TË HIQET

Forumi Mysliman i Kosovës u paska kërkuar autoriteteve të atjeshme që të hiqet fotoja e Nënë Terezës nga institucionet publike, lexoj në Gazetën shqiptare.

Shkruhet në peticionin e këtij forumi drejtuar presidentit Pacolli, kryeministrit Thaçi dhe kryetarit të kuvendit Krasniqi:

Komuniteti musliman në Kosovë, si komunitet shumicë, është konkretisht i brengosur mbi shkallën fillimisht latente, por kohëve të fundit të përmasave të mëdha, të tendencave dhe metodave të një dominimi kulturor, të ritit katolik në vend, si relikë e trashëguar nga e kaluara […]

Jemi kundër imponimit publik të një figure që deklarativisht thoshte se ‘i përkas Krishtit’ si figurë kombëtare, pasi që një imponim i tillë, përpos që dhunon laicitetin institucional, përbën poashtu një imponim religjioz e kulturor nacional-katolicist, në një shoqëri me shumicë muslimane.

Nga ky lajm mësova, jo pa habi, edhe se fotoja e Nënë Terezës qenka e ekspozuar në institucionet publike të Kosovës.

Natyrisht, kundërshtimi i një gjesti të tillë simbolik krejtësisht qesharak është i drejtë në vetvete, por komprometohet vetvetiu, për shkak të burimit.

Nuk shoh pse kjo foto duhet të varet në zyrat e titullarëve institucionalë në Kosovë dhe gjetiu, meqë marrëdhëniet e Nënë Terezës si njeri dhe si simbol me shtetin e Kosovës janë, për ta thënë me një hiperbolë, të ndërmjetësuara.

Megjithatë, normale do të ishte që kërkesa për heqjen e fotos të mos vinte nga një instancë fetare e shoqërisë civile, si Forumi Mysliman i Kosovës; meqë ashtu vështirë se mund të shmanget përshtypja që Nënë Terezën “nuk e duan” myslimanët e Kosovës.

Mund edhe të jetë ashtu, që myslimanët e Kosovës të kenë alergji ndaj Nënë Terezës, edhe pse unë këtë nuk e besoj; sepse myslimanët e Kosovës, si myslimanë dhe si shqiptarë, nuk kanë ndonjë arsye t’i kundërvihen kujtimit dhe mësimeve të kësaj gruaje të shquar, qoftë si njeri qoftë si murgeshë dhe misionare e Krishtit.

Jam pothuajse i bindur se myslimanët e Forumit dhe ndoshta të tjerë myslimanë në Kosovë irritohen, përkundrazi, nga përdorimi tipik që po i bëhet një figure religjioze si Nënë Tereza, për të riformuluar ekuilibrat ndërfetarë në Kosovë; ose më mirë abuzimi me këtë figurë, nga ana e oportunistëve të momentit.

Përndryshe, nuk ka gjë të përbashkët mes një murgeshe katolike dhe shtetit të sotëm të Kosovës, të cilit urgjentisht i nevojiten jo maska, kozmetikë dhe plastikë për sytë dyshues të Perëndimit, por identitet.

Më duket e gabuar, madje provokative, që Nënë Tereza të përdoret për të shënjuar simbolikisht orientimin pro-perëndimor ose pro-katolik të atyre që e tundin si flamur. Përkundrazi, sa për shqiptarinë, mund dhe duhet të gjenden ikona më të përshtatshme, më të pranueshme, më të kuptimshme.

Mirëpo, siç thashë, kërkesa për ta korrigjuar këtë duhet të vinte nga shoqëria laike, jo nga një forum mysliman; sepse objeksioni ndaj Nënë Terezës si ikonë institucionale publike në Kosovë, nëse ka baza, duhet t’i ketë këto baza laike, jo myslimane.

I gjithë ky incident ka edhe një aspekt komik: një shtet laik që i lejon institucionet e veta të identifikohen me një figurë kryesisht fetare si Nënë Tereza, dhe një forum fetar, si Forumi Mysliman, që kërkon rikthimin e laicitetit institucional të shtetit.

Sikurse ka edhe një aspekt dramatik, sa kohë që kërkesa e Forumit Mysliman, në formën e vet të tanishme, do të mund të përdoret për t’i kritikuar dhe goditur myslimanët në Kosovë si “anti-perëndimorë.”

E mira do të ishte që llojet e fotove për t’u ekspozuar në institucionet publike të Kosovës të përcaktoheshin me një rregullore ose protokoll të thjeshtë – jo për të fyer intelektin e titullarëve përkatës, po për të mos lejuar që tensionet sociale të bazës të përthyhen në një luftë mesjetare simbolesh dhe ikonash në ballkonet.

E keqja do të ishte, përkundrazi, që Forumi Mysliman i Kosovës të njihej madje të imponohej në shoqërinë civile të atjeshme kryesisht si instanca që i kundërvihet nderimit publik për Nënë Terezën, pavarësisht nga format groteske që mund të marrë ky ritual. Nuk është ky rol i përshtatshëm për myslimanët në një shoqëri delikate, si ajo në Kosovë ose të shqiptarëve anembanë.

Nuk ka komente

  1. Nese ne Tirane nuk do te ishin pyetur politikanet se si ti vihej emri aeroportit nderkombetar; Nene Tereza apo Fan S. Noli ose Ismail Qemali, me siguri them se muslimane dhe katolik do te zgjidhnin njerin nga te dytet.

    Pastaj per permendoren do ishte shpallur konkurs dhe sigurisht do fitonte verianti me i madh dhe me i kushtueshem.

    Populli ne gjunje, politika ne balle.

    Show Your Chest To Enemy And Tempest

  2. Ti ore zoteri je nje egocentrist i pashoq me kete qe ke shkruar. Sepse nuk ke dale fare nga kuadret e tua paragjykuese per ta kuptuar thelbin e ketij aktivizmi. E pse ia prishka fytyren Kosoves ne perendim ky gjest i Komunitetit Musliman ne Kosove? Mos eshte perendimi qe po ja imponon Kosoves figuren e Nene Terezes ? Nese po, populli ka gjithe te drejten te ngrihet kunder imponimit te miteve. E jo te rrije gatitu dhe te marre ngjyren qe do Perendimi apo Lindja, kushdo te jete. Evropa po deshi ta vari vete Nene Terezen, pse duhet ta var une? Meqenese ke shkruar edhe me pare per aktivizmin, nuk ma ha mendja se je kunder tij, por ma ha mendja se je paragjykues. Nese Nene Tereza nuk po imponohet prej gjetiu, atehere pse u dashka te shqetesohet Perendimi se po mbrohet laiciteti, se nuk po e kuptoj? Cfare sheh ti ne kete veprim qe nuk eshte demokratike dhe qe qenka mesjetare? Po sigurisht qe laiciteti eshte mburoja e te gjitheve neve, dhe pse qenka kaq e pakuptueshme per ty qe qenka ngritur komuniteti musliman? Ngrihet ai te cilit i dhemb me shume; meqe shoqeri civile nuk ka, ose meqe edhe po pati ajo nuk ka goje dhe eshte paragjykuese dhe e frikesuar nga Perendimi. Ku eshte problemi i pakuptueshmerise ketu dhe problematikat per imazhin e Kosoves? E duam Kosoven ashtu si eshte, jo si duan ta bejne te tjeret.
    Pikepyetjet e tua na lane neve me pikepyetje se pse i ke ngritur.

    1. Bëre një gabim, Lulu – e nise komentin me etiketë: “ti je një egocentrist i pashoq.”

      Atëherë po të përgjigjem edhe unë me të njëjtën mënyrë: ti, o zotëri/o zonjë, je një provokator/e, që kërkon të ndezësh edhe këtu në PTF mllefin jargavitës të kryqtarëve anti-myslimanë si në ca forume të tjera që i dimë edhe unë edhe ti, për t’u hequr pastaj si viktimë; meqë ai i viktimës është i vetmi rol që je mësuar të luash dhe jo vetëm kaq; është i vetmi rol që e ke luajtur aq shumë, sa të është ngjitur maska me fytyrën.

      Sa për pyetjet që bën, më tingëllojnë si ca pyetje që i vijnë njeriut në mendje pasi i lexon përgjigjet – meqë shpresoj se do ta kesh lëçitur ndërkohë shkrimin tim më lart.

      Dhe mësohu të trokasësh herë tjetër, se nuk është se po më mban as me votë, as me bukë.

      1. xhaxha, e ke te larte zerin. Me degjon dot kur i bie deres?

        Nuk i frekuentoj fare forumet qe me thua, s’e kam pasion te madh internetin. Forumet fetare as i kam per zemer. Pse ti i jep zgjidhje reagimit tim me kete konkluzion qe nxjerr ne ere?

        Une te bera ca pyetje e ti nuk mu pergjigje. Mendja ime prej qytetari te mesem nuk i kap dot paratekstet e prapatekstet ne lidhje me kontradikten, komiken dhe dramatiken qe shkruan teksti yt.

        Une te kam pyetur se pse e sheh kontradiktore ardhjen e kesaj iniciative nga komuniteti musliman? (Ti ke shkruar: „Mirëpo, siç thashë, kërkesa për ta korrigjuar këtë duhet të vinte nga shoqëria laike, jo nga një forum mysliman; sepse objeksioni ndaj Nënë Terezës si ikonë institucionale publike në Kosovë, nëse ka baza, duhet t’i ketë këto baza laike, jo myslimane.“)

        Dhe te kam pyetur se pse e sheh komike kete? (Ti thua me poshte: „I gjithë ky incident ka edhe një aspekt komik: një shtet laik që i lejon institucionet e veta të identifikohen me një figurë kryesisht fetare si Nënë Tereza, dhe një forum fetar, si Forumi Mysliman, që kërkon rikthimin e laicitetit institucional të shtetit.

        Dhe te kam pyetur se ku e sheh dramen ti ketu dhe nga kush? (Ti shkruan: „Sikurse ka edhe një aspekt dramatik, sa kohë që kërkesa e Forumit Mysliman, në formën e vet të tanishme, do të mund të përdoret për t’i kritikuar dhe goditur myslimanët në Kosovë si “anti-perëndimorë.”)

        Pra pse nuk e sheh te pershtatshme kete iniciative, se nuk e ke zberthyer askund ne artikull (ti e quan „lufte mesjetare simbolesh dhe ikonash“ dhe ti thua ne fund: „Nuk është ky rol i përshtatshëm për myslimanët në një shoqëri delikate, si ajo në Kosovë ose të shqiptarëve anembanë“). Cfare sheh ti te papershtatshme dhe antidemokratike ne kete si proces, si ide dhe cilit sistemi vlerash i referohesh?

        Nga menyra se si e ke shkruar ti kete tekst, mendja ime prej qytetari te mesem ka lexuar kete pergjigje prej teje: „Ose muslimanet e Kosoves duhet te dalin jashte skenes se veprimit social, per faktin e vetem se jane muslimane dhe laiciteti u ben xixa. Ose muslimanet e Kosoves duhet te rruhen, te krifen, te vishen me Zara dhe H&M, te futen ne ca Ngo, e vetem atehere kane te drejte te flasin se ku u dhemb“.

        Une kete qendrim e shoh percares per popullin, sikunder shoh unifikues dialogun, debatin dhe aktivizmin e grupeve te ndryshme. Ti me thuaj pse nuk eshte keshtu.

        1. Lulu shkruan:

          Une te kam pyetur se pse e sheh kontradiktore ardhjen e kesaj iniciative nga komuniteti musliman? (Ti ke shkruar: „Mirëpo, siç thashë, kërkesa për ta korrigjuar këtë duhet të vinte nga shoqëria laike, jo nga një forum mysliman; sepse objeksioni ndaj Nënë Terezës si ikonë institucionale publike në Kosovë, nëse ka baza, duhet t’i ketë këto baza laike, jo myslimane.“)

          Këtë jam përpjekur ta shpjegoj më lart: e ardhur nga FM, duket sikur kjo është kërkesë e myslimanëve, e ngjyrosur fetarisht; dhe duket ashtu, sepse forumi mysliman është organizatë haptazi fetare.

          Dhe te kam pyetur se pse e sheh komike kete?

          Komicitetin e shoh kur një organizatë fetare kërkon zbatimin e laicitetit, ndërsa një institucion laik vë në krye të vendit një ikonë në thelb fetare.

          Dhe te kam pyetur se ku e sheh dramen ti ketu dhe nga kush?

          Dramën e shoh kur e kuptoj se kërkesa e FM është e drejtë dhe nuk bëhet nga pozitat anti-kristiane ose anti-Perëndimore; por megjithatë do të interpretohet ashtu, sikurse edhe është interpretuar.

          Çfare sheh ti te papershtatshme dhe antidemokratike ne kete si proces, si ide dhe cilit sistemi vlerash i referohesh?

          Unë e pranoj se nuk e njoh veprimtarinë e FM në Kosovë; por ma merr mendja se nuk është mirë për shoqërinë civile, kur një organizatë fetare vjen e bëhet publikisht e njohur në momentin që ngrihet të kundërshtojë një simbol të një feje rivale. Nuk di të kem përmendur termin “anti-demokratik”; nëse e kam bërë, konsideroje të lutem si lapsus.

          Nga menyra se si e ke shkruar ti kete tekst, mendja ime prej qytetari te mesem ka lexuar kete pergjigje prej teje: „Ose muslimanet e Kosoves duhet te dalin jashte skenes se veprimit social, per faktin e vetem se jane muslimane dhe laiciteti u ben xixa. Ose muslimanet e Kosoves duhet te rruhen, te krifen, te vishen me Zara dhe H&M, te futen ne ca Ngo, e vetem atehere kane te drejte te flasin se ku u dhemb”

          Ky është interpretim ekstrem. Mua më duket se një organizatë fetare e myslimanëve të Kosovës duhet të ketë prioritete të tjera nga kundërshtimi i ekspozimit të Nënë Terezës në institucionet dhe imponimi i laicitetit. Do të bëja një përjashtim vetëm nëse FM do të ngrihej të kundërshtonte, gjithnjë hipotetisht, ekspozimin, në muret e atyre institucioneve, të surave të Kuranit.

          Një fjalë në mbyllje – kam përshtypjen se ti nuk i kuptove disa pjesë të shkrimit tim sepse më paragjykove. Në fakt, unë siç e thashë edhe më lart e konsideroj të drejtë kërkesën e Forumit; vetë shkrimi ishte efekt i keqardhjes sime që kjo kërkesë e drejtë u parashtrua me rrugë të papërshtatshme.

  3. Ne fakt, Xhaxha, kam frike se operohet me disa keqkuptime te laicizmit dhe te fese. Keto nuk jane te paperputhshme. Laicizmi nuk operon me ekskluzivitet, por me inkluzivitet. Laicizem nuk do te thote perjashtim i cdo feje, por perfshirje e cdo feje. Keshtu qe nje shoqate fetare, nuk do te thote se eshte jo laike. Perkundrazi, gjesti i kesaj shoqate, laicizmi i tyre, me shume se sa “ironik” si e ke quajtur, eshte thjesht ne rendin e duhur te gjerave. Interesante ishte edhe mbeshtetja qe i ben homologet shqiptar vellezerve kosovare. Vini Dom Kacorrin, thane myslimanet shqiptar, pa problem. Por jo dike qe nuk ka punuar kurre per shqiptarine, por vetem per Krishtin.

    1. OK – ti thua, një shoqatë mund të jetë edhe fetare edhe laike dhe të luftojë për laicitetin e institucioneve publike në një shoqëri shumëfetare.

      Tani, kështu i bie që një shoqëri katolike që e përmbush kushtin e mësipërm, në Prishtinë, të luftojë (hipotetikisht) për heqjen e një simboli fetar çfarëdo nga institucionet e atjeshme, p.sh. të kryqit?

      Nuk ma merr mendja. Nuk ka shoqatë katolike që të luftojë për heqjen e kryqit nga një vend publik – dhe nuk mund të ketë.

      Kur të luftojë Forumi Mysliman i Kosovës për të hequr nga muret e një institucioni publik të atjeshëm një sura të Kuranit, le të ulemi dhe ta diskutojmë sërish këtë punën e shoqatave edhe fetare edhe laike, se përndryshe unë nuk e kuptoj fare.

      [Kujdes: unë këtu dua të dalloj midis luftës ose përpjekjes për të arritur a realizuar diçka dhe pranimit të heshtur të diçkaje që e kanë arritur të tjerët, me përpjekjet dhe luftën e tyre. Një shoqatë, me përkufizim, kërkon të bëjë diçka aktivisht; nuk ka shoqatë që të ekzistojë vetëm e vetëm për të pranuar diçka pasivisht. Prandaj një shoqatë fetare e krishterë, në ShBA, mund ta pranojë nevojën për të hequr simbolet fetare nga institucionet publike, por ky pranim nuk është aspak arsyeja që ekziston shoqata.]

      Nga ana tjetër, ç’dallim ka një shoqatë thjesht laike, nga një shoqatë që është edhe fetare edhe laike? Ai parimi i inkluzivitetit që përmend ti, a nuk do t’i radikalizonte punët, duke i shtyrë laikët drejt ateizmit?

      Këtu nuk duhet të ngatërrohemi, gjithsesi, me disa kuptime të veçanta që ka fjala laik në leksikun katolik dhe që nuk kanë lidhje me temën tonë. Për këtë temë, laik do të thotë “i shkëputur/i ndarë nga çdo autoritet dhe besim fetar.”

      Prandaj unë besoj se një shoqatë nuk mund të jetë edhe laike edhe fetare, sepse kjo është një kontradiktë logjike. Anëtarët e asaj shoqatës tënde hipotetike mund të jenë besimtarë, por jo shoqata vetë – sa kohë që e quan veten laike; meqë të jesh besimtar, do të thotë të pranosh se je i lidhur me një fe dhe një autoritet fetar – çka laicizmi e përjashton me përkufizim.

      1. Me i sakte ndoshta do isha po te flisja thjesht ne terma feje dhe laicizmi se sa shoqatash fetare dhe laike, gjithsesi po e provoj.

        Ka nje tautologji kur thua se eshte kontradikte logjike per nje shoqate te jete edhe fetare edhe laike. Ne mos tautologji eshte begging the question. Nga nje ane e perkufizon laicizmin si ne kontradikte me fene, nga ana tjeter thua se eshte kontradikte logjike qe njera te perputhet me tjetren.

        Problemi me kete eshte se laicizmi nuk eshte ndonje koncept a priori, por thjesht konstrukt i hapur shoqeror. Nuk me duket se ka vlere te flasim per kontradikta logjike ketu. Nese ka ndonje kontradikte logjike ajo do varej nga perkufizimi mbi te cilin do binim dakord per sa i perket laicizmit. Por problemi eshte qe ky perkufizim eshte me i hapur se c’duket.

        Plus, nuk kam parasysh “layman” kur them laik, por “secular.” Keshtu qe nuk besoj se kemi ndonje ngaterrese ketu.

        Tashti, qe te dalim tek perkufizimi, ti thua i shkeputur/i ndare nga cdo autoritet fetar. Por une kam frike se ky perkufizim krijon keqkuptime. Me shume se sa shkeputje, ndarje, skizem, apo cfaredo figure e ngjashme, une kam pershtypjen se laicizmi nenkupton nje lloj pavaresie nga feja dhe autoriteti fetar. Vetem se tjeter pavaresia, tjeter shkeputja e ndarja. Besoj se ketu e kemi keqkuptimin, dhe besoj se konceptimi i laicizmit si shkeputje apo ndarje nga feja eshte i gabuar.

        Ne rradhe te pare, eshte perkufizim shume i forte, dhe eshte pikerisht ky lloj konceptimi qe perfundon ne ateizem. Ndarja, shkeputja, nenkuptojne mohim. Jane a-ja tek a-teizmi. Por nuk besoj se do ishe dakord ta barazoje laicizmin me ateizmin. Eshte pikerisht ekskluziviteti reciprok i laicizmit me fene, dhe jo inkluziviteti i tyre ai qe shtyn laikun drejt ateizmit. Konstrukti qe ofron ti, ku laicizmi eshte ne kontradikte logjike me fene, jo thjesht rrezikon ta vere, por e ve kete shenje barazimi mes laicizmit dhe ateizmit.

        Ne rradhe te dyte, kjo shkeputje, kjo skizem, rrezikon te perfundoje ne besim me vete. Nese ky besim nuk eshte ateizmi i thekur, nisur historikisht nga karakteri iluminist i laicizmit, rrezikon te perfundoje ne scientism.

        Tashti per sa i perket shoqatave. Thua se kur flet per shoqata, ke parasysh nje aktivitet te tyre, dhe jo thjesht pranimin e dickaje ne pasivitet. Shume dakord me kete. Por me thuaj, cfare do ishte aktiviteti i nje “shoqate thjesht laike?” Me kete nenkupton nje shoqate qe veprimtarine e saj e ka aktivizem thjesht per laicizmin, apo nje shoqate cfaredo qe laicizmin e pranon ne menyre pasive? A ka shoqata thjesht laike? Cfare eshte vlera e nje shoqate thjesht laike kur ne fakt eshte pikerisht shteti qe ndjek nje program aktiv laik? Une nuk di te kete te tilla, por edhe po pati, cfare aktiviteti tamam do ndiqte? Do perkudesej, si ne raste te tilla, qe shteti te mos vinte portrete fetare ne zyrat e tija? Do mjaftohej qe te mos kishte fare protrete te tilla, apo do ishte dakord qe krah per krah protretit te nje prifti ne nje zyre shteterore te vihej edhe portreti i nje hoxhe? Po sikur myslimanet te ishin kunder vendosjes te portretit te nje hoxhe, pasi nuk e lejon besimi, a do duhej shteti te mos vinte as edhe portretin e nje prifti? As te Nolit, as te Kacorrit? Prape, duke pasur parasysh dinamikat e ndryshme te feve, marredheniet e tyre me perfaqesimin, te autoriteteve historike te tyre ne bashkepunim me shtetin, cfare eshte kufiri ku nje organizate e tille nuk do operonte e nuk do perceptohej si ateiste?

        Gjithsesi, nje shoqate thjesht laike ne kutpimin aktiv te shoqates, nuk ka, dhe nuk ka pse te kete, sepse laicizmi mund te sherbehet fare mire ne kete menyre si dhe tek ky shembulli me lart. Do te ishte e nevojshme nje shoqate e tille, ndoshta, ne nje shoqeri monoteiste, por ne nje shoqeri multiteiste si ne Shqiperi, nuk besoj se ka fare nevoje. Laicizmi eshte dicka qe eshte pranuar nga te gjitha autoritetet fetare ne Shqiperi, dhe nuk me duket se ka asnje kontradikte po qe se ruhet prej ketyre autoriteteve fetare kur shteti favorizon nje fe tjeter. Laicizmi mund fare mire te jete i rregullueshem nga shoqatat fetare fale ankesave si kjo e forumit mysliman. Nje shoqate fetare, ashtu si promovon fene e vet, ashtu dhe promovon edhe indipendencen e shtetit nga nje fe tjeter, e po ashtu edhe shoqata e nje feje tjeter. Prandaj edhe nuk me duket se ne nje dinamike fetare si ajo e Shqiperise, nje shoqate me aktivitet thjesht dhe vetem laik, eshte e panevojshme. Laicizmi eshte balance, dhe sherbehet nga balanca e vete feve te ndryshme ne marredhenie me shtetin, ne perpjekjen qe shteti te mos kapet nga asnjera prej tyre.

        Ketu eshte relevante disi, por do behej muhabet goxha i gjate e do kerkonte pak pune kerkimore, po te kihet parasysh se historikisht, secila fe e ka pranuar dhe perdorur laicizmin per promovimin e teologjise se vet. Madje jo vetem kontradikte logjike, por as edhe ndonje teze e guximshme nuk do konsiderohej sikur te thuhej se laicizmi ka origjine fetare.

        1. Nuk po merremi vesh.

          Laik dhe shekullar janë dy fjalë të ndryshme që u përgjigjen dy koncepteve të ndryshme, sidomos për nga konteksti ku përdoren.
          Për të ftilluar fjalën laik, nëse nuk na mjafton Fjalori i Shqipes, mund t’i referohemi një fjalori të gjuhës nga e ka marrë shqipja fjalën – frëngjishtes (laïque).

          Anglishtja, me gjithë përkimet që ofrojnë fjalorët, ndjek një model kulturor lehtësisht tjetër.

          Sa për shoqatën laike, unë do të përfytyroja si një agjenci që mbikëqyr, vullnetarisht, zbatimin e parimit të laicitetit në institucionet.
          Tani, kur ti thua se “Laicizmi eshte dicka qe eshte pranuar nga te gjitha autoritetet fetare ne Shqiperi, dhe nuk me duket se ka asnje kontradikte po qe se ruhet prej ketyre autoriteteve fetare kur shteti favorizon nje fe tjeter,” unë këtë e kuptoj dhe e pranoj parimisht; por kur ngrihet një shoqatë myslimane dhe kërkon që të mos vendoset një simbol i krishterë në një institucion publik, është e pamundur që kjo të mos perceptohet dhe interpretohet në terma të kundërvënies ose rivalitetit thjesht fetar.

          1. Ndersa une po them qe ky perceptim nuk ka as edhe nje problem po qe se kuptohet qe kundervenia ose rivaliteti thjesht fetar, i shendetshem dhe tolerant, natyrisht, eshte pikerisht ajo cka i sherben laicizmit me mire se cdo shoqate laike.

            1. Fetë tradicionale (Krishterimi, Islami, Judaizmi), për nga natyra e tyre, janë moniste; e përjashtojnë pluralizmin me përkufizim. Për një të krishterë, nuk ka pikë dyshimi se myslimanët do të përfundojnë në ferr; dhe vice versa. Raporti mes feve që, për shkak të aksidenteve historike, bashkëjetojnë brenda të njëjtës shoqëri, nuk është i njëjtë me, bie fjala, raportin mes partive politike në një sistem pluralist. Toleranca e një feje ndaj tjetrës nuk duhet marrë si relativizëm, por vetëm si modus vivendi – përndryshe, besimtari nuk ka pikë dyshimi për epërsinë TOTALE të fesë së vet ndaj asaj të tjetrit. Në të njëjtën mënyrë, bie fjala, një i krishterë e ka për detyrë që të përhapë fjalën e Zotit dhe mundësisht të konvertojë të pafetë në krishterim; çfarë diskutohet këtu, është përdorimi i forcës. Edhe Islami, të paktën ai që erdhi së bashku me Osmanët në Shqipëri, e ndalonte konvertimin me forcë; dhe fakt është që Perandoria Osmane u tregua gjithnjë tolerante me të krishterët; por nuk ka pikë dyshimi që këta konsideroheshin si të humbur, nga pikëpamja fetare dhe njerëzore. Rregulli për të mos konvertuar me forcë dhe për të mos shkatërruar, bie fjala, tempujt, nuk duhet marrë si relativizim i besimit. Prandaj, në parim, bashkëjetesa paqësore mes feve, në një shoqëri që, me ligj, njeh barazinë e qytetarëve të vet, mund të arrihet vetëm nëpërmjet shtetit, i cili e kërkon dhe e imponon karakterin laik të institucioneve. Përkundrazi, nën Perandorinë Osmane, bashkëjetesa paqësore vërtet ekzistonte, por vetëm brenda një marrëdhënieje vertikale, ku myslimanët ishin sipër dhe të krishterët poshtë.

            2. Xhaxha, tashti me duket se je ti qe po flet per laik sipas kuptimit katolik te fjales, ku laik eshte ai qe nuk eshte ekspert ne teologji, por “layman.” Tre fete tradicionale vertete jane moniste dhe sipas nje botkuptimi “layman” besimtaret e feve te tjera do perfundojne ne ferr. Por lufta mes tyre luhet gjithmone ne nje fushe neutrale laiciteti. Shiko cfare kam parasysh une kur flas per laicitet. Ta zeme se eshte nje vend qe nuk eshte laik, bie llafi Italia, ku kryqet vendosen neper shkolla publike, si dhe tek shembulli qe ke dhene me poshte. Mirepo cfare ndodh, vjen suedezja dhe thote se kjo eshte “shkelje e papajtueshme me lirinë e mendimit dhe të drejtën për edukim dhe arsimim (parime laike deri ketu) në pajtim me bindjet fetare dhe filozofike të prindërve (promovim i nje teologjie alternative).”

              Shiko, ideja eshte qe laicizmi eshte taktike, teknike, operator, strategji, me origjine fetare, apo me sakte teologjike, qe dallon nga format e tjera te strategjive qe jane monizem i rrepte e perjashtues. Ushqehet nga fryma tolerante, vija e bute e cdo feje, perkunder ortodoksise apo konservatorizmit. Eshte kusht i hapesires publike te debatit, dialogut dhe perplasjes mes teologjive konkurruese. Eshte kompromis fetar me ane te te cilit krijohet edhe hapesira e nje shteti laik edhe hapesira ku mund te promovohet besimi fetar.

            3. LK shkruan:

              lufta mes [Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit] luhet gjithmone ne nje fushe neutrale laiciteti.

              Kjo nuk është e vërtetë, as ka qenë ndonjëherë e vërtetë.

              Përsëri shkruan:

              [Laicizmi] ushqehet nga fryma tolerante, vija e bute e cdo feje, perkunder ortodoksise apo konservatorizmit.

              Pse vallë? Për disa, laicizmi ushqehet nga bindja se feja përfaqëson një botëkuptim të vjetëruar, antishkencor, antiracional, që nuk ka punë në hapësirën publike.

              LK përsëri:

              [Laicizmi] Eshte kompromis fetar me ane te te cilit krijohet edhe hapesira e nje shteti laik edhe hapesira ku mund te promovohet besimi fetar.

              Kompromis ndoshta, po pse fetar? Ti më duket se e merr për të mirëqenë që laicizmi është produkt i përplasjes mes disa feve; por kjo nuk është e vërtetë, sa kohë që ekziston edhe në vende ku ekzistenca e feve të ndryshme nga ajo e shumicës është e papërfillshme. Italia është një nga këto vende, ku roli i feve të tjera nga katolicizmi, në përftimin e hapësirës laike, është pothuajse zero. Turqia është një vend tjetër ku i njëjti arsyetim mund të përsëritet. Nuk ka qenë Krishterimi, që e ka sjellën frymën laike në institucionet turke moderne.

            4. “Kjo nuk është e vërtetë, as ka qenë ndonjëherë e vërtetë.”

              Ke te drejte. Formulim i gabuar nga ana ime. Duhet te thosha se lufta mes tyre nuk luhet gjithmone ne nje fushe te tille si ajo e mesjetes, ku shteti dhe kisha, apo sulltani dhe hija e Allahut ne toke, ishin nje, por luhet edhe ne nje fushe neutrale laiciteti.

              “Për disa, laicizmi ushqehet nga bindja se feja përfaqëson një botëkuptim të vjetëruar, antishkencor, antiracional, që nuk ka punë në hapësirën publike.”

              Per ateistet po, ndersa per nje fetar ushqehet edhe nga bindja se feja e vet eshte me e mira, me e hapura, me tolerantja, me universalja, se te gjitha keto fete e tjera, cfaredo qofshin.

              Kompromisi laik eshte ne thelb fetar, dhe nuk ka te beje edhe aq me perplasjen e feve me njera tjetren ajo qe po thosha, se sa me kompromisin mes fese dhe shtetit: “ne fetaret po merremi me punet e shpirtit, e me punet e trupit le te merret shteti.” Kete kisha parasysh kur thashe qe eshte kompromis me origjine fetare qe krijon hapesire per shtet laik dhe njekohesisht hapesire per besim fetar.

            5. Unë nuk besoj as edhe se për fetarët toleranca përfaqëson ndonjë farë vlere. Përkundrazi, deri para iluminizmit, mendësia perëndimore konsideronte vlerë dhe virtyt intolerancën, jo tolerancën.

              Po të sjell vetëm një citat nga teologu frëng Jacques-Bénigne Bossuet, i cili në 1691 mburrej se katolicizmi ishte më pak toleranti mes të gjitha feve, duke u shprehur: “Është e drejta ime të të persekutoj, sepse unë kam të drejtë, ndërsa ti e ke gabim.” (cituar sipas Furedit).

  4. Qe Forumi Myslyman i Kosoves eshte anti-perendimor kjo s’ka pse te vihet si absurde a priori. Keta te Shqiperise jane qartesisht dallkauke, deduktoj se te Kosoves do jene me keq e ata te Maqedonise me keq akoma. Te mos flasim per forume ne rrjet.
    Sigurisht qe atyre u djeg nga ana fetare dhe s’u kercet fare per laicitetin e shtetit, te ish per ta si per çdo myslyman besimtar te botes, Kosova duhet te behet republike islamike.

    Nene Tereza vihet thjesht per forcen e imazhit jo per ndonje arsye fetare, nuk di te jene shtuar katoliket fale fotove te Nene Terezes, nese ka ndonje statistike qe deshmon te kunderten do isha kurioz ta shihja.

    Kaq gje, dmth se forca e imazhit eshte ne te miren e shqiptareve ne Kosove, forumi islamik duhet ta kuptoje. Kosova duhet te perdore çdo mjet per permiresimin e figures se saj nderkombetare sidomos tani pas nisjes se hetimeve per organet.

    Te njejten gje duhet te bente me nje figure islamike qe permireson imazhin. Fete duhet shfrytezuar ne pikat pozitive qe kane dhe çfare Forumi Islamik duhet te argumentonte ishte se imazhi i Nene Terezes nuk i sjell perfitime Kosoves, jo te argumentonte se shteti eshte laik dhe se katoliket po na sulmojne.
    Avantazhi katolik ne lidhje me Perendimin eshte i qarte, duhet pranuar dhe duhen nxjerre perfitime kombetare, sigurisht duke stigmatizuar ekstremin katolik, aty kur per te miren e fese katolike shkelet interesi kombetar.

  5. Në lidhje me temën – sot lexoj në la Repubblica që Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur që ekspozimi i kryqit (crocefisso) në shkollat publike “nuk është dhunim i të drejtave të njeriut as i lirive fetare të jokatolikëve”.

    Ky vendim erdhi si pasojë e një padie të ngritur para disa vjetësh, nga një qytetare finlandeze e natyralizuar italiane, Sonia Lautsi, e cila u ankua për kryqin e varur në muret e klasës ku i mësonin fëmijët, duke e quajtur këtë shkelje të papajtueshme me lirinë e mendimit dhe të drejtën për edukim dhe arsimim në pajtim me bindjet fetare dhe filozofike të prindërve.

    Në një instancë të mëparshme, gjykata i kish dhënë të drejtë paditëses; por më pas qeveria italiane kishte kërkuar shqyrtimin nga Dhoma e Madhe, duke e quajtur vendimin e parë si shkelje të lirisë fetare individuale dhe kolektive, të njohur prej shtetit italian.

    Çështje e koklavitur.

    Me vendimin e tanishëm, gjykatësit shpjeguan, ndër të tjera, se afishimi i kryqit në shkollë nuk konsiderohet si element “indoktrinues”.

    Ekspozimin e simboleve katolike në shkollat publike italiane e kanë kundërshtuar jo vetëm shoqatat laike, por edhe përfaqësuesit e feve pakica në Itali, duke filluar nga hebrenjtë italianë.

  6. Më duket e gabuar, madje provokative, që Nënë Tereza të përdoret për të shënjuar simbolikisht orientimin pro-perëndimor ose pro-katolik të atyre që e tundin si flamur

    Nuk besoj qe portretet e Nene Terezes dhe pagezimi i veprave publike me emrin e saj tregon ndonje tendence pro-katolike. Pro-perendimore ka shume mundesi. Vete nuk mundem te gjej simbol me te mire te tendecave pro-perendimore sesa portretin i saj.

    Nderkohe, keta te Forumit Musliman (si te Shqiperise ashtu edhe te Kosoves) i pres qe se shpejti te ankohen pse veshin zyrtaret shteterore kollare.

  7. Në të gjitha klasat (dhomat e mësimit) e shkollave shqipe të Kosovës janë të vendosura fotot e Skënderbeut. Gjithashtu edhe nëpër gjykata. Këtë status nuk e gëzon fotoja e Nënë Terezës. Nuk është obligim vendosja e fotos së saj. Këtë foto e mbajnë aty këtu nëpër zyra të ndryshme, edhe nëpër ministri të ndryshme të Kosovës, por është çështje e shijes së ministrave. Foton e Nënë Terezës e vendosin ministrat e LDK-së të cilët duan të dëshmojnë se janë rugovistë të vërtetë. Ajo e ka vendin e nderit pranë portretit të Ibrahim Rugovës dhe të Skënderbeut. Ministrat e PDK-së e mbjnë portretin e Adem Jasharit dhe të Skënderbeut. Ministria e kulturës deri tani ishte e banuar me ministra të LDK-së dhe, natyrisht, ishte e paisur me foton e Nënës. Këtë ministri e trashëgoi një ministër i PDK-së, që e ka axhën hoxhë, dhe i cili u kishte predikuar besimtarëve se Nënë Tereza do të shkojë në xhehnem. Ministri i ri e hoqi foton e Nënës nga zyra e tij, dhe kështu plasi sherri. Ai u detyrua që ta kthej prap në vendin e vet.

    Nuk e di si është puna e fotove nëpër zyrat e ministrive gjermane, por nëpër zyrat e disa enteve shtetërore, ka një dozë të mirë të privatësisë, e deri te disa gjëra pothuajse intime të personave që punojnë aty. Kështu, në një zyrë të një enti shtetëror, kam parë të vendosur në mur një “deklaratë” të një gruaje që punonte aty:

    *NË JETËN PRIVATE JAM KREJT NDRYSHE*

  8. Xha xha mendoj se je i gabuar ne konstatimin e paradoksit ne faktin qe kjo kerkese vjen nga nje shoqate muslimane. Sekularizmi (une preferoj kete term ne vend te laicizmit) eshte pjese e mareveshjes shoqerore se si do mbajme ekuilibret ne nje shoqeri dhe kesisoj nuk eshte e habitshme qe nje organizate me baze fetare te kerkoje mbajtjen e ketyre ekuilibrave ne emer te sekularizmit. Ti duhet ta dish shume mire se disa nga promovuesit me te thekur te sekularizmit amerikan kane qene figura fetare qe e pane sekularizmin si menyre per te ruajtur fe te pakices nga dominimi i shumices. Une vete si besimtar mund te kem idete e mia per shoqerine ideale te ndertuar mbi principet e fese, por jetoj ne nje realitet qe e ndaj me te tjere dhe jam me i interesuar se kushdo qe sekularizmi te jete baza mbi te cilen ndertohen maredheniet e mia dhe te bashkesise sime me fete e tjera, me shtetin e keshtu me rradhe, sepse tek e fundit eshte garancia ime per lirite e mia fetare. Si i tille sekularizmi mbeshtetet ne principin qe shteti nuk do promovoje nje fe te caktuar se kjo do cenonte fete e tjera dhe kjo do ishte ne dem te feve te tjera. Ketu eshte thelbi i protestes se FM, qe shteti po promovon figura, simbole, narrativa historike qe “mbajne me hater” nje fe te caktuar ne dem te te tjerave. Kerkesa eshte me se e ligjshme dhe FM si pale e interesuar eshte me se e justifikuar qe te prononcohet sepse ne fakt eshte dhe arsyeja qe motivon ekzistencen e saj si organizate qe promovon dhe vezhgon ceshtjen e te drejtave te muslimaneve ne Kosove. Eshte interesante ceshtja qe ti ngre se pse nuk jane organizata te tjera jo-fetare ato qe do ngrinin nje shqetesim te tille. Shume e drejte por kerkon diskutim tjeter dhe me te gjere. Pershendetje.

  9. I dashur xhaxha,

    Keni bere nje lemsh me komente ketu por besoj se jeni te gjithe gabim. Ja te sqarohem:

    1. deklaraten kunder Nene Terezes ne Kosove nuk e ka bere Forumi Musliman por Forumi i te Rinjve Musliman.

    2. Ne deklarate ata sulmojne Terezen pse si ne Tirane si ne Prishtine ka nje histeri publike pro asaj qe ka thyer cdo limit.

    3. Ke shume te drejte qe reagimi duhej te vinte nga shoqeria civile, por ja qe ne Kosove ashtu si edhe ne Shqiperi nuk ka shoqeri civile, pasi imperializmi amerikan eshte si sovjetizmi dikur qe nuk lejon shoqeri civile te pavarur ne vendet qe ai shtyp.

    4. Si pasoje reagimi erdhi nga keta te rinjte qe po bejne edhe nje peticion ne internet.

    Situata eshte shume deshperuese por edhe qesharake ne te njejten kohe. Ne Shqiperi dhe Kosove nuk ka forca te majta, shoqeri civile te pavarur etj. Jane shoqeri te varfera, te uritura me intelektuale injorante.

    Reagimi i Forumit ishte nga deshperimi. Kauret i kane mundur aq keq muslimanet ne Kosove dhe Shqiperi saqe i kane kaurizuar totalisht nga ana kulturore.

    selam kaureve te listes

  10. “Po të sjell vetëm një citat nga teologu frëng Jacques-Bénigne Bossuet, i cili në 1691 mburrej se katolicizmi ishte më pak toleranti mes të gjitha feve, duke u shprehur: “Është e drejta ime të të persekutoj, sepse unë kam të drejtë, ndërsa ti e ke gabim.” (cituar sipas Furedit).”

    Ne fakt, Xhaxha, jo se ka ndonje vlere per debatin, ne mos thjesht per te vene ne dukje paragjykimet moderne mbi teologjine pre-iluministe, por kam frike se Furedi nxitohet. Mesoj se ajo shprehje nuk eshte e Bossuet, por interpretim (ndoshta dhe i drejte) i mendimit te tij, me shume se dy shekuj me vone, nga ana e historianit Preserved Smith, ne History of Modern Culture, Vol. II, botuar me 1932-34. E gjeta kete xhevahir rastesisht ne nje footnote te John Rawls tek Political Liberalism, ku edhe falenderon nje Alyssa Bernstein per korrigjimin.

  11. ”’Reagimi i Forumit ishte nga deshperimi. Kauret i kane mundur aq keq muslimanet ne Kosove dhe Shqiperi saqe i kane kaurizuar totalisht nga ana kulturore.”’

    E o turk, kauret e kane fajin, po thuaj shyqyr qe do shkojne ne xhehnem, se drejtesia vonon po nuk harron.
    Me keto xhevahire qe sjell ti i nxjerr bllof argumentet e xha xhait.
    Perpiqet xha xhai te ridimensionoje Nene Terezen nder shqiptare po ja del ti dhe thua qe imperialistet amerikane po na shtypin e pengojne haptazi krijimin e shoqerise civile.

    Po sikur te behemi prape vellezer ne shqiptaret me turqit te ngelet hatri ty ?

    Sa per rastin e kryqit ne shkollat italiane, problemi per italianet nuk ekziston, hiq ndonje ateist te thekur (qe s’ka me ça te merret do shtoja), por vete ankuesja eshte finlandeze, te tjeret jane kryesisht myslymane.
    I gjej te tepruara disa kerkesa per vende si Italia, Arabia apo Izraeli, pasi asnjera nuk eshte ne gjendje te mohoje dot respektivisht Vatikanin, Meken, Jeruzalemin.

  12. Hyll

    qe amerikanet na kane luajtur fene sa me para, rrospi, misionare protestante, me buke dhe me kerbac nuk ka bir none qe e luan. arsyeja pse ne nuk kemi shoqeri civile sot eshte bash kjo. kaurlleku te ne, por edhe ne mbare boten sot vjen me avionet B2. me keta ka ardhur edhe Majka Tereza. eshte pjese e sistemit shtypes te njerezve superior kunder mizave te botes se nenshtruar.

    por sic thua ti, nje dite te gjithe kauret ne te Terezes do shkojne. dhe kjo eshte qe na ngushellon, pse kete dynja qenka pas shkruar qe te jete per ju.

  13. Shkrim i mirë, reagime poashtu të mençura. Por, autori, kështu mendoj, ka një ndjenjë të admirueshme drejtësie, bile e ka në nivel mjaft të lartë, por nuk mund të shpëtojë pa u vënë re se i mungojnë shumë informacione shumë të rëndësishme dhe esenciale. Ai nuk di gjë mbi fushatën më shumë se 20 vjeçare për t’i nxjerrë historikisht katolikë të gjithë shqiptarët dhe për të katolikizuar ata që në shumicën mbi 95 përqind janë të besimit musliman.

    Kjo ka ardhë dhe kjo është mundësuar sa nga hipokrizia poaq nga laramania që e ka shquar atë që quhet inteligjencie e Kosovës apo klasë e saj politike. Mendja e tyre u kishte thënë se nëse do të lahen e lyhen si katolikë, siç është katolike dhe e krishterë shumica në Evropë, ndoshta ajo Evropë do të ndihmonte sadopak që Kosovës t’i çlirohej shtrëngimi serb. Katolikët me priftërinjtë e tyre, ku janë shquar dy fundamentalistë ekstrem (Lush Gjergji e Shan Zefi), paralelisht me fushatën e katolikizimit kanë mbajtur dhe zhvilluar lidhjet e tyre edhe me shtetin serb në dëm të atyre që sa për sy e faqe i quajnë vëllezër. Në Kosovë menjëherë mbas luftës filloi, sipas modes serbe, të ndërtohen kishëza edhe në vende ku nuk kishte asnjë të krishterë. Pastaj dolën me skenarë të kalimeve spektakulare ekstremisht të mediatizuara të muslimanëve në, siç trumpetohej “fenë e të parëve”. Krerët e katolikëve të Kosovës kanë bërë denoncime të shumta te UNMIK-u dhe te KFORI, kanë shkruar letra kancelarive të Evropës e të SHBA-ve duke folur për “zullumin” që po u bëhej nga shqiptarët muslimanë. Fushata ishte e egër dhe vetëm tradita shekullore e bashkëjetesës ndërkonfesionale, e respektuar gjithmonë më shumë nga muslimanët, ka bërë që të mos ketë fërkime me përmasa tragjike. Katolikët e përvetësuan plotësisht Skënderbeun duke e degraduar nga një fatos kombëtar në një luftëtar të Papës e të Vatikanit. Në këtë vazhdë u shpallën vepra e kryevepra disa përkthime aspak të rëndësishme (për letërsinë) të priftërinjve të ndryshëm nga shekujt e kaluar. Letërsia, kultura, gjuha…, të gjitha, të gjitha… shqiptarëve u kanë ardhur nga katolikë. Në të njëtën kohë katolikët zhvilluan edhe një propaganda kundër ortodoksëve shqiptarë, duke i quajtur publikisht grekë e sllavë. Kështu, ajka shqiptare dilte se është ndër katolikë, se muslimanët shqiptarë janë të lajthiturit që po u jipej rasti që t’i kthehen një orë e më pare fesë së Krishtit, duke thënë se Evropa nuk don Brahima, Hashima e Haradina… Ata sigurisht se kishin pikëpamjet më të errëta që nuk vinin nga Evropa, po nga qarqe fundamentaliste katolike.

    Tash le të them mendimin tim mbi temën që është shtjelluar. Dhe po pyes, cili ligj evropian ndalon një forum si ai i muslimanëve të rinj të Kosovës që të shkruaj letra institucioneve të shtetit të tyre. Autori duket sikur thotë: mire kanë, por atë ankesë do të duhej ta bente dikush tjetër!!! Nuk më duket e drejtë. Kur ka rrezik zjarri nuk duhet pritur të tejrët, po kush të mundet i pari le ta japë alarmin. Përndryshe, komunistët shqiptarë të Kosovës, një pjesë e tyre që kishte pak ndjesi kombëtare, por që sit ë gjithë komunistët nuk ishin aq të mençur, më ’68, më 81 e më vonë “këshillonin” njësoj: Mos kërkoni ju, mos ta kërkojmë ne se ka forca progresive jugosllave që një ditë do ta ngrenë çështjen e statusit të republikës për Kosovën…

    Shkurt, pajtohem me thirrjen tuaj TË HIQET, sepse nuk ka lezet që në institucione të shtetit që është Republikë, të shëmtohen muret me nënëtereza e tipa të tjerë që do të mund të vendoseshin në institucione religjioze. Askund në Evropë nuk mund të imagjinohet “stolisja” e mureve të ministrive me figura shenjtorësh. Në fund të fundit ata të rinj e kanë kërkuar atë që shumica absolute e konsideron reagim të drejtë.

    1. Shkurt, pajtohem me thirrjen tuaj TË HIQET, sepse nuk ka lezet që në institucione të shtetit që është Republikë, të shëmtohen muret me nënëtereza e tipa të tjerë

      Per cilin ‘tip tjeter’ e ke fjalen?

    2. Fanatikët dhe fundamentalistët fetarë janë të dëmshëm për të gjithë popujt por për popullin shqiptar ata janë më të rrezikshëm se për çdo popull tjetër.

      Në Kosovë politikës dhe kulturës tonin ia japin muslimanët dhe për asgjë nuk mund të fajësohen katolikët. Me këtë rast më duhet që të parandaloj ndonjë keqkuptim – unë nuk jam katolik. Si mund të fajësohen katolikët nëse disa familje “muslimane” nga Drenica kishin pas qenë katolik në ilegalitet të thellë? Pas çlirimit të Kosovës ata vendosën që të dalin në dritë të diellit si katolik, ashtu siç kanë qenë gjithmonë. Si mund të fajësohen katolikët kur Brahimi vendosi vet që të ndërtohet katedralja në qendër të Prishtinës? Lush Gjergji fundamentalist? Sa shumë do të dëshiroja që shqiptarët të jenë aq tolerant dhe aq pajtues ndërmjet veti siç është Dom Lush Gjergji.

      Fundamentalistë ka në të gjitha fetë, por fanatikët si Arid Uka janë më të dëmshmit për popullin tonë. Brahimit iu rrotulluan eshtrat në varr prej sikletit.

      1. A po përpiqen myslimanët në Kosovë për hegjemoni, jo aq fetare dhe ideologjike, sesa thjesht fisnore dhe sociale, ndaj pakicave? A e kanë të vështirë myslimanët në Kosovë të kuptojnë se mund të jesh i krishterë i mirë dhe njëkohësisht shqiptar i mirë? A tremben myslimanët në Kosovë nga “agresioni” prozelitues i të krishterëve dhe konvertimet?

        Apo vallë janë katolikët ata që përpiqen të përfitojnë nga afërsia e tyre “shpirtërore” me Europën e krishterë, për të marrë në dorë marrëdhëniet e Kosovës me Europën, ose për të shërbyer si interface e Kosovës kundrejt Perëndimit? Mundësisht edhe duke luajtur kartën ideologjike të fundamentalizmit, fanatizmit, vehabizmit dhe ekstremizmit?

        Ja dy këndvështrime të papajtueshme, pas gjase të dyja të gabuara (sepse të dyja pjesërisht të vërteta), por që do të shërbenin si pika orientimi për një debat të frytshëm.

        A është shumica që, tashmë e çliruar prej thundrës serbe, kërkon t’u imponohet pakicave thjesht me forcë (si ai fëmija, që përshkruan Freud-i, i cili pasi kthehet në shtëpi nga dentisti ia bën namin në gojë vëllait të vogël duke ia “mjekuar” dhëmbët); apo janë pakicat që, si shpesh në të shkuarën, përfitojnë nga ndërrimi i kuajve për të rregulluar pozitat e tyre në krye të punëve?

        A ka vërtet shenja të intolerancës së myslimanëve ndaj pakicave shqiptare jomyslimane në Kosovë dhe persekutim të këtyre, qoftë edhe në heshtje, ose nëpërmjet dhunës së numrave? Apo është e kundërta që po ndodh: shumica myslimane po nëpërkëmbet për çështje identiteti; ose nënshtrimit të djeshëm etnik ndaj serbëve po ia zë vendin nënshtrimi i sotëm religjioz ndaj “të krishterëve” europianë, duke përfituar nga koniunkturat?

        Dhe më në fund – a është Islami në Kosovë fé e mirëfilltë masive, realitet shpirtëror, përmasë e përjetimit të botës, apo më shumë një formë identiteti, pjesërisht e asimilueshme në kundërvënien e vjetër të shqiptarëve ndaj serbëve?

        Nuk ua kam përgjigjet këtyre pyetjeve, natyrisht.

        1. A ka vërtet shenja të intolerancës së myslimanëve ndaj pakicave shqiptare jomyslimane në Kosovë dhe persekutim të këtyre, qoftë edhe në heshtje, ose nëpërmjet dhunës së numrave?

          Propocionalisht, perqindja e Katolikeve te emigruar eshte disa here me e larte se ajo e shumices muslimane. Po ti pyesesh katoliket, ne pergjithesi ta fshehin pakenaqesine, por gjithsesi fajin ja vene shumices muslimane qe i ben te ndihen ‘uncomfortable’ ne shtepine e tyre.

          Po te germosh me thelle te del qe ky rezultat eshte kryekeput prej politikes te Beogradit. Importimi i imameve te arsimuar ne Bosnje ka shkaktuar nje konfuzion, ku ashtu si Boshnjaku muslimani inkurajohet te ndihet musliman sunit perkunder katolikeve dhe bektashinve.

  14. Qe thua ti turk, tek ‘Nentori i Dyte’ mytesarifi turk i Durresit i thote I. Qemalit:
    -Mos kujtoni se na hoqet qafe me nje ngritje Flamuri, pas do te na keni gjithe jeten.

    Paska qene e shkruar or ti turk, qe pas do na rrini gjithe jeten.
    Ai qe mund te quhet sukses i nacional-katolicizmit sot, gjen shpjegim vetem tek kjo ndenjia juaj nga pas gjithe jeten.

    Duhet medituar thelle mbi raportet e shqiptarise me fene, po afrohen kohe te veshtira, brenda e jashte vendit, kriza ekonomike e politike, kryengritje, revolucione, luftera e pika jone me e dobet ne rang mbarekombetar eshte marredhenia e shqiptarise me fene.
    Nga pas do ju kemi gjithe jeten o turk, po ne fund te fundit e rendesishme eshte kush ka shpaten e konopin .
    Feja shpate e konop, s’ka!
    Kete ligj te vjeter s’duhet ta harrojme.

  15. Të tjerë që si Gonxhe Bojaxhiu nuk e kanë vendin atje, janë tipat nga Ibrahim Rugova deri te Adem Jashari. Natyrisht edhe hoxhallarë e priftërinj katolikë dhe serbë-ortodoks. Jashtë! Le të jenë fotot e tyre në muze apo në zyrat e bashkësive fetare. Kush të dojë le t’i mbajë në shtëpi. Ata që kanë rëndësi për historinë mund të kenë buste, permendore jashtë shesheve, siç edhe i kanë. Çka i duhet Nënë Tereza zyrave e korridoreve të Ministritive? Pse insistohet që ajo DOMOSDO të jetë atje? Kym und të tingëllojë dhe është provokim. Ibrahim Rugovën e manipuluan dhe Komunën e Prishtinës e mashtruan dhe në shekumllin XXI në Evropë ndodhi turpi më i madh: u rrënua një shkollë historike (Xhimnazin Xhevdet Doda) dhe u ngrit një kishë (katedrale) politike. Edhepse kishte njëqind hapësira të tjera ku mund të ngritej ajo. Katedralja, për ata që nuk e dijnë, u ngrit me participimin kryesor material të shqiptarëve muslimanë. Mirë kanë bërë, por fundamentalistët katolikë nesër mos të thonë se e bëmë vetë.
    Diçka këtu po sillet rreth lidhjeve të shqiptarëve muslimanë me Turqinë. Absurd. Shqiptarët muslimanë kanë luftuar Turqinë. Katolikët kanë gëzuar privilegje: nuk kanë shkuar nizam, Turku atyre nuk u ka kërkuar vergi. Kur u bë Mbret Ahmet Zogu, Marka Gjoni i Mirditës kërkoi nga ai që të trajtoheshin si “nën mbretin e parë”, domethënë katolikët të vazhdonin të gëzonin njëfarë autonomie si në kohë të Turqisë. Por Zogu me hatër e me zor i detyroi mirditorët që të ndjehen e të bëhen shqiptarë si të gjithë të tjerët.
    Kam aq memorje sa të kuptoj se deri vonë midis shqiptarëve të dy feve nuk ka pasur asnjë problem, në fakt as sot nuk ka shumë probleme, por peshkimi në të turbullt i krerëve katolikë (Lush Gjergji&Shan Zefi, fanatikë që as mesjeta nuk u gjen shokë), spektaklet qesharake të disa të konverturëve që më shpejt se sa u konvertuan u çkonvertuan, kanë goditur pabesisht por nuk kanë arritur ta prishin harmoninë ndërfetare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin