VIJA E DORËS

Në rrethinat e Firences, vazhdon të jepet shfaqja “Blues (Balkan) & C”, vënë në skenë nga trupa e teatrit “Laboratorio Nove”, me regjinë e Luca Camilletti-it. Por nuk kam ndërmend t’ju flas për shfaqjen në vetvete, edhe ngaqë është bërë gjetiu. Desha të flas për fotografinë me të cilën kjo shfaqje teatrale i paraqitet publikut. Nga një pikëpamje e caktuar, fotografia rrëfen më shumë se spektakli vetë, madje e bën në autonomi të plotë. Si rregull, jashtë kornizës së spektaklit, fotografia do të shprehej edhe më lirshëm; mirëpo ky lloj spektakli eksperimental nuk i shkakton asnjë lloj ndrydhjeje.

 

dora-ok.jpg

Nuk e di juve, por mua kjo dorë më duket krejtësisht familjare. Disa elemente si cigarja (pa filtër?) midis gishtave, apo unazat e trasha bien menjëherë në sy, por edhe të tjera, që fshihen në plan të dytë, më sjellin në kujtesë, në trajtë blici, pamje të fëmijërisë ose të disa viteve më parë. Figura femërore (princeshë?), që është stampuar në njërën nga unazat prej ari, kërkon studim më vete. Por edhe byzylyku i dorës, në formë zinxhiri apo prangash të stilizuara, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes. Nuk duhen harruar gjithashtu dritëhijet intriguese – që mund të gjenden në Ballkan, por edhe në baret e Karakasit – dhe gota (me konjak apo me rum?) që luan me dritën përnjimend si eksperte publiciteti.

Kujtuat se nuk e kapa? E keni gabim. Mënga e xhaketës prej meshini, që nxjerr kokë si gabimisht në të majtë të fotografisë, tregon shumë. Natyrisht, me kusht që të kesh lindur në Shqipëri. Tipa të tillë nuk mungojnë në galerinë e kujtesës sonë.

Fotografia më evokon një sërë konceptesh, shpeshherë pa lidhje midis tyre, si garipllëku, naiviteti, ilegaliteti, kitsch-i, kapardisja, injoranca, dinakëria, frustrimi, pasiguria, vetmia, zhgënjimi, dëshpërimi, kundërshtia, kryethymja, mospërfillja, guaska, e kaluara, mungesa e së ardhmes, ëndrra të parealizuara, jeta e flakur, përvoja e rrugës, guximi i fëmijës, loja me jetën, viktima, fajtori, mëshira, etj. etj.

I thashë autorit të fotografisë se pëllëmba e dorës nuk duket, pra është e pamundur të shihet e ashtuquajtura “vija e jetës”, por, sipas të gjitha gjasave, duhet të jetë e shkurtër. Ai m’u përgjigj: “Ka mundësi. Kur ia bëra fotografinë, ishim në një kafene shqiptare. Po përpiqej të më shiste disa kallashë”.

1 Koment

  1. Tamam ne fis:donte te me shiste disa kallashe!Me tej,s’ke se ku shkon.Eshte nje nga ata qe atributet qe u kerrreshtuar,filllojne me garip e vazhdojne e vazhdojne.Urime nga une per kete vit.
    Perparim Hysi,9 janar 2008

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin