Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë / Sociologji

NËNË TEREZA E SHPËRDORUAR (I)

Kremtimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës ishte rasti më i mirë për shoqërinë shqiptare për të reflektuar seriozisht rreth kësaj figure epokale të njerëzimit. Mirëpo, nismat kremtuese u shndërruan në zënka prima damash, debati u zhyt në llumin e spekulimit, qëllimet e mira ngecën në rrjetën e retorikës. Si rrjedhim, një shans i bukur historik na iku sërish nga duart.

Elitat e reja shqiptare e kanë të vështirë të çlirohen nga konjukturat, politika nuk del dot nga rrethi vicioz i konfliktit, qeveritë nuk ngrenë kokën nga tryezat e emergjencës. Porse çështjet madhore si vendi i Nënë Terezës në vetëdijen kombëtare, kërkojnë domosdoshmërisht frymëmarrje të gjerë, bashkëpunim sinergjik e vështrim largpamës drejt horizontit kulturor shqiptar.

Për të shmangur debate pretekstuoze, ndoshta duhet filluar me një pyetje të thjeshtë: “A ka nevojë shoqëria shqiptare për figurën e Nënë Terezës?”. Natyrisht, me Nënë Terezën duhen nënkuptuar vlerat e përfaqësuara e/o të simbolizuara nga kjo figurë në Shqipëri e në mbarë planetin. Mendoj pa mëdyshje se shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për çka përfaqëson murgesha e njohur, madje shtoj se pakkush i përgjigjet negativisht pyetjes së mësipërme, gjithnjë po të kemi parasysh konceptin laik të Nënë Terezës.

Pyetja mund të shtrohet edhe në mënyrë retorike, anipse përmban rrezikun e debatit spekulativ: “A ka nevojë Shqipëria aktuale për solidaritet, dashuri, mirëkuptim, përulësi, bamirësi, altruizëm, etikë, etj.?”. Natyrisht që ka, sidomos në këtë periudhë postotalitare kur thatësira e mendimit dhe e ndjenjave po e përçudnon njeriun deri në çnatyrim. Në qoftë se zhegu i egoizmit hiperkapitalist na ka tharë deri në zhuritje, në qoftë se egërsia e xhunglës sociale na ka frikësuar deri në palcë, atëherë figura si Nënë Tereza e të tjera do të na ofronin një pikë ujë për të njomur buzën e pak guxim për të dashur njëri tjetrin. Ndihma ndoshta nuk do të ishte jetike, por mungesën do t’ia ndjenim, e gjithsesi pa atë pikë ujë as oqeani nuk do të ekzistonte, sa për ta thënë duke parafrazuar fjalët e famshme të shenjtores shqiptare.

Nga kjo pikëpamje nuk ka asgjë të keqe në përpjekjen e elitave shqiptare, kush më shumë e kush më pak, për ta ngulitur figurën e Nënë Terezës në vetëdijen shqiptare. Tek e fundit, “mbjellja nga lart” e figurave dhe narrativave kombëtare nuk është risi totale; e ka bërë Shqipëria në të kaluar, e kanë bërë dhe e bëjnë vende të tjera. Përpjekje si këto, nga këndvështrimi i qëllimeve të mira që i nxisin, duhen vlerësuar pozitivisht, sidomos kur themelohen mbi baza sinqeriteti dhe përgjegjësie. Nga ana tjetër, duhet pranuar se narrativa të këtij lloji jo gjithnjë ndërtohen artificialisht në tavolinë. Me fjalë të tjera, përpjekjet e elitave mund të shihen shpeshherë si domosdoshmëri që marrin jetë pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme, edhe pse fare lehtë mund të individuohen arsyet dhe faktorët determinues.

Prania e Nënë Terezës në kulturën shqiptare bëhet imperative në çastin kur pranojmë se agjencitë që normalisht prodhojnë vlera në shoqëri kanë kohë që kanë hyrë në krizë. Pavarësisht nga rendi si i vendosim, duhet thënë se institucionet, shkolla, familja, fetë, ideologjitë, partitë, shoqatat, etj. prej kohësh enden në labirintin e tranzicionit, ndërkohë që legjitimiteti i “agjencive të vjetra” dergjet në komë të thellë që me rënien e murit. Travajet e tranzicionit dhe keqkuptimet në kapërcyell të sistemeve mund të pranohen në nivel logjik, sikurse duhet pranuar me ndershmëri intelektuale se orvatjet për t’i injektuar shoqërisë shqiptare vlera njerëzore, ose thjesht për t’ia zgjuar ato që tradicionalisht i ka në Adn-ë kulturore, janë të vyeshme për sa kohë nuk kanë prapaqëllime.

Në këtë prizëm nuk ka pse të mos vlerësohen veprimtaritë e Fondacionit “Nënë Tereza”, aktivizmi i institucioneve shqiptare gjatë festave të 100 vjetorit të lindjes, nismat e ndryshme kulturore, botimet për jetën e saj, shkrimet në shtyp, e kështu me radhë. Po në këtë prizëm, mund të justifikohet debati fillestar i paradisaviteve lidhur me origjinën e Nënë Terezës, sepse kombëtarizimi i një figure të tillë kërkon para së gjithash dokumente formalisht në rregull, edhe pse prejardhja e një shenjtori jo gjithnjë përbën conditio sine qua non për devotshmërinë apo adhurimin e tij nga ana e popujve të ndryshëm. Ka popuj që ngrenë kulte shenjtorësh vetëm se janë prekur tangencialisht nga tunika e tij. Mirëpo, duhet shënuar se debati për Nënë Terezën shqiptare, maqedonase, indiane, kozmopolite, etj. u gozhdua fillimisht në nivel infantil, e më pas në nivel pervers, sepse dashakeqës, siç do e shpjegojmë më tej.

Përdorimi i Nënë Terezës nuk duhet anatemuar in toto, por duhet parë në ç’mënyrë dhe përse është përdorur në Shqipëri. Që përdorimi (term i shëmtuar por i detyrueshëm të paktën për studiuesit) nuk është automatikisht negativ, e tregon edhe vetë jeta e Nënë Terezës. Dëshmitarë të ndryshëm kanë pohuar, por mund të dallohet qartë edhe nga veprimtaria e saj, se ajo e dinte fare mirë që të plotfuqishmit e të kamurit e botës bënin radhë për një fotografi me të. Pra e dinte fare mirë se fotografia implikonte një farë përdorimi të imazhit të saj, pasi kishte vlera të tjera për politikanin, princin, mbretin, fetarin, etj. Në një emision televiziv italian Nënë Tereza citohet të ketë thënë “se nuk më interesojnë shumë nga vinë paratë, sepse e di fare mirë ku shkojnë”, çka dëfton edhe një herë se ajo ishte mëse e vetëdijshme për përdorimin e imazhit të saj; ndoshta e vuante atë, ndoshta as që e vinte re për interesa madhore. Në sytë e vdekatarëve të thjeshtë fjalët e mësipërme mund të tingëllojnë të diskutueshme, sikurse na u duk ne shqiptarëve të post-murit takimi me Nexhmije Hoxhën në fund të viteve tetëdhjetë, por në mendjen e personaliteteve gjigante ato fjalë kanë valencë tjetër.

Meqenëse Nënë Tereza vinte shenjën e barazimit midis të varfërve të të gjithë globit, e meqenëse mund të jetonte njëlloj si në lagjet e varfra të Kalkutës, ashtu edhe në ato të Tiranës, apo të Shkupit, atëherë duhet supozuar se pyetjet për pasaportën ajo duhet t‘i merrte me shpirt të pastër, pa prapavijën utilitariste të kombëtaristëve gjithfarëlloj e gjithsesi pa synimin përjashtues të identitetit etnik. Pa llogaritur mjedisin multietnik të Ballkanit otoman, ku ajo lindi, u rrit dhe u edukua. Kjo nuk do të thotë se nuk i dallonte orvatjet fshatarake prej shushunje, për t’i akaparuar pak identitet pozitiv, ndonjëherë thjesht për valëvitje egoiste; por zor se harxhonte kohë me këto çikërrima provincialësh, përveç lutjeve për t’i mëshiruar si meskinitete të falshme njerëzore. Sytë e saj shikonin shumë larg, atje ku muret ndarëse e siluetat e njerëzve zbehen e ndërthuren, për t’u bërë njësh me dashurinë për Njeriun e Hyjin.

Edhe anekdota që jepet në librin e Gëzim Alpionit, sipas së cilës Nënë Tereza, gjatë një prej vizitave të saj në Shkup, kishte refuzuar të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes insistuese nëse ishte shqiptare, maqedonase, vllahe, serbe, apo e ndonjë kombësie tjetër, duhet lexuar si xhest bujarie nga një shenjtore që dëshiron më shumë të përdoret në emër të Zotit, se sa të përdoret në emër të interesave të ngushta. Madje edhe vetë përgjigja në fund: “Unë jam qytetare e Shkupit, qytetit ku kam lindur. Por i përkas botës” duhet kuptuar si dhuratë që ajo i bënte bashkëqytetarëve të kryeqytetit maqedonas, njëlloj siç do t’ia bënte me dashuri çdo qyteti ku kishte shkelur gjatë jetës së saj.

(vijon)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin