Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Totalitarizëm

Ç’TË LEXOSH NË BOTËN E RE

Pjesa e nëntë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Gjithsesi, ideja se çfarë libri duhet marrë me vete, në një vend që nuk është vend, ka të bëjë me dëshirën tonë, prej breshke metafizike, për ta mbajtur botën me vete, nëpërmjet një libri. Një libër në një ishull është shumë më tepër se një bibliotekë e tërë; sepse biblioteka nuk mund të jetë kurrë totale (përveçse në fantazmagoritë e Borges-it), ndërsa një libër nuk mund të jetë veçse total. Dhe ky fill mendimi më sjell te personazhi John Savage dhe fati i tij aq i trishtuar, në romanin Brave New World të Aldous Huxley-t.

Romani i Huxley-t i paraqet lexuesit një shoqëri distopike, të kontrolluar përmes lumturisë së inxhinieruar, konsumerizmit dhe hierarkisë biologjike. Nëpërmjet kushtëzimit kimik të embrioneve, shoqëria është e ndarë në pesë kasta, prej të cilave alfat dhe betat përfaqësojnë racën eprore të elitës intelektuale dhe administratorëve, ndërsa gamat, deltat dhe epsilonët janë kastat punonjëse. Familja nuk ekziston më dhe fëmijët kushtëzohen të mendojnë se “nënë” dhe “baba” janë fjalë të ndyra. Njerëzit e kalojnë kohën duke konsumuar droga halucinogjene (soma), që i ndihmon të shkëputen nga realiteti; dhe hormone seksuale, të cilat i mbajnë në një status hiperseksualiteti konstant. Historia dhe arti janë eliminuar, siç është eliminuar interesi për të shkuarën dhe traditën. Fëmijët e kastave më të ulëta kushtëzohen, me metoda neo-pavloviane, që t’u shmangen librave, duke u fokusuar në sport dhe kënaqësi të tjera. Rreptësisht e ndaluar është edhe letërsia klasike. Të vetmit libra që i ofrohen publikut janë manualet teknike dhe propaganda. Megjithatë, një nga administratorët e planetit, kontrollori Mustafa Mond, mban në zyrën e vet një bibliotekë me libra “të ndaluar”, përfshi edhe Biblën. Sipas tij, e vërteta dhe bukuria janë sakrifikuar për hir të komfortit dhe stabilitetit.

Personazhi kryesor i romanit, John Savage, vjen në ekzistencë falë një gabimi të sistemit. Nëna e tij, Linda (një beta-minus) dhe babai, Thomas (drejtori i inkubatorëve dhe kushtëzimit) shkojnë për të kaluar pak ditë në një Rezervat të egërsisë (Savage Reservation), një zonë pak të populluar, ku jeta “primitive” (me njerëz që martohen, besojnë në Zot, krijojnë familje dhe lindin fëmijë) është lejuar të vazhdojë. Gjatë këtij ekskursioni Linda humb diku në mal, rrëzohet dhe lëndohet – Thomas-i kujton se ajo ka vdekur dhe e braktis, për t’u kthyer në Londër. Vajzën e shpëtojnë banorët vendës të rezervatit dhe, gjatë kohës që ajo merr veten nga plagët, zbulon se është shtatzënë. Ashtu ka turp të kthehet në Londër dhe në një jetë sociale ku shtatzënia dhe mëmësia shihen si një lloj krimi; dhe vendos të rrijë në fshatin Malpais, ku edhe lind djalin e vet, John, i cili tani detyrohet të rritet mes dy botëve.

Linda i mëson të birit shkrim e këndim, dhe i tregon të vetmin libër që ka me vete: Kushtëzimi kimik dhe bakteriologjik i embrionit. Udhëzime praktike për punonjësit e magazinës së embrioneve beta. Ky është libri i saj i profesionit dhe i vetmi që i duhet, për të jetuar. Kur të rritesh, i thotë John-it, do ta lexosh. Edhe pse kam frikë se nuk do të të duket dhe aq tërheqës. Por unë vetëm këtë kam… Por një ditë prej ditësh, i dashuri vendës sjell me vete një libër tjetërlloj, të trashë dhe të vjetër, me kapakët të ngrënë prej minjve. John-i e merr nga toka dhe ia lexon titullin – Veprat e plota të Shekspirit. Duhet të jetë gjë e vjetër, i thotë Linda. I hodha një sy, dhe m’u duk plot marrëzira. I paqytetëruar. Por mbase ty të bën mirë për të praktikuar leximin.

Kalojnë muaj pastaj vite, teksa John Savage rritet dhe e ndërton vetëdijen intelektuale dhe emocionale duke u ushqyer vetëm me fjalët dhe frymën e atyre veprave. Kur më në fund e gjejnë dhe e kthejnë në “qytetërim”, ai është në thelb një qenie që ka shpirt, sikurse ka një histori familjare dhe e kupton se çfarë është tragjedia. Për këtë arsye, vendosin ta mbiquajnë “Savage” (i egri).

Shpesh i ndodh që, kur ndërvepron me personat plastikë që e rrethojnë në botën e qytetëruar, shprehet me fraza të plota, nga dramat e Shekspirit – të cilat nuk ia kupton mirë askush, sa kohë që ata që ka përreth, deri edhe më të diturit, nuk e njohin fare Shekspirin, as kanë pasur ndonjë përvojë të ngjashme me personazhet e atyre dramave.

Megjithatë, një ditë fjala për të i shkon edhe Kontrollorit të Europës Perëndimore Mustafa Mond, i cili thërret për një takim, në zyrën e vet, dy alfat që e kishin zbuluar John Savage-in në rezervat, dhe John-in vetë. Nis një bisedë për avantazhet e qytetërimit, dhe atje Mond-i shqipton, ashtu si rastësisht, një varg nga Stuhia, e Shakespeare-it: “Sometimes a thousand twangling instruments will hum about my ears and sometimes voices.” Savage nuk e priste që një funksionar kaq i lartë i atij qytetërimi të themeluar mbi ndalimin e librave dhe të kulturës, të dinte përmendësh një copëz nga Shakespeare-i. “Kujtoja se askush nuk e njihte atë libër në Angli,” thotë ai. “Pothuajse askush,” i përgjigjet Mond-i. Është i ndaluar. Por meqë ligjet këtu i bëj unë, unë mund edhe t’i shkel.” Të dy përfshihen në dialog, për librat dhe arsyet e ndalimit të tyre. Kontrollori shpjegon se qytetarëve të Botës së Re nuk u interesojnë gjërat e vjetra dhe se, në çdo rast, edhe po t’ua jepje Shakespeare-in, nuk do ta kuptonin. Strategjitë nuk kanë kuptim, pa pështjellim social; por bota tani është stabël, njerëzit janë të lumtur, kanë gjithçka që duan, dhe kurrë nuk duan çfarë nuk mund ta kenë. Janë në gjendje të mirë, ndihen të sigurt, nuk sëmuren kurrë, nuk kanë frikë nga vdekja, nuk njohin as pasionin as pleqërinë, nuk torturohen nga nënat dhe baballarët, nuk kanë as gra as burra as fëmijë as të dashur dhe, në çdo rast, kanë soma. Sakrifica e artit sublim është çmimi që duhet të paguajmë, për të pasur stabilitet.

Te John Savage, kontrollori Mond sheh shumëçka të ngjashme me veten, në moshë të re; kur i ishte afruar shumë tundimit të artit shkencës dhe religjionit, por në momentin e fundit kish zgjedhur të përqafonte konformimin me arsyen praktike të qytetërimit, ndaj perspektivës të internimit në një ishull përtej detit. Unë zgjodha që t’i shërbej lumturisë, thotë Mond-i.

Përballja e John-it me kontrollorin Mond, nëpërmjet një debati filozofik që vazhdon për faqe të tëra, është përballja e qytetërimit të konsumit me “shpirtin” që ka flijuar në themelet e veta. Ai qytetërim mund të jetë stabël vetëm në atë masë që ka groposur librat, artin, shkencën, fenë dhe moralin, dhe bashkë me to edhe vuajtjen, frikën nga vdekja, dyshimin dhe ndjenjën e fajit. Ndryshe nga Mustafa Mond-i, që e ka metabolizuar kulturën e dikurshme dhe është shndërruar në një përbindësh të mirëqenies, John Savage është produkt i kulluar i një teksti kanonik, zëri i ligjërimit shekspirian i shndërruar në subjekt, dhe nuk ka alternativë tjetër, ndaj refuzimit të qytetërimit që e rrethon. Kjo botë mund të jetë vërtet më e mira, por nuk është bota që ai dëshiron.

Romanin e Huxley-t në frëngjisht me titullin Le meilleur des mondes e pat sjellë nga Parisi në 1971 im atë, pas një specializimi; bashkë me një libër tjetër, Le Livre de San Michele. Të dy librat ishin të llojit livre-de-poche, me kopertina tërheqëse; nga të dy, mua 12-vjeçarin më tërhiqte ai Huxley-t, për shkak të konceptit futurist të kopertinës. Do ta lexoja tetë vjet më pas, si të kisha mësuar aq frëngjisht sa ta kuptoja. Dhe do ta lexoja ashtu siç lexohen librat në një gjuhë që ende nuk e zotërojmë – duke e rishkruar në mendjen time, në mënyrë jo detyrimisht besnike me origjinalin. Atëherë ende nuk kisha qenë gati për konceptin – aq mahnitës – të një subjekti të folur nga teksti, siç flitet Savage-i nga teksti shekspirian; ligjërimi i tij në roman më linte pa gojë vetëm për zotësinë filologjike, me të cilën e kish sjellë në jetë autori. Aq më tepër që anglishtja e Shakespeare-it vinte e përkthyer në frëngjishte  (në mos gaboj, me origjinalin të riprodhuar në shënimin në fund të faqes); dhe një pjesë të madhe të veprave që përmendeshin atje unë nuk i njihja. Kisha lexuar vetëm Macbeth-in e përkthyer nga Noli, dhe pastaj Tales from Shakespeare nga Charles dhe Mary Lamb, të përkthyer shqip. Por, si dikush që sapo kish mbaruar gjimnazin, e kuptoja mirë mundimet dhe përvëlimet shpirtërore të Savage-it.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading