Identitet i kryqëzuar

Një debat që shumëkush po i rikthehet me zell e mllef në mediat shqiptare të muajve të fundit: shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit. E filluan Ismail Kadareja me Rexhep Qosen, tani e vazhdojnë, me nota dhe argumente të tjera, Zekerija Ibrahimi dhe Ardian Klosi.

Ky debat është nga ato që, në thelb, e përkufizojnë kulturën e një kombi si yni, prandaj nuk duhet pritur të zgjidhet a të fashitet krejt ndonjëherë. Megjithatë e në krahasim me të shkuarën edhe fare të afërt, më duket se dy elemente të reja po ia kushtëzojnë tani përmbajtjen: (1) ndërlikimi me çështje të identitetit kosovar dhe (2) demokratizimi i jetës politike dhe kulturore të shqiptarëve, në Shqipëri dhe gjetiu në Ballkan.

Duket sikur Kadareja, Klosi dhe një numër i madh intelektualësh prej Shqipërie nuk po kanë më durim t’i parashtrojnë tezat e tyre, kur vjen puna për të mbrojtur përkatësinë evropiane, madje aspiratën perëndimore të shqiptarëve. Qosja dhe sidomos Ibrahimi sjellin në bisedë, përkundrazi, një lloj ndjeshmërie tjetër, që nuk e merr dhe aq pa vërtetim magjepsjen shqiptare pas Perëndimit.

Nëse kjo përthyhet pastaj edhe në trajtat e një identiteti të dyfishtë shqiptar në Ballkan, brenda të cilit Tirana sheh nga Perëndimi i Krishterë, ndërsa Prishtina nga Lindja Myslimane, kjo mbetet për t’u qëmtuar në puntata të tjera të debatit. E vërteta është se deri më sot, tensioni kulturor brenda kombit shqiptar përftohej kryesisht sipas aksit veri-jug (Gegëri-Toskëri). Zhvendosja dramatike drejt aksit perëndim-lindje (Tiranë-Prishtinë) duket me pasoja serioze për identitetin shqiptar dhe për fatet e shqiptarëve në kontinent.

Qëndrimi ndaj pesë shekujve kur shqiptarët ishin pjesë e Perandorisë Osmane ka edhe ai peshë në argumentet, sa kohë që disa priren ta trajtojnë periudhën në fjalë si “pushtim turk”, ndërsa të tjerë si moment kritik në vetë përftimin e identitetit shqiptar modern. Mendimi im është që edhe Kadareja, edhe Klosi edhe të tjerë analistë të kulturës shqiptare, bien pre e një voluntarizmi naiv madje anakronik, kur duan ta likuidojnë periudhën otomane si një incident historik.

Duam apo nuk duam ne të sotmit, shqiptarët si popull sot janë jo vetëm produkt i luftrave heroike skënderbejane kundër Portës së Lartë, por edhe i Orientit që solli e transplantoi Perandoria Osmane në Ballkan. Shenja të atij Orienti ndeshen kudo: në gjuhë, në zakone, në mendësi, në sjellje në veshje, në gatesa, në arkitekturë, në urbanizëm. Kjo nuk ka shumë të bëjë me përkatësinë fetare të kësaj apo asaj krahine, meqë diferencat në orientalizëm midis, të themi, myslimanëve dhe katolikëve qytetarë në Shkodër janë shumë më të pakta se ç’mund të sugjerohej nga dallimet në fe.

Njëlloj e vërtetë është edhe se, që nga Rilindja e këtej, identiteti modern i shqiptarit është përftuar nëpërmjet largimit ose distancimit – herë teatral e herë të kujdesshëm, herë kirurgjikal e herë brutal – nga mbishtresa orientale, çka provohet lehtë në të gjitha pozicionimet kulturore të shtresave që kanë pasur pushtetin në Shqipëri, që nga 1912-a e këtej. Elitat kulturore në Shqipëri vendosmërisht kanë dashur t’ia afrojnë shqiptarinë Evropës: duke adoptuar forma perëndimore të shtetit, pushtetit dhe së drejtës; duke e organizuar shkollën sipas modeleve perëndimore; duke adoptuar alfabetin latin, veshjen alla franga, e kështu me radhë.

Pakkush kujtohet të vërejë, në këtë rast, se kjo lëvizje evropianizimi dhe laicizimi ndër shqiptarët e Shqipërisë nuk është pa lidhje me të njëjtën lëvizje modernizimi që ndërmori Ataturku në Turqi. Si për Shqipërinë, ashtu edhe për Turqinë post-osmane, modernizim donte të thoshte afrim me Perëndimin dhe adoptim i formave dhe praktikave perëndimore të funksionimit social. Edhe në njërin vend, edhe në tjetrin, këto lloj reformash u frymëzuan nga lart, jo nga poshtë; dhe u ndërmorën nga elitat, jo nga masat popullore.

Përshtypja ime është se Kosova, për arsye historike, nuk u përfshi dot mirë në këto reforma. Nga ana tjetër, shqiptarët atje dhe në vise të tjera në Ballkan të mbetura jashtë Shqipërisë së 1913-ës (me përjashtim të Malit të Zi) u gjendën gjeografikisht të shkëputur prej bregut të detit dhe nuk iu ekspozuan dot hireve të Evropës njëlloj sikurse shqiptarët e Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Vlorës e Gjirokastrës. Prandaj evropianizmi në Kosovë sot nuk mund të shtjellohet me të njëjtat trajta e tone si në Shqipëri.

Zekerija Ibrahimi ka të drejtë, megjithatë, kur vëren se pozicione të tilla si ato të Kadaresë në debatin në fjalë, dhe këmbëngulja e disa qarqeve elitare në Shqipëri për përkatësinë absolute të shqiptarisë në Evropë u përgjigjen më shumë dëshirave të këtyre qarqeve, sesa realitetit social ndër shqiptarët. Askush nuk e vë në dyshim se Kadareja vetë, ashtu si Klosi e të tjerë intelektualë të sotëm në Shqipëri i përkasin shpirtërisht Perëndimit dhe duan t’ia përçojnë frymën ndër shqiptarët pse janë të bindur për epërsinë praktike dhe etike të atij modeli përkundrejt modelit oriental. Çështja është nëse shqiptarët e sotëm ndihen të gatshëm dhe entuziastë që t’i shkojnë pas Kadaresë e Klosit në këto përpjekje të fisme…

Filoevropianizmi në kulturën shqiptare është ushqyer gjithnjë prej elitave – të shkolluara në Perëndim, të joshura prej sirenave të atjeshme, të formuara sipas filozofive kontinentale. Programi i këtyre elitave për të emancipuar masën e shqiptarëve duke ia afruar shqiptarinë antropologjikisht Evropës perëndimore ka qenë dhe mbetet përnjimend i sinqertë dhe i arsyeshëm. Por suksesi i këtij programi afatgjatë tani lidhet më ngushtë me besueshmërinë që u ka mbetur elitave në popull, sesa me besueshmërinë historike të programit vetë.

Evropianizimi i shqiptarit nuk mund të bëhet thjesht në emër të pragmatizmit, ose të arsyetimit se sot është e dobishme për shqiptarët që të jenë pjesë e Evropës. Kur vjen puna për çështje të tilla strategjike kaq madhore, pragmatizmi duket po aq qesharak sa edhe dinakëria e lakuriqit të natës, në fabulën e njohur të luftrave midis zogjve dhe minjve…

Me fjalë të tjera, shqiptarët do të bëhen pjesë e Evropës vetëm nëse përnjimend do të ndihen si pjesë e qytetërimit evropian; dhe nëse do të ndihen apo jo pjesë e këtij qyetërimi, kjo varet në masë të madhe nga sa do të vazhdojnë t’u besojnë elitave të tyre – Kadaresë, Klosit dhe të tjerëve. Për fat të keq, shenjat nuk mungojnë se një besueshmëri e tillë po vjen duke u zbehur, dhe jo vetëm në Kosovë ku voluntarizmi kadarejan gjithnjë është pritur me buzëqeshje, por edhe në Shqipëri, ku hierarkitë kulturore kanë ardhur duke u shthurur, krahas me demokratizimin e jetës në vend dhe dobësimin e principit të autoritetit.

Gjithnjë për fat të keq, orientimet pro-perëndimore të elitave në Tiranë nuk po ndihmohen as prej politikave frenuese, përjashtuese dhe përçmuese të kancelarive evropiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; pse nuk mund të shpresohet që shqiptarët të vijojnë të mbeten entuziastë të emancipimit perëndimorizues dhe evropianizues, teksa Evropa vetë ia mbyll dyert Shqipërisë duke e kllapuar në një rrethim ndoshta edhe më real e mbytës se ai i paranojave të dikurshme totalitare të Enverit & Co. Ndoshta do të ketë ardhur koha kur këto elita të shpenzojnë më tepër kapital intelektual duke u përpjekur t’ia afrojnë Evropën Shqipërisë, sesa Shqipërinë Evropës. [2006]

2 Komente

  1. Nuk shoh asgje te keqe te mbrosh ate qe te tjeret ta kane mohuar ne shekuj.Te qenit perendimor ka qene nje tipar qe shume here e ka cuar shqiperine drejt katastrofes.Une mendoj se Kadare thekson tiparin perndimor te shqiptareve sepse mbron nje te vertet, fatkeqesisht mohimi i se ciles ka ndikuar seriozisht ne kllapine e shqiptareve dhe te shtetit shqiptar ne shekuj.Shqiperia ska qene kurre lindje dhe kurre sdo te jete.Shqiperia eshte mbuluar sheshhere me nje mjegull te kultures lindje, por si mjegulla qe sqendron dot pergjithmone eshte fashitur nga identiteti perendimor i shqiptareve dhe jo i kushtezuar apo forcuar nga te tjeret.
    Gjithmone me ka pelqyer menyra sesi Kadare duke theksuar identitetin perendimor te shqiptareve ka mbrojtur me fanatizem tabanin, forcen vitale dhe vlerat qe ka patur kombi shqipetar ne procesin e zhvillimit perendimor qofte per mire qofte per keq.
    Duke u perpjekur ti permbahem realitetit nuk mund te mos permend se Kadare ka qene shkrimtari i cili ka promovuar nje Shqiperi te zhveshur nga paragjykimet ne te gjithe boten.Nepermjet syve te Kadarese, nepermjet penes se Kadarese Shqiperia eshte pjese e europes dhe ska nevoje te trokase ne asnje dere.E megjithese kjo eshte nje njohje spirituale nuk do te vonoj dhe koha e institucionalizimit te saj.
    . S .

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: