Më 10 shtator 2010, të apasionuarit pas shahut anembanë patën rast të ndiqnin, online, një ndeshje të pazakonshme: më një anë, danezi Magnus Carlsen, që është edhe lojtari më i fortë sot në botë, për nga koeficienti ELO; më anë tjetër, bota mbarë, e udhëzuar nga tre mjeshtër të mëdhenj: amerikani Hikaru Nakamura, frëngu Maxime Vachier-Lagrave dhe hungarezja Judit Polgar; që të tre pjesë e elitës shahistike ndërkombëtare.
Loja bazohej në këto rregulla: Magnus Carlsen, ishte vendosur në një sallë të Cooper Square Hotel, në NYC; i vetëm, i ulur në një tryezë me një tabelë shahu normale përpara. Tre mjeshtrit, nga një sallë tjetër, ia sugjeronin secili nga një lëvizje “botës”, ose publikut që po e ndiqte lojën drejtpërdrejt në sajtin përkatës. Më pas, publiku ftohej të votonte, duke zgjedhur me shumicë aritmetike një nga lëvizjet e ofruara, e cila në fund ekzekutohej në tabelën e Carlsen-it, nga një asistent çfarëdo.
Për shembull, Carlsen e fillon lojën duke lëvizur: 1. e2-e4; pas kësaj, Nakamura sugjeron 1. … e7-e5; Vachier-Lagrave 1. … Kg8-f6; Polgar 1. … c7-c5. Këto sugjerime afishohen në faqen e sajtit dhe publiku ftohet të votojë duke shtypur një buton poshtë çdo lëvizjeje. Lëvizja që fiton më shumë vota, luhet pastaj në fushë.
Magnus-it i jepej 1 minutë kohë për t’u menduar për çdo lëvizje; 1 minutë u jepej edhe tre mjeshtërve për të sugjeruar lëvizjen e tyre; ndërsa publikut i lejohej 1 minutë e gjysmë për të vendosur votën. Gjithashtu, lojtarëve u njihej e drejta për të kërkuar 3 zgjatje kohe, prej dy minutash për lëvizje.
Magnus Carlsen, që luante me të bardhat, e fitoi lojën me lehtësi, pas 43 lëvizjesh.
Në përgjithësi, ekspertët ishin të mendimit se “bota” luajti më keq jo vetëm se kampioni danez, por edhe se ç’do të kishte luajtur, më vete, secili prej tre mjeshtërve që sugjeronin lëvizjet.
Nga ana tjetër, pati analistë, sociologë dhe antropologë, që konfigurimin eksperimental i lojës dhe mënyrën e marrjes së vendimeve me votën e shumicës e panë si një simulim të modelit demokratik të qeverisjes, dhe pikërisht të demokracisë përfaqësimtare.
Një nga këta antropologë, Dienekes Pontikos, i kushtoi me këtë rast lojës, në blogun e vet, një analizë me titull: Magnus Carlsen kundër botës, ose mangësitë e demokracisë përfaqësimtare.
Dienekes e përshkruan modelin kështu:
Carlsen është problemi ose kriza; tre mjeshtrit (Lagrave, Nakamura dhe Polgar) janë politikanët, që sugjerojnë se çfarë duhet bërë; publiku është masa e votuesve, që vendos për lëvizjen ose përgjigjen ndaj problemit.
Sipas Dienekes, loja provoi, në mënyrën e vet se (1) një shumë mendjesh mediokre nuk e krijon dot gjeniun; dhe (2) turmat nuk planifikojnë dot me afat të gjatë dhe nuk janë konsistente.
Natyrisht, kjo tezë kundërshton haptazi, të paktën në vështrim të parë, teorinë e mirënjohur të James Surowiecki, të parashtruar në librin The Wisdom of Crowds (Mençuria e turmave). Sipas këtij autori, një turmë e mençur duhet të plotësojë këto katër kritere kyç: diversiteti i opinionit të individëve pjesë e grupit, pavarësia e opinionit të individëve pjesë e grupit, decentralizimi ose liria e individëve për t’u specializuar dhe grupëzimi (aggregation), ose mekanizmi për të shndërruar gjykimet private në vendim kolektiv.
Turma që u përball, atë ditë, me Carlsen-in, i plotësonte këto kritere.
Në të vërtetë, argumenti se lojëra të tilla shahu mes një kampioni dhe një turme që i vendos lëvizjet me vota e përgënjeshtrojnë tezën e Surowiecki-t është përdorur, ndër të tjera, nga Daniel Tammet, i cili iu referua një loje të mëparshme, të ish-kampionit Kasparov kundër botës (në atë lojë secila palë kishte 24 orë në dispozicion për të vendosur lëvizjen; dhe botës i sugjeroheshin lëvizje nga katër mjeshtër ndërkombëtarë; gjithsesi, formati 24 orësh sot nuk mund të praktikohet më, sa kohë që programet e ndryshme shahistike, si Fritz ose Rybka, po luajnë përgjithësisht më mirë edhe se super-kampionët).
Dienekes ka të drejtë kur vëren se, në situata të ngjashme me ato të një loje shahu, numri i mendjeve që marrin vendime nuk luan ndonjë rol, sa kohë që nuk ekziston asnjë mënyrë për t’i bërë këto mendje të funksionojnë së bashku, ose për t’i lidhur në paralel – siç veprohet ndonjëherë me kompjuterët. Kështu, nëse 100, 1 000, ose 10 000 njerëz hedhin votën e tyre, kjo nuk ngre peshë në cilësinë e rezultatit.
Po ashtu, përzgjedhja midis alternativave krijon vetvetiu inkonsistencë me kalimin e kohës; sepse asnjë prej “politikanëve” që sugjerojnë lëvizje nuk lejohet ta çojë planin e vet përpara, sa kohë që ekziston gjithnjë mundësia që turma të votojë, herën e ardhshme, për propozimin më tërheqës të një politikani tjetër.
Që këtej Dienekes arrin në përfundimin se në demokraci është pothuajse e pamundur të evitohet mediokriteti në pushtet, madje edhe kur politikanët kanë aftësi mbi mesataren; meqë mediokriteti mishërohet në sistemin e qeverisjes vetë; aq më tepër që në jetën reale, politikanët nuk e kanë zakonisht ekspertizën e tre mjeshtërve të mëdhenj, që këshillonin turmën në lojën kundër Carlsen-it, ose janë po aq mediokër sa edhe publiku që kanë përballë.
Deri këtu Dienekes; por ia vlen t’u hidhet një sy edhe komenteve në blogun e tij.
Natyrisht, kritikat ndaj sistemit demokratik nuk kanë munguar, të paktën që nga Platoni e këtej; dhe njihet mirë kundërshembulli i anijes në det të kapur nga stuhia, ku vendimet se si do të lundrohet nuk i merr kapiteni, por marinarët me shumicë votash.
Nga kjo pikëpamje, një lojë shahu ndoshta mund të shërbente si model jo aq i sistemit vendimmarrës demokratik, sesa i situatës në fushë të betejës, ku gjeneralin nuk e zëvendëson dot me një komitet ose kolegjium, as me vullnetin “e popullit”.
Prandaj, çfarë përgënjeshtrojnë eksperimente të tilla, si loja e mësipërme, nuk është aq sistemi i demokracisë përfaqësimtare, sesa parimi i vjetër se “populli ka gjithnjë të drejtë”, i ricikluar tani vonë nga Surowiecki dhe të gjithë entuziastët e mendjes koshere (the hive mind), rrjetëzimit (networking) dhe mençurisë kolektive.
Prandaj, me arsye mund të përfundohet që të funksionojë mirë, demokracia përfaqësimtare duhet t’i njohë limitet e veta; dhe, në rastin konkret, të kuptojë se çështjet e ndërlikuara u duhen lënë ekspertëve për t’i zgjidhur.
Që kjo nuk është thjesht ushtrim ose spekulim teorik, e provojnë debatet e fundit në lidhje me drejtimet e zhvillimit ekonomik, shfrytëzimin e energjisë bërthamore dhe kundërshtimin e ngrohjes globale, të cilat kanë të bëjnë me çështje të rëndësisë kritike, për të gjithë ne; por që shumica prej nesh nuk i kupton dot mirë.
Metaforikisht, pyetja mund të shtrohet kështu: a mund të luajë populli shah? Rezultati i lojës më sipër, dhe sidomos ecuria e saj, tregon se populli shah mund të luajë, por asnjëherë mirë; madje edhe kur këshillohet dhe udhëzohet nga ekspertët më të mirë të fushës.
Mund të objektohet, në këtë rast, se 1 ose 2 minuta janë tepër pak, për masën votuese, që të kuptojë shpjegimet e mjeshtërve se çfarë po ndodh në tabelë; dhe se ndoshta votimet do të kishin pasur rezultat tjetër, sikur ekspertëve t’u ishte dhënë më shumë kohë për t’i arsyetuar planet e tyre. Ky objeksion qëndron, madje përligjet edhe në veprimtarinë politike të përditshme; por sërish ngec në mediokritetin e përgjithshëm të masës ose të turmës, e cila nuk arrin dot të planifikojë me afat të gjatë; nuk arrin dot jo vetëm sepse nuk do, por edhe sepse nuk mundet. Për shembull, një votues me inteligjencë mesatare, sado me vullnet të mirë, nuk është në gjendje të krahasojë dy plane lëvizjesh të propozuara nga dy mjeshtër të ndryshëm shahu, që shkojnë deri në 15-20 lëvizje përpara dhe të zgjedhë, nga të dy planet, më të mirin.
Efektet në thelb kundërprodhuese të politikave dhe të iluzioneve populiste i ilustron më së miri referendumi i vitit 1987, në Itali, për mbylljen e centraleve atomike në vend; promotorët e të cilit u mbështetën në impaktin emocional të katastrofës së Çernobylit.
Centralet atomike u mbyllën vërtet (disa prej tyre të reja), por kjo vetëm sa krijoi për Italinë, në afat të mesëm, dobësi infrastrukturore serioze, në krahasim me vendet fqinjë dhe sidomos nga pikëpamja strategjike – sa kohë që ai vend detyrohet tani t’i lëpihet, bie fjala, Gheddafi-t, të importojë një pjesë të mirë të energjisë nga vende politikisht të paqëndrueshme (ose ta prodhojë duke djegur naftë ose qymyr), dhe një pjesë tjetër, njëlloj të mirë, nga vende fqinjë si Franca, që mbështeten gjerësisht në centralet atomike.
Një situatë hipotetike e posaçme, me lojën në fjalë, do të përftohej sikur një nga tre këshilltarët të ishte, bie fjala, Gary Kasparovi, i cili tashmë është tërhequr nga aktivitetet agonistike, por që përgjithësisht e mbajnë për shahistin më të fortë të të gjitha kohërave.
Në këtë situatë, publiku do të prirej të votonte gjithnjë për lëvizjen e sugjeruar nga Kasparovi; jo sepse do ta gjykonte atë si më të mirë se të tjerat, por vetëm ngaqë do të kishte më shumë besim te Kasparovi dhe gjykimi i tij. Nakamura, Vachier-Lagrave dhe Polgar janë të tre shahistë të nivelit shumë të lartë, por askush prej tyre nuk i afrohet statusit dhe karizmës të një ish-kampioni bote.
Mirëpo, edhe sikur Kasparovi sot të jetë jashtë forme, madje edhe më i dobët, si shahist, se tre mjeshtrit, përsëri fakti që turma do ta votojë me vijueshmëri do t’i sigurojë “botës” konsistencën në lojë, ose vizionin, ose planin afatgjatë; duke e bërë të luajë më mirë.
Që këtej edhe një mësim tjetër, sado i tërthortë për demokracinë: roli i prestigjit dhe i karizmës në mirëmbajtjen e racionalitetit të qeverisjes. Bota humbi jo aq ngaqë Nakamura, Vachier-Lagrave dhe Polgar sugjeruan lëvizje të këqija, por kryesisht ngaqë askush prej këtyre nuk u lejua të ndiqte planin e vet. Në këtë kuptim, publiku votues mund të thuhet se i ndërroi qeveritë më shpesh se ç’duhet, i bazuar nga nevojat dhe dëshirat e çastit.
Kështu vjen e përvijohet një tjetër problem gangrenoz për demokracinë përfaqësimtare: që të vijnë në pushtet, politikanët duhet të premtojnë; që të rrinë në pushtet, duhet t’i mbajnë premtimet njëfarësoj. Një politikan që kërkon të zbatojë, bie fjala, një plan zhvillimi 30-vjeçar, i cili nuk jep rezultate të menjëhershme, nuk ka asnjë shans të fitojë ndaj kundërshtarit, që premton rezultate brenda pak muajve; sepse publiku ose turma ose masa votuese këto të fundit i kupton dhe i përfytyron më mirë e më qartë se të tjerat.
Mjaft interesant eksperimenti. Kjo loje shahu mund te shihet si shembull mjaft i mire se si nje sistem rregulles percakton rezultatin. Ne kete rast sistemi rregullues eshte kufizimi i kohes per te votuar levizjet ne 1-2 minuta. Se pari kjo periudhe shume e shkurter kohe nuk lejon agregimin e njerezve ne grupe dhe ndertimin e entiteteve sociale (lokale) qe mbeshtesin nje levizje apo plan te vecante e me pas te agregimit te ketyre grupeve ne grupe me te medha deri ne arritjen e nje vendimi. Agregimi ne entitete sociale eshte proces hierarkik shume shume me inteligjent e me i komplikuar sesa mbledhja e thjeshte artimetike qe perdoret ne kete rast per te marre vendimin. Sistemet sociale llogarisin (compute). Kufizimi i marrjes se vendimit brenda 1-2 minutash praktikisht e parandalon kete lloj “llogaritje sociale”.
Karakteristika tjeter e sistemit rregullues tek kjo loje qe ja heq praktikisht avantazhin turmes eshte pamundesia per te aplikuar sugjerime levizjesh nga vete turma. Koha e shkurter e vendimmarrjes heq cdo shprese qe nje sugjerim i mire nga turma qe ja del te mbijetoje “llogaritjen sociale” te ndryshoje planin e 3 eksperteve.
Jam i sigurte se ky sistem rregullues e zbret lojtarin “bote” ne te njejtin nivel me nje algoritem te rendomte me rastesi ku vendimi per secilen levizje merret ne menyre te rastesishme midis 3 opsioneve (3 sugjerimeve te eksperteve). Pikerisht per kete edhe rritja e numrit te turmes nuk ndikon aspak tek rezultati nen keto rregulla.
Dmth. dhe paralelizmi midis sistemeve politike demokratike dhe nje eksperimenti te tille edhe pse shume interesant dhe kurioz eshte vetem pjeserisht i drejte. Se fundmi do te thosha.. rast tipik per simulime :).
Fjalia permbyllese e ligjerimit me lart nuk me duket bindese. Jo gjithmone ndodh kjo qe publiku nuk mirekupton projektet 30 vjeçare te nje politikani. Kjo varet nga shkalla e vetedijsimit te nje popullate mbi fatet e veta. Merrni shembullin nordik, Finlande psh. Finlandezet, nga njemije e nje shkaqe qe nuk mund te permenden ketu, kane nje aftesi me te madhe per t’u vetedrejtuar sesa nje amerikan, francez apo aq me pak maroken. E tere kjo eshte çeshtje kulture, temperamenti, e pse jo gjenetike (mbase dimri i stergjate finlandez ka arritur te futet deri ne genet finlandeze ; te pakten ne boten shtazore, kjo eshte tashme e qarte : nje kafshe afrikane eshte ku e ku me e shkathte dhe e levizshme se nje ari finlandez – shembull disi i erret por gjithsesi ideja aty eshte).
Nese dikush eshte i interesuar per keto mangesite e regjimeve demokratike, dhe menyrat per qeverisjen e tyre, mund te lexoje nje filozof gjerman, Peter Sloterdijk, i cili eshte disi “reaksionar”, ose te pakten nder me antikonformistet, dhe me te shkelqyerit, sot ne Gjermani dhe Europe.
_____________
ps : kisha diçka, pashe ketu me lart nje fjale : “perfaqesimtare”. M’u duk si e terhequr per flokesh. Ma merr mendja, kjo fjale ka perkthyer termin “représentative” (te pakten ne frengjisht). Shqipja mund te shkruhej shume qarte : demokraci perfaqesuese. Dhe ne rastin e “démocratie participative” – demokraci pjesemarrese. Eshte ftillimi pastaj qe do t’i ndriçoje keto terma.
Per mua demokracia nuk qendron ne kembe si sistemi me efiçent por si e vertete morale, qe e gjen vertetesine e saj, racionalitetin e saj tek universalizmi i demokracise fisnore.
Sistemi me efiçent eshte ai qe i ben balle me mire rrethanave te rrezikshme, si puna e kesaj ndeshjeje ku vendimet ‘jetike’ merren per pak minuta dhe meqe jeta ka edhe paqe edhe rreziqe per paqen edhe lufte, atehere ne sistemet e sotme, diplomacia dhe ushtria mbahen larg vendimeve te popullit me kushtetute e ndjekin nje logjike diktatoriale ne kuptimin romak te fjales diktator.
Nje popull pa probleme te jashtme emergjente dhe me njefare mireqenieje, mund t’ja lejoje vetes te jetoje nen demokraci ose ne te verteten morale, kurse nje popull me probleme te jashtme emergjente dhe i varfer, nuk i duhet te jetoje ne te verteten morale por ne te verteten pragmatike, atij populli i duhet pa asnje dyshim sistemi me efiçent ose e thene ndryshe te jetoje ne te verteten e dobishme.
Do të ishte interesante, nëse studiuesit, që kishin bërë krahasimin ndeshje-demokraci përfaqësuese, të kishin shtyrë ndonjërin prej tre mjeshtërve të mëdhenj që të propozonte ndonjë lëvizje të gabuar…
Jam i sigurt që, turma, as që do e merrte në konsideratë propozimin e tij dhe do “votonte” për një nga dy propozimet e të tjerëve. kjo punë deri sa, nëse do shikonte që mjeshtri do gabonte edhe 2-3 herë të tjera, edhe nëse ky i fundit më pas të sugjeronte edhe lëvizjet më të përsosura, të mos merrej më në konsideratë.
Forca e demokracisë përfaqësuese, nuk qëndron edhe aq në faktin se është në gjëndje të shikojë menjëherë më të mirën, por në faktin se arrin të dallojë në moment se çfarë është e keqe… për këtë as që duhet të na shkojë ndërmënd që t’i heqim forcën vendimmarrëse turmës.
Urime, shkrimi i mire shume, mirepo si gjithmone, gjithcka fillon me perkufizimet. demokracia si e paraqisni ju eshte pjesemarrja e mases ne vendimmarrje, sic e mendonte Rusoi, ne marrjen e cdo vendimi. nuk ka dyshim se njerezit e thjeshte nuk i dine te gjitha. Mirepo, pervec kesaj menyre, demokracia eshte edhe perzgjedhja e udhehqesve qe mandej marrin vendimet per te gjithe. pra, ne kete rast, masa e njerezve duhej te zgjidhte njerin nga te tre mjeshtrat dhe mandej ta mbeshteste apo te mos ia aprovonte levizjet e nese humbte, ta zevendesonte me dike tjeter. Ne kete rast, demokracia eshte dicka tjeter dhe roli i mases eshte ndryshe.
Përfaqësimtare? Do kesh dashur të thuash «përfaqësuese»…
Se harrova, xhaxha, kjo nuk është demokraci, por pionokraci. Ky argumenti shahistik në sociologji po më duket pak shahistik dhe shumë cinik.