BASHKËKOHËSÍ

Mbrëmë pata rast të vizitoj studiot e studentëve të MFA në Hunters College, NYC, ku ishin ekspozuar punët e tyre gjatë këtij viti.

Pata përshtypjen se kisha shkelur në laboratorë ku po eksperimentohej me kodin gjenetik të artit nesër – eksperimente që zakonisht përfundojnë pa sukses, ose (në fantashkencë) krijojnë mutantë të vuajtur.

Me gjithë disa punime që më tërhoqën vëmendjen, më duhet të pranoj se, në më të shumtën e studiove, m’u duk sikur artet vizuale po zhvendosen për t’iu afruar gjithnjë e më tepër plehrave.

Shpesh e kisha pothuajse të pamundur të dalloj midis çfarë ishte art dhe çfarë mbeturinë e procesit krijues. Një triko e lënë mbi kolltuk ishte e një vizitori; por një triko tjetër, pak më tutje, e varur në mur, ishte vepër arti.

Ky ambiguitet merrte shpesh trajta zbavitëse, përtej efekteve të synuara të ekspozitës.

Rreth gjysma e punimeve ishin piktura, në kuptimin tradicional të fjalës – ose vendosje ngjyrash dhe shenjash mbi sipërfaqe të rrethuara me kornizë.

Natyrisht unë nuk prisja të shihja aty elaborime figurative, realiste të sherbetosura – si peizazhe të Disneyland-it, puma ose portrete të Sarah Palinit me kostum gjahtari.

Megjithatë, ndoshta instinktivisht, kur shkoj në një ekspozitë veprash të artit vizual, pres që të gjej aty riprodhime imazhesh; të cilat nuk i gjeta, përveç fotografive.

Nuk jam shumë i familjarizuar me prirjet e fundit në art, as pretendoj se mund t’i kuptoj shumë nga punimet e ekspozuara pa dëgjuar shpjegimet e autorëve.

Ndërkohë, në disa prej studiove, më shumë se sa veprat vëmendjen ma tërhoqën artistet. Kishte nga këto që ekspozonin, krenarisht, tatuazhe të mrekullueshme në llërët, në qafë, në pulpat, në kyçet e duarve dhe të këmbëve.

Po çfarë paraqitnin këto tatuazhe? Lule, motive floreale, thika, kthetra, heronj të stripave vizatimorë, mace, shenja mistike, simbole egjiptiane…

Të ishin dhe ato pjesë e ekspozitës? Magari.

Për një çast m’u duk sikur i gjithë pasioni për riprodhim të imazhit, që duhet të jetë i lindur tek njeriu, kishte mërguar nga kanavacat tek lëkura e këtyre artistëve.

Figura nga më shijekeqet, barasvlera të peizazheve blu me drerë dhe hënë në qilima ose peshqirë që kemi pasë parë dikur të varura në dhomat e pritjes së provincës shqiptare…

Pa folur pastaj që disa nga këto artiste (dhe artistë, besoj) e mirëmbajnë me kujdes të admirueshëm lëkurën e tyre.

Nuk ka komente

  1. Duke qene se arti tradicional prej shume kohesh eshte mbytur prej shijes se keqe te komerçializmit, mbetet shume hapsire e pazene per sharlatanet qe paraqesin art elitar cdo hedhurine ” misterioze”. Mendoj se nje pjese e artit modern, eshte venie ne skene e perralles ” Rrobat e reja te mbretit”. Duhet guxim qe t’a jep vetem injoranca totale ose shkalla e larte e njohjes qe te deklarosh se ” mbreti eshte lakuriq”. Ne fakt kufijte e artit dhe joartit jane te paqarte. Njeriu i sotem konsumist, qe e ka artin si dekor aristokratik dhe jo si mjet kenaqesie, e ka shume te veshtire te orientohet ne kete paqartesi sepse duke qene i ndergjegjshem se gustoja personale nuk ka qendrueshmerine qe duhet per te gjykuar, i mungon orientimi qe te ndaje te bukuren nga banalja. Ne fund te fundit, kur J. Lopez eshte kengetare e mire se ka b… te bukura, pse te mos jete Piero Manzoni ( merda d’artista) skluptor i mire?!!!

  2. xhaxha, po qe se ajo shoqja e fotos eshte akoma ne vitrine, me thuaj te nisem ta shoh. Me pelqen shume arti saj. Kam vetem 11 ore rruge!

  3. Nje here nje i njohuri artist me tregonte se kish shkuar per te paraqitur nje punim te vetin ne Izrael. Ne aeroport e kishin pyetur se ku e kishte punimin dhe ai kish thene se do e bente para ekspozites. Duke kaluar rrugeve te qytetit, prane nje shtepie qe po ndertohej kerkoi nga punetoret aty nese mund te blinte nje cerek thes cimentoje dhe ashtu gjysem te shqyer sic ishte e kish paraqitur thesin e cimentos ne ekspzite… ok, ashtu si dhe ti xhaxha une nuk pretendoj te njoh trendet e fundit te artit modern dhe njohja ime mbi artet vizuale kufizohet ne ndonje lexim te rastesishem si dhe ndonje vizite muzeumesh apo galerish, vizita qe jo se jane te shpeshta po nuk e haja dot shpjegimin e artistit qe me thoshte se me ate thes cimentoje kish tranmetuar atmosferen e nje vendi qe ne gjendje ndertimi si dhe tensionin politik mbrapa ketyre ndertimeve… Artisti ne fjale eshte botuar ne disa kataloge e albume arti, ekspozita te tij jane hapur ne disa vende te botes dhe emri i ka dale dhe ne NYTimes po ashtu si per trikon ne ekspoziten e Hunters, pse eshte vendosja e thesit nga ana e tij veper arti ndersa po ta kish lene nje punetor gabimisht gjate pergatitjeve e merimetimeve te salles nje neglizhence profesionale. Po ta kisha vene une thesin, pa vitet e shkollimit si artisti ne fjale ne shkolla me emer ne artet figuriative, cfare do ishte, sa e vlefshme etj, etj…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: