DOKUMENTIMI

Ron Mueck Sleeping HeadPër Abedin B. flitej se ishte një nga të paktët e të rrallët që e dinin të vërtetën rreth masakrës së Gjikopullit, gjatë Luftës II, kur një karvan refugjatësh çamë u sulmuan nga partizanët grekë sipas burimeve tona zyrtare; nga forcat e Frontit, sipas burimeve të Mërgatës.

Gojët e liga shtyheshin edhe më – forcat e Frontit paskëshin lëvizur drejt Gjikopullit me urdhër të vetë Diktatorit, meqë sipas të dhënave të shërbimit informativ të EAM-it, ishte fjala për një batalion trupash të parregullta e të armatosura nga nazistët, që po kuturiseshin këtej kufirit për t’u kallur zjarrin fshatrave të minoritetit.

Ishin kohë të tjera, kur vriste vëllai-vëllanë, përgjigjeshin më të urtët, që nuk dëshironin ta ngitnin më këtë mesele, sa kohë që plagët e masakrës mbeteshin të hapura, nënat rrobat e zeza s’i kishin hequr, të vrarëve varret nuk u ishin gjendur; edhe pse, të rrije shtrembër e të flisje drejt, njeri nuk kish gërmuar.

Të shkuara e të harruara, siç thoshin të vjetrit.

Vetë Abedin B. kishte mbajtur qëndrim të mirë, madje edhe kishte dëshmuar në gjyqin madhështor kundër admiralit Sheme Tejko, i akuzuar si agjent i sovjetikëve, amerikanëve, anglezëve, grekëve dhe jugosllavëve. Me largpamësinë e vet karakteristike, Diktatori ishte kujdesur ta mbante pranë, aq sa nuk kish harruar as ta ftonte në dasmën e së bijës së vetme, me inxhinierin e njohur minoritar Stavro D.

Mirëpo kur çamit legjendar iu kthye prapë kanceri në pankreas, dhe mjekët nuk i dhanë më shumë se dy-tre javë jetë, u tha se në qarqet më të larta të Partisë dhe të pushtetit, duke përfshirë edhe Këshillin e Shtetit, ishte përsiatur frika semos Abedini, tashmë në shtratin e vdekjes, nxirrte ndonjë gjë në prani personash të paautorizuar për të mësuar sekrete të shtetit.

Diktatorit i shkonin çdo mëngjes raportet për çamë të panumërt që hynin e dilnin në vilën e ish-komandantit partizan, shokut të armëve të kaq e kaq dëshmorëve që kishin dhënë jetën për liri; kushërinj e të afërm, miq e dashamirë, njerëz që Abedini kish ndihmuar për të bërë përpara në jetë, madje edhe të tjerë që Abedini i kish shpërfillur, me dëshirë ose i detyruar nga rrethanat, por që shpresonin për një fjalë të mirë tani që heroit të tyre i kishte ardhur fundi.

Big Man (Ron Mueck)

Big Man (Ron Mueck)

Për më tepër, Abedini dinte shumë jo vetëm për çështjen tabu të Gjikopullit, por edhe për shumë çështje të tjera të sqaruara prej kohësh e të shpjeguara të zezë mbi të bardhë, në dokumentet zyrtare: marrëveshjen e Kumjes, vdekjen nga një dhimbje fyti të Mustafa Markut, vrasjen me plumb pas shpine të Xhemal Xhafës, pushkatimin e Semiha Shamkut nga gjyqi partizan, operacionin “Kanavaca”. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Sekretariatit të Këshillit të Shtetit, Diktatori vërejti se nuk duhej lejuar që fjalët e fundit të Abedinit, të shqiptuara në rrethana të rënduara prej sëmundjes dhe moshës së thyer, të binin në vesh të armikut.

Ashtu, me urdhër të ministrit të Brendshëm Jakup M., ekipi teknik i Drejtorisë së Përgjimeve instaloi, në dhomën ku dergjej udhëheqësi Abedin B., mikrofonë dhe kamera të lidhura me një sistem me qark të mbyllur, në mënyrë të tillë që i sëmuri të mbahej 24 orë nën vëzhgimin e mjekëve më të mirë të republikës. Asgjë nuk duhet t’i mungojë këtij biri të Çamërisë martire, sepse edhe ai asgjë nuk kurseu për Kauzën, u tha të kishte thënë ministri i Shëndetësisë, në një takim me infermieret pararojë të Shtëpisë së Lindjes në Kallarat.

Nëse kuptoi gjë Abedini për këto zhvillime të reja rreth tij, kjo nuk u mor vesh kurrë; i shtrirë në krevatin kryesor të vilës së vet, i rrethuar nga gjithfarë burrash të vjetër që pinin duhan, kafe e raki dhe i qanin hallet, me mjekët që tashmë e prisnin me sot me nesër të jepte shpirt, dëshmitari i fundit i masakrës së Gjikopullit i kalonte ditët duke u munduar t’ua kapte fillin ca mendimeve këmbëngulëse, por pa lidhje.

Të dislokuar në bodrumet e vilës, përgjuesit në sistemin me qark të mbyllur raportonin qetësi.

Pastaj një mëngjes, kur askush nuk e priste me përjashtim të aparaturave, Abedini hapi sytë dhe pikasi menjëherë objektivin ngjyrë vjollcë të kameras që i rrinte shtuara përballë, pastaj ngriti me ngadalë dorën për të prekur flokët e palarë e të kërleshur dhe kërkoi një krehër, për të dalë i bukur në TV; por nuk e llogariti mirë lëvizjen, pëllëmba i përfundoi mbi mjekrën e ashpër drizë dhe bëri të kërkojë briskun për t’u rruar dhe pasqyrën fushore; por zëri i doli i ngjirur së bashku me frymën e vjetër nga thellësitë, prandaj i vajti mendja për një sheqerkë me mente nga ato gjashtë lekëshet, që ngjanin si aspirina; por shpirti i lodhur nuk ia përballoi dot gjithë këto kërkesa njëherësh dhe ia preu hovin e të jetuarit sakaq.

4 Komente

  1. Por , nëse që gjithë të pranishmit që ishin në dhomë në atë moment, madje dhe leshkot që kishin kaluar ditë e net të tëra në bodrumin e shtëpisë së tij, këtë akt të fundit e morën si lamtumirën e tij të fundit ndaj kësaj bote, Diktatori, kur pa regjistrimet e sjella me korrierin ekspres, fërkoi mjekrën dhe me një buzëqeshje që i ndriu fytyrën ju drejtua Hysni Mahmudit: “Dua që ti bënet një varrim që të mbanet mënt… ajo që ai ma mbajti sektet gjithë jetën, ma dha në çastin e fundit të jetës së tija”

    ***
    Diktatorit i erdhi ndërmend ajo natë me shi, kur në prani të Abedin B. pati takuar dhe pati bërë pazar me një grek të hijshëm e mustaqelli… i kishte dhënë disa ikona të një kishe, që kishte marrë pasi një natë më parë kishin kaluar natën, për pistoletën me mulli që aq e kishte për zemër dhe që aq i pëlqente të krenohej me bukurinë e saj.
    Shumë kohë më pas, jo dhe aq nga frika se mos Abedini guxonte të bënte fjalë me njeri për atë ç’ka ndodhi atë natë, por më tepër për të ditur diçka më tepër për grekun mjekrrosh, ja kishte përmendur, ashtu si padashje, atë muhabet Abedinit.
    Abedini si burrë i urtë dhe i zgjuar, megjithëse kishte nuhatur interesimin që Diktatori kishte për grekun si njeri me të cilin mund të kishte “pazare të nderçme”, nuk guxoi që të jepte informacione më tepër se çdo të mund ta çonin të nxirrte krom gjëkundi, ndaj ishte mjaftuar duke i thënë:“kam dëgjuar se është bërë i math në qeverrinë e tire”, po më tepër s’di gjë
    Duke mos dashur të komprometonte apo ta prishte atë sekret të vockël, Diktatori, si njeri që dinte të priste, priti… dhe më në fund, ajo ç’ka donte i erdhi.
    Qeshi me vehte duke “përkthyer” edhe një herë shenjat që i kishte dërguar Abedini; atë që të tjerët kishin marrë si lëvizje të dorës drejt flokëve, vetëm diktatori kishte arritur ta “përkthente ashtu siç duhej, ishte shenja e nderimit ndaj ushtarakëve… dora tek mjekra ishte shenja e dytë që i tregonte se e kishte llafin tek “mjekroshi” dhe ajo që ishte më e rëndësishme, ishte kërkesa e tij për krëhërin…

    Dy javë më pas, Diktatori bëri vizitën e tij të famshme në Ksamil… të famshme për fjalën e tij:“T’i qepemi maleve dhe t’i bëjmë turistike si dhe fushat” .
    Ndërsa të gjithë proletarët e botës mbarë duartrokisnin këto fjalë të tij, vetëm disa kilometra më larg, në brigjet e Korfuzit, ministri i mbrojtjes grek, Musatos Htena, kishte hedhur grepat dhe gjuante peshk nga barka e tij…
    ***
    Disa javë më vonë, ndërkohë që gjerbte kafenë në studion e tij të madhe, megjithëse e priste, bëri sikur u habit kur pa Hysninë që vinte jashtë orarit për t’i bërë raportin:“Nga agjenti inë në Itali, mësojmë se qeveria Italiane ka derdhur për llogari të qeverisë tonë disa milionë lireta për shërbimin që i ka bërë shërbimi ynë informativ për denoncimin e kontrabandës së cigareve.
    Priti që Hysniu të dilte për të mos e fshehur më buzëqeshjen… tashmë Italianët që ndiqnin kontrabandën e cigareve nuk kishin nuhatur akoma tregtinë e armëve…

  2. Edrus, ndryshimi midis “Dokumentimit” të së djeshmes nga Gjerazi dhe “Dokumentimit” të së tashmes prej teje, ndonëse me të njëjtën metodë, është pothuajse i barabartë më ndryshimin midis tragjedisë së Shakespeare-it dhe tragjedive të vockla që regjistrohen tek programi “Big Brother” në TV. Dhe kjo sepse sharmi i diktatorit tëdjeshëm as nuk krahasohet më atë të çfarëdolloj diktatoruci të sotëm. Ikonat, mielli, kontrabanda e gjithfarë krimesh të vockla që bëhën për pare as mund të krahasohen me pushtetin absolut që i ndryshonte jetët e mijëra dhe miliona njërzve me një të rënë të lapsit. That’s why I miss him so much.

    1. Ku e pe që po flisja për të tashmen (dhe aq më tepër që po bëja “tragjedi” apo “dokumentime”)?!

      Pëveç paradokseve të asaj kohe, që Max i sjell aq bukur me stilin e tij, mos më thuaj se në faktet e përçuara në “dokumentimin” e Maksit ke gjetur të vërteta historike… madje, për sa paradoksale që të duket, nga shkrimi del që kanë qënë më tepër njerëz që i shërbenin Diktatorit se sa ata që ishin të përndjekurit…dhe, nëse kanë qënë shumë që i shërbenin, do të thotë që nëse disa miliona (!!!) fate banorësh mund të shkatërroheshin me një të rënë të lapsit, atëhere do të ishin shumë herë më të shumtë ata (që i shërbenin) që jetonin me punën e tyre (të qelbur apo të ndershme, varet nga këndvështrimi 😉 )

      1. Edrus, sado të përpiqesh nuk do mundesh dot kurrë t’ia zvogëlosh shtatin figurës së tij në sytë e mi. Nëse për shumë ai ishte i thjeshti dhe i dhimsuri njëherësh, për mua ishte mbi të gjitha i Madhërishmi dhe Fuqiploti.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: