VIKTIMA TË GRAMATIKËS

Atentatori i Arizona-s Jared Loughner mund të lexohet edhe si një katalog i paranojave që kultivon dhe katalizon Interneti – po të gjykosh nga çfarë ka shkruar e ka thënë, dhe nga gjurmët që ka lënë rreth vetes.

Mes produkteve të kësaj mendjeje të sëmurë, por edhe të sëmurur nga klima e molepsur politike dhe sociale e provincës amerikane, më tërhoqi vëmendjen – natyrisht – obsesioni i tij me gramatikën.

“Qeveria po u imponon kontroll mendjesh dhe shpëlarje trush qytetarëve, duke kontrolluar gramatikën,” shkruan ai, në një video të afishuar në YouTube.

Analistët kanë vënë në dukje se, prapa këtij pohimi në dukje të marrë, fshihet premisa bazë e argumentit të teorisë së qytetarit sovran, dhe pikërisht se “qeveria përdor mjete gjuhësore në ligjet e veta për të na zhveshur [ne qytetarëve] nga të drejtat.”

Me fjalë të tjera, siç komenton Clyde Haberman në The New York Times (Subjects and Verbs as Evil Plot) qeveria e përdorka gramatikën për të kontrolluar mendjet e njerëzve.

Sipas Patricia T. O’Conner, filologe dhe autore e disa librave për gramatikën e anglishtes, ka “njerëz që besojnë se është e gabuar të përpiqesh të imponosh anglishten e duhur, sepse ky është një lloj komploti për kontrollin e mendjeve […]. T’i thuash dikujt se kryefjala duhet të pajtohet gramatikisht me kallzuesin, për shembull, do të thotë t’ia shkelësh liritë, meqë të gjithë ne kemi një të drejtë të dhënë prej Zotit, për të folur dhe për të përdorur çfarëdo fjalësh që duam… […] Mirëpo këta e shohin si një lloj komploti për të standardizuar mendjet e njerëzve dhe për t’i uniformuar të gjithë, si robotët.”

Ben Zimmer, që shkruan për The New York Times Magazine thotë: “Kur njerëzit ballafaqohen me autoritet gjuhësor të çfarëdo lloji, pavarësisht nëse ky është fjalor apo libër gramatike, ata që priren të mendojnë në mënyrë konspirative mund ta përdorin këtë si provë të ndonjë skeme themelore, ose si shenjë se dikush po e përdor gjuhën për të manipuluar mendjet e njerëzve…”

Që gjuha mund të përdoret për të riprodhuar pushtetin dhe mbajtur njerëzit nën kontroll, këtë s’ka nevojë të jesh konspiracist, që ta besosh.

Megjithatë, kalimi nga rregullat gramatikore te shqipja totalitare nuk është i drejtpërdrejtë; madje edhe po të faktorizojmë këtu standardizimin e shqipes.

Argumentet e cituara më lart më kujtuan një debat që patëm dikur në blog; kur një komentuese pat pyetur se “me ç’të drejtë dikush, qoftë edhe i veshur me pushtet, mund t’ia imponojë të përdorë fjalën qumësht në vend të fjalës tamël.”

Sikurse më kujtojnë edhe librin e Arshi Pipës, Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste, i cili i kushtohet në masë të madhe marrëdhënieve mes politikave gjuhësore totalitare dhe Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.

Më në fund, më kujtojnë edhe librin tim, Shqipja totalitare

Unë besoj se çdo akt komunikimi, nëpërmjet gjuhës, e përfshin një aspekt manipulues; folësi manipulon dëgjuesin, dhënësi marrësin, adresuesi të adresuarin.

Kur shteti (qeveria) u flet qytetarëve, njëkohësisht edhe përpiqet t’i manipulojë ata, në atë masë që i përdor thëniet e veta për të përcjellë kuptim ose informacion.

Vetë fjala “informacion” e përmban, në vetvete, nocionin e manipulimit, ose “të formuarit” (latinishtja informare duhet të ketë pasur, në krye, kuptimin “i jap formë diçkaje”).

Brenda një shteti demokratik, edhe qytetarët mund të manipulojnë pushtetin, ose qeverinë (“the Government”, siç thonë amerikanët) duke i folur. Kushtetutat demokratike i përcaktojnë edhe institucionet që do t’i shërbenin këtij dialogu të qytetarëve me qeverinë – ku, me dialog, nënkuptohet një shkëmbim ose manipulim i dyanshëm.

Prandaj vetë rreziku i manipulimit është rrezik fiktiv; jo ngaqë nuk ekziston, por ngaqë i bashkëlidhet çdo akti komunikues, privat dhe publik.

Individë të emargjinuar, si Loughner-i; ose kaktuse të shkretëtirës kulturore që kanë krijuar në Amerikë mediat, i druhen ligjërimit të pushtetit pikërisht ngaqë ndihen të emargjinuar e të përjashtuar nga cirkuitet normale të komunikimit me institucionet; ose ngaqë nuk i përgjigjen dot monologut të qendrës.

Nuk di nëse kjo mënyrë shtrimi e çështjes do të kishte vlerë, në hapësirën e debatit tonë për raportet midis standardit dhe të folmeve si raporte vertikale, ose force.

Kolegia që kërkonte të përdorte fjalën tamël në publik, pa u censuruar nga autoriteti gjuhësor – ose nga “gramatikani” mitik, manipulues dhe shpëlarës i truve – në thelb i druhej mundësisë se, po ta përdorte atë fjalë, autoriteti përkatës nuk do ta dëgjonte, ose do ta përjashtonte vetvetiu nga trajektoret e parashikuara për qytetarët e rangut të parë.

Arshi Pipa, në veprën e lartcituar, ngatërron në mënyrë masive – dhe të qëllimshme – hartën me territorin; duke e trajtuar Fjalorin e Kostallarit si vepër fund e krye parashkruese (preskriptive) e duke ia përjashtuar krejt aspektin përshkrues (deskriptiv).

Më në fund, mbeturina toksike të shqipes totalitare, të cilat i kam përshkruar, janë ende të pranishme në ligjërimin publik shqip dhe vijojnë të mbjellin viktima; jo aq duke ua manipuluar mendjet, por duke ua bllokuar aftësitë e gjykimit kritik, ose virtytin e të përgjigjurit.

Por unë nuk besoj se shteti demokratik e përdor gramatikën për të nënshtruar qytetarët; sepse shteti, me përkufizim, është i qytetarëve, dhe sepse një gramatikë e përbashkët është kusht jo vetëm për shtetin që ta përmbushë funksionin e vet, por edhe për qytetarët, që të përftohen dhe të riprodhohen si të tillë, ose si qytetarë.

Anglishtja standard, së bashku me dollarin amerikan (US$), kushtetutën dhe rrjetet televizive kombëtare, është një nga ato fare pak institucione që e ruajnë nga shpërbërja kaleidoskopin social, politik, etnik, ekonomik dhe kulturor të Shteteve të Bashkuara. Nuk është rastësi që Loughner-i, në elukubracionet e veta, u referohet autorëve që denoncojnë, në traktatet e tyre, jo vetëm gramatikën e anglishtes si mjet kontrolli të mendjeve, por edhe të këqijat e monedhës së përbashkët, taksave dhe ligjit.

Tani, sa për shqipen e njësuar…

Nuk ka komente

  1. “Unë besoj se çdo akt komunikimi, nëpërmjet gjuhës, e përfshin një aspekt manipulues; folësi manipulon dëgjuesin, dhënësi marrësin, adresuesi të adresuarin.

    Prandaj vetë rreziku i manipulimit është rrezik fiktiv; jo ngaqë nuk ekziston, por ngaqë i bashkëlidhet çdo akti komunikues, privat dhe publik.”

    Loughner kete lloj veshtrimi nuk e pati kurre, dhe ne fakt nuk mund ta kuptonte kete. Me ka rene rasti te flas per kete lloj manipulimi me njerez te ekuilibruar, te zgjuar e te kulturuar, por me formime larg gjuhesise e shkencave shoqerore, qe gjithashtu e kane te veshtire ta rrokin kete koncept.

    Ne dicka qe lexova per Loughner thuhej se nje nder ato pese libra qe ai i donte me shume ishte 1984 i Orwell-it (te ka faj?!). Besoj se aty mori idene e manipulimit gjuhesor nga qeveria, por qe nuk e pertypi dhe nuk e treti dot kurre ne trurin e vet. E beri Perendi, por ne fakt urdherat e kesaj perendie i krijoi nga mendja e vet e semure, dhe atyre u bindej.
    Kishte po kete koncept psh per matematiken, jo vec per gramatiken. Logjikimi i tij ishte ne te dy rastet mekanik dhe bazohej mbi te drejten absolute te individit per te thene gjithcka qe ishte e vetmja garanci sipas tij, qe ishte i lire nga qeveria. Psh nga klasa e matematikes doli (pasi ish thirrur policia me duket) sepse sipas tij ai ishte i lire te konsideronte, per operacionin 3+8, si pergjigje te drejte rezultatin 18. Profesoresha nuk kish te drejte ta shtrengonte qe ai te thoshte 11. (Numrat nuk ishin keto qe une permend, sidoqofte).

    E ngajshme pak me ‘tamel’, por e cuar per tej, ne absurd.

  2. Duket se gjuhesia i ben viktimat ne perputhje me relievin kulturor te vendeve. Keshtu viktimat ne rradhet tona i ofrohen gjuhesise sipas nje rendi problemesh e zhvillimesh qe shqetesojne me tipikisht e masivisht, e sipas meje, dy jane me te rendesishmet syresh: kombetarizmi e komunitarizmi. Rrjedhimisht viktimat e gjuhesise tek ne plaget i marrin e perpiqen t’i japin kryesisht mes etimologjise dhe leksikografise.

    Pulsioni drejt vjetersimit qe fisnikeron origjinat, rivendikimet revizioniste qe kerkojne te korrigjojne padrejtesite e ndryshme qe vazhdojne t’u behen ‘shqiptareve ne shekuj’, shtyn keshtu sipermarrjen masive te dekriptuesve dhe restauruesve free-lance neper rrenjet e pleksura french-kiss te gjuheve, per te dale prej andej me bindjen se atje poshte gjerat jane te qarta: Bibla, Vedat dhe Iliada, varret etruske e perendite egjiptiane lobojne dite e nate (vecanerisht naten) per sqarimin e rolit qendror te shqipes ne univers, po kush po i degjon se… Nga fronti komunitarist-leksikografik, ne anen tjeter, po ne emer te korrigjimit te padrejtesive dhe vjetersise se gjenealogjive, metohet futja ne qarkullim e sa me shume formave dialektore te mundshme, forma te cilat komunizmi i la te vdesin maleve, duke ua refuzuar pasaportizimin per qytet: me kete, ne ligjerim perdite e me shume vijne e montohen tekste qe kane nevoje per glosar shoqerues per t’u kuptuar edhe prej gjuhetareve, tekste ku arroganca imponohet deri me grafi te reja, si puna e helmetes hundore ^ me te cilen pajisen tashme disa zanore.

    Keshtu nese semundja ne Amerike vjen e shprehet rreth konspiracioneve gramatike, ne reflektim te frikerave te vjetra kunder qendres/elites se larget qe tenton te permbledhe gjithe nje kontinent ne nje dore, tek ne shfaqet me etimologjine si tentative per te provuar te drejten e vjeter mbi token e kontestuar, apo per t’u pranuar, ne mos superiore, te barabarte ne familjen e kombeve; ne anen tjeter me ‘leksikografine’ komunitariste, tentativa eshte ne riperkufizimin e kombit dhe hegjemonine mbi te.

    Keto probleme jane cekur gjeresisht e periodikisht edhe ketu ne PTF, deri ne piken sa nje nga te vetmet liri qe nuk u njihet komentatoreve ketu eshte ‘etimologjizimi’.

    ps-Kaperceva nje medyshje te vogel per te transportuar ketu nja dy linqe ilustruese, pasi besoj se nuk duhet te tallem me hallet e njerezise, po per sa kohe behet fjale per materiale te publikuara, nuk ma do mendja se po e teproj aq shume. Plus qe nuk ma do mendja se po sjell ndonje shembull te panjohur.

    http://www.calameo.com/books/000138112f934d5ebe501

    http://clirimxhunga5.blogspot.com/2010/06/si-mund-te-shpetosh-moj-elizabethe-nga_28.html

  3. Ben vaki qe me kete punen e gramatikes te kete te drejte. Si njohes i mire i anglishtes (dmth testoj te 95th percentile ne teste te standardizuara) gjithmone pyes veten si eshte e mundur qe une si i huaj tja kaloj 95% te test shkruesve?
    Une ne fakt ne gramatike anglisht jam komplet brryl. Por neperjet leximit te gazetave dhe librave te veshtire kam arritur nje fare kompetence qe me lejon te lexoj between the lines.

    Ndersa nje amerikan si Laughner nuk eshte ne gjendje te lexoje ne nivelin e 8-vjecares. Kam pershtypjen se kjo eshte jo per faj te instruktimit shkollor, as prej mosleximit si ushtrim/gjimnastike, por sepse anglishtja eshte nje gjuhe konfuze, perdoremi i te ciles dallon ‘sans culote’-in nga borgjezi.

    Anglishtja ‘gramatikore’, kam pershtypjen se le nje segment te gjere te popullates pa informacion. Ne nje program per ‘financial literacy’ ku punoj si vullnetar me ka tronditur shume fakti qe shume studente te shkollave te mesme nuk e dinin se c’ishte ‘mortgage’. E ne fakt nuk u ve faj se kjo fjale NUK ESHTE ANGLISHT! Besoj se ketu e ka fjalen Laughneri..jo te gramatika, po te vokabulari i nje gjuhe qe ka arritur deri ne 1 milion fjale e qe shperndan tym e i le njerezit ne mjergull e analfabetizem para ‘masturbacioneve intelektuale’ financiare apo te ndonje zhanri tjeter.

  4. “Unë besoj se çdo akt komunikimi, nëpërmjet gjuhës, e përfshin një aspekt manipulues; folësi manipulon dëgjuesin, dhënësi marrësin, adresuesi të adresuarin.

    Prandaj vetë rreziku i manipulimit është rrezik fiktiv; jo ngaqë nuk ekziston, por ngaqë i bashkëlidhet çdo akti komunikues, privat dhe publik.”

    Ateherë, a ndodh që atë librin “Shqipja totalitare” kot që e paske shkrojtur? Nëse secili akt komunikues përfshika aspekte manipulimi, nuk paska bërë asgjë që s’bëhet shteti shqiptar komunist? Vetë rrëzimi i diktaturës tregoi se manipulimi i tjetrit kërkon më shumë sesa parulla e fraza, pra më shumë sesa gjuhë.

    1. Me ju nuk merrem; kot që lodheni. Ju shkruani me keqdashje dhe armiqësi, kërkoni sherr. Nuk jua kam ngenë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: