Një reflektim filozofik mbi Odisenë, kujtesën dhe identitetin
1.Triumfatori dhe trauma e heroit
Janë të pakta mitet e letrarizuara që kanë ushtruar një ndikim kaq të thellë mbi qytetërimin perëndimor sa Iliada dhe Odiseja e Homerit. Çdo epokë ka gjetur tek eposi homerik përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet e veta: Mesjeta e kundroi si pasqyrë të alegorive morale, Rilindja si shprehje të humanizmit, moderniteti e interpretoi si shprehje të krizës së identitetit, ndërsa shekulli XXI, përmes filmit të regjisorit Nolan, eksploron shqetësimet e njeriut postmodern-temat mbi traumën e luftës, kujtesën, fajin , ndëshkimin , identitetin dhe kërkimin e vetvetes.
Odisenë e Homerit, për herë të parë e kam lexuar në moshën e rinisë[1]. Në këtë fazë të jetës, Odiseu përjetohet para së gjithash si hero dhe “odiseja” e tij, si një rrëfim aventurash gjatë kthimit në shtëpi. Lexuesi ndjek me kërshëri lundrimin e heroit nëpër dete, përballjet me përbindëshat, tundimet, rreziqet dhe aventurat e tij gjatë kthimit në Itakë.
Miti Odiseut udhëton nëpër kohëra dhe bashkë me të edhe kuptimi dhe interpretimi i tij. Në adoleshencë apo në rininë e hershme ne lexojmë mitin, ndërsa në pjekuri miti fillon të na lexojë neve. Kështu, ajo që në adoleshencë ishte kryesisht një histori aventurash, në moshën më të pjekur kthehet në një hapësirë reflektimi. Kjo ndodh sepse përtej trillit aventurier, në narrativën e Odisesë të Homerit ndërthuren një larmi temash dhe motivesh universale si lufta, hakmarrja, drejtësia, mikpritja, tundimi, dredhia, pabesia, heroizmi, sakrifica, pritja, besnikëria etj.
Ashtu sikurse Odiseu në kthim nuk gjen Itakën e dikurshme, edhe për lexuesin, kur i kthehet vite më pas rileximit të eposit homerik, poema nuk është e njëjtë. Kjo është “odiseja” hermeneutike e leximit dhe interpretimit të mitit nga një kohë në tjetrën.
Prandaj një ekranizim i ri i Odisesë, nga një regjisor si Christopher Nolan, nuk mund të jetë thjesht një rikrijim spektakolar i një miti të lashtë. Duke i qëndruar besnik stilit të tij krijues, Nolan në filmin The Odyssey nuk rrëfen vetëm aventurat e Odiseut, por përmes mitit të lashtë shqyrton raportin e njeriut me kohën, kujtesën, fajin dhe identitetin.
Odiseja e Homerit në rrafshin narrativ thuret rreth disa temave themelore të qytetërimit të lashtë akeas si nostos (kthimi në atdhe), xenia (Ligji i Zeusit-mikpritja e shenjtë), timë (nderi) dhe hubris (mendjemadhësia). Në eposin e Homerit, Odiseu, i Hyjnishmi, vepron brenda një kozmosi të sunduar nga vullneti perëndive. Zotat dhe hyjnitë e Olimpit janë të pranishëm në të gjithë strukturën narrative të epit homerik. Ato ndërhyjnë në fatin e njerëzve, i ndihmojnë, i pengojnë dhe ndëshkojnë. T’gjitha hyjnitë për të po ndjenin dhembje/veç Poseidonit. Inat të madh ky mbajti /kundër hyjnor Uliksit[2].
Në regjinë e Nolan-it këto motive –dhe veçanërisht Ligji i Zeusit për mikpritjen-ruhen por ndodh një zhvendosje e frymës së eposit homerik- nga Fati dhe vullneti i perëndive, drejt Fajit dhe pasojave të zgjedhjeve të heroit.
Nolan e interiorizon këtë konflikt. Perënditë tërhiqen nga qendra e narrativës. Në plan të parë dalin zgjedhjet e Odiseut dhe reagimi tij ndaj sfidave gjatë kthimit në Itakë. Në funksion të kësaj qasjeje, hyjnitë me të cilat përballet Odiseu, nën regjinë e Nolan zhvishen nga aureola vezulluese e të mbinatyrshmes dhe duken më tokësore: Kalipsoja përngjan me një psikoterapiste me pushime buzë detit, Çirçe-hyjnesha e tmerrshme me fytyrë njerzore/ me flokët tërë krela t’mrekullueshëm[3],portretizohet si grua fshatare shtrigë dhe e dhunuar, Atena (Athinaja)-syqellorja- përngjan me një asistente modeste të shefit në udhëtim.
Në eposin homerik, hyjnitë dhe qeniet mitologjike janë pjesë reale dhe integrale e kozmosit të poemës. Në leximin modern ato mund të shndërrohen në figura të konfliktit psikologjik, moral dhe ekzistencial. Polifemi simbolizon figurën e dhunës së verbër, Sirenat personifikojnë joshjen dhe tundimin, Kalipsoja bëhet figura e harresës dhe pengesa për nostos-in, kthimin në atdhe të Odiseut.
Megjithatë, Nolan-i nuk e zhduk tërësisht rendin homerik por e përkthen atë, nga një rend kozmogonik, në në një rend moral dhe psikologjik. Prandaj duhet të nënvizojmë se Nolan-i nuk e thjeshtëzon narrativën homerike sipas klishesë: Odiseu mëkaton-perënditë e ndëshkojnë. Në të vërtetë filmi shpalos një botë mitike, ku heroi vepron brenda një rendi që e tejkalon atë dhe ku zgjedhjet e tij kanë pasoja.
Në botën homerike, Fati dizenjohet nga moirat, të cilat përcaktojnë destinin dhe kufijtë e jetës të çdo njeriu. Zotat e Olimpit janë jashtëzakonisht të fuqishëm , por ata nuk mund ta ndryshojnë fatin përfundimtar. Hyjnitë, brenda kornizës të paracaktuar nga moirat, luajnë me fatin e njerëzve, por nuk e shkatërrojnë plotësisht lirinë e tyre. Homeri përdor konceptin Hypermoron (përtej fatit) për të treguar se njerëzit kanë hapësirë veprimi brenda kornizave të fatit dhe shpesh, sjellin fatkeqësi mbi veten e tyre për shkak të arrogancës (hubris) ose veprimeve të gabuara. Fati vendos rrethanat; karakteri vendos mënyrën e reagimit ndaj tyre. Pikërisht këtu qëndron madhështia e Odiseut: ai nuk është më i forti, por mbijeton falë inteligjencës (metis), dinakërisë, durimit dhe besimit për të arritur atë që fuqia e armëve nuk mund ta arrijë.
Nëse Iliada është poema e luftës dhe e lavdisë heroike, Odiseja është poema e mbijetesës dhe e rindërtimit të jetës pas katastrofës. Në këtë dritë, Odiseu nuk është vetëm fitimtari i Trojës; ai është ndoshta edhe veterani i parë i madh i letërsisë botërore[4]. Odiseja e Homerit në versionin e Nolan-it interpretohet si poema e parë e madhe e traumës së luftës.
Lavdia dhe trauma bashkëjetojnë brenda Odiseut. Kjo e bën figurën e tij jashtëzakonisht moderne dhe shpjegon përse eposi homerik vazhdon të na flasë edhe sot. Në shekullin XX dhe XXI kemi mësuar ta shohim luftën jo vetëm si histori fitoresh, por edhe si histori traumash. Odiseu nuk kthehet me fanfarat e triumfatorit, por me heshtjen e atij që ka parë shumë vdekje, ka përjetuar tmerre, ka vrarë dhe, për pasojë, mban në vetëdije peshën e fajit për shkatërrimin e Trojës, për shkeljen e ligjeve të Zeusit dhe humbjen e shokëve.
Ndryshe nga Akili i cili karakterizohet nga forca fizike, impulsiviteti dhe mëria (menos), Odiseu ka si tipar kryesor mençurinë (metis) praktike dhe përballë pengesave përdorracionalitetin, mashtrimin, maskimin dhe dinakërinë.Por bashkë me zgjuarsinë, e cila e ndih të kapërcejë rreziqet, Odiseu ka edhe anën e errët karakteriale- mendjemadhësinë, krenarinë për të mos iu nënshtruar Zotave, kryelartësinë-atë që grekët e lashtë e quanin hubris.
Është me interes të përmendim në këtë kontekst këngën e XXVI të Ferrit të Dantes. Portretizimi Uliksit nga Dantja është paradoksal – heroi homerik gjendet mes flakëve, si mëkatar në rrethin ku janë ndëshkuar të pabesët dhe mashtruesit. Në rrëfimin e tij, Uliksi thotë se pas kthimit nga Çirçja, i mërzitur nga jeta e zakonshme, mbledh shokët, niset nëpër dete dhe kapërcen Shtyllat e Herkulit-kufirin mitik të botës së njohur: Botën unë doja me përpi me sy/vese e vlerë njerzore me hetue.[5]Përballë i shpërfaqet mali Purgatorit dhe më pas mbytet prej stuhisë.
Edhe pse e vendos Uliksin në rrethin e tetë të ferrit, si mashtrues dhe shkelës të ligjit hyjnor, Dantja e admiron atë si hero të dijes që transcendon kufirin e ndaluar dhe udhëton drejt të panjohurës. “Mëkati” i Uliksit në versionin dantesk është dëshira për dije, kërshëria për të njohur botën. Por virtyti i tij iluminist-etja për dije-shndërrohet në faj dhe ndëshkim.
“Pra, përse është ndëshkuar Uliksi?-pyet Borges-Jo për shkakun e stratagjemës me Kalin e Trojës. Çasti madhor i jetës së tij në sytë e Dantes, por edhe në sytë tanë qëndron gjetiu, në atë vullnet të lirë, të guximshëm, për të njohur të ndaluarën, të pamundurën ..Uliksi vepron si njeri mentar. Ai i referohet arsyes së urdhëruar nga inteligjenca dhe ndëshkohet”[6]
Prandaj, kthimi i Odiseut në Itakë është ndëshkim i dyfishtë, hyjnor prej zotave dhe moral, me çmimin që paguan heroi, i cili bashkë me zulmën e fitores, përjeton edhe pasojat e zullumeve të dhunës, pabesisë dhe shkeljes të ligjit të Zeusit për mikpritjen.
Në këtë kontekst, titulli The Odyssey i Nolan-it fiton një polisemi të veçantë. Ai shenjon njëherazi Odiseun dhe “odisenë” e tij-Udhëtarin dhe udhëtimin, heroin dhe dramën e tij të rikthimit në Itakë dhe tek vetvetja. Ndëshkimi zhvendoset nga nga jashtë brenda, nga perënditë tek ndërgjegjja, nga fati tek përgjegjësia, nga zemërimi hyjnor, te pasojat e shkeljeve të ligjit të Zeusit. Në këtë mënyrë, “Odiseja” rrëfen dy udhëtime paralele: udhëtimin e trupit të Odiseut nëpër dete drejt Itakës dhe udhëtimin e tij shpirtëror drejt vetvetes. Lufta e Trojës e mësoi si të fitonte mbi të tjerët; kthimi në Itakë e mëson të fitojë mbi veten, mbi tundimet dhe pasionet e tij.
Udhëtimin e tij Odiseu e nis si mashtruesi dhe triumfatori i Trojës, e vazhdon përmes peripecive dhe ndëshkimit të hyjnive dhe në fund, për të rifituar Itakën dhe fronin mbretëror, ai kthehet vetë në ndëshkues të mëtonjësve – abuzues të ligjit të Zeusit për mikpritjen. Kështu, “kthimi dhe ndëshkimi” bëhen dy anët e së njëjtës medalje. Odiseut hyjnor, të adhurueshëm në eposin homerik, dinak dhe madje mizor në luftë, Nolan-i i jep edhe dimensionin e brendshëm psikologjik- traumën e luftës dhe aftësinë për të mbijetuar dhe ruajtur njerëzoren mes vuajtjeve, tundimeve dhe humbjeve.
2. Koha, kujtesa dhe identiteti
Kthimi i Odiseut nuk është vetëm një udhëtim gjeografik drejt Itakës, por edhe një pelegrinazh i gjatë shpirtëror. Çdo ishull ku ndalet Odiseu, çdo stuhi dhe çdo humbje, janë një metaforë e plagëve të padukshme që lufta ka lënë në shpirtin e tij. Ai nuk përballet vetëm me përbindëshat dhe perënditë, por edhe me kujtimet dhe brerjen e ndërgjegjes.
Koha në konceptin regjisorial të Nolan-it nuk rrjedh njëtrajtësisht drejt vijës së finishit; ajo fragmentohet përmes retrospektivave dhe kthimit të heroit vazhdimisht tek e shkuara. Heroi jeton njëkohësisht në të tashmen e udhëtimit dhe në të shkuarën e luftës.
Koha ontologjikisht është e pandarë nga hapësira. Poeti Joseph Brodsky, në poezinë “Odiseu, Telemakut”, i jep mitit një dimension të ri. Ai e sheh Odiseun jo si heroin e lavdishëm të legjendës, por si një njeri të plakur nga koha dhe me kujtesën e humbur. Vargu më mbresëlënës i Brodsky-t prek thelbin e dramës të udhëtimit shumëvjeçar të Odiseut : “Po rruga e kthimit/ si shumë e gjatë po m’duket. A thua se Poseidoni, ndërsa ne birrnim kohën atje/ai zgjanonte hapsinat këndej?[7]
Krahasuar me rrugën e nisjes nga Itaka drejt Trojës, rruga e kthimit është zgjatur. Hapësira është zgjeruar. Gjatë qëndrimit dhjetë vjet rrotull mureve të Trojës, me hapësirën ka ndodhur një Big Bang.Ndryshe nga përrallat ku heroi ndeshet me mjaft pengesa dhe kurthe kur largohet nga shtëpia, në eposin homerik, rruga e kthimit për në shtëpi zgjatet pa fund, hapësira zgjerohet dhe bashkë me të edhe përvoja dhe dija. “Hapësira e zgjeruar” nuk është gjë tjetër veçse metafora e odisesë së udhëtimit, si pasojë e zemërimit dhe ndëshkimit të Odiseut nga Zeusi dhe hyjnitë e tjera.
Vargjet e Brodskyt fitojnë një tingull aktual, si një nga formulimet më poetike mbi fatin e mërgimtarit. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më e largët bëhet shtëpia. Këtu shfaqet paradoksi i madh i Odiseut: ai lundron drejt Itakës, por Itaka e kujtesës nuk është më e njëjta me Itakën ku do të mbërrijë. Atdheu mbetet, por njeriu ndryshon. Prandaj nostalgjia për grekët antikë kishte kuptimin e kthimit të dhimbshëm në shtëpi/atdhe.
Odiseu lufton për të mos harruar Itakën, Penelopën, Telemakun dhe vetveten. Përballë kësaj qëndrojnë forcat e harresës: Lotofagët, Sirenat, Kalipsoja. Secila prej tyre i propozon një mënyrë për të hequr dorë nga kujtesa, sepse kush harron, nuk ka më arsye të kthehet.
Odiseja nuk është vetëm udhëtim në hapësirë; është edhe udhëtim në kohë. Koha bëhet personazhi i padukshëm i poemës. Ajo rrjedh në dy drejtime. Për Odiseun, koha është kujtesë, humbje dhe mall. Për Penelopën është pritje, durim dhe rezistencë. Për Telemakun është rritje. Për Itakën është ndryshim i ngadaltë. Kjo qasje filozofike rezonon edhe me universin kinematografik të Nolan-it, ku koha është një përvojë subjektive dhe elastike. Koha për Odiseun është kalimi pengesave drejt Itakës, akumulim përvoje dhe plakjeje. Për Telemakun koha është procesi i rritjes dhe krijimit të vetëdijes për përgjegjësitë e tij si biri i Odiseut, mbrojtës i Penelopës dhe trashëgimtar i fronit mbretëror. Ndërsa për Penelopën hapësira e manovrimit përmes rrengut të endjes së pëlhurës, ngushtohet, koha e pritjes së Odiseut zgjatet e zgjatet.
Odiseu gjatë kthimit në Itakë përballet me fluksin e kujtimeve- shokët e vrarë dhe të vdekur, lufta dhe gjaku. Atje mes stuhisë së detit i rikujtohet Itaka dhe Penelopa me lutjet e saj për të mos u nisur drejt Trojës. “Nuk ka dhimbje më të madhe, sesa të kujtosh kohët e lumtura kur jeton në mjerim-do shkruante Dantja në Komedinë Hyjnore. Kurse poeti grek Jorgos Seferis në një nga poezitë e tij, nënvizon peshën e dhimbshme të kujtesës: “Kujtesa, ngado që ta prekësh, dhemb”.
Në këtë kuptim, kujtesa bëhet fusha e vërtetë e betejës. Sipas këshillës së Çirçes, Odiseu zbret në Hades për të mësuar rreth fatit të tij nga shortari Tiresia. Aty Odiseu ballafaqohet me Sionon[8] –djaloshin luftëtar të cilin e kishte mashtruar, duke mos i treguar të vërtetën për Kalin e drunjtë. Hijet e shokëve të vdekur e ndjekin nga pas, duke e akuzuar si përgjegjës për vdekjen e tyre.
Në versionin e Nolan-it, magjistarja Çirçe i akuzon shokët e tij si vrasës dhe plaçkitës – pra abuzues dhe dhunues të Ligjit të Zeusit të mikpritjes (ksenia), aq i mirënjohur në Kodin zakonor të shqiptarëve (Shtëpia është e mikut dhe Zotit) . Në këto fragmente të narrativës filmike, Odiseu ballafaqohet me “hijen” jungiane, pra me atë pjesë të pavetëdijes të cilën ai kërkon ta shmangi. Por njeriu si udhëtar – thekson Nietzsche – nuk mund t’i ikë hijes së vet, dyshimeve dhe vetvetes[9].
Kështu, Homeri krijon një nga meditimet më të hershme mbi mënyrën se si koha i transformon njerëzit pa u vënë re. Kjo është arsyeja pse kthimi nuk është kurrë rikthim i thjeshtë. Maksima heraklitiane përcjell nëpër kohëra kumtin se “nuk mund të lahemi dy herë në të njëjtin lumë”, pra nuk mund të kthehemi të njëjtët në vendin nga i cili jemi larguar.
Rikthehemi në një botë që ka ndryshuar, ndërsa edhe ne vetë jemi bërë të tjerë. Odiseu, falë dinakërisë së tij dhe mashtrimit, mposht Polifemin, nuk dorëzohet përballë joshjes me pavdekësi nga Kalipsoja, i shpëton tundimit të sirenave, kalon Shillën dhe Karibdën, sfidon hyjnitë dhe ndëshkon pretenduesit, por përballë hijes së vet, ai gjendet si përpara Sfinksit: kush jam unë?
Cili është, pra, identiteti i Odiseut? Ai është heroi i Trojës, arkitekti i Kalit të drunjtë, mashtruesi, mbreti, bashkëshorti, babai, veterani luftës, endacaku, ndëshkuesi i mëtonjësve. Identiteti i Odiseut nuk është i pandryshueshëm; ai formësohet nga sprovat, humbjet dhe koha. Kur mbërrin në Itakë, ai nuk është më mbreti që u largua. I maskuar si lypës, ai duhet ta rifitojë identitetin e tij, jo vetëm përpara të tjerëve, por edhe përpara Penelopës dhe vetes.
Ajo që e dallon Odiseun është se “eliksiri” që ai sjell nuk është një objekt magjik, por përvoja dhe dituria. Njeriu bëhet i plotë, njeh vetveten dhe gdhend vetveten, vetëm pasi ka kaluar përmes sprovave, përvojave dhe humbjeve. Odiseu kthehet në Itakë me vitet e humbura të rinisë, me shokët e humbur, por më i pasur në përvojë dhe urtësi.
Këtë e kuptoi mrekullisht poeti grek Konstantin Kavafis në poezinë e tij “Itaka” Ai e përmbys leximin tradicional të Homerit. Kthimi në Itakëështë shpërblimi i udhëtarit tashmë të pasuruar me përvojë: Të varfër në e gjeç, Itaka s’të ka mashtruar/Me kaq përvojë, i mençur si je bërë/tash do ta kesh kuptuar ç’kuptim paskan Itakat. [10].
Udhëtimi në kohë dhe nëpër vende të panjohur kthehet në përvojë, përvoja akumulohet si dije dhe kujtesë.
Për Max Horkheimer dhe Theodor W. Adorno[11], miti ka mbartur fillesat e iluminizmit dhe Odiseu sfidat në lundrimin e tij i përball përmes arsyes instrumentale dhe jo besimit tek Zotat. Odiseu kupton se hyjnitë dhe forcat e natyrës nuk ndikohen nga flijimet. Prandaj ai ia del mbanë në çdo rrethanë duke përdorur ratio-n, arsyen instrumentale dhe dinakërinë. Njeriu njeh botën për ta zotëruar atë. Në këtë kuptim, arsyeja lindi si aftësi praktike për sundimin e natyrës. Odiseu është mishërimi i kësaj arsyeje.
Horkheimer dhe Adorno, përmes analizës dialektike të qytetërimit, theksojnë se iluminizmi premtoi çlirimin e njeriut nga miti, por përfundoi duke e kthyer mitizuar arsyen dhe kthyer në një mjet dominimi. Qenia u kthye ne Logos. E njëjta arsye që i lejon Odiseut të mbijetojë është, në formën moderne, arsyeja teknike që synon dominimin dhe sundimin, të kontrollojë natyrën dhe njerëzit.
3.Çfarë është Itaka?
Në leximin e parë, Itaka është një ishull i vogël në Detin Jon. Është vendlindja e Odiseut, mbretëria që ai kërkon të rimarrë dhe shtëpia ku e presin Penelopa dhe Telemaku. Por madhështia e Homerit qëndron pikërisht në faktin se Itaka pushon së qeni një vend gjeografik dhe shndërrohet në një metaforë universale. Itaka nuk është thjesht atdheu fizik; ajo është vendi ku njeriu përpiqet të pajtohet me vetveten dhe me të kaluarën.
Kthimi është rikthim te qenia autentike. Odiseu përballet vazhdimisht me tundime: harresën në shkëmbim të pavdekësisë të premtuar nga hyjnesha Kalipso, kënaqësinë e premtuar nga Çirçe dhe Sirenat. Nën optikën e psikanalizës frojdiste, kthimin e Odiseut do ta lexonim si përballje mes parimit të kënaqësisë dhe parimit të realitetit. Kalipsoja ofron kënaqësi erotike të pafund. Penelopa ofron realitetin bashkëshortor.
Gjatë rrugëtimit dhe përballjes me sfidat , Odiseu njeh vetveten dhe pasuron vetveten. Udhëtimi i tij bëhet ilustrim dhe jehonë e dy nga thëniet më të famshme të traditës filozofike: E para është urdhëresa e orakullit të Delfit: “Njeri – njih vetveten.” Udhëtimi i Odiseut është, në thelb, një proces vetënjohjeje. Ai kalon përmes luftës, tundimeve, humbjeve dhe kujtesës për të mos harruar se kush është dhe ku duhet të shkojë.
E dyta është imperativi filozofisë ekzistencialiste: Njeri – bëje vetveten.” Njeriu nuk ka një thelb të gatshëm që pret të zbulohet; ai e krijon vetveten përmes zgjedhjeve, sprovave dhe kapërcimit të vazhdueshëm të kufijve të tij. Identiteti nuk është një dika e dhënë; është një vepër. Njeriu bëhet ai që është përmes përvojës, dijes, veprimit dhe shpalos vetveten si projekt në botën ku është hedhur.
Kështu, Itaka nuk është destinacion, por proces. Për këtë arsye, rruga drejt saj është gjithmonë më e rëndësishme se vetë mbërritja. Njeriu niset për të gjetur shtëpinë, por gjatë udhës pasuron përvojën dhe formëson vetveten. Çdo pengesë nuk është vetëm rrezik i jashtëm, por edhe një provë morale. Sirenat nuk joshin vetëm me këngën mallëngjyese; ato janë edhe simbole të rrezikut. Çirçja ofron kënaqësinë dhe humbjen e identitetit. Kalipsoja premton pavdekësinë, por me çmimin e heqjes dorë nga atdheu.
Prandaj, Itaka nuk është thjesht një ishull. Ajo është simboli i kujtesës, identitetit dhe rrënjëve të paasgjësueshme të qenies. Forca që e tërheq Uliksin drejt saj është më e madhe se premtimi i pavdekësisë. Malli për vendlindjen mposht joshjen e përjetësisë. Në këtë kuptim, Homeri shpall një të vërtetë universale: njeriu nuk jeton vetëm për të mbijetuar, por për t’u kthyer te vendi ku jeta e tij ka kuptim.
Odiseu nuk mund të jetë më njeriu që u nis njëzet vjet më parë. Lufta, humbjet, tundimet dhe koha e kanë transformuar rrënjësisht. Kthimi nuk është rikthim në të shkuarën; është pranimi i ndryshimeve që kanë ndodhur tek Udhëtari dhe vetë Itaka.
Në këtë pikë miti fiton një përmasë universale. Ai flet për çdo njeri që rikthehet pas një mungese të gjatë: emigrantin që kthehet në vendlindje, ushtarin që kthehet nga lufta, të moshuarin që viziton shtëpinë e fëmijërisë. Të gjithë zbulojnë të njëjtën të vërtetë: nuk është vetëm vendi që ka ndryshuar; është edhe ai që kthehet.
Çdo njeri ka Itakën e vet.
Për dikë është atdheu, për një tjetër është familja, për një tjetër ende fëmijëria, dashuria e humbur apo paqja e brendshme. Itaka është vendi ku njeriu mendon se do të gjejë kuptimin e ekzistencës së tij.
Për Homerin, Itaka është kthimi në shtëpi dhe përfundimi i udhëtimit. Për Danten, Itaka nuk është fundi i udhëtimit, por pikënisje për tejkalimin e kufirit të njohjes. Uliksi kur kalon Shtyllat e Herkulit, u thotë shokëve: Asnjë mos të harrojë se është njeri/Ju lindun nuk keni për të gjallue si kafshë/ por për të ndjekë virtyt e dituni.[12]
Finalja e filmit të Christopher Nolan-it përbën ndoshta devijimin më domethënës nga poema homerike. Në eposin homerik, Odiseu pasi rikthehet në Itakë, vret mëtonjësit dhe me ndërhyrjen e hyjneshës Atena, arrihet pajtimi me familjet e mëtonjësve të vrarë prej tij.
Në filmin e Nolan-it, Odiseu pasi kurorëzon Telemakun si mbret, këtë herë bashkë me Penelopën, largohet sërish drejt deteve për t’u bërë flijime hyjnive diku larg, sipas këshillës së falltarit Tiresias në Hades.
Ky fund duket se vendos filmin në dialog me Uliksin e Dantes dhe poemën “Ulysses” të Alfred Lord Tennyson-it. Edhe aty Uliksi nuk mund të pajtohet me qetësinë e Itakës. Mbretëria, pushteti dhe rutina nuk i mjaftojnë më. Jeta nuk e thërret drejt së shkuarës, por drejt së panjohurës. Në këtë poemë, Itaka nuk është destinacioni përfundimtar. Ajo është vetëm një stacion. Kthimi nuk mbyll udhëtimin; ai hap një udhëtim të ri: To strive, to seek, to find, and not to yield. ( Të përpiqesh, të kërkosh, të gjesh dhe të mos dorëzohesh”)[13]
Kështu, Odiseu –duke risjellë edhe njëherë në vëmendje këngën e XXVI të Ferrit të Dantes-pushon së qeni vetëm heroi i rikthimit dhe bëhet simbol i njeriut që nuk resht së kërkuari. Deti nuk është më hapësira e rreziqeve, por metafora e dijes. Çdo horizont i ri është një pyetje e re, çdo lundrim është një zgjerim i dijes.
Në këtë kuptim, “odiseja” nuk është vetëm historia e një mbreti që kthehet në shtëpi. Ajo është metafora e ekzistencës njerëzore. Të jetosh do të thotë të lundrosh vazhdimisht midis së njohurës dhe së panjohurës, midis kujtesës dhe së ardhmes, midis asaj që je dhe asaj që mund të bëhesh. Njeriu nuk përcaktohet nga destinacioni ku mbërrin, por nga rruga që përshkon dhe nga horizontet që guxon të hapë. Ndoshta kjo është edhe domethënia më e thellë e mitit të Uliksit: Itaka nuk është fundi i udhëtimit. Itaka është emri që i japim horizontit që na thërret gjithmonë përtej vetvetes.
Itaka nuk është një ishull. Ajo është një gjendje shpirtërore. Poeti e ka kërkuar një jetë të tërë Itakën dhe në fund ka gjetur ishuj vetmie. “Eh, Itakën time e kam shpikur vetë/Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj.”[14] Itaka është një ëndërr –deklaron me dëshpërim Frederik Reshpja në esenë e tij poetike Marrëzia e Itakës. [15]
(c) 2026 Sadedin Mezuraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
[1] Odiseja – Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1973, përkthyer nga Spiro Çomora
[2] Homeri: Odiseja-, ShB Onufri , Tiranë 2006, f. 8, përkthyer nga Pashko Gjeçi
[3] Odiseja- Onufri , Tiranë 2006, f. 173, përkthyer nga Pashko Gjeçi
[4] Jonathan Shay, Odysseus in America: Combat Trauma and the Trials of Homecoming, 2002, New York
[5] Dante Aligieri: Ferri, Argeta LMG, Përktheu Pashko Gjeci, Tiranë 2012, f.157
[6] Jorge Luis Borges: Ligjërata, ShB Pika Pa Sipërfaqe, Tiranë 2013, f. 25
[7] Gazeta Telegrafi, 31.05.2021, përkthyer nga Agron Tufa
[8]Personazhi Sinon nuk ekziston në Odisenë e Homerit. Me sa duket, regjisori Nolan këtë personazh e ka “huazuar” nga Eneida e Virgjilit.
[9]Nietzcshe, Friderich : Udhëtari dhe hija e tij, Shtëpia Botuese “Bargjini”, Tiranë, 2001
[10] Kavafis, Kostandin: Vepra poetike, Botimet Pegi, Tiranë, 2010, f. 33-34, Përktheu Aristotel Spiro
[11] Max Horkheimer ,Theodor W. Adorno: Dialektika e Iluminizmit. Botimet Dita 2000, Tiranë, 2009
[12] Dante Aligieri: Ferri, Argeta LMG, Përktheu Pashko Gjeci, Tiranë 2012, f.158
[13] Alfred, Lord Tennyson: Ulysses, 1842
[14] Rreshpja, Frederik: Duke kërkuar Itakën, SHB Princi, Tiranë 2016, Poezia me titull Diku, Kudo, f.125
[15] Po aty:Marrzia e Itakës, f.311
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.