ARTI PËR TË HUMBUR VETVETEN

Në botën që jetojmë, të paktën në Perëndim, muzika si art praktikisht do të thotë të dëgjosh muzikë; meqë të bërët muzikë është profesionalizuar tashmë deri në atë shkallë, sa edhe karaoke po respektohet si zanat artistik. Sa të vetëdijshëm jemi për natyrën e vërtetë të këtij revolucioni, dhe për impaktin e tij ndaj individit?

Ndërrimi paradigmatik nuk do të ishte kaq marramendës, sikur të mos ishte kryer, paralelisht, edhe në shumë fusha të tjera. Zhvillimi e sidomos përsosja e mekanizmave të tregut na bën të gjithëve gjithnjë e më pak krijues, gjithnjë e më shumë konsumatorë objektesh materiale dhe shenjike që i kanë krijuar një pakicë tepër e specializuar, e që shpërndahen në mënyrë globale.

Për ne shqiptarët, ky ndërrim ka qenë veçanërisht dramatik, sepse ka ndodhur brenda një kohe të shkurtër – dy ose tre brezash. Plakat dhe gratë e fisit tim, që kam njohur dhe admiruar kur isha fëmijë në vitet 1960, jo vetëm dinin të këndonin me virtuozitet dhe të rrëfenin me dhjetëra në mos qindra përralla e histori të çuditshme, por edhe i qepnin vetë rrobet e tyre dhe tonat, herë me dorë e herë me makinë; qëndisnin jastëkë, bluza e mbulesa tavolinash; bënin dantella perdesh e jakash; tirrnin lesh me furkë dhe thurnin triko të ngrohta ose çorape që i lypnin pastaj këpucët një numër më të madh; shqepnin triko të vjetra, për ta ripërdorur leshin; dinin të gatuanin po aq gjellë e qebape e ëmbëlsira sa edhe një chef i një restoranti me tre yje në Manhattan; dinin të thernin një gjel deti pa bërë shumë pis, të ndihmonin macen kur lindte këlyshë, të kontrollonin pulën për vezë, të lyenin shkallët me gëlqere, të pastronin furrën e sobës me një krah të vjetëruar shpendi, të bënin reçel me lëkura shalqini ose nerënxa, të prisnin bakllavanë me gjeometri të habitshme, të mprehnin thikat, të ndiznin zjarrin, të ruanin zjarrin natën duke e mbuluar me hi, të yshtnin, të mjekonin plagët me bimë popullore, të hiqnin njollat nga pantallonat, të kollarisnin, të bënin gërsheta, të bënin petë, të bënin pastërma, të zinin bukë, të zinin kos e ta bënin pastaj salcë, të piqnin gështenja, të piqnin kafen, të bënin makarona e t’i thanin në diell, të përgatitnin turshi, të bënin trahana me brumë të thartuar, të qepnin dysheqet me një gjilpërë të posaçme të frikshme, të lanin dërrasat, të ndihmonin të rejat për të lindur, të lanin të vdekurit, të qanin të vdekurit. Pleqtë dhe burrat e fisit, që kam njohur në të njëjtën kohë, edhe pse më të pakët, ishin më pak të ditur; por disa syresh dinin të rregullonin këpucë e çizme, të lyenin këpucë në mënyrë mjeshtërore, të grinin duhanin, të zienin rakinë, të lyenin shtëpinë sidomos me bojë vaji, të rregullonin biçikletën, të hiqnin qafe një mi të kapur në çark, të zinin peshk në liqen, të qëronin krapin, të riparonin tavën me korrent, të ngjiteshin në fik, të ushqenin macen, të vrisnin miza me atë veglën e posaçme, të dallonin tartabiqet nga era, të rregullonin çatinë kur pikonte, të prashitnin portokallet, të mbulonin limonin në dimër me plastmas, t’i hapnin rripit të mesit një vrimë të re në rast shëndoshjeje të paparashikuar, të spërkatnin hardhinë me ‘ilaç’, të pastronin qyngjet e sobës si dhe vetë sobën, të lyenin tubin e çezmës me varak, të çanin dru zjarri me sëpatë, të bënin “të holla” me sqepar, të vajisnin makinën qepëse, të këndonin edhe ata madje edhe më mirë se plakat, të shtinin me armë të vjetra, të pastronin xhamat e dylbive dhe të syzeve, të ndërtonin mur, të luanin shah dhe domino, të hiqnin e të vinin xhamat e dritareve, të ndërronin telin e siguresave, e më në fund, të mbanin me muhabet karrocierin e druve ose teknikun e televizorit.

Nuk jam nostalgjik i së shkuarës, edhe pse jam i sigurt që disa gjëra që kanë humbur i kemi humbur vërtet dhe do të na mungojnë përgjithnjë; sikurse jam i sigurt se, të paktën në rastin e grave, çfarë kanë fituar këto nga urbanizimi dhe modernizimi i jetës familjare nuk e kompenson dot kulturën që kanë humbur për shkak të shndërrimit të njerëzve në konsumatorë.

Megjithatë, nuk dua të diskutoj çështje të feminizmit (zot na ruaj), as të modernizimit; por vetëm të tërheq vëmendjen se sundimi i tregut ndaj individit është me pasoja të rënda për integritetin dhe shëndetin social të individit vetë, sa kohë që ky vjen duke u pasivizuar, e duke e konceptuar lirinë si liri për të zgjedhur midis mallrave të ndryshme në treg.

Në Shqipëri tregu erdhi me gjithë forcën e një tsunami, që vuri përpara çfarëdo pengese e rezistence që i doli përpara. Deri edhe fshatarët, sado zotër të tokës së tyre, hoqën dorë nga prodhimi bujqësor dhe blegtoral, pse jo ‘rentabël’ ekonomikisht; madje e braktisën fshatin për të emigruar drejt qyteteve ose edhe jashtë Shqipërisë. Jeta e më të shumtëve prej nesh është tanimë një përpjekje konstante për të mbijetuar, dhe shumë prej nesh identifikohen nëpërmjet vlerës që kanë, ose famëkeqes ‘net worth’, për ta thënë me një amerikanizëm veçanërisht të neveritshëm.

Rendja pas parasë është dukuri komplekse, që nuk mund të shterrohet dot brenda këtij diskutimi; por mua më intereson vetëm sa kohë që, për shumëkënd, ka zëvendësuar veprimtarinë krijuese. Shqiptarët sot, edhe ata të kamurit e qafëdhjamurit, mund të vrasin kohën e lirë duke lyrosur buzët e pickuar kamerieret restoranteve luksoze, ose duke shëtitur poshtë e lart Shqipërisë, Turqisë, Europës ose botës, ose duke vizituar qendra tregtare me orë të tëra për shopping me gratë ose më mirë akoma me të dashurat ose dashnoret, ose duke luajtur kumar, duke pirë Campari, ose duke ngarë makinën, ose duke vënë baste, ose duke parë televizor, ose duke admiruar Benz-in e komshiut, ose duke vizituar qendra masazhi, ose duke bërë thonjtë, ose duke shkuar te parrukieri për ditë, ose duke dëgjuar Céline Dion, ose duke bërë vrap në park veshur me tuta neopreni dhe këpucë të lehta të modës së fundit, ose thjesht duke bërë muhabet për Salën. Çka i mungon kësaj tabloje, është aktiviteti, krijimtaria, prodhimi i diçkaje unike origjinale qoftë edhe për hir të kënaqësisë së dorës. Çka i mungon kësaj tabloje janë individët që e gjejnë vetveten në ars: si shkrimtarë, si piktorë, si skulptorë amatorë; ose si muzikantë, duke mësuar ose duke i rënë një instrumenti vetë, ose edhe më mrekullisht, me miqtë (gjithnjë e kam pasur zili atë grupin që mblidhej për të luajtur jazz, në një roman të Kunderës); ose duke ndërtuar modele velierësh ose urash me tri harqe ose dërstilash, ose duke gdhendur gurin, ose duke lidhur libra të vjetër, ose duke ndërtuar një makinë kibernetike për të përshëndetur tezen (sipas Eco-s), ose një radiomarrëse fundja edhe dhënëse, ose duke u marrë me aeromodelizëm, ose filateli, ose duke fotografuar stërqoka ose edhe fletë tërfili, ose duke stërvitur qenin që të numërojë, ose duke mësuar emrat e yjeve në qiell dhe të konstelacioneve, ose duke perfeksionuar tarocchi-t ose artin e kiromancisë, ose duke shkruar këngë për fëmijë kopshti ose psikodrama për të sëmurë mendorë, ose duke projektuar një perpetuum mobile, ose duke rizbuluar binomin e Newton-it dhe metodën logaritmike aksidentalisht, ose duke kërkuar edhe një herë të fundit kuadraturën e rrethit, ose duke deshifruar etruskishten ose Linearin A të Kretës ose receta të vjetra mjekësh të sanatoriumit, ose duke koleksionuar pulla poste ose stema të ndryshkura të Maos ose bakëre e xhezve të vjetra ose brisqe rroje ose stilografë; ose duke qëndisur çorape leshi për kënaqësi jo për pajë. Ekonomia e tregut nuk ka nevojë për këto hobbies, me përjashtim të kompanive që specializohen në shitje materialesh përkatëse; por ne si individë kemi, sepse edhe duke ngulur një gozhdë në mur të dielën në mëngjes, për të varur një zhgarravinë që ka bërë i vogli, e realizojmë veten më tepër sesa kur marrim trenin në mëngjes për të shkuar në punë, ose kur blejmë një shishe me locion për të shpëlarë gojën në farmaci, ose kur na zë gjumi guhakë, me telekomandën ende të shtrënguar në dorë, si krah të këputur majmuni.

Ekonomia e tregut, përkundrazi, kërkon të na bindë se gjithçka që na duhet në këtë e ndoshta edhe në atë botë e prodhon Kina e Madhe, ndërsa prej nesh kërkohet të shesim e të blejmë me telefonin të ngjitur në faqe nga djersa, të vrasim mendjen për vizione dhe misione të kompanive, të stërvitim sytë me dritën e monitorëve LCD e të neoneve në tavan, të mësojmë përmendsh akronime, të ulim koston e të rritim çmimin, të mos harrojmë fjalëkalimet; e sidomos të furnizojmë me burime njerëzore armatën e pafund të rojeve të sigurisë, sekretareve, analistëve të kreditit, shitësve të policave të sigurimit, analistëve të reklamimeve për shpenzime shëndetësore, infermierëve, pastruesve, policëve të trafikut, banakierëve, administratorëve të palestrave, kameriereve, recepsionisteve, punonjëseve të asistencës sociale, trajnerëve, teknikëve të kondicionerëve të ajrit, teknikëve të ashensorëve, postierëve, portierëve, shoferëve të taksive, kontrollorëve të sigurisë në aeroporte, përkthyesve të arabishtes, hamejve, shpaketuesve, magazinierëve, floktareve, farmacistëve, kompjuteristëve, arkëtareve, specialistëve të funeraleve.

Ky karneval i ekonomisë së tregut, i pafund siç është e i papërballueshëm në rrëmbimin e vet, më bën të mendoj se të jesh blerës nuk është as mjeshtëri as profesion as hobby, por një lloj skllavërie dinake sepse e padukshme; dhe se paratë mund të ndërrojnë duar dhe të shkëmbehen, por humaniteti jo.

I nisa këto shënime me muzikën dhe me muzikën dua t’i përfundoj; sepse muzika është më i thelli, në mos më i padepërtueshmi i arteve. Për ta thënë me Martin Luther-in, “pasuritë që na blaton muzika janë kaq të mrekullueshme e kaq të çmuara, sa nuk gjej dot fjalë sa herë që orvatem të flas për to e t’i përshkruaj… Përveç Fjalës së Zotit, arti fisnik i muzikës është më i madhi thesar i rruzullimit. Na komandon mendimet, mendjet, zemrat dhe shpirtrat […] Kjo dhuratë e vyer i është dhënë veç njeriut, që ky të mund t’ia kujtojë vetes se Zoti e ka krijuar njeriun për të vetmin qëllim që ky ta përlavdojë dhe ta kremtojë. Megjithatë, kur dhuntitë muzikore të natyrshme të njeriut nxiten dhe përsosen deri në atë shkallë sa të bëhen art, atëherë nuk mund të mos e vëmë re me habi të madhe urtësinë e pafund e të përkryer të Zotit në muzikë, e cila është, tek e fundit, produkti i Tij dhe dhurata e Tij; ne mrekullohemi kur dëgjojmë atë lloj muzike, ku njëri zë ia thotë një melodie të thjeshtë, ndërsa tre, katër ose pesë zëra të tjerë i enden përreth, duke ia zbukuruar melodinë me efekte muzikore artistike e duke na sjellë para syve një valle hyjnore […] Vetëm muzika dhe teologjia janë në gjendje t’u japin paqe dhe lumturi shpirtrave të shqetësuar. Kjo dëshmon haptazi se djalli, ose burimi i palumturisë dhe shqetësimit, i druhet muzikës njëlloj sa edhe teologjisë.”

Nuk ka nevojë të jesh luteran, madje as besimtar, që t’u besosh këtyre fjalëve të Luther-it, të cilat mund të lexohen edhe në çelës metaforik; sidomos po të kesh parasysh se alternativa është idhujtaria e tregut, ose kremtimi mazohist i skllavërimit të shpirtit prej baltës.

5 Komente

  1. Shkrimi i xhaxhait eshte shume interesant dhe ne pergjithesi i drejte ne premisat e tij. Specializimi qe solli industrializimi dhe urbanizimi ka prekur dhe kulturen dhe ka sjelle nder te tjerash qe kultura te behet profesion i disa pak veteve dhe te tjeret te jene thjesht konsumatore. Ky zhvillim ka qene i ri ne historine e njerezimit ku te pakten deri pak shekuj me pare bashkesite apo masat kishin nje rol aktiv e te madh ne zhvillimin e kultures.

    Megjithate teknologjite dixhitale kane filluar te ndryshojne shume ne kete pike dhe tani mund te shihet potenciali i madh qe ajo ka ne demokratizimin e kultures apo e shprehur me mire ne heqjen e ekskluzivitetit te profesionisteve dhe ne pjesemarrjen e masave ne zhvillimin e kultures. Me poshte po jap disa raste konkrete se ku ka ndodhur kjo dhe ku ka gjasa te ndodhe se shpejti.

    Me uljen e cmimit te kamerave dixhitale mund te gjenden me qindra mijera fotografi shume interesante te bera nga amatore. E njejta gje mund te thuhet dhe per videot. Nese sheh tek youtube shumica e videove jane si te thuash kot por nje pjese jo e vogel e videove amatore jane interesante duke filluar qe nga remixet e videove te njohura e deri tek krijimet vetjake. Poashtu dhe blogjet vetjake kane sjelle nje “revival” te gjuhes se shkruar qe ishte vene perfund ne vitet 90 nga konsumatorizmi pasiv vizual (televizori). Pra shkrimet cilesore nuk jane me ekskluzivitet i shkrimtareve dhe gazetareve profesioniste por mund te gjenden dhe tek persona amatore.

    Le te ndalem pak dhe tek muzika. Aktualisht muzika eshte akoma e mberthyer ne grupet e profesionisteve. Por ka pak kohe qe po zhvillohen mjete dixhitale qe e lehtesojne krijimin e muzikes deri ne masen qe nuk duhet te dish asnje note per te krijuar. Pra po zhvillohen mjete qe e demokratizojne dhe thjeshtesojne krijimin e muzikes. Ketu psh. mund te permenden lojera elektronike si “guitar hero” apo “rock band” te cilat me te vertete nuk jane mjete shume te pershtatshme per te krijuar muzike te mirefillte por jane mjete nga te cilat mund te shihet potenciali i madh i teknologjise per thjeshtesimin e procesit te te berit muzike.

    Le te shpjegohem pak me mire ne rastin e muzikes. Instrumentet aktuale muzikore mund ti percaktosh ne menyre abstrakte si instrumente qe kane nje pjese marrje dhe perpunimi informacioni (informacioni jepet nga instrumentisti) dhe nje pjese per te nxjerre tingujt bazuar nga informacioni i dhene nga instrumentisti. Ne rastin e pianos psh. tastiera do te perbente pjesen e marrjes se informacionit nga instrumentisti dhe telat e pjanos ne brendesi jane ato qe nxjerrin tingujt. Pothuaj te gjitha instrumente muzikore te sotme pjesen e marrjes se informacionit e kane te bazuar ne nje teknologji mekanike te para disa shekujve!! Piano psh. ka ekzistuar me te njejten teknologji qe ne mesjete apo dhe me pare. Per zoterimin e sistemit te dhenies se informacionit te pianos duhen dhjetra vite ushtrime te rregullta gje qe sjell ne menyre te pashmangshme dhe specializim. Pikerisht tek menyra e dhenies se informacionit teknologjia dixhitale ka perparesi te jashtezakonshme ndaj teknologjive mekanike te deritanishme. Per te ilustruar ate cka dua te them mund te shihni nje sequencer gjenial te ideuar nga artisti japonez Toshio Iwai. Me menyren shume te lehte e intuitive te perdorimit te ketij synthetizeri kushdo mund te krijoje muzike cilesore.

    Si perfundim thjeshtezimi i mjeteve per te bere muzike do ta demokratizoje muziken ne te njejten menyre sic po demokratizohet aktualisht shkrimi, fotografia, videoja e shume media te tjera artistike.

    Personalisht jam nje perkrahes teorik dhe praktik 🙂 i proceseve si “Web 2.0” apo shfrytezimi i njohurive/inteligjences se nje bashkesie (wisdom of crowds). Keto procese jane shume me teper sesa trende te momentit dhe do te sherbejne si pergjigjie kulturore dhe teknologjike afatgjata ndaj mbi-specializimit te shoqerive perendimore.

  2. “ndaj mbi-specializimit te shoqerive perendimore.”

    Eni,
    me duket se kendin e lojrave e ve perball me laboratorin krijues.
    Ato mund te jene te dyja kende lojrash, ose laboratore krijues, ne perendim ose lindje.
    Ti e di shume mire se si duket nji i madh ne kendin e lojrave per femije; vizitor, po them.
    Po ashtu, si do te dukej nje injorant, ne laboratorin profesionist; zhurmemadh, do thoja.

    “mbi-specializimi” ose “i/e mbispecializuar” nuk jane nga kohe tjeter, jane te se njejtes kohe. Demokratizimi prej industrise do jete ne raport te zhdrejte perball “te tjereve” (dominant) dhe “mbi-specializuareve”(minoritar) Keshtu, nuk ka qene qe ne fillimiet e kohes?

  3. Industria e lojerave elektronike mbahet si nga pjeset me inovative te industrise se IT. Teknologjite qe perdoren sot tek lojerat elektronike i gjen ne zgjidhjet standarte te industrise se IT ne pergjithesi me 3-4 vjet vonese. Meqe ra fjala ne IT krahasimi i inovacionit me lojen dhe deshiren per te eksperimentuar behet shume shpesh, aq sa bile te del nga qejfi per ta degjuar.

    Ajo qe kam thene ne thelb per instrumentet muzikore eshte qe ato jane shume te veshtira per tu mesuar pikerish sepse kane sisteme marrje informacioni qe bazohet akoma ne teknologjine mekanike te para disa shekujve (tastiera tek pianoja, apo vrimat tek fyelli etj. qe kerkojne koordinim te jashtezakonshem nga instrumentalisti). Ketu teknologjia dixhitale mund ta thjeshtesoje aq shume procesin sa nuk mund te na e marre mendja. Aparati i Toshio Iwai-it qe kam permendur me siper eshte profesional. Perdoret nga DJ dhe muzikante ne pergjithesi pasi eshte akoma shume i shtrenjte (1200$) per tu patur si loje 🙂 nga kushdo. Teknologjia per t’ja hapur boten e krijimit muzikor kujtdo ekziston dhe brenda pak vjetesh (me uljen e cmimit) do te behet e prekshme dhe per ne te vdekshmit e zakonshem.

    Nese aksesi ndaj krijimit muzikor lehtesohet atehere baza e atyre qe do te krijojne muzike rritet eksponencialisht. Pra do te kemi dhe masat qe do te kene vendin e tyre ne zhvillimin muzikor njelloj sic po shohim te ndodhe tani me fotografite e videot. Perfundimi i ketij procesi do te jete rikthimi ne aktore e krijues dhe lenia e konsumatorizmit pasiv qe na eshte imponuar deri tani.

  4. Perseri…

    “heshtja eshte flori” Kjo per te gjithe, per masat (amatore) dhe individet (profesioniste).
    mendo te fliten te gjitha ato qe rrukullisen ne mendjen e c’do njerit nga ne, dhe te beheshin ato. Mund ti ngjaj afersisht asaj qe do demokratizohet si rrezultat i teknologjise.

    Sokrati kish sigurisht me pak teknologji ne kohen e vet, por instrumentin, eksplorimin e bukurise se mendimit ai e zhvilloj, ne ate mas sa tingellon si i sotem.

    Shembulli i zhvillimit qe mbeshtetet ne teknologjine e sotme, komercializon shijet dhe metodat ne dimensione te medha.
    Pra i ke te gjitha nga me shume se c’do kohe tjeter.

    Ne, e sigurt eshte se; sa mesojme te kemi frike (Dije), “trimeria” (mosdija) na jep kurajo.

  5. @Vemendje

    “heshtja eshte flori: Kjo per te gjithe, per masat (amatore) dhe individet (profesioniste).
    mendo te fliten te gjitha ato qe rrukullisen ne mendjen e c’do njerit nga ne, dhe te beheshin ato. Mund ti ngjaj afersisht asaj qe do demokratizohet si rrezultat i teknologjise.”

    Dmth. thua pak a shume qe grate qe permend xhaxhai tek artikulli i vet duhet te heshtnin e te mos i tregonin niperve ato qindra perralla qe dinin apo te mos i qepnin atyre lloj lloj trikosh leshi apo te mos ja merrnin kengeve te shumta popullore qe dinin atehere kur ju tekej. Une mendoj se jo te gjitha perrallat mund te kene qene aq te bukura dhe jo te gjitha trikot e leshit mund te kene qene te qepura mire apo jo te gjitha kenget apo variacionet vetjake te kengeve mund te kene qene kenduar me aq cilesi. E rendesishme ishte qe individet ishin aktive apo pjesemarres.

    Te pakten me sa kuptova une nje pjese e artikullit te xhaxhait ishte per ndryshimin e raportit te individit me kulturen ne kohet moderne ku argumentohej me te drejte qe shumica e individeve jane kthyer ne konsumues pasive ndryshe nga le te themi njeqind vjet me pare. Pikerisht kjo po ndryshon. Individet nuk jane me vetem konsumues por ne shume fusha edhe krijues, perhapes etj. Pra jane pjesemarres aktive. Ky eshte fenomen i ri (5-6 vjet) dhe per mendimin tim eshte fenomen qe do te qendroje per te zhvilluar shoqerine e raportet e individit me shoqerine.

    Ne nje sondazh qe me ra ne vesh pak kohe me pare thuhej se njerezit kalojne tani me shume kohe ne internet sesa 2 vjet me pare. Dhe kete kohe qe njerezit kalojne me shume ne internet e marrin nga pakesimi i kohes qe shohin televizor. Pra kemi kalimin nga nje media qe i imponon njerezve pasivitet ne nje media qe i fton ata te jene aktive ne menyra nga me te ndryshmet. Per mendimin tim ky eshte zhvillim shume pozitiv.

    Komercializimi, apo me mire te themi standartizimi pengohet nga procesi i pjesemarrjes aktive te shume individeve dhe jo e kunderta. Pse? Sepse ne radhe te pare ka shume me teper oferte. Komercializimi bazohet ne promovimin arbitrar te nje pjese dhe te lenies ne harrese te nje pjese tjeter. Kostot e promovimit tani kane rene. Pra edhe pjesa qe deri me pare duhej neglizhuar per arsye te ndryshme e gjen tashme rrugen e vet deri tek marresi (degjuesi, shikuesi etj.). E dyta sepse thjesht te qenurit aktiv ne raport me kulturen te zhvillon ne menyre te atille qe nuk i merr me kallep te gjitha ato qe te serviren nga promovimet komerciale por te lejon te fitosh nje veshtrim me kritik ndaj tyre.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: