MUTANTE POLITIKE

Rrëfejnë sot gazetat për një përplasje të re midis dy kryekrerëve të politikës shqiptare: Berishës dhe Ramës. Duke folur në parlament për të ashtuquajturin “Ligj të spiunëve”, Berisha ka sulmuar Ramën si pinjoll të një familjeje të lidhur ngushtë me regjimin komunist, meqë i jati Kristaq Rama ka qenë anëtar i KQ të PPSH dhe skulptor i njohur i realizmit socialist madje i Enverit vetë; ndërsa e jëma mbesë e Spiro Kolekës, një nga fytyrat më të njohura në oborrin politik të Enver Hoxhës.

Natyrisht, në një mjedis që kërkon të jetë liberal, demokratik dhe i respektueshëm ndaj të drejtave të njeriut, ky lloj sulmi nuk ka kurrfarë baze as etike as tjetërlloj; sepse bazat i ka në etikën totalitare të konfliktit, ku njerëzit përkufizoheshin dhe dënoheshin rëndom sipas lidhjeve të tyre familjare. Këtë e vëren mirë Ardian Klosi sot te “Shekulli”, në një artikull me titullin “Sippenhaftung”, një fjalë e gjermanishtes që do të thotë “përgjegjësi e personit për shkak të fisit”.

Parimin e neveritshëm të persekutimit të individualëve madje të familjeve të tëra për shkak të fajeve ose “krimeve” të një pjesëtari të tyre regjimi i Enver Hoxhës vërtet mund ta ketë huazuar nga praktikat staliniste të viteve 1930, por zbatimi i këtij parimi në Shqipëri u mbështet natyrshëm në traditat tribale të shoqërisë shqiptare. Në thelb, prapa figurave kryesore të Partisë dhe të Shtetit Totalitar qëndronin klane të shtresuara sipas lidhjeve të gjakut dhe të fisit, të cilat ngriheshin dhe uleshin së bashku me pleqtë që i përfaqësonin në dhomën e oxhakut. Kjo nuk ka shumë lidhje me stalinizmin, as me totalitarizmin; por ka të bëjë më tepër me prapambetjen e shoqërisë shqiptare.

Për fat të keq, kreu i PD-së dhe kryeministri i sotëm shqiptar nuk duket të jetë çliruar ende as nga automatizmat totalitare të trajtimit të njerëzve sipas “biografisë”, as nga reflekset tribale të leximit të raporteve midis individit dhe familjes së vet, ose klanit. Nuk ka pikë dyshimi se Edi Rama nuk ka pikë përgjegjësie për bëmat e të jatit, e aq më pak të xhaxhait të së jëmës; njëlloj sikurse nuk ka pikë dyshimi se Edi Rama ka përfituar sado tërthorazi nga përkatësia e tij në një familje të afërt me pushtetin komunist.

Por a mjaftojnë këto përfitime reale ose të supozuara për ta vënë përpara ndonjë përgjegjësie çfarëdo kreun e sotëm të opozitës shqiptare?

Jo nuk mjaftojnë; madje janë të pakrahasueshme me përfitimet që ka pasur Sali Berisha si komunist, sekretar i një organizate bazë të Partisë dhe mjek i afërt dhe i besuar i oborrit të Hoxhës.

Edi Rama iu përgjigj këtyre akuzave në një konferencë për shtyp, dhe një diatribe që u botua, ndër të tjera, tek “Shekulli” i sotëm.

Thotë atje Rama:

Nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime, as nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e njeriut që sot fatkeqësisht qeveris Shqipërinë.

[…]

Unë jam këtu, sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri. Unë jam këtu, sepse nuk jam as i pari dhe as i fundit që duhet të qetësojë prindin e fëmijën, pas dhunimit të familjes nga ky njeri.

[…]

Unë jam këtu për t’i thënë Sali Berishës se, si djali i një nëne, duhet të të vijë një herë turp, si burri i një gruaje, duhet të të vijë dy herë turp, si babai i dy fëmijëve duhet, të të vijë dhjetë herë turp, si gjyshi i nipave e mbesave të tua, duhet të të vijë njëqind herë turp dhe, si Kryeministri i të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që të shohin e dëgjojnë kur dhunon traditën familjare e kodin etik të tyre, duhet të të vijë njëmijë herë turp.

Vallë nuk ju duket edhe juve se, me këtë retorikë që ka zgjedhur për t’u mbrojtur e për të kundërsulmuar, Edi Rama duket sikur, në thelb, e legjitimon njëfarësoj konceptimin patriarkal të shoqërisë shqiptare? Kreu i së majtës shqiptare flet me këmbëngulje për “familje që i preket”, “dhunim të familjes”, “traditë familjare”… në një kohë që normalisht duhej t’i kish treguar Berishës vendin, duke i thënë se metoda tribale dhe staliniste si ato që përdor akuzuesi i tij për të diskredituar kundërshtarët nuk meritojnë përgjigje; dhe se Berisha po i shtie me armë që ia ka vjedhur muzeut.

Po sot, “Panorama” boton një artikull të Redi Gjuzit, ku ndër të tjera lexoj se:

Një ditë më parë, një gazetë e pozicionuar qartë djathtas, botoi një dokument të firmosur nga Kristaq Rama, babai në atë kohë i Edvin Ramës. Në këtë dokument, anëtari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Partisë së Punës, bashkë me pak deputetë të tjerë, kishin firmosur ekzekutimin e një të riu. Firma datonte në vitin 1988, vetëm pak kohë para rënies së komunizmit me arsyetimin e qartë politik: “Armik i betuar i pushtetit popullor”. Mbi firmën për ekzekutimin e tij ishte edhe kërkesa e prindërve, ku kërkohej falja e jetës. Firmëtarët vendosën të kundërtën, vdekje. Në rast se ky dokument është i vërtetë, atëherë Edi Rama nuk ka asnjë moral të kërkojë sot qetësi për familjen e tij. Nuk ka fjalë që ta qetësojnë nënën e djalit, babai i të cilit ka qenë një firmëtar vdekjeje.

Si t’i përgjigjesh kësaj akuze?

Është vetëm njerëzore të trishtohesh ose të zemërohesh kur të përgojojnë familjen në publik, prandaj reagimi i Ramës ndaj provokimeve të Berishës ndoshta përligjet nga ana emocionale; por Rama identifikohet kaq shumë me familjen e vet, saqë kjo ia shton vulnerabilitetin ndaj akuzave të demagogëve, meqë këta shpresojnë pikërisht që ta polarizojnë situatën, duke e mbajtur të gjallë një konflikt i cili tashmë duhej të ishte zgjidhur disi.

Nga njëra anë, lideri të partisë në pushtet sillet me papërgjegjshmëri të plotë ndaj kreut të opozitës, duke i përgojuar familjen. Nga ana tjetër kreu i opozitës e organizon mbrojtjen e vet publike rreth vlerave dhe traditave familjare, edhe pse këto, në rrethanat konkrete, nuk mund t’i shërbejnë asnjë lloj mbrojtjeje – sa kohë që familja e Ramës ka qenë totalisht e ekspozuar ndaj regjimit totalitar, nga të dy krahët.

E gjithë kjo, teksa shoqëria shqiptare ende nuk po arrin dot të vendosë se ç’të bëjë me të kaluarën e vet sekrete, ose me të gjithë ata që janë përlyer në mënyra të ndryshme me regjimin e vjetër por që mbeten ende figura publike.

Si ta shpjegosh këtë situatë?

Pse vallë nuk u ngrit kreu i socialistëve të thoshte që nuk i ka zgjedhur vetë as prindët, as kushërinjtë; dhe mban përgjegjësi vetëm për veprimet e veta, jo ato të fisit të vet? Se u është mirënjohës prindërve që e kanë rritur me kujdes dhe dashuri, pa i kursyer asgjë; por kjo nuk do të thotë se ua përligj atyre bindjet dhe veprimet politike? Pse i mëshon Edi Rama nocionit të paprekshmërisë së familjes në deklaratat e veta, edhe pse kjo, logjikisht, nuk është në favor të tij?

Unë nuk jam në gjendje t’i jap një përgjigje të prerë këtyre pyetjeve. Ndoshta Rama identifikohet vërtet me familjen e vet, madje edhe politikisht – çka unë gjithsesi nuk e besoj. Ndoshta u dërgon një sinjal të gjithë atyre shqiptarëve familjarët e të cilëve, njëfarësoj, janë përzier me krimet e regjimit totalitar. Ndoshta edhe kërkon t’i flasë publikut me dorë në zemër, duke shpresuar se ashtu do ta kuptojë populli më mirë, meqë vlerat familjare janë edhe më elementaret brenda sistemit të vlerave sociale.

Të shohim ç’mutacione të tjera do të sjellë era.

12 Komente

  1. Xhaxha mua me ngacmoi ky artikulli i Klosit, ne fund edhe ai vete bie pre ndaj te njejtes skeme gjykimi, ate farefisnore:

    Këtë do ta quaja “kompleksi i pakorrigjueshëm i fshatit”. Në të tria dozat, kjo është më e natyrshmja, sepse është xhelozia e njerëzve që zbrisnin në qendër në mënyrë anonime me kostumet e tyre të teritalit, duke sjellë nga prapa anonimitetin, përballë atyre që kishin familje shumë më me emër, me kulturë, me të afërm të studiuar në Evropë etj . D.m.th., si vuajtja e njerëzve që nuk patën në rrethin e tyre asnjë dajë, xhaxha, teze a gjysh me emër në qytet. Do ta quaja një nga pasojat më jetëgjata të revolucionit kulturor të viteve 1967-‘68, me teoritë e tij të masivizmit dhe praktikën e urrejtjes, gati patologjike ndaj qytetarisë.

    Tani qe Enveri mori nje instrument nga shekulli i XII-XV-te, qe perligjte eleminimin e fiseve rebele si ne perendim edhe ne orient, kam idene se ishte pasoje e te menduarit politikisht realisht. Keshtu ishin organizuar njerzit atehere, edhe jane tani deri diku. Keshtu i eliminonte edhe Enveri rreziqet. Pastaj kur lidh psh. aleanc me fisin e Kapove ne Vlore, ke rrene automatikisht armik me fisin e ku-di-une Mashkulloreve ne Mallakaster. Tani te lidhur jo nepermjet gjakut porse nepermjet interesave te perbashketa, ose ndaj frikes se atyre dokumenteve si pune a kesaj qe ka dale tani per Kristaq Ramen. Nuk e di a ka studime gjenealogjike ne Shqiperi. Ne vendet arabe prijesit arabe psh. sforcohen te gjejne ndonje damar me fisin e profetit, si psh. Hashemitet sot qe udheheqin disa vende arabe (Saudi, Jordani).

    Por edhe Klosit i pelqen te besoj se qyteti ka pasur nje brez njerzish te edukuar, disa “familje” me bije te edukuar jashte. Po mire, ka faj fshatari qe vjen nga Momli se nuk qenka bij borgjezesh? Klosi ti quaj komplekset si te doje, por ato jane pasoja te nje politike diskriminuese, dhe qe tregon Deshtimin e politikave sociale dhe te edukimit (arsimit) te borgjezise se re shqiptare.

    Kjo borgjezia e re ne Shqiperi nuk kalon dot pertej cakut te saj klanor dhe tarifor, e te mendosh qe jane edukuar jashte. Hic te re nen fytyre te tokes. Te njejtat paragjykime qe mundojme ti luftojme, na sherbejne si kut gjykimi. Pastaj eshte nje iluzion te besosh se borgjezia tek ne do te mund te ndertoj nje shoqeri te bazuar tek merita, jemi shume treg i vogel me popull te vogel, te tjera interesa hyjne ne loje.

  2. Me po te njejten gjuhe Mustafa Nano tek shqip:

    Ka tetëmbëdhjetë vjet që nuk merret me çfarë thonë kundërshtarët e vet politikë; nuk merret as me vetë kundërshtarët politikë; përkundrazi, merret me të shkuarën e tyre, origjinën e tyre familjare dhe me familjarët e tyre, me synimin për t‘i bërë me turp mbi faktin që, në vend të kenë ruajtur dele e lopë në të ritë e tyre (gjë që e ka bërë ndershmërisht e pafajshmërisht Berisha, tok me të atin e me të atin e të atit), kanë kaluar kohë nëpër studio e atelier-ë arti; me synimin për t‘i bërë me turp mbi faktin, që në vend të kenë qenë komunistë fanatikë për 25 vite me radhë (kuptohet, ky është rasti i Berishës vetë), e kanë urryer komunizmin; dhe me synimin për t‘i bërë me turp mbi faktin që, në vend të kenë pasur pacipësinë për t‘iu qurravitur krerëve të nomenklaturës së kuqe (siç ka bërë Berisha vetë, dhe kjo është e dokumentuar), kanë pasur fatin të jenë bij e pinjollë të këtyre krerëve.
    Nëse ia përmend origjinën e thjeshtë familjare, këtë e bëj më së shumti për simetrizuar gomarllëkun e bartur prej tij, e kështu për ta bërë atë të kuptojë se kjo punë është edhe një pesë me hiç, edhe fyese.

  3. E lexova shkrimin e Redi Gjuzit tek “Panorama” e djeshme dhe te them te drejten ky shkrim me pelqeu.
    Vertet Edi Rama (dhe gjithe pinjollet e tjere) nuk kane pergjegjesi per veprimet e eterve te tyre aq me pak per dajallaret e prinderve, por me duket se te besh moral nuk eshte e drejte. Aq me teper qe keta pinjolle te jene prape politik beresit dhe vendimarresit e sotem. Aktualisht, po te shohesh se kush eshte sot ne “rreshtin e pare”, ne te shumten e rasteve jane po ato “klane”, “fise”, “tarafe” qe kane komanduar ne kohen e diktatures por te shnderruar me kostume firmato (jo uniforme ushtarake te pasluftes), gjuhe te huaja dhe “shoqeri civile”. Nuk po them qe keta per hir te eterve duhet te jene ne hije, por jo te jene prape ne “Komande”. Ky sistem te jep mundesi te shfaqesh dhe te evidentohesh ne te gjitha fushat e jetes dhe jo vetem ne politike.
    Pastaj, perdorimi i familjes nga ana e Rames me le nje shije jo te kendshme………..

  4. Une kam shkruar gjate e stergjate ne alb-club per artistin, komunistin babain tim. E cilesoj dhe permend “artistin”, pasi ne kujtimet e mia dhe ne analizen e sotme te tyre ka nje dallim te jashtezakonshem mes komunistit elektricist Lemi (i njohur i familjes), komunistit naftetar Dine (i njohur i familjes), komunistes veterane ish-partizane Xhexhe (komshije nje kat me siper) dhe komunistit aktor babi (“Teatraxhi?! Aha, dmth tere diten tralala!” – nga komedia “Shi ne plazh”).

    Para pak ditesh pashe nje dokumentar te Top Channel per Enver Hoxhen. Nje dokumentar ndryshe, teper personal. Degjova aty se gjoja i jati e cilesonte “birbo”, sesi kishte profetizuar se “sa keq do te heqin shqiptaret nga ky birboja im”, se kur i vdiq djali i madh, paskerkesh thene: “Me vdiq i miri, me mbeti jeziti”, etj. Enveri sipas dokumentarit dilte agjent i Zogut, zaberhane, kodosh, ndyrsire e vertete…

    Nejse, se nuk eshte ky qellimi i nderhyrjes…

    Duke degjuar keto, mendova femijet e tij. Dokumentari solli edhe intervista me njerez qe e kishin njohur. Sidoqofte, keto ishin njohje shume te hershme, ne vitet e rinise se pare te Hoxhes. Me pas, te vetmit deshmitare jane bashkepunetoret e tij komuniste ende te gjalle si dhe familjaret, posacerisht e shoqja dhe femijet. Keta, i kane te gjitha mundesite (potencialisht) qe te ndricojne personalitetin dhe profilin psikologjik te vertete te diktatorit.
    Perfytyrova sikur gazetarja ti drejtohej edhe Sokol Hoxhes (ky me duket si me i “kollajti”, ne krahasim me djalin e madh). Cfare mund, dhe mbi te gjitha cfare duhej te thoshte djali per te atin?

    Nje shembull na e ka dhene Bashkim Shehu. Maverik ne te ri, i tille edhe sot, ai e ka denuar Mehmet Shehun, ndonese – sipas meje,- duke thene se ai ishte komunist, se jetoi dhe vdiq me ate ideal, kjo mund te interpretohet edhe si njefare alibie per gjithcka ai beri…

    Svetlana, vajza e Stalinit ka shkruar gjithashtu per te jatin dhe, nga sa kam lexuar nga ata qe e kane lexuar, ajo ka qene shume e ashper ndaj tij.

    Sokoli (bashkshortja e tij akoma me shume) e ka denuar vepren e te jatit gjithashtu, por pa hyre ne detaje.

    Rames sot po i kujtohet babai, firma e tij diku, i afermi i te jemes…

    Vras mendjen sesi duhet te jete reagimi i nje biri ndaj jetes dhe vepres se atit!!!!!!

    Dy paragrafet e fundit te xhaxhait jane sa pyetje aq edhe pergjigje hipotetike.

    Duket se, nese behet, pjesa me e lehte e vleresimit revizjonar te vepres se babait eshte denimi i saj ne total, vecanerisht kur bemat e tij nuk lene shume vend per “por…”. Nga ana tjeter, te analizosh veprimet e tij nje per nje… a mundesh?
    A i takon kujt, dhe c’vlere ka ti kerkoje Sokolit te komentoje mbi shenimin e bere me dore nga EH ne lidhje me nje mikun e tij te ngushte te rinise “te torturohet perpara se te pushkatohet”? A eshte kjo posacerisht e nevojshme? Mbi te gjitha, a quhet mungese qytetarie, antidemokratike etj., mospranimi i femijes per ta bere kete?

    A mundemi ne ta qortojme Ilir Hoxhen qe ende shprehet (publikisht e kam fjalen) me adhurim per te jatin?

    Kush jemi ne qe tia lejojme vetes kete gje? Dhe c’eshte kjo “ne” xhanem?

  5. “Kush jemi ne qe tia lejojme vetes kete gje? Dhe c’eshte kjo “ne” xhanem?”

    Sigurisht qe ne nuk jemi kurrekush. Por edhe t’i pranosh pa i pertypur fare qendrimet moralizuese ndaj vlerave te familjes qe vijne nga po keta njerez duhet te kesh shume stomak te forte.

  6. ””””’Pse vallë nuk u ngrit kreu i socialistëve të thoshte që nuk i ka zgjedhur vetë as prindët, as kushërinjtë; dhe mban përgjegjësi vetëm për veprimet e veta, jo ato të fisit të vet? Se u është mirënjohës prindërve që e kanë rritur me kujdes dhe dashuri, pa i kursyer asgjë; por kjo nuk do të thotë se ua përligj atyre bindjet dhe veprimet politike? Pse i mëshon Edi Rama nocionit të paprekshmërisë së familjes në deklaratat e veta, edhe pse kjo, logjikisht, nuk është në favor të tij?”””’

    Sepse Edi Rama, eshte akuzuar shpesh per imoralitet, per biseksualizem, ndarje nga gruaja e gjera te tilla.
    Politikisht, Rama zgjodhi mbrojtjen qe i jepte mundesi kundersulmi ne fushen morale, ku u akuzua.
    Akuza eshte e fushes morale, dmth ku e gjen fytyren,ti, bir i atij babai e asaj nene te vish e te flasesh per kete apo ate…..

    Nese Rama do ishte mbrojtur duke hedhur poshte prinderit, atehere do vijonte akuza tjeter,se ky njeri perpos qe eshte imoral,biseksual,nudist, baba i keq e me the e te thashe, eshte edhe njeri qe nuk ka respekt e qe ””dhunon traditën familjare e kodin etik ””.

    Akuza eshte thike me dy presa, ku ti nuk i shpeton dot as me autokritike mbi familjen e as me thirrjen qe i ben ‘ndjesive’ te reja qe percon individualizmi.

    Edi Rama zgjodhi te vetmen menyre te mundshme, e cila jo vetem i lejonte te mbrohej, por edhe te kundersulmonte, duke futur ne loje ‘ndjesi’ te vjetra , ndaj te cilave shqiptaret ende ruajne respekt.
    ‘Dhunimi i Familjes’ eshte koncept per te cilin ende shqiptari perligj cdo lloj veprimi.
    Filani – E rrahu/vrau sepse i dhunoi familjen
    Fisteku – Shume mire ja beri, e kishte hak.

    Ne favor eshte xhaxha sepse aty Rama nuk iu drejtua Xha xhait, por popullit te thjeshte e populli i thjeshte i beri gjyqin publik Nanos ,sidomos grate me kalamaj.

    Rama do qe ta evitoje permendjen e emrit te tij nga publiku per gjera te cilat e ulin ne syte e publikut apo nje pjese te mire te ketij.
    Kam degjuar te shahet Sala para e prapa, ama duket sikur u vjen keq njerezise qe e shan qe nuk mundet ta shaje dot nga sjellja e tij familjare. Kjo dikur se tani jane te kenaqur qe Sala futi Argiten ne loje . E ‘shkreta’ Argite cfare epitetesh ska nxjerre dynjaja per te.
    ‘Vox populi, vox dei’- ne kesi rastesh.

  7. I dashur PNH,

    jashte cdo konteksi shprehja, paragrafi tend i meposhtem qendron, pra per Ilirin. Por kur eshte fjala per babain e kryeministrit te ardheshem te vendit, problemi nuk eshte aq i thjeshte sa e shtroni ju.

    “A i takon kujt, dhe c’vlere ka ti kerkoje Sokolit te komentoje mbi shenimin e bere me dore nga EH ne lidhje me nje mikun e tij te ngushte te rinise “te torturohet perpara se te pushkatohet”? A eshte kjo posacerisht e nevojshme? Mbi te gjitha, a quhet mungese qytetarie, antidemokratike etj., mospranimi i femijes per ta bere kete?

  8. Xha Xhai thote:

    …nuk ka pikë dyshimi se Edi Rama ka përfituar sado tërthorazi nga përkatësia e tij në një familje të afërt me pushtetin komunist.

    Por a mjaftojnë këto përfitime reale ose të supozuara për ta vënë përpara ndonjë përgjegjësie çfarëdo kreun e sotëm të opozitës shqiptare?

    Jo nuk mjaftojnë; madje janë të pakrahasueshme me përfitimet që ka pasur Sali Berisha si komunist, sekretar i një organizate bazë të Partisë dhe mjek i afërt dhe i besuar i oborrit të Hoxhës.

    Problemi eshte qe ky lloj perfitimi eshte kthyer ne ADN-ne e sistemit tone politik, qe do te thote se: nese nuk ke nje te ardhme te diskutueshme me te cilen te mund te te bejne shantazh, nuk mund te jesh pjese e sistemit. E kunderta e kesaj jane perjashtime te rralla, individe te cilet sa me shume “flene” me sistemin aq me shume priren t’i ngjajne atij.

    As Rama as Berisha nuk me duken se jane te shqetesuar seriozisht per vlerat familjare apo pastertine morale te shoqerise. Rendesi ka mos t’u preket piramida e shantazhit ne maje te se ciles qendrojne.

  9. Mbaj mend te kem lexuar nje trajtim te Lubonjes mbi revoltat studentore ne Gjermani, ne vitet 1968. Cfare Lubonja nuk kishte prekur, sepse artikullin e kishte shkruar nga prizmi i nje motivi tjeter, ishte se ato revolta synonin te shkundnin pluhurin e kohes, mentalitetin e vjeter dhe strukturat qe pollen Nazizmin. Motoja e studenteve te artit ne Hamburg ishte psh. „Unter den Talaren – Muff von 1000 Jahren“ , cfare do te thote: “Nen gune (robe), lesh 1000 vjecar.” Revolta pra ishte revolta e te rinjve ndaj baballareve te tyre qe kishin sherbyer ne sistemin nazist dhe qe heshtnin. Ne ato vite mbi 1/5 e Parlamentit kishte ish-Naziste. Ne universitete kishte akoma njerez qe i kishin sherbyer atij sistemi dhe nuk kishin marre asnje lloj distance. Ok, ketu mbase dikush do te pyesi, po lojaliteti ndaj vendit, ndaj atdheut? Por ne Gjermanine e atyre viteve nuk shtrohej me kjo pyetje. Gjermania ishte e ndare dhe e pushtuar. Atehere duhej pastruar sistemi, duheshin tundur themelet e sistemit korporatist qe ndihmonte ende vetem klasen e industrialisteve.
    Po ne Shqiperi a i beri Rinia pyetje baballareve te tyre? Apo te gjithe perfituan sa munden. Por a eshte e mundur te krijohet nje lloj distance e tille ne Shqiperi? Dikush do ta shpjegoje sociologjikisht me kulturen politike te Shqiperise, lidhjet e ngushta familjare, dashuria per prindin etj. Por mos u genjeni kot, edhe ketu ka pasur te tille dashuri, te tille lidhje te ngushte familjare, mbase me bollekun diku me dobet, por ne ato vite edhe vete per femijet ka qene e veshtire te distancoheshin nga prinderit e tyre, e te krijonin ate “thyrje” brezash.

    Them se kjo ka eshte pyetja me rendesishme qe duhet shtruar ne bisede: sa force ka dikush, jo te denoncoj, porse te distancohet materialisht dhe shpirterisht nga e kaluara e Babait te tij????? Kjo pyetje eshte shume e veshtire per tu pergjigjur ne Shqiperi, ku realiteti social eshte shume me i eger, dhe rinia akoma nuk ka fituar nje pamvaresi si materiale (qira te shtrenjta, dhe tre breza ne nje shtepi), por edhe shpirterore nga prinderit.

  10. Vallë nuk ju duket edhe juve se, me këtë retorikë që ka zgjedhur për t’u mbrojtur e për të kundërsulmuar, Edi Rama duket sikur, në thelb, e legjitimon njëfarësoj konceptimin patriarkal të shoqërisë shqiptare?

    Pa ate koncept patriarkal Edi Rama nuk ha buke.

  11. Të sulmosh sot politikanin Edi Rama për shkak se është djali i një ish-anëtari të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSh-së në fund të viteve ’80 tregon një injorancë të frikshme historike. Dihet se Presidiumi i Kuvendit Popullor në atë kohë nuk kishte gjë në dorë, me përjashtim ndoshta të çelësave të kashtës.

    Në vend të parë të hierarkisë politike ishte Partia e Punës me strukturat e saj. Pra ishin Kongreset dhe në periudhën midis tyre Plenumet. Por edhe këtu nuk ndodhte ndonjë gjë e madhe, pasi vendimet i merrte kryesisht Byroja Politike dhe Plenumet apo Kongreset kishin për detyrë vetëm t’i siglonin ato. Madje edhe Byroja Politike duhet të ketë patur një karakter relativisht formal, pasi tezat hidheshin dhe diskutoheshin nga ana përmbajtësore në mbledhjet e Sekretariat te KQ te PPSh-së. Këto mbledhje ishin dy llojesh: të protokolluara dhe ato që kryheshin do ditë rreth orës 10.00 në një sallon pranë zyrës së Sekretarit te Parë te PPSh-së. Sidoqoftë, vija politike e PPSh-së nuk duket edhe aq shumë të jetë përcaktuar në instancat zyrtare të PPSh- por në kontakt jo-formale të Enver Hoxhës dhe më vonë Ramiz Alisë dhe shumë pak vetave, të cilët nuk është se duhet të kenë qenë detyrimisht të përfaqësuar në Byronë Politike apo në Sekretariat. Këta ishin ato lloj eminencash gri, influenca e të cilëve ishte e jashtëzakonshme.

    Më pas vinin Sigurimi i Shtetit dhe Mbrojtja. Në fakt do të duhej që të ishte Qeveria, por ekzekutivi kontaktonte kryesisht me Partine nëpërmjet këtyre dy “armëve”. Kjo të paktën në vitet ’80. Sigurimi i Shtetit nuk e kishte tagrin të përcaktonte vijën politike të PPSh-së, por kishte një forcë goditëse të pakufishme për të imponuar me dhunë jo vetëm vijën politike por edhe të mbante popullsinë dhe kryesisht intelektualët nën një terror psikologjik. Sigurimi i Shtetit ishte përgjegjës për të gjitha poshtërsitë e kundërligjshme që ndodhnin në kohën ë diktaturës komuniste në Shqipëri. Mund të diskutohet gjatë se kush e ka pasur këtu fajin kryesor, por fakt është, se Sigurimi i Shtetit godiste ose përgatiste platformën për të goditur dhe më pas vinte në dijeni Partinë.

    Deri në 1974 edhe Ushtria kishte pjesë në dhunën politike të ushtruar në Shqipëri, por më pas ajo sikur u kastrua, ndoshta nga frika se një forcë goditëse që dispononte tanke mund të bëhej e rrezikshme për sistemin vetë, të cilit i duhej vetëm një trupë civilësh veshur me terital gri që të futnin në rast nevoje anonimisht një plumb pas koke, nëse kjo do të ishte e nevojshme për interesat e udhëheqjes politike.

    Kuvendi Popullor dhe ne periudhën midis seancave të tij (dy në vit që zgjatnin 3 – 4 ditë) Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk kishin asgjë në dorë, me përjashtëm të firmosjes se akteve ligjore e nënligjore, të cilat në RPSSh-në e viteve ’80 nuk kishin absolutisht asnjë vlerë. Për sa i përket denimeve me vdekje, dhënia e tyre behej nga gjykatat, pasi çështja ishte përpunuar më përpara nga Sigurimi i Shtetit dhe më vonë Hetuesia e Përgjithshme dhe ishin konsultuar më pas me organet drejtuese të Partisë. Presidiumi kishte vetëm të drejtën e faljes, por edhe këtë formalisht, pasi nuk dihen raste, që Presidiumi të ketë ndryshuar ndonjëherë vendimet me vdekje në dënimin me 25 vjet heqje lirie. Të vetmet raste kur Presidiumi i Kuvendit Popullor falte dënime ishin ato të amnistive, por që edhe këto vendoseshin në parim nga organet e Partisë.

    Dua të them, që nëse dikush dëshiron të gjejë përgjegjësinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor për lënien ne fuqi të një dënimi politik me vdekje, dhënë nga gjykata e lartë, e cila në shkallë të dytë i gjykonte këto çështje në kolegj, do të duhej të fillonte nga e para, pra nga Sigurimi i Shtetit apo Hetuesia e Përgjithshme, gjykata, Partia.

    Në Presidiumin e Kuvendit Popullor vendimet merreshin me shumicë votash dhe të gjithë ishin të barabartë ndër të barabartët. Megjithatë në historinë e legjislativit shqiptar të periudhës se diktaturës komuniste njihet vetëm një rast, kur një deputet ka votuar kundra. Foto Çami, dikur në vitet ’70 (apo ’60?) kur u vendos heqja e 7 Nëntorit, ditës së Revolucionit Socialist të Tetorit si festë zyrtare në RPSh.

    Por edhe sikur gjithçka të kishte qenë e mundshme, pra që një anëtar i një forumi zyrtar ne periudhën e diktaturës komuniste të kishte të drejtën të kundërshtonte vendimin e shumicës dhe të mos ta ketë bërë këtë, duke shkaktuar që një i dënuar politik me vdekje të mos falet nga ky institucion i latë shtetëror, ku është përgjegjësia e Edi Ramës për këtë?

    Mua nuk më habit asgjë që mund të thotë Sala, pasi nuk besoj se ai njeri ka ndonjë bindje politike me përjashtim të një instinkti të jashtëzakonshëm për pushtet. Me vjen çudi vetëm me të djathtët normalë, që i delegojnë të drejtën e akuzave politike pikërisht një njeriu, i cili për të kaluarën e vet politike në diktaturën komuniste në funksion kryekëput të kësaj të fundit, nuk ka humbur qoftë edhe një fjalë të vetme autokritike. Sali Berisha ka qenë sekretar partie i një organizate relativisht të rëndësishme. Normalisht njerëz të tillë në shoqëri post-diktatoriale vazhdojnë një jetë profesionale, po nuk përfshihen më në politikë. Në rastin e Shqipërisë nuk mund ta thuash këtë, përkundrazi.

    Ajo që e mban veten për të djathtën shqiptare udhëhiqet nga komunistë dhe më duket se problemi këtu nuk është edhe aq se si të sulmohet kundërshtari politik, por se si të luftohet rivali.

  12. Viti 2008 do të mbahet mend si një tjetër vit dështimesh i dy krerëve të politikës tiranase. Po përmend vetëm tri fusha që lidhen me lajme të fundvitit:

    1. Gjakmarrja. Ka të drejtë anglezi që e ngre këtë problem. Shiko tek:
    http://balkanweb.com/sitev4/lajme.php?id=31672
    Ed Rama mund të mburret me ngjashmëritë e tij me Obamën – në basketboll, për shembull – apo me turin e tij anembanë Shqipërisë, por ai ka përgjegjësi po aq sa edhe Berisha që nuk kanë bërë asgjë. Berisha, i cili vjen nga anë ku kanuni ishte i njohur, duhet të skuqet kur të mendojë se në vendin e tij ende ka mijëra të ngujuar nga gjakmarrja.

    2. Arësimi publik:
    Shkatërrimi i arësimit publik në favor të atij privat ështê një tjetër dështim i dyshes Rama-Berisha.
    Sot në Shqipëri gëlojnë universitete të dyshimta private me emra kumbues si Nju Jork, Europian apo Ufo. Xhevahiri i fundit në zinxhirin e arësimit privat në Shqipëri është njëfarë universiteti POLIS, që duket i lidhur fort me të dy krahët politikë shqiptare. Shikoni tek:
    http://www.universitetipolis.org/

    3. Shëndetësia:

    Gjendja e mjerueshme në shëndetësi është një tjetër dështim spektakular i dyshes Berisha – Rama.
    Ta kesh kryeministrin mjek dhe ta kesh shëndetêsinë në këtë derexhe është turp. Shikoni për shembull skandalin e rradhës, se si vdes fëmija e mitur sepse nuk ka dializë në Spitalet e Tiranës [Deported Woman’s Baby Dies in Albania]:
    http://www.livingstondaily.com/article/20081229/NEWS01/812290306/-1/NEWSFRONT2

    Berisha me Ramën e pasuesit e tyre mund të tallen e ta shajnë Zogun sa të duan, por nuk mund të mohohet se Zogu i dha fund gjakmarrjes, hodhi themelet e arësimit publik dhe nxiti shkollimin e disa mjekëve të shquar jashtë vendit.

    Këto tri tema, por edhe të tjera, besoj se ia vlen të rrihen tek Peshku, këtu e gjetiu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin