuptojmë sot.

        Bëhet fjalë për një raport mes autoritetit dhe popullit, nëse mund ta quaj kështu, që është ndërmjetësuar në forma të ndryshme, sipas kushteve të caktuara historike dhe sidomos sipas nevojave që çdo shoqëri e organizuar ka dashur, ditur dhe mundur të shprehë.

        Sot gjendemi përballë këtij realiteti, i cili është formësuar nëpër kushtetuta dhe nëpërmjet koncepteve që datojnë larg në kohë. Ka në to ende parime të pakonsumuara, sepse akoma të pazbatuara (punësimi dhe jeta dinjitoze për secilin shtetas, sa për të sjellë një shembull), ashtu siç ka të tjera parime e koncepte të cilat tashmë përbëjnë histori e nuk i përgjigjen realitetit.

        Partitë politike të cilave u referohemi, mbase gjenden në këtë udhëkryq: të mënyrës se si ato do të dinë të sjellin, ata që pretendojnë se përfaqësojnë, pranë institucioneve, duke i vënë në raport me to, në respekt të lirive dhe të drejtave thelbësore të caktuara.

        Duket se në rrethanat që jetojmë sot, partitë politike përpiqen për interesat e tyre autoreferenciale, më shumë se sa për të vijuar dhe përshtatur ekzistencën dhe rolin e tyre me nevojat aktuale të shoqërisë; ekzistencë e rol, falë të cilëve u rrethuan me ato garanci kushtetuese dhe ligjore, që sot tingëllojnë aq pa koherencë.

        p.s Në linkun e mësipërm, jo më kot nënvizova pjesën e financimit, pasi në xhiron e dy tre lëvizjeve gjuhësore, u eliminua çdo keqkuptim mbi burimet financiare publike: ato nuk do të lexohen më si alternative (siç mund të diktonte neni i mëparshëm), por do të jenë komplementare të njëra tjetrës. Për të mos folur pastaj për zgjerimin e burimeve “jo publike”, pas së cilës etiketë (dhe në kuadrin e eliminimit kirurgjikal të shkronjës b) neni 17 “çdo pasuri të fituar në mënyrë të ligjshme”), nuk dihet, ose më saktë kuptohet më së miri, se cilave interesa po u përgjigjen partitë politike shqiptare. Sepse sponsorizimet e transaksionet financiare të çdo lloji, nuk besoj se i dhuron kush, për shpirt të dhurimit.

        Gjë që e bën problematik konglomeratin e burimeve të shumëllojshme e të pakufishme që partitë mund të thonë se tashmë gëzojnë ligjërisht, ashtu si dhe ndarjen, administrimin dhe kontrollin e këtyre burimeve. Sepse kjo ndikon drejtëpërdrejtë në funksionin kushtetues që partitë politike nuk po kryejnë (ato shqiptare nuk kanë kryer kurrë) më.

  5. Plotesisht dakort me rezervat per partite dhe liderat e tyre, sic i kemi shprehur shume here ketu e gjetke. Por, zgjidhjen nuk e shikoj tek rishpikja e rrotes, dmth nxjerrjen e partive jashte lojes. Kjo midis te tjerash eshte krejt e pamundur, sidomos ne Shqiperine aktuale, pasi sic ve ne dukje dhe 2xha partite politike ne Shqiperi kane tashme shume pushtet, qe nga numri i madh i atyre qe punesojne (administrata publike vazhdon te jete punesuesi kryesor me diference te madhe nga sektoret private)–dhe kjo duke pasur parasysh nivelin e larte te papunesise perkthehet ne skllaverim militantizmi–tek mediat, financat direkte dhe indirekte me nje sere biznesesh te medha, etj.

    Kush mund ti beje karshillek ketyre gjidandeve (per nga akumulimi i pushtetit) dhe te konkuroje me to ne zgjedhje si struktura paralele?

    Po ashtu financimin publik. Ne fakt nje financim teresisht publik i fushatave zgjedhore p.sh. do minimizonte mundesite per korrupsionin galopant parti-biznes qe egziton aktualisht. E kunderta, heqja e fondeve publike dhe dhenie e freve partive qe te financohen teresisht si korporata do ti bente ato akoma me te lidhura dhe te varura me bizneset qe perfitojne prej tyre dhe operojne gjysem ne te zeze, kjo ne kurriz te gjithe popullit, se pari nga mospagesa e taksave ne nivelin e duhur, e me pas ne trajtimin e puntoreve, etj.

    Fatkeqsisht (apo fatmiresisht mbase, ne kendveshtrimin afatgjate?) nuk ka shortcuts ne demokraci.

    1. Nuk shoh ndonjë problem kushedi çfarë, që partitë politike, ose kandidatët e pavarur, të financohen haptazi nga bizneset.

      Bizneset do ta ndikojnë gjithnjë politikën; të paktën kështu do ta ndikojnë hapur.

      Do ta dimë, bie fjala, se fushata e Jozefina Topallit financohet, në tërësinë e vet, nga kompania “Lundra dhe Trape.”

      Tek e fundit, një kompani që kontrollon trafikun e brendshëm ujor në gjithë Shqipërinë, ka më shumë interes objektiv në politikë sesa, bie fjala, një ish-polic që ia nget makinën Ilir Metës.

      Le pastaj që biznesi gjithnjë do të ndikojë në politikë.

      E njëjta gjë vlen edhe për mass mediat (aq më tepër kur edhe këto strukturohen si biznese).

      Në raport me bizneset dhe mediat, partitë politike janë formacione parazitare – sa kohë që financohen me fonde publike. Parazitare jo sepse nuk bëjnë asnjë punë, por sepse nuk bëjnë asnjë punë që do të justifikonte financimin e tyre me fonde publike – në një kohë që shteti nuk gjen dot pará që të paguajë ilaçet e të sëmurëve në spitalet publike.

      Faqe e zezë, që të sëmurët i paguajnë vetë ilaçet, ndërsa shpenzohen miliona të arkës publike për spote televizive, koncerte dhe postera me fytyrat e klasës politike më të dështuar që ka pasur ndonjëherë historia shqiptare.

      Një shtet që nuk ka pará të sistemojë shërbime publike elementare – si arsimi – nuk ka pse të financojë flamurët dhe fishekzjarrët dhe shampanjën e partive politike. është e pahijshme, është e papranueshme.

      Kurrsesi nuk duhet kuptuar propozimi im si propozim për “ndalimin” e partive. Për mua vetë koncepti i “ndalimit” me ligj të çfarëdo gjëje që nuk e lëndon tjetrin është i papranueshëm (p.sh. ndalimi me ligj i zotërimit të sasive të vogla dhe përdorimit të drogave).

      Ideja ime – sado utopike – është që partitë politike të ripërmasohen, sepse kështu siç janë fryrë e ngjallur, po i zënë frymën shtetit dhe institucioneve të shoqërisë civile në Shqipëri, duke e shndërruar realitetin shqiptar kompleks dhe problematik në një laps kuqeblu, nga ata të lashtit.

  6. Me kultohet nje film i hollivod , Eagle me duket, ku jepet mrekullueshem diferenca e madhe e kultures midis Romakeve dhe britanikeve pertej murit te Adrianit, britanikeve te pamposhtur. Ndersa romaket i jep me veshje normale , pantollonat e asaj kohe, por pantallona, bluze, te qethur, britaniket vendas paraqiteshin si indianet e Amerikes te 1500, me tatuazhe, veshje primitive , pa pantallona, vethe ne vesh, ushta prej druri me maje te bere me thike, kasolle me gjysem kashte me maje. Skllavi i romakut, nje britanik i kishte dhene fjalen qe do ta ndihmonte ne ate zone dhe e mbajti deri ne fund. Ne nje moment me beri shume pershtypje, qe djali i kryetarit te fisit britanik, theri djalin e tij ne moemtin e fundit per ti treguar tradhetarit qe ne per atdheun dhe lirine therim edhe djalin. Mu kujtua shprehja “Shqiptari kur jep fjalen ther, djalen”.

  7. ””Ideja ime – sado utopike – është që partitë politike të ripërmasohen, sepse kështu siç janë fryrë e ngjallur, po i zënë frymën shtetit dhe institucioneve të shoqërisë civile në Shqipëri, duke e shndërruar realitetin shqiptar kompleks dhe problematik në një laps kuqeblu, nga ata të lashtit.””

    Partite jane burim perfitimi e pasurimi, qe te garantojne edhe paprekshmerine prej ligjit.
    Tek paprekshmeria prej ligjit qendron edhe lakmia per te perfituar e pasuruar nepermjet politikes.
    Forca e dukurise qendron pikerisht ketu, sepse nese do i zinte ligji atehere partite nuk do ishin burim perfitimi te paligjshem kaq i sigurte.

    Heqja e financimit publik ka vetem force simbolike, ti nuk mund te akuzosh Bashen per keqperdorimin e vjedhjen e 300 milione dollareve dhe pastaj te pretendosh se po i hoqe 300 mije i bere ndonje dem.

    Perndryshe nese gjyqesori do strukturohej ne menyre te pavarur dhe do asgjesoje parimin e paprekshmerise ligjore te partiakeve, atehere partite politike do ngeleshin vetem nje prej burimeve te perfitimit, jo kryesori dhe me i sigurti.

    Me shume se qendersine e parlamentit, Shqiperia ka nevoje per qendersine e gjyqesorit.
    Parlamenti ka qendersine meqe nxjerr ligjet, mirepo ne Shqiperi me shume sesa nxjerrja e ligjeve eshte nevoja per zbatimin e tyre.

    E thene me shkoqur, Shqiperia s’ka nevoje esenciale per parlament, por per qeveri dhe gjykata.
    Shqiperia mund t’ja dale fare mire te qeveriset pa parlament meqe ky s’ben asnje pune, qendersia e parlamentit eshte nje luks qe po i lejojme vetes, ne dem te zbatimit te ligjit i cili eshte problemi kryesor i ketyre 20 vjeteve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin