Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Filozofi / Narratologji

KTHIMI SI SIMPTOMË

Diçka e çuditshme ndodh çdo herë që një formë e vjetër rikthehet përmes një forme të re: suksesi i së dytës duket sikur përpiqet ta shterrojë kërkesën për të parën, e megjithatë ky sukses bën pikërisht të kundërtën, i jep zë formës së vjetër. “Odiseja” e Nolan mbush sallat, mbush bisedat, mbush atë hapësirë të çuditshme mediatike ku një emër i vjetër qarkullon papritmas mes njerëzve që s’e kishin shqiptuar prej vitesh. Dhe gazetat franceze — ato që e kanë zakon të vëzhgojnë me kujdes klinik lëvizjet e shitjes së librave — kanë vënë re diçka që tejkalon suksesin e zakonshëm të një filmi bestseller: një kërkesë e papritur, e ethshme, për vetë tekstet e lashta.

Shpjegimet e para janë ato që shpesh na vijnë gati: modë, kuriozitet, marketing, nostalgji. Asnjëra s’shpjegon asgjë — thonë vetëm se ka ndodhur diçka, jo pse. Pyetja e vërtetë s’është “pse po lexojnë njerëzit Homerin pikërisht tani”. Është: pse një imazh, kaq i mjaftueshëm në vetvete, na shtyn drejt një forme poetike kaq të vjetër, aq të vjetër saqë gjuha jonë e ka thuajse harruar ritmin e saj?

Hipoteza është e kundërt me atë çka do të supozohej: kthimi te teksti nuk është pasojë e pamjaftueshmërisë së filmit. Është simptoma e vetë efektit të tij. Filmi e mbyll figurën përkohësisht — dhe pikërisht duke e mbyllur, e hap përsëri dëshirën për të imagjinuar.

I. Objekti që nuk mund të mbyllet

a. Pa detyrim

Filmi jep gjithçka. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.

Kinemaja e urren boshllëkun: Shikuesi nuk duhet më të imagjinojë asgjë — fytyrë, trup, zë, det, anije, luftë, hapësirë – çdo gjë i vjen e gatshme, e mbushur, e ndërtuar nga dikush tjetër. Por një figurë e dhënë plotësisht bëhet, në po të njëjtin moment, një figurë e kufizuar. Odiseja e filmit ka këtë fytyrë, këtë zë, këtë trup, këtë histori — dhe vetëm këtë. Nëse mërzitesh pse Helena është një grua me ngjyrë, rikthehu tek teksti. Teksti nuk e detyron kurrë figurën të ketë vetëm një trup: jeton edhe nga ato që nuk i jep, nga boshllëqet që çdo lexues i mbush ndryshe, në atë kohë të vet, të ngadaltë, që imazhi s’e njeh më.

Prandaj problemi nuk është se filmi “nuk mjafton”. Përkundrazi — mjafton aq shumë, saqë pikërisht kjo mjaftueshmëri e tepërt e bën të dukshme diçka që s’e kishim vënë re më parë: se ky version, sado i plotë, nuk mund ta mbyllë figurën njëherë e mirë. Prania absolute prodhon kufizim absolut.

b. Dëshirë

Kënaqësia kërkon përmbushje; dëshira kërkon distancë. Filmi prodhon kënaqësi përmes pranisë së tij të plotë. Teksti rikthehet si hapësira e vetë distancës — jo si mungesë e varfër, po si ajo largësi që i duhet dëshirës për të mbetur dëshirë, e jo diçka tjetër, tashmë e ngopur. Dëshira, atëherë, nuk i drejtohet kurrë plotësisht objektit që e shkaktoi; rrëshqet përtej çdo takimi të veçantë me të, drejt një pike që s’e kap kurrë përfundimisht.

Kështu lind paradoksi qendror: sa më shumë filmi na jep Odisenë, aq më shumë bëhemi të vetëdijshëm se Odiseja nuk mund të reduktohet në atë që sapo pamë. Kthimi te libri s’është korrigjim i filmit. Është pasojë e vetë përfundimit të tij, e vetë aktit që e mbylli figurën për gati tre orë dhe që, pikërisht duke e mbyllur kaq mirë, la të dukshme atë çka mbetej jashtë kornizës — jashtë dritës, në atë errësirë të ngadaltë ku dikur banonte leximi.

II. Teksti si vend i rikthimit

a. Itaka e lexuesit

Këtu duhet lënë mënjanë një tundim i lehtë — ai i të menduarit se pas çdo versioni fshihet një Odise “i pastër” që Nolan-i e ka thjesht aktualizuar. Ideja është elegante, po e gabuar: nëse ekziston si origjinë e fshehur, do të mund, teorikisht, ta gjenim, ta fiksonim, ta shteronim njëherë e mirë.

Më saktë: forma nuk është objekt i fshehur pas versioneve. Nuk ekziston një Odise i pastër që pret të zbulohet. Forma prodhohet nga vetë përsëritjet — çdo version i ri na bën të dallojmë një strukturë që nuk përkon plotësisht me asnjë version të veçantë, as me filmin, as me tekstin homerik, as me asnjë përkthim. Struktura del në pah pikërisht në hendekun mes versioneve, jo brenda njërit prej tyre.

Dhe vetë Odiseja na jep një figurë të çuditërisht të saktë për këtë mekanizëm: Itakën. Sepse Itaka, si vend fizik, nuk ndryshon. Ajo që ndryshon është marrëdhënia e Odisesë me të: për të, ajo nuk mbetet e njëjta pikë ku kthehet, sepse ndryshon vetë ai që kthehet drejt saj. Kur arrihet, Itaka nuk është më vetëm vendi nga u nis; është edhe vendi që vetë udhëtimi ka prodhuar në ndërgjegjen e atij që kthehet.

E njëjta gjë ndodh me tekstin. Nuk kthehemi te një origjinë të pandryshuar që na pret diku pas filmit. Çdo version i ri e zhvendos edhe atë që quajmë “origjinal”. Filmi ndryshon mënyrën se si e shohim Homerin; Homeri ndryshon mënyrën se si e shohim filmin. Objekti i kthimit nuk qëndron i palëvizur ndërsa ne lëvizim drejt tij. Edhe ai lëviz me ne.

Prandaj forma është më pak origjinë sesa efekt — efekti i dallimit mes versioneve, ajo tepricë që na bën të ndiejmë se “ka diçka më shumë”, pa mundur kurrë ta lokalizojmë atë “më shumë” në një vend të vetëm.

b. Raporti me kohën

Pse, atëherë, kthehemi te një tekst, historinë e të cilit tashmë e njohim? Jo për informacion — filmi na e ka dhënë tashmë. Jo as për “origjinalin” — Odiseja vetë s’është origjinë e thjeshtë, po tekst i shpërndarë, i shumëfishtë, i ndërtuar nga zëra që s’i njohim.

Kthehemi sepse teksti lejon një marrëdhënie tjetër me vetë kohën. Dhe këtu prek një humbje që gazetat s’e regjistrojnë kurrë, sepse s’ka shifër për të: leximi i gjatë, i ngadaltë, ajo lloj vëmendjeje që dikur ishte thjesht mënyra e natyrshme e kalimit të një pasditeje, sot është bërë përvojë-kufi. Diçka që kërkon përgatitje, heshtje, një vendim paraprak për t’u shkëputur — jo më gjendje e zakonshme e mendjes, po një lloj disipline pothuajse asketike, e ushtruar kundër rrymës së vetë kohës që na mban.

Ka pasur, dyshoj, një kohë kur asnjë s’e quante “leximi i ngadaltë” — ishte thjesht leximi. Vonesa, kthimi mbrapa dy faqe, rileximi i vargut që s’e kuptove herën e parë — këto s’ishin virtyte, ishin thjesht rrjedha natyrshme e syrit mbi faqe. Sot, çdo herë që dikush hap një libër dhe qëndron aty, i palëvizur, orë të tëra, ndodh diçka që i afrohet një riti të harruar: rikrijimi, me përpjekje, i asaj kohe që dikur ishte falas, e panjohur si vlerë, sepse ishte e vetmja kohë që ekzistonte.

Lexuesi nuk ndjek thjesht një histori tashmë të njohur; hyn në një mekanizëm që e ngadalëson deri në kufirin e durueshëm — dhe pikërisht në atë kufi, në atë pikë ku vëmendja fillon të dhembë pak, ndodh diçka që imazhi, sado i shpejtë, sado i përsosur, s’mund ta japë kurrë.

III. Ripërsëritja si kënaqësi

a. Old new things

Kthimi nuk është kthim prapa. Nostalgjia do të kërkonte një të kaluar personale të humbur. Këtu s’kemi nevojë për të kaluar të tillë. Lexuesi modern nuk po kthehet në Greqinë e lashtë — po kthehet te një tekst që, në njëfarë kuptimi të çuditshëm, nuk e ka lexuar kurrë më parë. Kthimi është paradoksal: kthehesh te diçka e vjetër, por e përjeton si të re — përsëritje në kuptimin e saj më të veçantë: jo riprodhim i së njëjtës, po një lëvizje përpara që merr formën e një kthimi mbrapa.

b. Pa fund

Dhe këtu vjen teza e madhe: kthimi është simptomë sepse tregon se takimi i parë nuk e ka mbyllur objektin.

Filmi është takimi i parë. Libri është kthimi. Përkthimi është një tjetër kthim. Rileximi është kthim brenda kthimit. Adaptimi tjetër, kur të vijë, do të jetë përsëri kthim. Asnjëri prej tyre s’arrin kurrë te “versioni përfundimtar”, sepse versioni përfundimtar s’ekziston si mundësi, po vetëm si iluzion që çdo version i ri e prish përkohësisht dhe e rindërton menjëherë në formën e vet.

Nuk përsërisim sepse nuk kemi kuptuar. Përsërisim sepse kemi kuptuar — më mirë se kushdo që pret “versionin e fundit” — se nuk ka version përfundimtar të asaj që duam.

In fine — Forma që kërkon të kthehet

Gazetat shohin shitjet. Botuesit shohin ribotimet e nxituara. Kritika sheh fenomenin, e etiketon, e shpjegon me fjalën “modë” dhe kalon më tej. Por poshtë të gjitha këtyre shifrave ndodh diçka më e çuditshme, e paregjistrueshme: lexuesi kthehet. Dhe vetë kthimi — jo objekti drejt të cilit kthehet, po vetë akti, vetë ajo orë e vetmuar e shpenzuar mbi një faqe që s’jep imazh, vetëm zë — është ajo çka duhet shpjeguar.

Ndoshta kjo është arsyeja pse kthehemi: jo sepse teksti është ende atje, i paprekur, duke na pritur, po sepse çdo kthim e bën të lëvizë edhe një herë — dhe sepse, në atë lëvizje, rikthejmë diçka që s’ishte thjesht një histori, po një kohëz e vjetër, të ngadaltë, që dikur ishte e zakonshme dhe që tani, çdo herë që e gjejmë, na duket gati e ndaluar, gati e shenjtë. Si Itaka, teksti nuk është vetëm vendi drejt të cilit shkojmë; është edhe forma që merr gjatë rrugës për atje.

Disa forma nuk kërkojnë përfundim. Kërkojnë të rikthehen. Ndoshta “kthimi” është vetëm emri që i japim simptomës së një forme që ende prodhon dëshirë — dhe të një kohe, të ngadaltë, që ende, diku, pret të rikthehet.

(c) 2026 Arbër Shtëmbari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading