MODELI BELG

nga Zampanò

Të hënën, datë 13 qershor 2011, do të mbushet plot një vit që Belgjika është pa qeveri. Përveçse theu rekordin kohor të vendeve pa qeveri në rang botëror, Belgjika po i shtie në mendje, pothuajse gjysmës së globit, sugjerime e zgjidhje mjaft interesante.

Arsyet se përse vendi i valonëve dhe flamingëve nuk arrin ta formojë qeverinë e vet duken tejet të koklavitura nga anët tona. Lexojmë shkrime, duket sikur marrim vesh diçka, por ngatërrohemi mes emrash të panjohur e pastaj harrojmë. Vë bast se edhe atyre odiseja e zgjedhjeve lokale shqiptare u duket po aq e pakuptimtë. Rama? Basha? Rasha? Bama? Paska një pikë pra, ku politika belge me atë shqiptare piqen? Më shumë se një…

Ka gjasa që fituesi i bashkisë së Tiranës të mos shpallet shpejt, ose të shpallet, por të mos njihet nga palët në fushë. Do të vijojë ecejake nëpër gjykata e ambasada, ose anasjelltas. Ankesa, ankime, ankimime. E përsëmbrapthi. Takime, pritje, kokteje. Pastaj akuza, kundërakuza, rekurse. Historia mund të zgjasë sa edhe mosformimi i qeverisë belge. Tirana si Belgjika? Pa kryetar bashkie? Pa atë?! Pa këtë?!

Sikurse belgëve, edhe shqiptarëve mund t’u tingëllojë keq zgjidhja e mësipërme. Ndokush, mund të propozojë grevën e seksit të bashkëshorteve, siç propozoi parlamentarja belge Marleen Temmerman, për t’i detyruar aktorët politikë që ta zgjidhin problemin e formimit të qeverisë. Veçse në Tiranë greva duhet bërë nga dashnoret jo nga bashkëshortet, përndryshe dështimi është i sigurtë. Bashkia mund të rrijë pa zot edhe 20 vjet rresht.

Si ia kaloi Belgjika një vit pa qeveri? Jo keq. Disa janë të mërzitur, të tjerë janë entuziastë. Pavarësisht nga optimistët profesionistë, ose nga pesimistët ekspertë, duhet thënë se Belgjika gjatë këtij viti nuk hyri në luftë me askënd, nuk doli nga Europa, nuk i lanë pa viza. Vend normal. Vend evropian. Mos duam ne diçka më shumë? Nuk besoj.

Po Tiranën si e përfytyroni pa kryetar bashkie? Pa trafik, pa ndërtime, pa beton, pa smog, pa ujë, pa gallatë, pa bingo? Po Shqipërinë si e përfytyroni pa Kryebashkiak? Si do t’ia bëjnë bashkitë e tjera pa një superbashki mëmë? Ku është dashi që prin kopenë? Apo kjo është e pamundur?

Fakti është se ndokush bëri një bilanc të thjeshtë e doli që ekonomia belge po shkon gjithsesi mirë. Mos është ftesë indirekte për qeveritarët që të mos kërkojnë karrige? Po sikur Tirana të ecte më mirë pa bashki? Do të kursenin kohën e numërimit të votave, meqë votimi në vetvete u bë për pak orë e shkoi shumë mirë. Do t’i linim rehat ambasadorët, sidomos ata që e kanë zgjedhur Shqipërinë si “vend pllumash”, pa probleme e rreziqe të dukshme, thjesht për të punuar pa andralla. Nuk do të harxhonim nerva me shoqi-shoqin e nuk do të ziheshim siç bëjmë në këtë blog paqësor.

Edhe belgëve u dukej e çuditshme jeta pa qeveri, e ndjenin veten jetimë, të humbur, po ja që u mësuan. Evoluimi i mbiemrave me të cilët cilësuan situatën në kohë ishte ky: E paimagjinueshme!… E tmerrshme!… E vështirë!… Normale!… Jo aq keq!… Mirë fare!… Mrekulli!… Ata kanë mbret, mund të thotë dikush. Edhe ne kemi mbret, posi. E po s’e patëm e bëjmë, por mundësisht pa votuar, se pastaj ngatërrojmë kutitë, në vend që t’ia fusim votën mbretit ia fusim mbretëreshës.

Po t’i thotë dikush “jo” modelit belg për Tiranën, unë do t’ia argumentoja sipas të drejtës anglosaksone,  kontinentale, mesdhetare, orientale, të gjitha bashkë: “Përse jo?”.

Nuk ka komente

  1. Ku Belgjika ku ne. Keto paralelizmat per kete arsye jane te destinuara te jene te pavlevshme, si kur krahasohemi me Belgjikat e botes si kur krahasohemi me Tunizirat.

    Megjithate per rastin e Belgjikes ne vetvete mund te na flase ndonje qe e njeh me mire situaten, do ishte interesante, dmth sesi e sa kane ndryshuar gjerat gjate kohes pa qeveri.

    Por s’duhet harruar dhe aspekti tjeter qe gjerat nuk behen brenda dites apo vitit, keshtu qe dyshoj dhe gjerat e mira apo te keqia ne rastin e paqeverisjes se Belgjikes nuk mund te priten me thike (si ndikim kohor) vetem brenda kesaj kohe.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: