OBSESIONI

 

Udhëtuam nga Elbasani në Tiranë me një mikun tonë të vjetër, profesorin e kitarës Pandi B., i cili shkonte t’i bënte një vizitë të motrës Vasilika, e cila prej kohësh jetonte në kryeqytet.

Vetëm pak javë më parë kish vdekur Diktatori; ende gjeje në parqet, lulishtet dhe anët e rrugëve altaret e vogla, të spërkatura me simbole naive, që populli ia kish ngritur prijësit të vet, shprehje e vetvetishme për një humbje pothuajse metafizike: tulla të pjerrëta, gastare të vogla të ngjyrosura, lule, flamuj, yje prej llamarine të hollë, kurora, shkronja të dëmtuara nga shiu.

Pandi B. na tregoi për të motrën, grua që e njihnim si mësuese frëngjishteje në një nga gjimnazet më të vjetra të Tiranës; hijerëndë dhe e pamartuar, me flokë të bardha si furçë, këpucë të sheshta dhe zë të gërvishtur nga duhani.

Ditën që ishte marrë vesh për vdekjen madhore, Vasilika kishte qarë një herë me vete, pastaj përsëri me koleget në sallë të mësuesve, dhe një herë të tretë me nxënësit e vet në klasë; edhe shumë lot akoma i mbeteshin për të derdhur, sepse jeta nuk i kishte ecur mirë, që në të ri.

Megjithatë, na tregonte Pandi B., tek qante me dënesë, i kishte hipur edhe një lemerí e ngjethët, se mos bënte ndonjë veprim të pakontrolluar gjatë zisë publike për Diktatorin; ndonjë gjest të pakujdesshëm, ndonjë fjalë të lëshuar në ajër e të kapur nga veshët vigjilentë të tjetrit, ndonjë nënkuptim ose aluzion të patolerueshëm. Çka e tmerronte veçanërisht, ishte frika se mos, në ceremoninë e varrimit ku shkolla e saj ishte programuar të merrte pjesë, i shpëtonte ndonjë e qeshur.

Në Tiranë tregohej historia e tri vajzave të gjimnazit “Qemal Stafa”, të cilat në vitin e largët 1953 kishin qeshur në ceremoninë mortore kushtuar udhëheqësit të popujve, Josif Visarionoviç Stalinit; edhe pse teknikisht, e qeshura e tyre kish pasur të bënte më tepër me rënien në gjunjë të masave punonjëse në sheshin “Skënderbej”, në momentin e betimit.

Thuhej se ato tri vajza ishin përjashtuar nga shkolla, organizata e rinisë, organizata e Frontit Demokratik, rrethi i radio-amatorizmit, shoqata e miqësisë shqiptaro-sovjetike; thuhej edhe se për shkak të asaj të qeshure, asnjë prej tyre nuk kishte marrë bursë për të shkuar me studime në vendin e madh të Leninit dhe të Stalinit; thuhej se atë gafë të atëhershme nuk e kishin shlyer dot kurrë nga dosjet dhe sidomos opinioni i qytetarëve për to.  

Vasilika B. u druhej pasojave shumë më të rënda; sepse ndryshe nga ato tri vajza që nuk i njihte kush, ajo vetë kishte bërë emër në Tiranë si qytetare dhe mësuese, e vetëdijshme për rolin e vet dhe detyrimet që kishte ndaj të tjerëve, veçanërisht nxënësve të vet. Ideja që, në një moment çmendurie, mund t’ia plaste së qeshurës pikërisht përballë Diktatorit të vdekur, dhe ashtu të filmohej nga kamerat e të fiksohej në sytë e qortueshëm të mbarë kombit, ia zinte frymën duke iu shtrënguar rreth fytit si lak.

Vëllai, që kish mbërritur edhe ai në Tiranë për të marrë pjesë në funeralin kombëtar, e kish pyetur se çfarë e shqetësonte; Vasilika në fillim i ishte shmangur ballafaqimit, duke u hequr sikur e shqetësonte pikërisht vdekja e Atij; por më pas ishte dorëzuar dhe i kish rrëfyer Pandit për frikën e vet obsesive, përfytyrimin e vetes të dalë mendsh, duke qeshur me të madhe, me cërka pështyme, përballë një shteti të tërë të varur në gjysmë shtize.

Tek i thoshte ato fjalë, bëhej dyllë e verdhë, madje fillonte të dridhej si purtekë, meqë asaj vetë të parës i vinte ndot nga imazhi që i përhihej në sytë e mendjes.

Kishte përmendur edhe shembuj incidentesh në varrime vdekëtarësh çfarëdo, kur të afërm të shkatërruar shpirtërisht nga dhimbja nuk i kishin përmbajtur dot kukurisjet paroksistike, madje gajasjet me zë të lartë, në ceremonitë në varrezat, buzë gropës së porsahapur, me tufat me lule ende në duar.

Pandi B. më kot ish rropatur ta ngushëllonte, duke i thënë se, edhe sikur larg qoftë t’i shpërthente ndonjë e qeshur, Partia do ta kuptonte se ky reaksion i vinte nga nervat e shkatërruar jo nga urrejtja për regjimin; meqë askush nuk ia vinte në dyshim integritetin, as dinjitetin në publik. Por shpjegime të tilla vetëm sa ia rëndonin gjendjen shpirtërore Vasilikës, e cila tashmë i kalonte orët duke u lëvjerrur nga kafetë e forta te tabletat e valiumit, në pritje të katastrofës që po i afrohej e kundër së cilës nuk bënte dot asgjë.

Pandi B., por edhe një shoqe e saj e zemrës që kishte ardhur t’i gjendej pranë në ato momente – njëfarë Uraní L. – i kishin thënë, edhe një herë, se ashtu e kapluar nga ankthi siç ishte, nuk do të qeshte dot edhe sikur t’i shfaqnin ndonjë film të Chaplin-it ose ndonjë numër estrade me aktoren e saj të preferuar Melpomeni Çobani; dhe se pamja e saj e drobitur ishte e tillë që, edhe sikur të fillonte të qeshte, të gjithë do të kujtonin se po fillonte të qante; se frikëra të tilla janë të zakonshme, por nuk realizohen kurrë; se psikologët thonë se të qeshurit dhe të qarët janë si vëllai me motrën; madje i treguan edhe për një grua në lagje që, pasi kish rritur një bark fëmijë, i ishte rrëfyer të shoqit se, gjatë tërë atyre viteve, kishte luftuar ditë e natë me dëshirën që i vinte, për t’i mbytur foshnjet me duart e veta kur ia thithnin gjirin.

Asnjë nga këto arsyetime nuk kish mjaftuar; ditën e varrimit Vasilika ishte paraqitur në shkollë e veshur me rrobet më të mira dhe e gatshme për t’u ekzekutuar në katafalkun e turpit; gojëkyçur dhe e fokusuar; e me fytyrën që i kishte marrë ngjyrë të gjelbër; por fati i kishte buzëqeshur e i kishte rënë të fikët kur po priste në këmbë, së bashku me kolektivin e shkollës dhe kolonat pëshpëritëse të nxënësve, për t’iu afruar sheshit “Skënderbej”. Për shkak të turmave, por edhe masave të jashtëzakonshme të sigurimit, kish qenë e vështirë për auto-ambulancën që t’i afrohej vendit të incidentit, aq sa koleget kishin kujtuar se po iu ikte për duarsh – por nuk kishte vdekur, vetëm dy gishtat e dorës i ishin djegur nga cigarja, që kish qenë duke pirë kur kish humbur ndjenjat, e që nuk ishin kujtuar t’ia hiqnin që andej menjëherë.

Pandi B. na tregoi se në shtëpi i kishin gjetur pastaj një letër, të shkruar me dorë të dridhur natën ndaj të gdhirë, ku kërkonte të falur për të qeshurën skandaloze dhe pranonte se e meritonte dënimin më të rëndë që do t’i jepnin populli dhe Partia.

E sistemuar në një dhomë treshe të spitalit no. 1 dhe e injektuar me qetësues të fuqishëm, e kishte kaluar ditën në gjumë të thellë e ripërtëritës, larg rrezikut të varrimeve dhe krizave histerike; por sidomos larg mundimit të vet marramendës.

Vasilika ka ardhur gjithnjë pak e sertë, por që atëherë sikur ka harruar ta vërë buzën në gaz, na tha Pandi B., kur i zbritëm autobuzit te sheshi afër ndërtesës së Akademisë së Shkencave, natën me shi. 

2 Komente

  1. kush nuk e ka jetuar ate kohe ka te “drejte” te tallet,prandaj eshte kaq i gjate trnzicioni yne,komplimenta!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin