nga Valbona Nathanaili
Shqipëria, veçanërisht Tirana, pas disa muaj protestash paqësore është shndërruar, prej më shumë se dhjetë ditësh, në arenë të protestave të dhunshme ndërmjet studentëve dhe policisë. Kërkesa kryesore: “Rama jep dorëheqjen”, ky i fundit në mandatin e katërt si kryeministër dhe njëherazi udhëheqës i partisë më të madhe në vend, Partisë Socialiste. Më 15 tetor 2026, në një intervistë për Reuters, pasqyruar edhe në Lapsi.al.,[1] Kryeministri deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen, një deklaratë që e mbështeti në argumentin se gëzon mandatin e votuesve, marrë përmes zgjedhjeve elektorale zhvilluar në vitin 2025. Më 17 tetor, ditën e pastë radhazi të protestave, policia përdor gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit (Albanian Daily News, October 17, 2026[2]). Më 24 tetor, situata është po ajo, duke shtuar se në radhët e protestuesve nuk ka më vetëm studentë dhe qytetarë, por edhe pedagogë, mjekë e punonjës të shëndetësisë. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është thelbi: i njëjti kryeministër që nuk dëshiron të japë dorëheqjen, por tashmë shumë më i mobilizuar për të shtypur e asgjësuar protestën dhe shumë më i motivuar për të denigruar dhe përçmuar çdo individ, që në një çast apo një tjetër, me apo dashje, bëhet figura e saj. Ndërkohë, më shumë policë në rrugë – që duhet thënë se mbështeten nga një logjistikë e pasur dhe e përparuar – më shumë ujë e gaz lotsjellës ndaj protestuesve, më shumë përpjekje për të gjetur ide se si mund të eliminohet protesta, përpos dhunës.
Kur do ta japë Rama dorëheqjen?
Situata ku ndodhemi është arsye për të ngritur edhe një pyetje të një lloji tjetër: deri në çfarë mase legjitimiteti i zgjedhjeve mund të justifikojë etjen, dëshirën, adrenalinën, idenë e madhështisë ose gjithçka tjetër që i kalon nëpër kokë një individi që gëzon një pushtet të deleguar nëpërmjet një procesi zgjedhor për të vazhduar të ushtrojë detyrën në krye të ekzekutivit dhe për ta quajtur veten të pazëvendësueshëm? Thënë ndryshe dhe pa ngarkesën emocionale që të përçon gjendja ku ndodhemi, pyetja mund të marrë një formë tjetër: A është mirë apo keq për demokracinë që një individ të qëndrojë për një kohë të gjatë në pushtet?
Pyetja, në secilën nga format e saj, mund të jetë e pavend në rastin e Anglisë, ku brenda një periudha shtatëvjeçare (2019-2026) kanë dhënë dorëheqjen gjashtë kryeministra (Youth in policy),[3] por shumë e drejtë në rastin e Serbisë dhe të Hungarisë: në Serbi, Aleksandër Vucic ka qenë në pushtet nga viti 2014 deri më 2026 (Post, 2026[4]), ndërsa Viktor Orbán nga viti 2010 deri më 2026 (për katër mandate radhazi ose gjashtëmbëdhjetë vite në krye të ekzekutivit) (Reuters, 2026[5]). Në rastin e Serbisë, Vucic deklaroi zgjedhje të parakohshme në përgjigje të një situate të ngjashme me atë në Shqipëri, ndërsa Hungaria, pas zgjedhjeve të fundit kur Orban dhe partia e tij nuk fituan, vajti një hap më përpara: më qershor 2026, parlamenti hungarez aprovoi një amendament kushtetues që e kufizon mandatin e kryeministrit në vetëm tetë vjet, përfshirë edhe rastin e dy mandateve jo të njëpasnjëshëm (Kirby, P., BBC, 16 June 2026[6]), me argumentin e parandalimit të qëndrimit të tejzgjatur të një individi në pushtet, ndonëse raportohet se amendamenti ka shkaktuar edhe shqetësimin për kufizimin e konkurrencës në politikë.
A duhet të kufizohet numri i mandateve që duhet të mbajë një kryeministër? Parlamenti hungarez ka votuar pro dhe ka caktuar edhe numrin e mandateve që mund të qëndrojë në krye të ekzekutivit. Komisioni i Venecias (2019)[7] pohon se kufizimi i mandateve në rastin e kryeministrit në përgjithësi mungon në vendet me sistem parlamentar, me argumentin se parlamenti është ai që i jep votëbesimin qeverisë. Pa vënë në diskutim Komisionin e Venecias, gjithsesi bërë shtatë vjet më parë, por me precedentin e dy vendeve që kanë sistem parlamentar qeverisje, ajo që përpiqemi të shpjegojmë a të argumentojmë është se ka ardhur koha të ecim me shembullin e Hungarisë. Një ndër argumentet më të rëndësishëm është se në rastin kur kryeministri ka shumicën në parlament, gjasat janë që qeveria të kontrollojë parlamentin dhe jo e kundërta. Duket se disiplina partiake triumfon ndaj përgjegjshmërisë që të jep karrigia. Edhe në Serbi edhe në Hungari, kryeministrat kishin shumicën në parlament, qëndruan në pushtet për katër mandate secili dhe ikën, ndonëse në mënyra të ndryshme, me të njëjtin emërues: pakënaqësi popullore.
Duke qëndruar tek argumenti i besnikërisë ndaj partisë dhe kryeministrit, sipas OSCE/ODIHR (Raporti final, OSCE/ODIHR[8]), sistemi elektoral në Shqipëri, sa i takon listës së kandidatëve për deputet, bazohet në zgjedhje të mbyllura dhe preferenciale. Një sistem i tillë i mundëson drejtuesit të partisë, falë demokracisë së kufizuar brenda grupimeve të tilla, të ushtrojë kontroll të ndjeshëm jo vetëm në emrat e njerëzve, por edhe në renditjen e tyre në listën për deputetë, që e bën besnikërinë e të zgjedhurve edhe më besnike. Në tetor 2026, në debatin parlamentar rreth reformës territoriale, E. Braçe, deputet i së majtës dhe pjesë e grupit parlamentar të kryeministrit, u deklarua kundër por votoi pro, në frikën e përjashtimit nga grupi parlamentar (Shehu, R. October 9, 2026).[9] Në mandatin e tij të katërt radhazi, kush e kontrollon realisht kryeministrin e Shqipërisë dhe kujt i jep llogari? Kur besnikëria ndaj kryetarit peshon më shumë se përgjegjësia ndaj qytetarëve, kontrolli parlamentar dobësohet dhe pushteti mbetet pa një kundërpeshë të domosdoshme. Nëse një deputet përballet me kërcënimin e përjashtimit për votën e tij, sa hapësirë mbetet për gjykim? Sa real është kontrolli mbi qeverinë, kur kundërshtimi brenda shumicës trajtohet si shkak për ndëshkim politik?
Ne votojmë për t’u përfaqësuar dhe për t’u qeverisur me përgjegjësi. Edhe në Shqipëri, njësoj si në Hungari, një kryeministër nuk duhet të qëndrojë më shumë se dy mandate në detyrë, edhe kur mandatet nuk janë të njëpasnjëshëm. Nuk mund të digjet Shqipëria sepse një kryeministër mendon se është i pazëvendësueshëm. Dy mandate janë kohë e mjaftueshme për të dëshmuar çfarë mund të bësh për vendin. Kufizimi i tyre nuk pengon vazhdimësinë e politikave apo të partisë, por garanton që drejtimi i qeverisë të mos kthehet në çështje personale.
(c) 2026 Valbona Nathananaili. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[1] Lapsi.al (October 15, 2026). Massive student protest/ Rama to “Reuters”: I will not resign! https://lapsi.al/protesta-masive-e-studenteve-rama-per-reuters-nuk-do-te-jap-doreheqjen-i1095853
[2] Albanian Daily News (October 17, 2026). Students protests escalate in Tirana as police deploy tear gas, water cannons and rubber bullet. https://albaniandailynews.com/news/student-protests-escalate-in-tirana-as-police-deploy-tear-gas-water-cannons-and-rubber-bullets
[3] Youth in policy (24 tetor 2026). The UK Prime Minister’s Resignation: Leadership Change in Westminster | YIP Institute Rapid Response.
[4] Rodolfo Toè (24 tetor 2026). Come Vučić si è preso la Serbia. Post. Come Vučić si è preso la Serbia.
[5] Reuters (10 prill 2026). Hungary: How has it changed during Orban’s 16 years in power? Hungary: How has it changed during Orban’s 16 years in power? | Reuters
[6] Kirby, P., (16 June 2026). Hungary’s MPs block return of Orbán, limiting rule of PM to eight years. BBC. https://www.bbc.com/news/articles/c621zplqrrno
[7] European Commission for Democracy Through Law (Venice Commission, 15-16 March 2019). Report On Term-Limits. file:///C:/Users/User/Downloads/CDL-AD(2019)007-e.pdf
[8] Office for Democratic Institutions and Human Rights (May 11, 2025). Republic of Albania Parliamentary Elections. ODIHR Election Observation Mission Final Report. https://odihr.osce.org/sites/default/files/documents/official_documents/2026/05/ALB%20Parliamentary%202025%20Final%20Report_23.10.2025.pdf
[9] Shehu, R. (October 9, 2026). Albania with 46 municipalities – territorial reform approved. DW Global Media Forum. https://www.dw.com/sq/shqip%C3%ABria-me-46-bashki-kuvendi-miraton-reform%C3%ABn-territoriale/a-79608418
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.