Pas një bisede të ngrohtë e të përzemërt të veteranit Loni K. me kolektivin e Institutit të Kullotave, në kuadrin e veprimtarive për të kremtuar 25-vjetorin e Çlirimit, një nga të pranishmit, punonjësja e re shkencore Diamanta F., iu lut veteranit të kallzonte diçka më tepër për zjarret partizane; dhe kur ky iu përgjigj se nuk po e kuptonte mirë pyetjen, i shpjegoi më tej se dëshironte të dinte se si i ndiznin këto zjarre, ku i ndiznin, ku i gjenin drutë dhe shkarpat, si mblidheshin rreth tyre, si uleshin pranë njëri-tjetrit, çfarë historish tregonin, çfarë këngësh këndonin, çfarë miqësish farkëtonin dhe ndonjë hollësi tjetër domethënëse.
Loni K., i cili kishte qenë me Brigadën IV që me themelimin e saj dhe më pas kishte marrë pjesë aktivisht në një numër betejash që studioheshin në Akademitë Ushtarake jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve fqinje, u vrenjt pak në fytyrë dhe pastaj i tha punonjëses Diamanta F. se partizanët vërtet ndiznin ndonjëherë zjarre për t’u ngrohur ose për të tharë rrobet e trupit kur i kapte ndonjë rrebesh në mal, por Lufta Nacional-Çlirimtare nuk duhej përfytyruar si piknik ose ekskursion me shokët dhe shoqet e klasës në pyll.
Po atëherë pse flitej në romane dhe tregime për zjarret e partizanëve, pse i ndiznin këto zjarre në filmat artistikë të Kinostudios ose në filma televizivë, pse i paraqitnin në kompozime të pikturës, kundërshtoi Diamanta F.; a nuk shërbente biseda rreth zjarrit edhe si moment për t’u shplodhur, pas një dite të lodhshme në kacafytje me armikun?
Loni K., i cili si ujk betejash të vjetra që ishte, nuk kishte harruar të manovronte përballë një armiku superior në numër dhe në teknikë luftarake, u përgjigj se shpesh partizanët e kishin të pamundur të ndiznin zjarre bubulake edhe sikur të donin, meqë ashtu do t’i diktonte armiku; se zjarret ditën lëshonin tym, ndërsa natën dritë; dhe të dy herët do t’i kishin dekonspiruar menjëherë vendet ku fshiheshin forcat tona në mal.
Këtu përfundoi edhe biseda me veteranin Loni K., një pjesë e pyetjeve të Diamanta F. mbetën detyrimisht pa përgjigje sikurse një pjesë e përgjigjeve të veteranit u lanë njerëzve një shije të keqe në gojë, dhe me kalimin e kohës kolektivi i Institutit të Kullotave erdhi duke e kristalizuar përshtypjen se ky farë veterani Loni K. që u kishte dërguar Komiteti i Partisë i Rajonit ndoshta nuk e kishte përjetuar Luftën Nacional-Çlirimtare me po aq intensitet sa të tjerët, të vërtetët; të përjetësuarit në librat, filmat dhe veprat e arteve figurative; ose ndoshta fajin e kishte mosha e shtyrë dhe pleqëria, e cila e dëmton kujtesën më keq se ç’dëmton dielli një foto të mbetur prej vitesh në vetrinë.
“I kishim shtepite pa cati, por me kashte. Po ku i vinit antenat?” tha Pellumb Kulla, ne dialogun gjyshi me nipin ne estrade.
Thjeshtesia e te menduarit, tregues te kuptuari, ne shkrimet e Gjerazit.
Per analogji do merrja nje konstatim te thjeshte; ‘Sa i vogel eshte vendi yne (Shqiperia)’ Shkon per vizite nga qyteti ne fshat. Nga shume ndertime-ne shume natyre. Nga shume natyre-shume vete. Nga shume vete-shume bote. Bote nga ajo e thjeshta pa fund kuptimesh dhe menduari.