Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Politikë

BELAJA E AMANETIT

Enis Sulstarova, Samiu dhe Utopia (Tiranë: Pika pa sipërfaqe, 2024).

Të pakënaqur me sistemin politik dhe situatën ekonomike të vendit, qytetarët në Shqipëri kanë përqafuar si zgjidhje projektin e integrimit europian. Sipas Barometrit të Ballkanit (2025), më shumë se gjysma e qytetarëve nuk kanë besim tek institucionet e shtetit, si qeveria, partitë politike dhe parlamenti. Pritshmëritë nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian raportohen të larta. Shqiptarët e perceptojnë integrimin në BE si zgjidhje për problemet e shtetit të së drejtës, të mirëqeverisjes dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

Por protestat masive që prej majit 2026 dëshmojnë për mundësinë e një zgjidhjeje tjetër politike në vend. Angazhimi dhe mobilizimi politik i qytetarëve jashtë e brenda vendit për të mos “u gënjyer me ca rruaza e me ca çikërrima” (Sami Frashëri), që t’ua marrin ishullin a bregdetin sikur indigjenëve, kanë rizgjuar shpresën e një angazhimi politik tjetërsoj. Thirrjet si “Shqipëria e re” dhe “Këtu vendosin shqiptarët”, si edhe këndimi i himnit kombëtar, tingëllojnë si kushtrim për mobilizim përtej kampeve të kalcifikuara klienteliste e partiake.

Thirrjet nuk përbëjnë ende programe politike. Megjithatë, për nga aspiratat, ato kujtojnë projektet politike që kanë shoqëruar shtetformimin në Shqipëri që prej lëvizjes kombëtare të shekullit XIX. Disa prej këtyre projekteve janë inkuadruar në programe perandorake, në rryma të mendimit politik perëndimor, në ideologji politike fashiste apo komuniste, në organizma institucionalë ndërkombëtarë ose në projekte kryekëput nacionaliste. Ato rikthehen në ligjërimin publik në trajta të ndryshme. Në disa raste, risillen në artikulimin dhe interpretimin e tyre fillestar si zgjidhje për probleme të vazhdueshme e aktuale.

Tani që mobilizimi qytetar lyp një orientim programatik, mund t’i drejtohen librit të Enis Sulstarovës. Ky sjell në debat një nga projektet themeluese të mendimit politik shqiptar.

Profesori i Universitetit të Tiranës e trajton projektin politik të Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e çdo të bëhetë? Mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë” në pesë artikuj. Autori njihet kryesisht për studimet sociologjiko-historike, si ato mbi orientalizmin në Shqipëri dhe ligjërimet mbi identitetin. Botuar në 2024, libërthi i kushtohet përvjetorit të vdekjes së Sami Frashërit dhe vitit të botimit të manifestit.

Në pamfletin e tij, Sulstarova fton që vepra të lexohet për atë që përfaqëson: një projekt politik utopik. Në polemikën e tij me Sabri Hamitin, ai e vlerëson veprën jo si trillim letrar për një shoqëri utopike apo si distopi, por si një “utopi konkrete”. Sulstarova na nxit ta konsiderojmë “seriozisht mundësinë e një shoqërie alternative të organizuar sipas një parimi apo morali dhe ta përdor[im] atë si pasqyrë kritike për shoqërinë ku jeton” (fq. 8).

Si projekt politik, vepra e Samiut ofron një alternativë shtetformimi të bazuar në ligjërimin politik perëndimor mbi format ideale të shtetit, të cilën ai e konkretizon me krijimin e shtetit-komb. Por format e shtetit në Perëndim nuk janë trajtuar medoemos brenda këtij kuadri kombëtarist. Sipas kohës dhe vendit, ato kanë mbartur konfliktet dhe interesat e komuniteteve apo të strukturave ndëretnike, ndërfetare e kozmopolite, perandorake ose monarkike.

Ndryshe nga ligjërimi progresiv perëndimor, esetë e Sulstarovës dëshmojnë se, në rrafshin teorik, alternativa politike e Samiut nuk e ndan procesin e shtetformimit nga kombndërtimi. Përkundrazi, është pikërisht lidhja shtet-komb ajo që nxjerr në pah dallimin ndërmjet mobilizimit shoqëror për një sistem utopik, për hir të modelit apo premtimit politik, dhe mobilizimit shoqëror për një shtet-komb si utopi konkrete. Mobilizimi i parë vjen nga ndërgjegjësimi filozofik dhe aspiratat e njeriut modern (ose post-modern) për liri të ndryshme: ekonomike, politike, sociale, të shprehjes etj. Mobilizimi i dytë është historik, realist dhe një shprehje kolektive e kushtëzuar nga rrethanat. Ai rrjedh nga nevojat bazike për përkatësi dhe mbijetesë.

Si model normativ, manifesti i Samiut ofron kriteret për vlerësimin e progresit të shtetformimit dhe të arritjeve të udhëheqjes politike. Përpjekjet modernizuese të monarkisë, sikurse edhe kritikat progresiviste të Fan S. Nolit apo Branko Merxhanit, madje edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës, u matën pikërisht me këtë aparat kritik. Vetëm udhëheqësit pragmatikë të kohëve të fundit kanë arritur t’i shpëtojnë këtij aparati dhe t’i referojnë arritjet politike jashtë kuadrit historik kombëtar, si në rastin e integrimit në BE.

Por, edhe pse praktikisht divorci ndërmjet shtetit dhe kombit është kryer, teoricienë politikë si Enis Sulstarova refuzojnë ta pranojnë atë. Ata ftojnë të rilexohet vepra, madje si  një projekt politik ende i vlefshëm. Gjuha dhe stili i Sulstarovës duket se i drejtohen publikut të gjerë. Ftesa e tij për ta rilexuar veprën e Samiut në këto linja është gjithashtu një përpjekje për ta ringjallur këtë alternativë në debatet e sotme politike.

Pjesa më interesante e librit është artikulli i parë që paraqet kuadrin analitik për interpretimin e projekteve utopike. Ky kuadër i shërben, së pari, interpretimit të utopisë së Sami Frashërit dhe, së dyti, apologjisë së ngritur nga autori në përkrahje të utopisë si propozim politik.

Sulstarova identifikon dy mënyra për ta lexuar manifestin politik të Samiut. E para është leximi programatik i synimeve dhe i vizionit politik të autorit. E dyta është leximi konsekuencialist i parimeve politike dhe i pasojave të qëllimshme e të paqëllimshme. Këtë të dytin Sulstarova e cilëson si lexim distopik, ndërsa llojin e parë e vlerëson si më të afërt me vizionin e autorit dhe më aktual, nëse supozohet se synimet politike dhe modeli normativ janë ende të vlefshëm. Leximi i dytë kritikon interpretimin e Sabri Hamitit, polemika me të cilin vazhdon përgjatë artikullit.

Fillimisht autori përmend traditën e gjatë të hartimit të utopive në mendimin politik dhe në letërsinë perëndimore: prej Platonit, Shën Agustinit, Thomas More-it dhe Tommaso Campanella-s, deri tek utopistët socialistë. Veprat e tyre e zhvendosën aspiratën për një shoqëri më të mirë në hapësirë (qiell/tokë, larg/afër qytetërimit, lokale/globale) dhe në kohë (e tashme/e ardhme/e kaluar). Ato ofruan gjithashtu argumente të ndryshme për përligjjen e këtyre aspiratave (natyra njerëzore, progresi historik, fryma e kohës, argumentet laike ose fetare), si dhe aktorët, instrumentet apo modalitetet për realizimin e tyre (shtet/individ/grup , luftë/paqe/integrim, revolucion/evolucion, ndërgjegjësim/manipulim, vetëvendosje/patronazh, etj.).

Sulstarova trajton edhe ligjërimet kundër utopisë, të cilat kritikojnë elemente të listës së mësipërme. Por atij i mungon konsistenca kur refuzon të përfshijë në të njëjtin kuadër lëvizjet fashiste e staliniste. Modaliteti i mobilizimit politik, për shembull nëpërmjet totalitarizmit, nuk është relevante për ta klasifikuar ose jo një projekt si utopik. Relevant është synimi programatik politik, i cili ka qenë utopik. Ashtu si edhe te manifesti i Sami Frashërit, ndikimet e të cilit Sulstarova i gjurmon te mendimi utopik socialist dhe te projektet utopike nacionaliste, si ato izraelite dhe, kryesisht, turke.

Nën këto ndikime dhe duke u nisur nga situata aktuale politike, Sulstarova sugjeron se Samiu arriti të krijonte një utopi “konkrete”. Konkret këtu është së pari roli i shtetit kombëtar. Së dyti, qëndrojnë bashkimi kombëtar dhe kontrata sociale, të realizuara nëpërmjet instrumentit të besës. Së treti, paraqitet forma e shtetit si republikë me autonomi të gjerë të rajoneve. Së fundmi, qëndron modeli zhvillimor e progresivist shtetëror, i cili i jep përparësi zhvillimit social, ekonomik dhe industrial të vendit.

Sulstarova e argumenton rileximin e veprës së Samiut me nevojën për të shpresuar dhe për të planifikuar të ardhmen. Projekti utopik ofrohet si zgjidhje ndaj pesimizmit për të ardhmen dhe mungesës së projekteve politike për përballimin e rreziqeve në rrafshin lokal (shpopullimi, niveli i ulët i arsimit etj.) dhe global (ngrohja globale, krizat ekonomiko-financiare, pasojat e teknologjive të prodhimit dhe të disiplinimit etj.). Këtu Sulstarova përsërit disa prej tropeve të njohura, si ajo e shpopullimit dhe frikës së zëvendësimit së shqiptarëve. Teoricienë konspirativë i kanë propaganduar këto frikëra për protagonizëm dhe përfitime financiare.

Utopitë që lindin nga kjo panoramë e zymtë janë shprehje e shpresës për të ardhmen. I tillë është edhe projekti politik utopik i Samiut, i cili e gjen zgjidhjen te shteti kombëtar: “Samiu e mendonte shtetin kombëtar si garantues të sigurisë dhe të emancipimit të shqiptarëve” (fq. 46). Më tej, Sulstarova përdor patosin në retorikën e tij mobilizuese: “A do të bëhet fjalë për mbijetesë të shqiptarëve, ashtu siç ata kanë mbijetuar për shekuj të tërë … apo do të përpiqen të rikonceptojnë lirinë e tyre kolektive si një mënyrë për të zhvilluar potencialet e tyre në vendin e tyre dhe në botë …?” (fq. 50).

Artikujt e tjerë të librit janë botuar më parë në revistën “Shenja”. Artikulli i dytë paraqet një skicë të mendimit të Sami Frashërit mbi qytetërimet dhe racat. Prej tij, lexuesi del me përfundimin se mendimi i Samiut ka qenë peng i spekulimeve joshkencore dhe i paragjykimeve racore e orientaliste të shekullit XIX. Argumente relevante janë pohimet se populli i trojeve shqipfolëse ndodhej në fazën e “gjysmëbarbarisë” në shkallën e progresit dhe se “pastërtia” racore ishte shkak i prapambetjes në procesin e qytetërimit (fq. 70). Qëllimi i këtij artikulli është ta ndërgjegjësojë lexuesin për proceset historike të zhvillimit të qytetërimit shqiptar.

Artikulli i tretë trajton fragmentimin krahinor e politik të Shqipërisë dhe pengesat për bashkimin e trojeve shqiptare si rezultat i vullneteve të çoroditura politike, të brendshme e të jashtme. Sulstarova e refuzon idenë e “federalizmit”, i cili ka si qëllim të ruajë privilegjet, pushtetin dhe rrjetet e patronazhit të klasës politike (fq. 86). Për skenarin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, Sulstarova propozon një ndarje administrative të bazuar në atë të Samiut (15 ngastra).

Në artikullin e katërt ravijëzohen, më në fund, konturet e mendimit politik të Sami Frashërit nëpërmjet skemës së mikut dhe të armikut. Këtu Sulstarova hyn në polemikë me interpretues të tjerë të veprës për sa i përket imazhit të Turqisë osmane apo të Islamit të përcjellë nga Samiu. Përfundimi relevant është se, ndërsa profili i armikut mbetet konsistent për nga vetitë që Samiu i vesh atij në raport me themelimin e shtetit-komb (barbar, i prapambetur, përçarës i kombit etj.), ky karakterizim mbetet ambivalent në lidhje me turqit si komb. Unë mendoj se në raport me fenë, Samiu thjesht refuzonte zgjidhjet shtetërore universale, si ato të bazuara në bashkësitë fetare e ishte në favor të shtetit kombëtar. Ngjashëm argumenton edhe Elvis Hoxha, i cili në pasthënien e tij sugjeron që Samiu ishte “laicizues” se i tutej përçarjes kolektive.

Shkrimi i fundit, i botuar po në “Shenja”, hyn sërish në polemikë për të diskutuar botëkuptimin e Samiut dhe pozicionimin e tij ideologjik. Sulstarova rendit disa klasifikime ideologjike dhe përfundime të papajtueshme mbi botëkuptimin e supozuar të Samiut (iluminist, materialisto-deist, konservator etj.).

A është relevant ky diskutim për projektin utopik? Sidomos kur Sulstarova ka arritur në përfundimin se vetëm shteti kombëtar është njëkohësisht aktori politik për realizimin e synimeve të përbashkëta kolektive dhe vetë projekti politik. Sigurisht, njohja e botëkuptimit të Samiut mund të ndihmojë për t’i dhënë koherencë mendimit të tij politik e, për pasojë, edhe projektit të tij. Por Sulstarova pranon se kjo punë është e vështirë. Sipas tij, klasifikimet janë ushtrime për mendjet kureshtare ose, në rastin më të keq, e çorientojnë dhe e dëmtojnë politikisht çështjen. Shqetësues për të është, për shembull, klasifikimi i Samiut si konservator. Këtu ai sugjeron që emërtimet të shpërfillen dhe të vihet në pah “shqiptarizma” në mendimin politik të Samiut, në vend që t’i vishen modele të importuara mendimi në formën e ideologjive politike.

Ky diskutim mbi mendimin politik të Samiut, por në kontekstin e konfliktit qendër-periferi dhe atë të emancipimit nga realiteti perandorak, vijon te pasthënia e filozofit të njohur Elvis Hoxha në artikullin e fundit të librit. Me një regjistër gjuhësor më të ndërlikuar se pjesa e tjetër e librit, në fillim Hoxha e pret shkurt diskutimin. Samiu, sipas tij, është një personazh historik me ndërgjegje komplekse të kushtëzuar nga e kaluara e munguar kombëtare, e tashmja perandorake, dhe e ardhmja si produkt intelektual nën ndikimin e ideve politike perëndimore në këto kushte. Por e kap sërish temën pas disa faqeve për ta përkufizuar Samiun si intelektual të karakterizuar nga disa veti: si p.sh., zotërues i dijes e distancës kritike profesionale për të gjykuar rrethanat politike; i vetëdijshëm për tu ri-integruar në të njëjtin kontekst politik; i aftë për të ndërmjetësuar ndërmjet perandorisë dhe periferisë; dhe sintetizues i roleve të studiuesit, pedagogut e projektuesit.

Hoxha ndjek një linjën e mendimit të materializmit historik që nuk beson te emancipimi si pasojë e ekzistencës së progresit të ideve: “Determinizmi i progresit që tejçohet prej iluminizmit nuk punon mbi popujt e reduktuar në pakicë,” thotë ai, “por vetëm mbi popujt e numëruar si njerëzim. Dhe një ide e tillë nuk është aspak utopike, por imperativ.” Polemikat mbi natyrën utopike të projektit politik të shtetit kombëtar janë kësisoj të kota sa kohë që nuk i shërbejnë njohjes së rrethanave kushtëzuese (dija), ndërgjegjësimit të forcës (agjentit) veprues (kolektivit), apo hapave konkretë për (transformimin) realizimin e projektit (si p.sh. Lidhja e Pejës). Pra rrethanat nuk zgjidhen por mund të transformohen nëpërmjet dijes, organizimit dhe veprimit kolektiv. Nga një anë Hoxha është skeptik ndaj aftësisë për dije dhe gatishmërisë së kolektivit për ti shpëtuar pragmatizmit. Nga ana tjetër, ai nuk e humbet besimin te projekti politik. P.sh. ai e refuzon atë lloj historiografie që konkurron për relevancë me vetë projektin politik. Ndërsa sa i përket agjentit, sipas tij “dyshimi pragmatik e krimb politicitetin e shqiptarëve, këtë subjekt që lëkundet fatalisht përherë mes unit publik e unit privat” dhe që si “komb-mbartës” ngel gjithmonë prapa proceseve, pasi merret me projektet e vendeve të tjera (fq. 122). Por ai beson te projekti dhe ato përpjekje të aktorëve si Vetëvendosja në Kosovë që sinjalizojnë veprime konkrete e vullnet të sinqertë politik.

Në përfundim, pasthënia e Elvis Hoxhës dhe tezat e Sulstarovës e zhvendosin mendimin e Sami Frashërit nga historia e ideve në fushën e alternativave aktuale politike. Sulstarova e rehabiliton utopinë si pasqyrë kritike dhe model normativ. Hoxha e përkufizon atë si imperativ të kushtëzuar nga njohja e rrethanave, ndërgjegjësimi i kolektivit dhe aftësia për veprim politik. Kësisoj, Samiu risillet si kujtesë për projektin politik të shtetit kombëtar dhe udhëzim në riformulimin e një programi të ri politik.

Për herë të parë në studimet teorike shqiptare, libri i Enis Sulstarovës ilustron, se mendimi utopik është origjina filozofike e teorive politike mbi organizimin e interesave të shoqërisë. Për këtë Sulstarova nuk e sjell si homazh, por si analizë teorike. Libri do të frymëzojë si studentët e shkencave politike, të historisë dhe të filozofisë, ashtu edhe publikun e interesuar për zgjidhje alternative. Merita tjetër e Sulstarovës është se angazhohet seriozisht me ligjërimin politik aktual në rrafshin intelektual, lokal e global. Ai e aktualizon mendimin e Sami Frashërit duke e sjellë atë si referencë politike e jo thjeshtë historike.

Nga ana tjetër, referenca ndaj një vepre të para 200 viteve  për probleme aktuale vë në mendime. Pse mungojnë projekte të tjera, qofshin edhe utopike? Ngase janë të njëjta rrethana e mungon ndërgjegjësimi? Sepse praktika politike e aktorët nuk kanë mundur të krijojnë të tjera projekte apo programe për shtetin kombëtar? Mos është dështimi i sipërmarrjeve si ato të monarkisë e socializmit? Mos vallë na ka zënë belaja me këtë amanetin e Rilindësve?

(c) 2026 Arjan Shahini. Të gjitha përgjegjësitë dhe të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar nga autori me AI dhe gjykuar si i përshtatshëm nga redaksia.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading