Këto ditë u përcoll në shtyp lajmi për dëmtimin, nga vandalët, e përmendores kushtuar dy viktimave të njohura të regjimit komunist, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.
Persekutimi dhe ekzekutimi i tyre, nga regjimi i Enver Hoxhës, është provë elokuente e mënyrës si vepronte shteti totalitar, për të shtypur çdo lloj kundërshtimi dhe për të tmerruar qytetarët e vet.
Historia e Blloshmit dhe Lekës është bërë veçanërisht e njohur edhe për shkak të interesimit të një numri personalitetesh të kulturës për fatin e këtyre dy martirëve; të cilët, përveçse kundërshtarë të regjimit, ishin edhe poetë.
Megjithatë, si edhe herë të tjera, zelli i tepruar i disave në mediat, ia ka shtuar një përmasë absurditeti një historie që s’ka nevojë për zbukurime dhe patetikë, për të mbetur tragjike në thjeshtësinë e fakteve të saj.
Prej kohësh është krijuar përshtypja në opinion se Blloshmin dhe Lekën i pushkatuan ngaqë shkruanin poezi kundër regjimit.
Edhe në lajmin e tanishëm për vandalizimin, të përcjellë nga Tirana Observer shkruhej, ndër të tjera, se në memorial “janë shkruar me shkronja bronzi poezitë e të dy poetëve, poezi për të cilat u pushkatuan.”
Regjimi totalitar mund të të vriste pa asnjë shkak; vetëm e vetëm për t’u dhënë një sinjal të tjerëve. Historia e të pushkatuarve, për bombën që iu hodh Ambasadës Sovjetike në vitet 1950, e dëshmon qartë indiferencën e këtij regjimi për personin, përgjegjësinë individuale dhe të drejtat elementare të njeriut.
Megjithatë, Blloshmin dhe Lekën i kanë dënuar, formalisht, për “krimin e sabotimit”, sikurse thuhet në vendimin e gjykatës së atëhershme, të botuar tani vonë edhe në shtyp.
Historianët dhe publicistët e interesuar për këtë çështje duhet të sqarojnë, një herë e mirë, nëse këta të dy kishin organizuar vërtet ndonjë veprimtari sabotuese kundër “pasurisë socialiste”; sikurse kanë sqaruar, një herë e mirë, se poezitë e tyre nuk pajtoheshin me kanonin e realizmit socialist.
Dihet se, në procesin gjyqësor, poezitë “kundërrevolucionare” dy viktimave u sollën si dëshmi në favor të akuzës, ose për të mbështetur hipotezën se këta të dy ishin “armiq të pushtetit popullor.”
Megjithatë, të thuash se Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan “ngaqë kishin shkruar poezi kundër regjimit” më duket e pambështetur nga faktet, ose spekulim në erë; i tillë që nuk ndihmon as për të nderuar kujtimin e tyre, as për të kuptuar natyrën e dhunës që ushtronte regjimi ndaj shtetasve të vet.
Poetët dhe shkrimtarët e sotëm bëjnë mirë që ruajnë dhe kultivojnë kujtimin e kolegëve të tyre, të persekutuar dhe të ekzekutuar nga komunizmi; por kam frikë se kjo e Blloshmit dhe Lekës, si histori ekzemplare poetësh të pushkatuar, është pompuar për interesa që s’kanë shumë lidhje me ndriçimin e së vërtetës historike dhe njerëzore.
Shumë pak është bërë, në Shqipëri, për nderimin e viktimave të regjimit komunist. Brezi i ri sot rritet praktikisht pa ditur asgjë për atë kohë, meqë propaganda e trashë e ka zëvendësuar informacionin dhe patetika e ka zëvendësuar refleksionin. Me kalimin e viteve, nostalgjia për disiplinën, gëlqeren dhe paternalizmin e atyre viteve po ia zë vendin kujtesës për tmerrin e dhunës totalitare.
Një pjesë të fajit, për këtë përçudnim, i mbetet edhe këtyre orvatjeve, të përsëritura, për t’i shtrembëruar dhe përdorur, abuzivisht, historitë e krimeve totalitare në emër qëllimesh të tjera, herë vanitoze herë ngushtësisht politike.