Bekim apo mallkim, kjo është dilema. E vjetër sa bota ose, të paktën, që kur njeriu krijoi veglën e parë të punës. Edhe Inteligjenca Artificiale nuk ka si të bëjë përjashtim: do të sjellë shpëtim apo shkatërrim, bollëk apo katastrofë, parajsë apo skëterrë? Përgjigjen e gjejmë në histori, apo, më mirë akoma, në mitologji. Si te Mulliri i Grotit i sagës së famshme nordike, mulliri magjik që kur bluante, nxirrte çdo gjë që i kërkoje: flori dhe kripë, paqe dhe luftë, mirësi dhe fatkeqësi.
Gróttasöngr (Kënga e Grotit)
Na ishte një herë në Danimarkë një mbret që e quanin Frodi. Në mbretërinë e tij nuk kishte vrasje as hakmarrje, nuk kishte hajdutë as banditë – gjithkund ishte qetësi dhe paqe.
Në mbretërinë e Frodit kishte edhe një mulli si s’e kish parë ndonjëherë bota. Një mulli magjik, me emrin Groti, që bluante me dy gurë gjigandë dhe nxirrte çdo gjë që i kërkonte mullixhiu. Por gurët ishin aq të rëndë dhe të mëdhenj, sa askush nuk i shtynte dot për ta vënë në punë mullirin.
Një ditë prej ditësh mbreti Frod shkoi për vizitë te mbreti i Suedisë, që e quanin Fjolnir. Aty Frodi bleu dy skllave, me emrat Fenja dhe Menja, të dyja gra të mëdha dhe të forta nga soji i viganeve.
Kur u kthye, mbreti urdhëroi t’i lidhnin Fenjën me Menjën te mulliri magjik, që ato të shtynin gurët e stërmëdhenj dhe mulliri të nxirrte flori, paqe dhe begati për Frodin dhe mbretërinë e tij. Aq makut dhe i pangopur ishte mbreti, sa Fenja dhe Menja duhet të punonin ditë e natë, pa u shplodhur më gjatë se koha e një kënge dhe dhe pa fjetur më shumë se heshtja e një qyqeje. Kështu ato shtynin e shtynin pa pushim, gjithë mundim dhe sfilitje, gurët gjigandë të Grotit.
Andaj dhe Menja me Fenjën morën inat aq të madh me mbretin, sa një natë, ndërsa po rrotullonin gurët e mëdhenj të mullirit dhe Frodi po flinte, ato filluan të këndonin “Këngën e Grotit”. Dhe mulliri menjëherë, pa mbaruar ato ende së kënduari, solli aty një ushtri të madhe të mbretit të piratëve – Mysing e quanin. Piratët e çartur sulmuan befasisht ushtrinë e Frodit, vranë mbretin dhe plaçkitën mbretërinë e tij. Kështu mori fund edhe paqja dhe begatia në Danimarkë.
Kur iku, Mysing pirati mori në anijen e tij edhe Grotin – bashkë me Fenjën dhe Menjën – dhe u kërkoi të nxirrnin kripë nga mulliri magjik. Gratë vigane filluan të shtynin prapë gurët e rëndë të mullirit, tani për të bërë kripë për piratin. Në mesnatë, të rraskapitura nga puna, Fenja dhe Menja e lutën piratin që të bënin pak pushim, por ai nuk pranoi; donte më shumë kripë prej mullirit. Dhe kështu ato vazhduan të shtynin e të shtynin pa pushim gurët e Grotit, aq shumë sa kripa u bë mal dhe anija e piratëve u fundos në det nga pesha e madhe.
Dhe mu aty u hap një vorbull gjigande, ku uji i detit bie ende mbi gurët e stërmëdhenj të Grotit, që bluajnë akoma sot dhe nxjerrin kripë me okë. Prandaj edhe uji i detit, që atëherë, u bë i kripur.
(Përkthyer dhe përshtatur pa AI dhe pa pretendime)
Të mendosh që në themel të çdo kompjuteri dhe të Inteligjencës Artificiale ka gjithmonë një “mulli”, një loop që bluan zero dhe njësha deri sa të nxjerrë rezultatin e kërkuar, një loop pa të cilin kompjuteri nuk do ishte veç një makinë llogaritëse dhe AI veç një sekretari telefonike. Groti dixhital.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.