Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

EKSPERTIZË APO PËRVOJË?

Meqë po flasim për emërime e poste, ndoshta duhet të përmendim edhe emërimet e kohëve të fundit, në poste të larta të drejtësisë, të dy personave me moshë shumë të re: Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj (i datëlindjes 1973), dhe Prokurores së Përgjithshme Ina Rama (e datëlindjes 1972).

Optimistët, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Berisha që i ka sponsorizuar politikisht këta të dy, mendojnë se të rinj si këta të dy dhe të tjerë do të sjellin vetvetiu frymë të re në institucionet shqiptare; dhe se nuk ka asgjë të keqe që të rinjtë të katapultohen në poste të tilla të larta, duke iu shmangur procesit të zakonshëm të karrierës.

Kritikët, përkundrazi, thonë se emërime të tilla kuadri praktikisht të panjohur nuk mund të përligjen veçse me dëshirën e kreut Berisha për të mbajtur kontroll të plotë mbi institucionet përkatëse, duke shfrytëzuar raportin e tij vetvetiu autoritar mbi të emëruarit e sidomos mundësinë që këtyre të rinjve t’u formohet personaliteti publik nën hijen e rëndë të kryeministrit vetë.

Për mua, këto dy emërime tradhtojnë, para së gjithash, krizën e mosbesimit që ka pllakosur në krye të forcës politike në pushtet; sepse vetëm në rrethana krize është normale që të rinj si Alibeaj e Rama, sado të talentuar, të përgatitur e me integritet, të shfaqen në krye të institucioneve kombëtare të drejtësisë.

Njëlloj si mjekësia, edhe drejtësia nuk mund të ushtrohet vetëm në bazë të ekspertizës profesionale, meqë kërkon para së gjithash përvojë dhe urtësi. Sado të ketë shkëlqyer në shkollë e në kurse kualifikimi e specializimi, juristi i mirë nuk bën dot pa një përvojë të gjatë ballafaqimi me çështje individuale.

Ndryshe nga matematika ose fizika teorike, ku janë kryesisht të rinjtë që çojnë përpara dijen me hipoteza të reja dhe vizione prej gjeniu, në drejtësi sikurse në politikë ka më shumë peshë urtësia sesa mençuria, përvoja sesa ekspertiza. Vetë instinkti i drejtësisë, nëse mund ta quaj kështu, themelohet veç mbi përvojën vetjake të juristit.

Një tjetër tipar që i kërkohet juristit të lartë është autoriteti – jo aq i postit ku është emëruar, sesa i personit vetë; autoriteti i mbështetur mbi reputacionin, historinë e çështjeve të trajtuara, besimi i fituar në dhjetëvjeçarë veprimtarie në zbatim ose interpretim të ligjeve.

Unë nuk i njoh as Alibeajn, as Ramën; as mund të them gjë për njohuritë e aftësitë e tyre, ose për mënyrën si i vendosin marrëdhëniet me kolegët, mediat, vartësit dhe eprorët e tyre. Por jam i sigurt se në Shqipëri autoriteti ende i bashkëlidhet hierarkisë së moshës, dhe një tridhjetëvjeçar nuk e ka të lehtë t’u imponohet pesëdhjetëvjeçarëve, pa iu deleguar një autoriteti të përtejmë, ose pa veshur petkun e papërshtatshëm të zëdhënësit.

Nëse është kështu, atëherë argumenti i optimistëve, për nevojën e freskimit të institucioneve me të rinj, duhet rishikuar. Nëse Berisha, ose PD-ja, e kanë vërtet seriozisht këtë orientim në politikën e kuadrit, atëherë freskimi i institucioneve duhet të fillojë nga poshtë, duke u hapur të rinjve dyert e karrierës, jo duke i telegrafuar në krye të hierarkive.

Si Alibeaj, ashtu edhe Rama, nuk kanë pasur kohën e nevojshme për t’u formuar profesionalisht; madje janë shkëputur prej praktikave juridike të zakonshme pikërisht në një kohë kur institucionet ku punonin kishin nevojë për zellin e tyre, energjinë, entuziazmin dhe ndershmërinë që me siguri e kanë, e që njëfarësoj lidhen edhe me moshën e re.

Kështu dëmi është i dyfishtë: nga një anë u deformohet brutalisht karriera kuadrove të cilët do të kishin punuar shumë më mirë në detyra që u përshtateshin moshës dhe përvojës së tyre profesionale; nga ana tjetër emërohen në krye të institucioneve njerëz të cilët nuk e kanë reputacionin e nevojshëm për të udhëhequr.

Rasti i Ramës dhe Alibeajt nuk është i veçuar, as përbën ndonjë zgjidhje të nxituar të një situate që nuk mund të durohej më. Të paktën edhe një tjetër ministre, Majlinda Bregu, më rezulton e datëlindjes 1974; pa llogaritur zëvendësministrat, që me siguri do t’i kenë hequr me ceremoni nga leksionet universitare, për t’u dorëzuar detyrën.

Nga ana tjetër, krejt politika e këtij ekzekutivi me kuadrin më duket kaotike; sidomos kur shoh se si janë trajtuar probleme të tilla delikate si Akademia, ose kur lexoj për cilësinë e ulët të personelit diplomatik në ambasada të Shqipërisë kudo në botë. Të krijohet përshtypja sikur pushteti i përdor emërimet ose për të forcuar kontrollin tribal të sektorëve të ndryshëm, ose për të vënë në krye të punëve përdorues të zotët të telefonit celular.

Si në një rast ashtu edhe në tjetrin, rrënjët e problemit duhen kërkuar në krizën e besimit që i ka pllakosur institucionet. Telefoni celular, edhe pse duket sikur i shërben punës në rrjet ose bashkërendimit, në të vërtetë përdoret për ta përqendruar pushtetin, deri në absurditet, në duart e kreut.

Teknologjia e celularit ka shkatërruar, të paktën, diplomacinë; sepse u ka hequr ambasadorëve arsyen për të kultivuar personalitete, miqësi dhe lidhje autonome; nuk është prandaj për t’u habitur që ambasadat tona shndërrohen në zyra pritjesh për dinjitarët e lartë vizitorë prej Shqipërie, ndërsa diplomacia shqiptare zhvillohet e tëra në Tiranë!

Pikëtakimi i këtij autoritarizmi teknologjik, me emërimin e moshave të reja në krye të institucioneve, ka të bëjë me nevojën e padiskutueshme të kuadrit të ri, sidomos brenda institucioneve, për t’u udhëhequr profesionalisht, moralisht dhe politikisht.

Si të flasësh pastaj për pavarësi institucionesh, kur në krye të tyre vihen njerëz që, për shkak të moshës, do të gabonin rëndë po të synonin të vepronin në mënyrë të pavarur?

 

17 Komente

  1. Pikëtakimi i këtij autoritarizmi teknologjik, me emërimin e moshave të reja në krye të institucioneve, ka të bëjë me nevojën e padiskutueshme të kuadrit të ri, sidomos brenda institucioneve, për t’u udhëhequr profesionalisht, moralisht dhe politikisht.

    Pervoja e ‘te rinjve’ ka mjaft anekdoda. Enkelejd Alibeaj hodhi ne gjygj Keshillin e Larte te Drejtesise(KLD) pasi, sipas tij, ata e pushuan padrejtesisht nga puna si gjyqtar me motivin ‘mosparaqitje ne detyre’. Rasti eshte teper interesant. Alibeaj, kur mori vesh emerimin si gjyqetar ne Skrapar, mbas perfundimit te shkolles te magjistratures, vendosi qe te jape doreheqje e ti paguaje shtetit koston e shkollimit te tij, dhe te kthehej ne avokat privat. Doreheqja nuk iu pranua, dhe duke qene se ai e dinte veten te dorehequr e nuk paraqitej ne pune, KLDja e pushoi nga detyra. Gjyqin e fitoi Alibeaj. A eshte kjo fitore per drejtesine apo jo, mbetet per tu shikuar

  2. Pandeli Majko, i datelindjes 1967, Kryeminister ne vitin 1998.

    Ilir Meta, i datelindjes 1969, Kryeminister ne vitin 1999.

  3. Pse, sipas kesaj logjike, meqe je guerilas ne moshe te re, ke fituar edhe eksperiencen per te qeverisur? Qe te dy ata firmosen per here te pare ne bordero si kryeministra, s’kishin bere asnje dite pune asgjekundi.

    Sic e shpjegon shume sakte Xhaxhai, asnje lloj suksesi akademik apo i cdo lloji tjeter, politik ne rastin e kryeministrave buzequmesht, nuk te jep eksperiencen dhe mencurine per te drejtuar asnje lloj institucioni, pa le me nje qeveri te tere.

    Ne Shqiperi nuk ka as arsim per qeverisje, qe te pakten te hidheshin bazat e formimit teorik. Dhe keto katapultime te askurkusherve ne krye te puneve nuk ndihmojne askend, as ata vete.

  4. Katapultimi i të riut në krye të një institucioni ua frenon motivimin të gjithë atyre që punojnë atje, e që e konsiderojnë karrierën si arsye për t’u ngritur herët në mëngjes e për të shkuar në zyrë. Nëse unë jam zyrtar i mesëm dhe e ndiej veten plotësisht të aftë për të ecur përpara e për të dalë një ditë në krye të institucionit ku punoj, nuk mund të mos shkurajohem kur shoh që më emërojnë në krye një rijosh, pa përvojë në punë e pa lidhje të shkuara me institucionin tim. Ky emërim mua më përcjell kumtin se përkushtimi në punë nuk do të më shpërblehet kurrë me promovim në karrierë, prandaj kot që lodhem. Përkundrazi, sikur në atë post të emërohej, bie fjala, një kolegu im me të cilin mund të krahasohem, ndoshta nuk do të më vinte mirë, por shpresat nuk do të fashiteshin.

  5. Mua më duket se shumë nga të rinjtë vihen në këto poste (1) për arsyen që përmend Xha Xhai, ose për të ruajtur strukturat e pushtetit, por edhe sidomos (2) për t’i transmetuar publikut një sinjal ndryshimi. Rinia dhe gjallëria e të posaemëruarve përdoret për të përcjellë një mesazh të ripërtëritjes, ose për të lajmëruar një transformim ose për të treguar se krerët e kanë mendjen të hapur për të lejuar madje nxitur progresin… Nga dy arsyet më sipër më shumë dëm sjell iluzioni i sjelljes së diçkaje të re në praktikat emëruese, sesa sanksionimi i hierarkive. Kur ti manipulon sinjale të tilla si ndryshimi, ripërtëritja, progresi, rritja, pa u dhënë vërtet fuqi veprimi, atëherë e shkatërron perspektivën, sepse perspektiva varet nga këto lloj ndryshimesh. E keqja këtu është se edhe e majta edhe e djathta synojnë ta pikturojnë veten si të gatshme për t’u ripërtëritur duke pranuar në vete gjak të ri. Berisha nisi një program para ca kohësh, ku konkurronte me Ramën kush e kush të thithte të rinj në partitë përkatëse, duke luajtur me fjalëkyçe si të rinj, të edukuar në Perëndim, frymë e re, mendësi e re, etj., për t’i reduktuar në nota muzikore zbavitëse!

  6. O njerez, po thojeni troç se jane vendime politike dhe jo tjeter gje. Nje djaloshar dhe nje bukuroshe, nuk mund te sillen me aq ngut neper karrige te ngrohta. Ata sapo ishin duke bere “zborin” neper rrethe, dhe tani ne i shohim te katapultuar me satelit ne dy institucione aq te nxehta dhe qe te pervlojne nje here e mire. Ja, çfare i ndodhi te gjorit Mastella qe po e hedh ne flake pushtetin e Prodit…
    Te jesh me pozite, me pushtet, ne nje shtet ku qeverisja me shume behet nga tribunat e partise dhe kercellitja e dhembeve, ku 30 – 40% e popullsise nuk dine te lexojne kushtetuten, s’duhet te jete dhe aq e rehatshme. Por, t’i leme qe te punojne dhe t’i gjykojme me veprat qe do na zbrdhin. Perpara kane jo pak per te bere, duke patur parasysh ngjitjen e rrufeshme te nje te “riu” tjeter nga opozita, dhe ai me duket se i ka bullonat ne kaptine…

  7. Më kish shpëtuar një artikull i Fatos Lubonjës për këtë temë, që mund të lexohet këtu.
    Shkrimi ndjek një vijë tjetër arsyetimi, sidomos ngaqë autori e qëmton problemin edhe sipas përmasës historike; edhe pse unë nuk shoh ndonjë ngjashmëri të madhe midis të rinjve që erdhën në pushtet në Shqipëri në vitin 1945, dhe këtyre që i ngre sot me ashensor në krye të punëve partitokracia. Gjithsesi, artikull për t’u lexuar.

  8. Të paktën Rama dhe Alibeaj janë juristë, dhe pa dyshim të dalluar në studimet dhe karrierën e tyre të përparme.
    Por ç’mund të thuash për aktorë apo ish-aktorë, të cilët u gjendën rastësisht në “valën” e lëvizjes studentore dhe pas ca vitesh u ulën – me plot besim në vetvete – në karrigen e Ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë…
    Ministër Shëndetësie një ingjinier;
    Ministër Drejtësie një aktor;
    Shqipëri hesapi…

  9. Ndersa mua personalisht, duke qene ne nje moshe shume me te te madhe se ta, me ben zili’ kurajua e tridhjetvjecareve per tu bere ministra dhe prokurore. Gjithnje vendos veten time perpara gazetareve ne nje konference per shtyp, dhe mendoj se c’fare do te pergjigjem per nje pyetjeje qe nuk ma ka bere asnje deri tani. C’fare pervoje kane keta aventuriere e karieriste per tu ngjitur ne ato vende ku duhet te jene floke thinjur me nje barre te madhe davash, te zgjidhura e te pa zgjidhura, ne karieren e tyre profesionale? Nuk e kuptojne ata se eshte nje gje shume e madhe qe ata te jene ne keto poste kaq shpejt? C’fare kryeminister i pa lyre na ka rene per hise’ qe te na vere ne krye te drejtesise ciliminj qe e kane mendjen te ahengjet dhe mbremjet?

    Nuk me duket i goditur krahasimi me te zbriturit nga malet ne 1944 dhe sot. Nje krahasim i tille do te mund te behej shume vite me pare kur diplomoheshin juriste me kurset gjashte mujore te konvaleshences te plepat. Kam degjuar se diplomat u jane shperndare ne plazh “studenteve” me rroba banjo. Po te kete rastisur dite e Diel, kam frike se mos ka qene aty edhe Alibeaj dhe Rama. Edhe ata me roba banjo.

    Ambulant Vender

  10. Per humor (dhe jo vetem) po iu rrefej se vite me pare (te thoni ju sikur kam nja 30 vjet qe punoj une!!!) kam njohur nje ish-keshilltar juridik te ish-kryeministrit Majko. Deri ketu nuk ka asgje per tu shenuar. Interesantja qendron ne faktin qe ish-keshilltari juridik i i nje kryeministri (dhe teorikisht nje nga njerzit me me ndikim ne vendimmarrjen e 1-shit te ekzekutivit…) punonte … specialist i thjeshte (kishte familje per te ushqyer) ne nje drejtori X te MD (respekte). Ishte vetem 31 vjec. Nejse, se, si per ti vene kapakun muhabetit, une, atekohe 28 vjec:), isha shef sektori…. .
    Ta kam llafin qe…, para ca ditesh kam pire kafe me dy avokate, qe ashtu kishin nje hall. Ne cv e tyre, te dy kane fatin te rreshtojne se kane punuar respektivisht minister dhe zv/minister drejtesie.
    E ku e kisha llafin? Qe bota rrotullohet dhe c’eshte lart vjen poshte?! Jo mo jo, se kjo dihet, po qe kur rrotullimi njerzor vjen si pasoje e shtysave anormale, eshte normale te vihemi perballe karrierave te ngjashme…, te ngjashme me shumecka ne tranzicion.

  11. Problemi i rinimit të klasës politike është një çështje kyçe për shumë vende, dhe Shqipëria është një nga këta. Mendoj se te ne duhet bërë një arsyetim pak më i detajuar për të kuptuar domethënien e “rinimit anagrafik” të politikës sonë. Jam plotësisht dakort me atë që thotë Xha xhai përsa i përket raportit të këtyre të rinjve me liderat dhe në rastin tonë specifik me liderin e Pd-së dhe të qeversië Berisha.

    Dëgjoj shpesh të thuhet se një ministër drejtësie duhet të jetë një jurist, ai i shëndetësisë një mjek e kështu me rradhë, duke lënë të kuptosh se ministri duhet të ketë kompetenca të mira në dikasterin që drejton. Personalisht jam kundër kësaj llogjike.

    Politikani është ai që merr përgjegjësinë politike të zgjedhjeve që bën dhe për të pasur sa më shumë elemente vlerësimi mund të rrethohet nga “teknicien” të çdo lloji në fushën ku punon për tu këshilluar. Në gjithë vendet e botës ligjet nuk i shkruajnë parlamentarët ministrat apo sekretarët e partive, por teknikët. Politika jep drejtimin, jep përmbajtjen parimore të ligjeve dhe reformave dhe teknikët i përkthejnë në publikime voluminose ligjesh e dispozitash.

    Ku mund të formohet një politikan? Duke u nisur nga ideja se shkolla politike tout court nuk ekzistojnë formimi i një politikani kalon nëpërmjet jetës së partisë ku ai bën pjesë ose të çfarëdolloj lëvizje qytetare konsistente që mund të jetë aktive në ato momente. Mund të fillohet politika dhe në moshë fare të njomë, duke shpërndarë fletëpalosje nëpër rrugë, duke marrë pjesë ne asemble studentore, duke marrë pjesë në mitingje e manifestime, duke marrë pjesë në fushtata elektorale; me pak fjalë duke qenë aktiv.

    Në këtë prizëm është i paevitueshëm graduliteti që të bën të ngjitësh shkallët e karrierës politike. Pra, unë e shikoj si një rrugë me shumë shkallë të vogla dhe nëse nuk do që rreziku i rënies të jetë i lartë, atëhere duhet ta hedhësh hapin një shkallë për çdo herë që lëviz.

    Ndoshta tek ne ndikon shumë fakti që kemi qenë për 50 vjet nën një rregjim totalitar dhe kjo ka penguar që rinia të përfshihej në proçese politike të shëndosha dhe automatikisht e kemi gjetur veten me djemtë, vajzat, nipat dhe mbesat e atyre që pak a shumë bënin politikë gjatë asaj kohe.

    Pas këtyre pak pragrafëve vazhdoj të mbetem akoma i idesë se politike shqiptare duhet rinfreskuar duke u hapur arenat e pjesëmarrjes të rinjve në çdo nivel të jetës partiake.

    Disa shembuj:
    Në Spanjë kryeministri Zapatero është 48 vjeç dhe e ka filluar karrierën e tij me një post si deputet në vitin 1986 kur ishte 26 vjeç. Më pas, vetëm në vitin 200o ai zgjidhet kryetar i PS –së në moshën 40 vjeç pasi gjatë kësaj jete të gjata parlamentare dhe partiake ishte shquar si një njeri që arrinte të zbuste tensionet dhe të krijonte dialog.
    Në Angli Brown është 57 vjeç dhe ka arritur të futet për herë të parë në parlament në moshën 32 vjeçare për të ndjekur karrierën politike deri në postin e ministrit të ekonomisë për shumë vjet dhe atë të kryeministrit tani.
    Në Franë Sarkozy është 53 vjeç dhe ka filluar karrierën e tij në moshën 23 vjeçare duke marrë pjesë në mënyrë aktive në fushatën elektorale të kandidatit golist Chaban Del mas, duke qenë më pas deputet, kryetar bashkie dhe ministër.

    Mund të ndodhi në disa raste që një ministër emërohet në atë post për merita të njohura në fushën e tij. Një rast mund të jetë ministri italian i ekonomisë (ndoshta deri nesër nëse qeveria bie) Tommaso Padoa Schioppa. Pa pasur asnje eksperiencë politike (në kuptimin partiak të fjalës) ai ka mbuluar detyra prestigjoze në drejtimin e disa organizmave ekonomik financiare dhe kjo eksperiencë ka bërë që ai të ketë besueshmërinë e duhur për të drejtuar financat italiane.

    Të bësh një 30 vjeçar ministër pa pasur ky i fundit një eksperiencë politike të konsoliduar domethënë që politikisht po e djeg, nëse mendon se ky mund të jetë një figurë e shpenzueshme në një të ardhme. Mjafton të shikoni se ç’fund kanë bërë seria e pafund e ministrave të rinj që gjatë viteve janë emëruar në poste të ndryshme..

  12. Lexoj sot në shtyp se Komisioni parlamentar i ligjeve po vendos që gjyqtarët të emërohen si të tillë vetëm pas moshës 30 vjeç.

    Më duket se po pranohet gradualisht arsyetimi për peshën e përvojës në jetën publike, çka nuk e hedh poshtë idenë e përjashtimit.

    Gjeniu, asi, “fuoriclasse”, kampioni, etj. gjithnjë do t’i djegë etapat, në të gjitha fushat. Problemi lind kur “gjenitë” fillojnë e përbëjnë shumicën, kurse në pakicë mbeten normalët. Në Shqipëri përjashtimi shndërrohet në normë.

  13. Z. Ademi,

    Edhe nga shembujt qe sillni ju del qarte ideja se karrieren mund ta fillosh ne moshe te re, neper fushata apo edhe ne parlament, por postin drejtues e merr ne moshe te pjekur, kur ke fituar eksperience dhe maturi. Mosha nen 30 vjec eshte shume e vogel edhe per tu bere drejtor diku ne nje dikaster, se pas gjase arsimimin e ke mbaruar rreth 23-25 vjec, pra ke vetem 5-7 vjet eksperience ne pune, qe mjafton per te te bere qameti-qameti shef sektori.

    Nuk eshte e vertete qe ministri eshte person vetem politik. Ne kompetencen e tij jane jo vetem propozimi i ligjeve apo vendimeve te KM, por edhe buxheti i ministrise perkatese, edhe moria e problemeve te karakterit financiar, juridik dhe administrativ cdo dite. Dhe patjeter duhet te kete formim ne fushen qe mbulon, se nuk kupton per cfare po flasin “teknicienet” dhe s’ka si merr vendim pastaj se cili argument eshte i vlefshem. (Jam shume kurioze te di se si ja bente Kastriot Islami kur ishte minister financash, apo Ndoka sot si minister shendetesie.)

  14. Nard Ndoka kur mori postin tha se do kem edhe ndihmen e Doktorit per ta perbablluar!
    Llogjika minimale ta do se ky njeri eshte i djegur per ate post (se ndryshe perse do ta marresh persiper nje post ne punen e te cilit do te duhet ndihma e tjeter kujt per ta kryer) dhe eshte perputhur me nje kryeminister qe do te beje edhe punen e ministrit! Lere menjeane faktin qe eshte xhenerik – i pakualifikueshem per c’do lloj niveli ne administrate.

  15. Fatkeqesisht ne Shqiperi gjerat nuk shkojne sipas logjikes normale (asaj me te cilen shkruajne edhe nderhyresit e tjere te blogut).
    Z.Ndoka ishte pjese e suksesshme:) e partise se z.Lesi dhe i tejkaloi mesimet e profesorit te vet ne lidhje me “rolin dhe funksionin e partise politike ne kapitalizem”, pasi me ndihmen bujare te biznesmenit Tom Doshi (pronari i “Profarmes”) ia bleu partine Lesit dhe pasi atashoi aty “natyrshem” edhe disa politikane(!!!) te tjere majtas e djathtas, i beri presion Berishes ekzaktesisht per Ministrin e Shendetesise, e cila, qe nga ajo dite te gjitha blerjet (multimilionare, per shkak te natyres se shendetesise piblike shqiptare) i ka kanalizuar “natyrshem” tek bizneset e biznesmentit Doshi & Friends.
    Ketu nuk ka lidhje fare, po fare fare ama, koncepti yne (i juaji) per termin “politikan” (ne variantin e tij perendimor).
    Sikur ti shihni pakes ne kete kendveshtrim edhe pranimet pa nje pa dy te posteve nga ana e “te rinjve” ndoshta nuk do cuditeshit apo zilepseshit:).
    Ketu jo vetem qe nuk “digjet” kush (vec shqipos se thjeshte), por, edhe ne eventualitetin shuuume pak te mundshem te te perfunduarit ne burg (sikur Luli…), dilema eshte sfiduese per cilindo: a do pranoje ti (une, ajo, ne, ju, ata, ato) te beje 4-5 vjet “brenda” per 2 deri ne 22 milone euro?
    Nje stan me funksionare te larte socialiste i jane pergjigjur tashme kesaj pyetjeje ekzistenciale, duke u bere fanar ndricues dhe burim shprese edhe per pasardhesit e tyre…

    O tempora, o mores!

  16. Pseudonim NgaHalli, faleminderit per komentin dhe te kerkoj falje per naivitetin e treguar.
    “O tempora, o mores” eshte shprehja e duhur!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin