Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë

LOJËRA MAJMUNËSH

Kam lexuar diku për një teknikë të çuditshme që përdorin gjahtarët e fiseve primitive, për të kapur të gjallë majmunët. Marrin një kungull të zbrazët, i hedhin brenda pak oriz, e vulosin nga sipër dhe i hapin një vrimë në anë, aq të madhe sa të nxërë një dorë majmuni. Pastaj e lënë kungullin në xhungël, afër vendit ku vërdallosen majmunët. Këta herët a vonë e pikasin kungullin, e nuhatin që ka oriz brenda; më i guximshmi afrohet, kall dorën në vrimë, e mbush me oriz, bën ta nxjerrë… por nuk e nxjerr dot. Dora e mbyllur grusht, me gjithë orizin brenda, është bërë më e madhe se vrima dhe nuk del dot më. Megjithatë, majmuni refuzon ta lëshojë orizin dhe vazhdon të shpresojë se duke tërhequr, do të arrijë ta nxjerrë dorën me oriz prej kungullit njëlloj sikurse e futi. Aq e madhe është grykësia e majmunit, sa edhe kur i afrohen gjahtarët, ky nuk e hap grushtin kurrsesi që të lëshojë orizin, por preferon që ta kapin rob.

o o o

Le të përfytyrojmë tani dy vetë që luajnë një lojë të thjeshtë monedhash. Njëri prej lojëtarëve, Qyqari, është shumë i varfër; tjetri, Pasunari, shumë i pasur.

Loja luhet kështu: të dy lojëtarët vendosin nga një monedhë njëlekëshe në tryezë.

Nëse rezultati është KOKË dhe PIL, ose PIL dhe KOKË, Pasunari fiton një lek prej Qyqarit. Nëse të dy monedhat janë PIL, atëherë Qyqari fiton një lek prej Pasunarit. Nëse të dy monedhat janë KOKË, atëherë Qyqari fiton përsëri, por këtë herë një milion lekë prej Pasunarit.

Me fjalë të tjera:

KOKË + PIL = Pasunari fiton 1 lek, Qyqari humbet 1 lek

PIL + KOKË = Pasunari fiton 1 lek, Qyqari humbet 1 lek

PIL + PIL = Qyqari fiton 1 lek, Pasunari humbet 1 lek

KOKË + KOKË = Qyqari fiton 1 milion lekë, Pasunari humbet 1 milion lekë

Si duhet të luajë Qyqari? Po Pasunari?

Qyqari, natyrisht, kërkon të fitojë një milion lekët; ndërsa Pasunari kujdeset të mos i humbë, edhe pse nuk do ta refuzonte ndonjë lek më tepër, herë pas here.

Si fillim, Qyqari është gjithnjë i tunduar të luajë KOKË, me shpresë se një herë Pasunari do të luajë edhe ai KOKË.

Pasunari, nga ana e vet, e merr me mend se Qyqari do të luajë KOKË për të fituar një milionëshin, prandaj do të luajë logjikisht PIL.

Pasi janë luajtur disa raunde, të themi 100, atëherë Qyqari e vë re se është duke humbur para, meqë për çdo kombinim KOKË-PIL, Pasunari ia fiton një lek. Prandaj, nëse ka mend në kokë, duhet të fillojë edhe ai të luajë PIL.

Nëse Qyqari luan gjithnjë PIL, vërtet nuk ka asnjë shans të fitojë një milion lekë, por të paktën ka mundësi t’ia fitojë Pasunarit gjithnjë nga 1 lek, meqë Pasunari nuk është aq budalla sa të luajë KOKË.

Apo jo?

Tani që Qyqari luan rregullisht PIL, është Pasunari që fillon të humbasë – pak, por pandalshëm. Në krye të 100 raundeve, Pasunari do t’i humbë të 100 lekët që ia fitoi në krye Qyqarit.

Çfarë duhet të bëjë Pasunari për ta ndalur sado pak këtë ortek humbjesh? Natyrisht, të rrezikojë e të luajë KOKË një herë të vetme. Meqë Qyqari edhe atë herë do të ketë luajtur PIL, atëherë rreziku që Pasunari të humbë një milion lekët është i papërfillshëm.

Avantazhi këtu s’ka lidhje vetëm me atë një lek që do të fitojë Pasunari nëpërmjet kombinimit KOKË-PIL; por me shpresën që i ringjallet Qyqarit për të fituar një milionëshin, meqë KOKA që luajti Pasunari premton se ky nuk e ka prerë mendjen që të luajë gjithnjë PIL.

Atëherë Qyqari, duke marrë zemër nga loja e fundit e Pasunarit, fillon të luajë KOKË obsesivisht përsëri, derisa në krye të 100 raundeve të tjera të konstatojë se kundërshtari ia ka fituar përsëri 100 lekë…

E kështu me radhë.

Paradoksi i kësaj loje mund të formulohet kështu: sa më lakmitar të jetë Qyqari për një milionëshin, aq më shumë para do të humbë; nga ana tjetër, edhe Pasunari, sa më i kujdesshëm të tregohet për të mos e humbur një milionëshin, aq më shumë para do të humbë.

William Poundstone, nga i cili e kam përshtatur këtë shembull, thotë se strategjia më e mirë për të dy palët është të luajnë herë pas here, por shumë rrallë, KOKË; përndryshe, të luajnë gjithnjë PIL.

o o o

Edhe historia e majmunit lakmitar, edhe loja që përshkruan Poundstone, nuk di pse më kujtojnë disa strategji të qeverive të Tiranës, në marrëdhënie me të huajt. Këto strategji përcaktohen, në analizë të fundit, nga disniveli i frikshëm në mjete financiare midis palëve; por të paktën loja e mësipërme, të cilën Poundstone e ka gjetur të analizuar nga themeluesit e teorisë së lojërave Von Neumann dhe Morgenstern, tregon se edhe në kushte të tilla të pabarabarta, ekzistojnë strategji të arsyeshme, të cilat nuk të lënë të përfundosh si majmuni me dorë në kungull.

Dihet që qeverive në Tiranë u duhen para. Vendi nuk prodhon shumë, dhe shumica e të ardhurave sigurohen nga doganat dhe taksa të tjera; por këto kurrë nuk mjaftojnë. Në rrethana të tilla, qeveritë e Tiranës gjithnjë e kanë humbur arsyen dhe kanë luajtur KOKË rregullisht, me shpresë se një ditë do t’u buzëqeshë fati me fytyrën e budallait përballë, kur të harrojë e të luajë edhe ai KOKË.

Natyrisht, partnerët në këto lojëra, duke filluar nga fqinjët tanë të mençëm grekë, na e kanë marrë dorën dhe luajnë gjithnjë PIL.

Të njëjtën mendësi e shoh të shprehet ndonjëherë në politikë të jashtme; sidomos tani së voni me zhurmën shurdhuese për hyrjen në NATO…

Përndryshe, siç e ilustron shembulli i mësipërm, po t’i luanim lojërat tona me kujdes (rregullisht PIL dhe vetëm shumë rrallë KOKË) do të dilnim pothuajse gjithnjë të fituar nga ndeshjet me kundërshtarë që në parim rrezikojnë shumë më tepër se ne; duke shfrytëzuar pikërisht frikën e tyre për të mos humbur shumë (ose detyrimin e tyre për të luajtur pothuajse gjithnjë PIL).

o o o

Nuk bëj ndonjë zbulim po të them sa e humbur ka dalë ekonomia shqiptare nga këto lojëra; as po të them se kjo lidhet disi me një cen psikologjik kombëtar që na ekspozon pak si tepër ndaj tundimit të lojërave të fatit. Sipas një shkrimi të Muhamet Veliut që gjeta te “Peshku pa ujë”:

Frekuentimi i shumtë i lokaleve të basteve po kthehet në një problem të mprehtë për emigrantët shqiptarë të Anglisë. Shumë çifte po ndahen, ndërsa shumë të tjerë të zhytur në spiralen e basteve të pashpresë dhe kanë vite që nuk telefonojnë familjet.

Tërheqja e parezistueshme ndaj bixhozit është patologjike; por patologji të tilla nuk prekin vetëm individë, por edhe ekonomi e kultura të tëra. Këtë ma konfirmon edhe çka ndodhi në Shqipëri me skemat piramidale para vetëm dhjetë vjetësh.

Nga ana tjetër është në favorin tonë, tha, që kërkesat e tregut për majmunë të kapur robër kanë ardhur duke rënë.

6 Komente

  1. Qyqari në përgjithësi e di që është shumë e vështirë që të arrijë dhe ai të bëhet pasunar, ndërsa është me e qartë për pasunarin që një keqadministrim i pasurisë mund ta shpjerë të bëhet qyqar. Në Shqipëri, si në nivel individual dhe kolektiv, ideja e administrimit të pasurisë është mjaft e kufizuar në një vizion afat shkurtër të investimit në përgjithësi. Investim sot dhe fitim nesër, pothuajse me çdo kusht. Në nivel vendi mjafton të shikojmë se si luhet me financat dhe me kreditë me interesa marramendësa që “të jashtëmit” na japin. Akoma sot, pas gjithë asaj që ndodhi me piramidat, bankarizimi i shqiptarit në atdhe ndjek idenë e interesave më të lartë që një bankë mund të ofrojë. Patologjia e lojës, bixhozit, mënyra e vetme pseudoligjore për të bërë kalimini qyqar/pasunar fa rrezikuar burgun, po përhapet jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj. Rastit të Anglisë mund ti shtojmë rastin italian dhe grek. Vend ku shqiptarët janë disa nga pjesëmarrësit e rregullt të industrisë së basteve dhe ku po futen në një mekanizëm riprodhues që nëpërmjet borxheve i mban lidhur në mënyrë fatale. Nuk është një rast që në 185 kombësi të pranishme në Itali, shqiptarët janë më të prekurti nga ky fenomen.

  2. Me siper Ismail Ademi shkruan:

    “Në Shqipëri, si në nivel individual dhe kolektiv, ideja e administrimit të pasurisë është mjaft e kufizuar në një vizion afat shkurtër të investimit në përgjithësi. Investim sot dhe fitim nesër, pothuajse me çdo kusht”

    Nuk jam aspak me ju Ismail se ne Shqiperi administrimi i pasurise eshte i kufizuar dhe me vizion afat shkurter. Shqiperia doli nga sistemi socialist pa asnje njohuri mbi nismen private dhe sipermarjen kapitalsite. Mjetet financiare ne ate fillim as qe ekzistonin fare per te nisur nje biznes. Te gjihte shqiptaret e filluan jeten kaptialsite me shume me teper risqe dhe sakrifica se dikush qe sot mund ta filloj ne vendet e tjera te zhvilluara. Aktivitetin shume prej tyre e filluan duke udhetuar neper vende te tjera me parate neper canta si pasoje e mungeses se infrastruktures bankare. Kredite bankare ne ate fillim ishin inekzistente dhe te gjitheve ju desh qe te huanin mjete financiare nga individe private kundrejt interesave shume te larta.

    Sot ne Shqiperi, me gjithe mangesite e trasheguara nga mungesa e kultures kapitaliste te manaxhimit te kapitaleve, kemi nje pamje shume te ndryshme po ta krahasosh edhe me pese vjet me pare. Se bashku me zhvillimin e sistemit bankar sot sipermarja private ben perpjekje te vazhdueshme ne kerkim te shigjeve ivestuese per te ritur madhesine e bizneseve edhe kur dime qe ato po zhvillohen ne kushte te nje konkurence shume te forte dhene pozicionit ku jemi. Shqiptaret jane popull kursimtar dhe dine ta mprehin mire lapsin perpara se ti hyjne nje pune.

    Me poshte ju vazhdoni:

    . “Në nivel vendi mjafton të shikojmë se si luhet me financat dhe me kreditë me interesa marramendësa që “të jashtëmit” na japin”.

    Intersat maramendese qe japin “te jashtmit’, shqiptaret nuk i caktojne vete, por i pranojne nese ato fonde o kredi ju duhen dhe, kur tregu i fondeve nuk ka interesa me te ulta.

    MB

  3. Loja midis Qyqarit dhe Pasunarit mund të lexohet në mënyra të ndryshme. Konstantja e vetme mbetet lakmia ose mënyra për t’u pasuruar. Kur i lexova kombinimet e lojës mendja më vajti edhe tek ajo që po ndodh brenda trupit social shqiptar. Nuk është e thënë që dinamikat midis Qyqarit e Pasunarit t‘i shohim vetëm në marrëdhënie me të tjerët. Tjetri mund të jetë shqiptar, por edhe i huaj, i pasur ose i varfër. Po përsëris paradoksin e lojës:

    Paradoksi i kësaj loje mund të formulohet kështu: sa më lakmitar të jetë Qyqari për një milionëshin, aq më shumë para do të humbë; nga ana tjetër, edhe Pasunari, sa më i kujdesshëm të tregohet për të mos e humbur një milionëshin, aq më shumë para do të humbë

    Pra, sikur t’i hiqnim lojtarët dhe formulat, thelbi i lojës mund të ishte ky: “Sa më lakmitar të jesh për të fituar miliona, aq më shumë para do të humbasësh”. Kjo formulë mund t’i aplikohet fare ekonomisë shqiptare në përgjithësi, ose tregtisë në veçanti.

    Sipërmarrësi shqiptar kërkon të fitojë sa më shpejt e sa më shumë, duke harruar se fitimi i vërtetë është ai i llojit “gur gur bëhet kalaja”. Tregtari shqiptar do të fitonte më shumë sikur artikujt t’i shiste me çmime më të arsyeshme. Kjo do t’i siguronte fitime të vazhdueshme (anipse jo milionëshe e të menjëhershme) dhe, çka është më e rëndësishme, do ta shpërndante mirëqenien në bashkësi duke i siguruar shoqërisë, pra të gjithëve, një farë stabiliteti.

    Mirëpo sipas këtij arsyetimi i bie që Qyqari të jetë tregtari. Nga portofoli nuk duket, por jua siguroj se qyqar është deri në kockë.

  4. Pishak.

    Ti thua se: “Sa më lakmitar të jesh për të fituar miliona, aq më shumë para do të humbasësh”. Kjo formule nuk ka te beje aspak me ekonomine dhe tregetine. Me ekonomine dhe tregetine nuk luhet bixhoz. Ekonomia ka ligje te tjera nga kumari qe ne rastin tone po e luan Qyqari dhe Pasunari. Perafrim me te mire se sa te ekonomise dhe tregetise une do ti vija ate te trafiqeve te pa ligjeshme. Deshira per te ritur sasine e f.v. te lendes narkotike qe dikush trafikon, sjell edhe rritjen e fitimit por nga ana tjeter, ne rast se personi kapet, rrit edhe kohen qe duhet te sherbeje brenda mureve dhe konfiskim te gjithe pasurise. Ky eshte nje fare bixhozi. Pra ne rastin e lojes ne fjale, lakmise per tu bere milioner te Qyaqarit, i futen ne loje rregullat e teorise probabilitare dhe jo ato te ekonomise se tregut si konkurenca, oferte-kerkesa, marketingu etj,.

    Nje tjeter perqasje me lojen Pasunar-Qyqar mund te behet edhe me tregun valutor dhe ate te letrave me vlere qe nuk eshte gje tjeter vecse nje kumar i sofistikuar deri ne persosmeri.

    Jo vetem ai shqiptar, por cdo sipermares ne pergjithesi nese gjen terrenin e pershtatshem nuk do filloj qe te kerkoj guret per te bere kalane por do filloj te shese me shpejtesi dhe me cmime sa me te larta per aq kohe sa do te lene ligjet, konkurenca dhe malli ose sherbimet qe ai ka gjendje. Quaje po deshe fitim jo te vertete.

    MB

  5. Loja midis Qyqarit e Pasunarit duhet të na shërbejë vetëm si shembull për të kuptuar dinamika të tjera sociale. Përndryshe, mbetet një rast i skajshëm pa gjasa për t’u verifikuar në “natyrë”. Tregtia dhe ekonomia shqiptare nuk me duket se i përafrohen ekonomisë normale të tregut, d.m.th. atë që jetojmë çdo ditë ne në perëndim. Përkundrazi, shpeshherë ekonomia shqiptare i përngjan bixhozit.

    Meqenëse strumbullari i lojës është lakmia dhe aftësia për të parë të ardhmen në marrëdhëniet me të tjerët, brenda qarkut ekonomik e më gjerë, guxova, për analogji – por ndoshta e kam gabim – ta shoh lojën si metaforë të asaj që ndodh në ekonominë shqiptare. Ku ka rëndësi fitimi i paskrupullt, jo fitimi i ndershëm. Madje rëndësi ka ngadhënjimi, jo fitorja. Mirëpo, siç e dimë të gjithë, fitorja midis humbësve, sado madhështore qoftë, është në thelb dështake.

  6. Ndersa une mendoj se nje verifikim shume i ngjashem i lojes midis Qyqarit dhe Pasunarit, fare mire, mund te jene lojrat e tavolines ne kumar.

    Ne shume lojra tavoline neper kazino; kujt i ka qelluar qe te shohe me pak vemendje, eshte nje tabele e vogel elektronike, e drejtuar nga ana e Qyqarit, ku shkruhet: Min Bet dhe Max Bet. Keto limite i vendosen Qyqarit pikerisht qe Pasunari te jete i fituar gjithnje dhe te mos i lere mundesi Qyqarit, qe edhe pse, ja ka bere Black Jack-un me gjashte pale letra, ta beje pothuaj te pa mundur qe edhe gjeniu me i madh te mbaj mend se c’fare letrash kane dale ne tavoline. Dhe ne rast se ai ndodh, pra Qyqari, qe ti kete mbajtur mend te gjitha letrat qe kane dale, te mos kete mundesi qe te fitoj mbrapsht ato qe ka lene deri ne fund te daljes se letrave duke i vene si kufi Max Bet f.v. 2500 Euro. Besoj se kjo eshte nje perqasje per te kuptuar mardhenjet midis Q&P. Pra, nuk me duket shume e goditur qe nepermjet ligjeve te ngjarjeve te rastit te mund te kuptojme dinamika sociale.

    Edhe dicka tjeter. Te lutem, me qellim qe te kem nje kuptim me te drejte te fitimit te ndershem dhe te pa ndershem me sill dy shembuj sado te thjeshte. Nje fitim te pa ndershem ne Shqiperi, dhe nje te ndershem, te themi, ne France.

    MB

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin