Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin / Politikë

THE KIDS ARE ALRIGHT

GenZ zbret në sheshe anembanë

Ata që marrin mishin nga tryeza

U mësojnë të tjerëve të kënaqen me pak.

Ata, të cilëve u përket dhurata

Pretendojnë frymë flijimtare.

Të ngopurit u tregojnë të uriturve

Për kohët e ndritshme që do vijnë.

Ata që çojnë popullin drejt greminës

Thonë se të qeverisësh është tejet e vështirë

Për njeriun e thjeshtë.

Bertolt Brecht[1]

Imazhet e demonstratave nga Tirana, Parisi, Brazili, India, Spanja, Belgjika, Italia dominojnë rrjetet e mia sociale me pamje protestuesesh/ish, studente/ë, pjesërisht të mitur/a, nxënës/e, që vërshojnë rrugëve: ata duan një të ardhme më të mirë, perspektiva të vërteta, por mbi të gjitha një të tashme me dinjitet.

Të rejat e të rinjtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime konkrete. Që nga marshimet e lëvizjeve studentore në qytetet e mëdha të Brazilit e deri te sheshet evropiane, GenZ kërkon përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe pabarazive sistemike, të cilat kanë arritur kulmin[2].

Por çfarë po ndodh anembanë dhe përse njëkohësisht?

Tiranë, aktualisht dhe qytete të tjera

Më 13 tetor, studentët e Universitetit të Tiranës bënë thirrje për bojkotim të leksioneve duke organizuar kështu një protestë, e cila iu bashkua lëvizjes Revolucioni Flamingo[3]. Lëvizja studentore kërkon kushte më të mira arsimore, tarifa më të ulëta shkollimi dhe perspektiva punësimi për të diplomuarit – në të njëjtën kohë kërkohet dhe anulimin i projektit të mbështetur nga Kushner-Trump në Lagunën e Vjosa-Nartës, por mbi të gjitha, të dyja palët protestuese kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Francë: Parisi, dhe më tej qytete të tjera

Protestat nisën me nxënësit e shkollave, të cilët demonstruan për kushte më të mira, më shumë mësues, si dhe për rikonstruksionin e godinave shkollore të rrënuara. Çmimet e larta të jetesës dhe inflacioni edhe këtu ndjehen nga pjesa dërrmuese e popullsisë: Shumë njerëz po vuajnë nga rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë, karburanteve dhe ushqimeve. Pakënaqësia drejtohet gjithashtu kundër politikës së përgjithshme reformuese të qeverisë së Presidentit Emmanuel Macron dhe një krize të rëndë buxhetore të shtetit.

Itali: Jugu prej më tepër se një jave dhe më tej Milano, Torino dhe qytete të tjera

Në shumë rajone të Italisë së Jugut vazhdojnë protestat e kamionistëve dhe të fermerëve kundër rritjes së çmimit të karburantit, pas manifestimeve dhe bllokimeve të rrugëve të organizuara javën e kaluar veçanërisht në Sicili, Kalabri dhe Pulja. Të shtunën, më 17 tetor, në Milano, Torino dhe qytete të tjera të mëdha u ngritën në protestë edhe të rinjtë kundër rritjes së kostos së jetesës.

Belgjikë

Në kryeqytetin belg, Bruksel, protestat kundër tarifave më të larta të studimit dhe rritjes së kostos së jetesës arritën kulmin gjatë fundjavës së kaluar.

Indi

Kryeministri Modi, po bllokon kryeqytetin pasi mijëra njerëz po demonstrojnë kundër manipulimeve të mundshme zgjedhore. Janë kryesisht të rinjtë ata që po ngrihen kundër një qeverie me sjellje gjithnjë e më autoritare. Opozita e Indisë e akuzon Komisionin Kombëtar Zgjedhor se gjatë rishikimit të listave të votuesve ka fshirë emrat e personave që kanë të drejtë vote: mendohet tëjenë fshirë rreth 130 milionë emra.

Spanjë

Kriza e rëndë e strehimit dhe e qirasë ka çuar në protesta masive në shkallë vendi dhe në ngritjen e kampit me çadra (ndër të tjera në Puerta del Sol në Madrid dhe në Barcelonë). Dhjetëra mijëra njerëz kërkojnë strehim me çmime të përballueshme dhe mbrojtje më të rreptë për qiramarrësit. Figura simbol e krizës u bë pensionistja 87-vjeçare María del Carmen, e cila u dëbua me forcë nga banesa e saj në Madrid pas 70 vitesh, si pasojë e një rritjeje ekstreme të qirasë. Ajo ndërroi jetë më 7 tetor 2026 në spital, çka i fuqizoi edhe më shumë protestat.

Portugali

Në Lisbonë, mijëra njerëz protestuan gjatë fundjavës kundër rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës dhe krizës së strehimit në Portugali. Thirrja për protestë u bë nga sindikata më e madhe e vendit CGTP.

Kostoja e jetesës (kryesisht qiraja dhe ushqimet), që prej fillimit të Pandemisë prej Covidit më 2020ën, është pothuajse trefishuar, si në Tiranë, si kudo, ku janë ngritur studentet e studentët. Një studim publikuar nga Oxfam Deutschland më 2026, thotë se «Miliardere/ët zotërojnë më shumë se kurrë më parë. Vitin e kaluar, pasuria e tyre u rrit me 2,5 trilionë dollarë amerikanë – kjo rritje i përgjigjet gati të gjithë pasurisë së gjysmës më të varfër të popullsisë botërore. Raporti i ri mbi pabarazinë tregon se pushteti i super-të-pasurve rrezikon demokracinë. Ne (shteti) duhet ta tatojmë siç duhet pasurinë e tyre ekstreme, të investojmë në drejtësi sociale dhe të rrisim sërish fondet për bashkëpunimin për zhvillim.» Ndërkohë pra që kush ka, atij i shtohet, dhe kush nuk ka, ka gjithmonë e më pak e i merret gjithçka gradualisht dhe politika bën një sy qorr dhe një vesh shurdh, të rinjve dhe të rejave iu sos durimi me premtime boshe – inati dhe furia e tyre janë legjitime dhe më se të kuptueshme. Bare minimum – që më të mëdhenjtë, të kuptojnë kaq.

Mediat kryesore në Shqipëri dhe mbarë botën, raportojnë për dhunën që ushtrojnë PROTESTUESIT – dhe është kaq urgjente të flasim për këtë fakt! Për mediat, pra, konsiderohet dhunë kur të rinjtë shkaktojnë trazira në rrugë. Nuk ka ndodhur deri tanimë që të shohim, që po këto media ta trajtojnë varfërinë në të cilën detyrohet populli, si një nga format më poshtëruese dhe pa dinjitet të ushtrimit të dhunës – dhunë kjo, ushtruar nga neglizhenca qeveritare. Salla mësimi pa ngrohje të mjaftueshme, prindër që rreth datës 20 të muajit duhet të vendosin nëse mund të vazhdojnë të ngrohin banesën apo nëse fëmijët mund të hanë tre vakte ushqim. Këto janë forma dhune të pamëshirshme, të cilat gjithmonë do të provokojnë dhe do të prodhojnë kundërdhunë.

T’i shikojmë nga afër llojet e dhunës[4]:

  1. Dhuna institucionale: ajo lloj dhune që pjell dhe gjithë të tjerat. Kjo është ajo, e cila legalizon sundimin, shtypjen dhe shfrytëzimin e popujve te ndryshëm, ku me hir, ku me pahir.
  2. Dhuna revolucionare: kjo lind nga dëshira dhe domosdoshmëria për të mposhtur të parën.
  3. Dhuna represive: kjo ka për qëllim të mbysi të dytën dhe të mbështesi të parën.

Nuk ka pra hipokrizi më të madhe se sa të quash dhunë vetëm të dytën. Max Stirner shkruan në veprën e tij kryesore Der Einzige und sein Eigentum, 1844, se shteti e legjitimon arbitraritetin dhe dhunën e vet si «ligj», ndërsa çdo përdorim të ngjashëm të dhunës apo vetëvendosje të individit e denoncon si «krim».

Kjo rini nuk ka asgjë për të humbur, ajo nuk i detyrohet sistemit absolutisht asgjë dhe po aq e pakompromis dhe e guximshme është në luftën për të drejtat e saj. Nëse rrugët e Tiranës dhe të Europës Perëndimore janë mbushur me GenZ, të cilët kërkojnë kushte jetese dinjitoze, mediat janë mbushur me lajme kinse dhune, që vjen prej tyre. Policia, e cila ka rrahur, thyer këmbë, plagosur demonstruese/it me granata gazi, etj. etj., nuk duket gjëkundi në mediat kryesore, por në rrjetet sociale të aktiviste/ëve. As protestuese/it, të cilët bëhen mënjanë kur kalon ambulanca (policia jo!), apo ata që përqafojnë të moshuara/it dhe i ndihmojnë të kalojnë rrugën (Tiranë), apo ata që shpërndajnë trëndafila njëri-tjetrit (Paris), apo ata që kërcejnë (Tiranë) për të shprehur protestën e tyre, të gjithë këta, pjesa dërrmuese e protestuesve, nuk kanë vend në mediat kryesore –  edhe pse një makinë që digjet bëhet më shpejt virale se të mësipërmet. Shumë prej nesh e dinë mirë se the revolution will not be televised[5] – ndryshimi i vërtetë shoqëror dhe politik nuk mund e nuk do të transmetohet apo të komercializohet pasivisht si argëtim në televizion.

Një strategji e zakonshme e forcave autoritare është pra shpërndarja masive e pamjeve individuale të makinave në flakë, ndërtesave të dëmtuara apo protestuesve të dhunshëm. Incidente të izoluara vendosen kështu në qendër të vëmendjes, me qëllim që të krijohet përshtypja se e gjithë lëvizja protestuese është e dhunshme. Synimi është shkatërrimi i solidaritetit mes protestuesve, delegjitimimi i vetë protestave dhe nxitja e pjesës tjetër të popullsisë për t’u distancuar nga protestuesit, për të mos u identifikuar me ta ose për të mos i mbështetur fare.

Me këtë strategji synohet të shmanget vëmendja nga dhuna e vërtetë: dhuna policore kundër demonstruesve. Përderisa dëmtimet e veçanta materiale transmetohen në mediat kryesore, personat e plagosur, ndërhyrjet më brutale policore dhe represioni shtetëror dalin nga fokusi. Kushdo që flet për protestat, duhet prandaj të pyesë se cilat pamje shpërndahen miliona herë dhe cila dhunë kërkohet të bëhet e padukshme. Strategjitë autoritare janë ndërkombëtarisht të njëjta: shpifjet, kriminalizimi dhe delegjitimimi i protestës.

Asgjë nuk do të ishte më e gabuar sesa përpjekja për ta reduktuar lëvizjen studentore në një strategji apo taktikë të duhur a të gabuar të analizës politike. Momenti subjektiv luan një rol veçanërisht të fortë, si te të interesuarit, të cilët njëkohësisht e përjetojnë këtë si një konflikt brezash me prindërit e tyre. Këta të rinj e të reja e kanë zemrën në vendin e duhur: they are alright. Nxënësit e një liceu në Genova kanë nxjerrë pankarta nga dritarja për t’u solidalizuar me studentët e Tiranës dhe Shqipërisë, gjithashtu dhe në Paris, studentët francezë kanë ngritur flamurin shqiptar në shenjë solidarizimi. Të jetë ky Tetori Evropian i Zgjimit të Rinisë?

Shoqëritë perëndimore duhet të kenë kujdes prej fashistizimit, pasi ky nuk vjen brenda natës, me ardhjen në pushtet të një partie të së djathës ekstreme: fashizmi fillon ta marri pushtetin pak nga pak, gradualisht, fillon duke bërë që të pranohet dhuna institucionale kundrejt pjesëve të caktuara të popullsisë si normale, pra një mjet, i cili është i domosdoshëm që establishmenti të vazhdojë të sundojë pa u cenuar. Realisht, për politikat fashiste, fëmijët janë po aq të rëndësishëm sa toka, pasi bashkarisht konsiderohen si diçka e virgjër, pra diçka, ku mund «të vihet dorë», pra të kolonizohet, pushtohet, apo po të flasim me Foucault, të disiplinohen, në mënyrë që të binden.

Disiplina, sipas Foucault-së, është një formë pushteti që u tregon njerëzve se si të veprojnë, duke i bindur të përshtaten me atë që është kinse normale. Është pushtet në formën e trajnimit të duhur. Disiplina nuk e godet subjektin ndaj të cilit drejtohet me dhunë, apo keqtrajtim të dukshëm fizik – kjo funksionon në mënyrë shumë më delikate, pa rënë shumë në sy, me qëllim që të prodhojë njerëz të bindur, të nënshtruar.

Në Surveiller et punir: Naissance de la prison[6], Foucault pyet «Çfarë ka për t’u habitur nga fakti që burgjet u ngjajnë fabrikave, shkollave, kazermave, spitaleve, të cilat (anasjelltas) u ngjajnë burgjeve?»[7] Nëse Foucault ka të drejtë, ne i nënshtrohemi pushtetit të kësaj lloj stërvitjeje sa herë që jemi të lidhur pas bankave shkollore, apo më vonë, pas zyrave, etj. Ky lloj trajnimi disiplinor nuk është dhunë sovrane – por ai është pushtet. Refuzimi për ta njohur këtë disiplinim si një formë pushteti është një mohim i mënyrës se si jeta njerëzore ka arritur të trajtësohet dhe të jetohet. Nëse e vetmja formë pushteti që jemi të gatshëm të njohim, është dhuna sovrane, jemi në një pozitë të brishtë për të kuptuar se çfarë është në gjendje të bëjë pushteti sot. Nëse jemi të paaftë ta shohim pushtetin në format e tij të tjera, bëhemi kështu të pafuqishëm për t’u rezistuar të gjitha mënyrave të tjera, pra subtile, me të cilat pushteti ushtrohet mbi ne për të na formësuar dhe të na kthejë në qytetare/ë të bindur/a.

Situata aktuale, ku GenZ tregon mosbindje, tregon se ende ka shpresë dhe këto metoda nuk kanë arritur të disiplinojnë këdo. Që një Qeveri (apo disa) kritikojnë të rinjtë e të rejat, të cilëve u është mbushur kupa, se kanë dëmtuar objekte, por sillen si të pafajshme, kur ato pikë së pari janë përgjegjëse për gjendjen e mjerë ekonomike të vendit, është një strumentalizim i mirëfilltë i situatës. Eshtë detyrë e kreut të Qeverisë të kuptojë inatin e të rinjve, në vend që të kërcënojë se do të ndryshojë ligjet, në mënyrë që të burgosë edhe të miturit. Kur unë lë dritaren hapur, fryn erë, dhe nga përplasja thyhet xhami, unë nuk i inatosem erës, apo xhamit delikat, që u thye – përpiqem kështu, të krijoj kushtet e duhura, që kur të ajros herën tjetër dhe të fryjë erë, dritarja ime të mos thyhet sërishmi.

Ndërkohë që pjesa dërrmuese e protestuesve janë paqësorë dhe të armatosur veçse me pankarta dhe një dashuri të parezistueshme për ndryshim, policia, me urdhër të Qeverisë, përdor armë, të cilat në fakt janë të jashtëligjshme për natyrën e protestave. Kryeministri Edi Rama kërkon dialog – sa ironike është kjo, që ndodh vetëm kur kupa e durimit u tejkalua!? Ku ishit Z. Kryeministër, kur populli dilte në rrugë ditë për ditë për katër muaj me radhë? Çfarë mesazhi është ky që përcjell? Se vetëm kur digjen rrugët, kryet e Qeverisë tremben se po u rrëzohet karrigia?

Historikisht, asnjë lloj çlirimi apo emancipimi, nuk u është dhënë njerëzve me diplomaci, çdo fitore është shkulur me forcë kundër ligjeve, kundër rendit, kundër dhunës së institucionalizuar. Legaliteti nuk është i shenjtë: ai është tepër herë gardhi i ngritur nga pushteti ekonomik për të mbrojtur interesat e veta dhe për të shtypur këdo që guxon t’i sfidojë. Të kërkosh që të shtypurit të respektojnë rregullat e shtypësve, do të thotë të kërkosh që ata të mbeten skllevër. Historia nuk ka ecur kurrë përpara duke kërkuar leje – çlirimi nga një gjendje e caktuar është shkëputje, konflikt, mosbindje. Antigona u rebelua kundër ligjit (dhe sot e admirojmë), fundi i skllavërimit të popullsisë afrikane nuk ra nga qielli, por qe pasojë e Lëvizjeve Abolicioniste, Feudalizmi nuk iku me dëshirë, por e përzuri Revolucioni francez i 1789ës, gratë nuk e fituan të drejtën e votës, se pa pritur e pa kujtuar patriarkët menduat, se ato janë qenie njerëzore të barabarta, por vetëm pasi Suffragette-t[8] u ngritën në revolta e protesta për këtë të drejtë kaq të shenjtë. Kush ka qenë nën zinxhirë pra, të çfarëdo lloji, nuk është çliruar se ka kërkuar leje, ka ngritur kryet. Nën zinxhirë sot, janë djemtë dhe vajzat, që punojnë dymbëdhjetë orë në ditë dhe nuk e përballojnë dot jetesën aty ku kanë lindur. Bëjeni Ju, Z. Kryeministër veprimin matematik, bjerini pak lapsit për këtë rini.

Në fjalimin e saj më 2014 për National Book Awards, Ursula K. Le Guin tha, «We live in capitalism. Its power seems inescapable. So did the divine right of kings.» (Jetojmë në kapitalizëm. Pushteti i tij duket i pashmangshëm. Ashtu dukej edhe e drejta hyjnore e mbretërve.) –  pasi, të vëmë pak pikat mbi  «i», se (fatkeqësisht) nuk duhen ekspertë politikë apo ekonomikë, për të thënë, se vetëm sociale nuk ka qenë deri më sot politika e Z. Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste.

Citoj në mbyllje dhe një herë Bertolt Brecht[9]: «Ka shumë mënyra për të vrarë. Mund t’i ngulësh dikujt një thikë në bark, t’i marrësh bukën e gojës, të mos e shërosh nga një sëmundje, ta detyrosh të jetojë në një banesë të keqe, ta sfilitësh deri në vdekje me punë, ta çosh drejt vetëvrasjes, ta çosh në luftë, e kështu me radhë. Vetëm pak nga këto janë të ndaluara në shtetin tonë.»

Rinisë i plasi buza.

Me studentet!

Me studentët!

(c) Irma C. Të gjitha të drejtat janë të autores. Titulli i shkrimit referohet një kënge të Peter Townshend (Who) nga albumi My Generation.


[1]Bertolt Brecht, poezi nga Svendborger Gedichte, 1933-1939, Die das Fleisch wegnehmen vom Tisch, përkthim i imi

[2]Millenials, pra brezi para GenZ (të lindurit rreth 1980-1995) është brezi i parë pas Luftës së II Botërore, i cili edhe pse është brezi më i shkolluar, kulturuar dhe intelektual deri më sot, është po ai brez, i cili nuk e përballon dot standartin e jetës së prindërve, p.sh. të blejë një banesë.

[3]Gresa Hasa BiEPAG: Për katër muaj me radhë, lëvizja Flamingo ka mbajtur një mobilizim kryesisht paqësor, pavarësisht frikësimit të vazhdueshëm, sulmeve fizike dhe ngacmimeve nga policia. [Aktivistët] janë përballur me kërcënime, ndjekje penale, arrestime të paligjshme, përdorim të gazit lotsjellës e lëndëve të tjera kimike, si dhe përpjekje për të shtypur lirinë e tyre të shprehjes. Shumë protestues janë vënë personalisht në shënjestër nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke i ekspozuar për t’i frikësuar mëtejshëm dhe duke vënë potencialisht në rrezik sigurinë e tyre. Gjatë gjithë kësaj periudhe, qeveria jo vetëm që nuk u është përgjigjur shqetësimeve të lëvizjes, por është përgjigjur me një arrogancë dhe përbuzje goditëse. Rama ka përjashtuar disa herë mundësinë e dorëheqjes dhe ka këmbëngulur se projektet e diskutueshme të zhvillimit luksoz do të vazhdojnë pavarësisht kundërshtimit të publikut.

[4]Hélder Câmara, Spirale de violence, Paris, 1971

[5]Gil Scott-Heron, 1970, poet dhe muzikant jazz-i

[6]Disiplinë dhe ndëshkim, lindja e burgut, Michel Foucault, Odeon, 2010

[7]Quoi d’étonnant si la prison ressemble aux usines, aux écoles, aux casernes, aux hôpitaux, qui tous ressemblent aux prisons ?

[8]Termi sufragete u referohet aktivisteve për të drejtat e grave në Mbretërinë e Bashkuar (UK) në fillim të shekullit të 20-të. Ato luftuan në mënyrë militante dhe publike për të drejtën universale të votës për gratë, me moton «Votes for Women» (Vota për gratë).

[9]«Es gibt viele Arten zu töten. Man kann einem ein Messer in den Bauch stechen, einem das Brot entziehen, einen von einer Krankheit nicht heilen, einen in eine schlechte Wohnung stecken, einen durch Arbeit zu Tode schinden, einen zum Suizid treiben, einen in den Krieg führen usw. Nur weniges davon ist in unserem Staat verboten.», Bertolt Brecht, Me-Ti. Buch der Wendungen, shkruar më 1934–1938, publikuar më 1965


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading