Pse konservatorët i duan gratë të stërholla
Rishfaqja e trupit femëror të hollë në mënyrë ekstreme si një ideal për gratë – e ilustruar nga trende si #SkinnyTok (tanimë i bllokuar), ballet body dhe rikthimi i heroin chic (Kate Moss, mishërimi më i mirë i këtij trendi) të viteve 1990 – nuk është thjesht një ndryshim ciklik në modë apo një rastësi. Teoricienet kulturore, studiueset feministe dhe analistet politike argumentojnë se ky ndryshim estetik përputhet drejtpërdrejt me ngritjen globale të lëvizjeve konservatore, tradicionaliste dhe të së djathtës ekstreme.
Në të tilla ideale estetike fshihet një mekanizëm kontrolli dhe pushteti: kur gratë e drejtojnë kohën, burimet financiare dhe energjinë e tyre drejt përmirësimit të vazhdueshëm të trupit dhe kufizimit absurd të kalorive, atyre u mbeten më pak kohë dhe energji për pjesëmarrje politike, rezistencë kolektive dhe progres shoqëror. Dobësia ekstreme shërben si një instrument disipline shoqërore, duke imponuar nënshtrimin dhe duke zvogëluar hapësirën fizike e shoqërore që zënë gratë.
Ky lloj trupi i hollë në kulm është rikthyer për t’u pohuar si standard bukurie. E shohim në pasarela, me masat e rrobave gjithnjë e më të vogla, dhe veçanërisht në rrjetet sociale, të cilat janë kthyer në vitrina trupash tejet të dobët, të kontrolluar dhe të ashtuquajtur «femërorë».
Për ata që janë rritur në vitet ‘90/2000, këto prirje janë të njohura: adoleshenca e këtyre viteve u kalua me mediat, të cilat poshtëronin sistematikisht personazhet e njohura që konsideroheshin «pak të mbushura» dhe që i bindën të gjitha, se një trup si ai i Bridget Jones ishte një trup i shëndoshë, po ashtu Kate Winslet tallej nga mediat, pasi nuk duhej të ishte zgjedhur për të interpretuar rolin kryesor në Titanic, se ajo me peshën e saj, duhej të luante vetëm role për fat girls, vajza dhe gra, që nuk ia vlen pra të duhen dhe të admirohen. Të gjithave na u duk asokohe e justifikueshme që të gjithë miqtë e mikeshat te seriali televiziv Friends, të talleshin me trupin (fatshaming) e Monica-s kur kishte qenë e shëndoshë. Kate Moss, e varur që prej fillimit të karrierës së saj prej top-modeleje nga kokaina (praktikë e njohur për të shuar urinë) na deklaron më tej, se «Nothing tastes as good as skinny feels», çka u shpërnda brenda natës nëpër web nga kush përpiqej kështu të mbështeste anoreksinë.
Të shumtat e grave pranojnë se kanë filluar të mbajnë dieta, apo të kontrollojnë çdo milimetër të lëkurës për celulit që në moshën 12/14 vjeçare, kur në fakt i vetmi shqetësim që duhet të kenë, është a do t’i kryejnë mësimet në kohë, në mënyrë që të dalin të lozin pjesën tjetër të ditës.
Rregullat që duhet të ndjekin gratë janë: duhet të jemi super të holla, yll të bukura, pa përmasat 90-60-90 askush nuk do të na hedhë sytë apo të na konsiderojë. Fakti është, se përafërsisht vetëm 6 gra në 10.000 (po, zerot janë të sakta) i kanë këto përmasa në mënyrë natyrale[1], pjesa tjetër përjeton poshtërim publik pasi nuk mundohen mjaftueshëm për t’i arritur këto ideale. Kush përfiton kur kaq shumë prej nesh janë të pasigurta, të zëna me trupin jo të hollë, që duhet sistemuar? Sistemi patriarkal në kuptimin më të gjerë, natyrisht, si dhe korporatat, të cilat nxjerrin miliarda fitime me pasigurë e grave. Për t’iu afruar idealit të bukurisë, gratë i bëjnë trupit tyre një mijë të zeza, të cilat janë tabu totale për botën mashkullore: e ngjeshin, i shkulin qimet, e presin, e mbushin, e qepin sërish, i thithin pjesë të caktuara (liposuction) dhe e shpojnë me gjilpëra – sa për të pasur një ide sa drastike këto ideale bukurie kthehen për disa, fatmirësisht jo për të gjitha. Ka dhe nga ato që madje rrezikojnë jetën e tyre me operacione estetike, vetëm e vetëm për t’u dukur «perfekte» sipas këtyre kanoneve mashkullore – pasi gruaja dhe vajza, nuk zgjedhin, ato presin të zgjidhen në mënyrën më pasive të mundur. Një studim i vitit 2024 thotë se shumë gra do të shkonin edhe më tej: çdo e pesta grua do të falte vite nga jeta e saj, vetëm për t’iu përshtatur idealeve shoqërore të bukurisë.
Rikthimi i trupit të hollë si standard bukurie përkon me ngritjen e lëvizjeve konservatore dhe të së djathtës ekstreme që promovojnë një ide shoqërie ku gruaja duhet të jetë e lidhur me sferën shtëpiake. Në fakt, lidhja mes së djathtës ekstreme dhe fiksimit pas (kontrollit) trupit nuk është e re. Për shumë kohë, trupat e hollë, janë shoqëruar me një lloj superioriteti moral dhe intelektual, ide kjo, që i ka rrënjët në shekullin XVIII e më saktësisht, në periudhën e tregtisë transatlantike të skllevërve afrikanë. Në atë epokë, trupat e njerëzve të zinj, të konsideruar më të fuqishëm, më të majmë, shoqëroheshin me idenë (e gabuar!) se kishin një paaftësi më të madhe për t’u vetëdisiplinuar. Ideja ishte se një person jo i hollë, nuk mundej të kontrollonte impulset e veta, një karakteristikë, e cila sipas teorive pseudoshkencore, të hedhura tanimë poshtë, të asokohe, tregonte një inferioritet moral. Ata trupa shërbyen gjithashtu si një paralajmërim për gratë e bardha dhe për t’u shpjeguar atyre se si duhej të paraqiteshin në publik: të holla, femërore, pra, të kontrolluara dhe të nënshtruara. Por, nëse pseudoteoritë u hodhën poshtë, simbolet kulturore nuk zhduken aq thjeshtë sa idetë nga të cilat lindin, andaj ky besim ka përshkuar kulturën perëndimore për një kohë të gjatë, me përjashtim të periudhës së shkurtër të body positivity, çka u perceptua nga konservatorët si pjellë e lëvizjeve progresiste, dhe për këtë arsye duhej refuzuar.
Por racizmi nuk është i vetmi element. Në të gjithë këtë ka edhe një komponent fetar: pas këtyre standardeve qëndron në fakt ideja se një trup jo i hollë, është rezultat i paaftësisë për të mbajtur nën fre grykësinë – një nga shtatë mëkatet kapitale. Të ngrënit e tepërt, të dëshiruarit e tepërt, tejkalimi i diçkaje, ndjekja e impulseve janë mëkat: pra, të kontrollosh trupin do të thotë edhe të kontrollosh mendjen, shpirtin e njeriut, këtu, të gruas. Një grua e virtytshme duhet të dijë në këtë mënyrë të kontrollojë impulset dhe trupin.
Dimensioni politik nuk është më i pakët: promovimi i trupave tepër të hollë, i shërben një sistemi të llojit tradicionalist, sepse nëse gratë janë të shpërqendruara duke u përpjekur të arrijnë kanone estetike shpesh të paarritshme, ato do të kenë më pak energji për të tentuar të realizojnë veten në shoqëri dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Prandaj, në shoqërinë tonë, standardet e bukurisë e tejkalojnë dimensionin thjesht estetik, për t’u kthyer në një mekanizëm kontrolli të fshehtë dhe të heshtur, të përdorur për të kontrolluar popullsinë femërore. Antropologjia na mëson, se një shoqëri shpreh vlerat morale që e karakterizojnë, nëpërmjet mënyrës se si e trajton grupin e gruas.
Historikisht, sa më shumë pavarësi arrijnë gratë, aq më tepër jo real bëhet ideali i trupit të saj. Sistemet ekonomike perëndimore përfitojnë nga pasiguria e grave lidhur me standardet e bukurisë, të cilat përcaktohen nga burrat. Kur gratë fitojnë më shumë pushtet, ky sistem ka nevojë për një kundërpresion, në mënyrë që të mbijetojë, diçka që të na mbajë të zëna dhe të na bëjë të ndihemi të vogla.
Që në periudhën e Biedermeier-it[2], gruaja u shndërrua në «gjininë e bukur»: ajo ka krahë të hollë, bel të ngushtë. Gjatë kësaj periudhe, zonjat me trup të imët e futin trupin e tyre të vogël në veshje aq të mëdha e voluminoze, saqë bëhet menjëherë e qartë: ajo nuk mund të punojë me to.
Kur gratë fituan të drejtën e votës në vitet ‘20, papritmas u bë jashtëzakonisht moderne të jesh shumë e dobët. Gjokset e grave shtypeshin me rripa për të mos u dukur dhe ndërsa gratë e emancipuara pinin cigare dhe mbanin flokë të shkurtra (shingle bob), pamja e jashtme e gruas u bë për herë të parë më androgjene se asnjëherë. Në valën e dytë të feminizmit, në vitet ‘60, Twiggy (1,70 m e gjatë, 41 kg) u bë papritmas ideali i bukurisë par excellence: kocka në dukje pa masë. Në valën e tretë, në vitet ‘80/’90, kur gratë papritmas mund të hynin në botën e punës, ideali u bë vajza tërheqëse që bën fitnes (hot athletic girl), me një stil të këndshëm për vështrimin mashkullor, e veshur me streçe dhe body ngjyra-ngjyra dhe me një bel jo human, si dhe figura e heroin chic në skenën rrok dhe të modës: lëkurë e zbehtë, rrathë të zinj nën sy e trup kockë e lëkurë. Sot, në kulmin e valës së katërt feministe, ku gratë fitojnë më shumë para se kurrë, është rikthyer papritmas figura e gruas ultra të hollë që bën pilates (pilates girl). Gjithnjë e më të holla, gjithnjë e më e thata: modelet e dobëta në ekstrem janë sërish ideali i bukurisë.
Obsesioni pas dobësimit po kalon çdo kufi të shëndetshëm. Ideali i bukurisë u afrohet proporcioneve të një vajze 14 vjeçare, masa size zero është masa e veshjeve në pasarela ku ekspozohen modelet super të dobëta. Kur trupi nuk i plotëson këto kanone, ndërhyhet me Photoshop. Ideali i bukurisë po kalon nga diçka e vështirë për t’u arritur në diçka tërësisht të pamundur.
Në përgjithësi, personalisht, nuk jam kundër kujt dëshiron të jetojë një jetë të shëndetshme[3], pasi mendoj se mens sana in corpore sano (mëndja e shëndoshë në trup të shëndoshë, edhe pse Juvenal-i nuk e kish menduar si «urdhër», por lutje ndaj Zotit në poezinë e tij satirike) ka kuptimin e saj. Çështja është më tepër se, për të mbetur apo për t’u bërë aq e dobët sa kërkojnë këto ideale të pamundura bukurie, si grua e rritur, ky lloj misioni është deri diku si ai i mullinjve me erë të Don Kishotit dhe kushton jashtëzakonisht shumë para dhe shumë energji, që fare mirë mund t’i përdornim ndryshe, pa këtë presion shoqëror.
Nëse një grua ia ka dalë mbanë të mos ketë ndonjë çregullim psikologjik në të ngrënë (numri i personave, kryesisht të gjinisë femërore, me anoreksi apo bulimi është në rritje në nivel global: «Rastet e vajzave me çrregullime të të ngrënit janë dyfishuar në krahasim me 20 vite më parë. Nga çrregullime të tilla si bulimia dhe anoreksia preken kryesisht vajzat dhe gratë në moshë të re – dhe kjo e dhënë është në rritje.» shkruan revista prestigjoze gjermane Spiegel), ajo duhet në fakt përgëzuar. Në rrethin tim shoqëror, këto janë vetëm vajzat e sotme feministe në të njëzetat e tyre, të cilat po rriten me një ndërgjegjësim tjetër, sepse ato shohin se si brezi Millennial, edhe pse në psikoterapi, ende po vuan me trupat e vet, pasi pas të gjitha përpjekjeve të mundshme ende nuk hyn në veshjet XXS.
Disa nga mikeshat e mia fatmirësisht janë emancipuar dhe nuk e lënë më këtë presion mbi vete, mirëpo kam ende të tjera (më tepër në jug të Evropës, poshtë Alpeve se sa mbi Alpe) të cilat, pa përjashtim, në çdo telefonatë apo takim bashkë, pas maksimumi dhjetë minutash më tregojnë me krenari se si kanë humbur peshë kohët e fundit, se edhe njerëzit rreth e rrotull e kanë përgëzuar, apo se si edhe mami po han më shumë proteina dhe ka humbur dhe ajo peshë – duke pritur miratimin tim, i cili nuk do të vijë kurrë për këtë aspekt. E mbaj mend mirë, kur jetoja ende në Itali, se si një herë kisha rënë në depresion nga një pikëllim dashurie dhe humba në mënyrë drastike shumë peshë brenda një kohe shumë të shkurtër. Kur ia dola të ngrihesha nga shtrati dhe eca për tek një kafene në qendër të qytetit, të gjithë të njohurit e të njohurat që takova, më përgëzonin me entuziazëm se sa terribilmente gnocca dukesha. Njëra madje, mendoi se kishte të drejtën morale të më thoshte se nuk duhej të guxoja kurrë më të shtoja qoftë edhe një kilogram, sepse nuk kisha qenë kurrë më parë aq e përsosur në pamje – ndërkohë, unë rrallëherë jam ndjerë më keq se në atë periudhë në jetën time dhe pothuajse nuk fusja ushqim në gojë. Por e rëndësishme për shoqërinë ishte se kockat e mia dukeshin, mund të më numëroje brinjët pa asnjëfarë mundimi, dhe e përkthyer kjo do të thoshte: vetëpërmbajtje, kontroll, duke i bërë të tjerët të më respektonin më shumë se më parë.
Aktualisht, shumë vajza dhe gra po bëhen më të holla e më të vogla në trup dhe sillen sikur kjo ka të bëjë vetëm me të qenit e shëndetshme e në formë, dhe aspak me ruajtjen e patriarkatit, normalizimin e mendimit të djathtë dhe mbështetjen e industrisë së fitnesit/palestrave që po lulëzojnë. Ilaçi për humbje peshe, si Ozempic, e përforcon këtë trend dhe, mbi të gjitha, presionin për të qenë kockë e lëkurë. Të qenit me trup të hollë tani është thjesht një injeksion, të paktën për njerëzit me shumë para. Si rrjedhojë, të qenit e dobët, është kthyer jo vetëm në një simbol statusi, por edhe një simbol pushteti.
Përsëris, se fakti që trupat e grave janë rikthyer kaq intensivisht në qendër të vëmendjes nuk është rastësi. Filozofi francez Michel Foucault e vuri në dukje që në vitet ‘70 me konceptin e tij të biopushtetit (biopouvoir) se sa politik është trupi dhe se si marrëdhëniet e pushtetit negociohen përmes tij. Veçanërisht ideologjitë e së djathtës funksionojnë përmes kontrollit, standardizimit dhe hierarkive: trupi i dobët, i bardhë, pa aftësi të kufizuara dhe cisgjinor konsiderohet «i mirë»; trupat e zinj, të shëndoshë, me aftësi të kufizuara apo queer, nga ana tjetër, shihen si «me defekte».
Sa më konservatore dhe raciste të bëhet fryma shoqërore, aq më qartë përcaktohet se cili trup është «i duhuri»: i bardhë, i dobët, i disiplinuar. Kushdo që devijon nga ky ideal turpërohet, bëhet e padukshme ose përjashtohet.
Trendet e sotme të rrjeteve sociale na japin gjithashtu një ide të pikëpamjes politike zotëruese dhe pasqyrojnë më së miri dëshirën e rënies së feminizmit. #SkinnyTok, Tradwives apo Clean Girl: imazhet e sotme të grave janë homogjene, konservatore dhe ekskluzive. Kjo shënon një kthesë të fortë mbrapsht nga trendet e fundit të viteve 2010 dhe fillimit të viteve 2020, kur body positivity, diversiteti dhe përfshirja (inclusion) për pak kohë mbizotëruan[4] mediat sociale.
Në vend të diversitetit, fokusimi tani është te homogjeniteti: gratë sot po paraqiten gjithnjë e më shumë si natyrale, tërheqëse dhe shtëpiake, ndërsa burrat si të fortë. Ose siç e tha deputeti i AfD-së (Parti ekstremiste e djathtë në Gjermani) M. Krah: «Si burra të vërtetë, ne duam gra të vërteta» (lexo këtu: shtëpiake, të holla, bionde) dhe «Feministet janë të gjitha të shëmtuara dhe të neveritshme.» Dëshiroj të përmend gjithashtu se Michele Mari, fituesi i Premio Strega 2026, çmimit letrar më prestigjoz në Itali, u shpreh për feministen dhe shkrimtaren Michela Murgia (e cila ndërroi jetë tre vite më parë), se kjo «nuk bënte kompromise dhe ishte e dhunshme, sepse ishte e shëmtuar» (Era intransigente e violenta, perché era brutta), lexo: ishte jo e hollë, jo e rezervuar, dhe as e kontrollonte veten – Mari as nuk u përjashtua, as u paralajmërua nga juria e Premio Strega-s, kjo dhunë verbale përkundrejt një trupi të një gruaje u injorua tërësisht, përveçse nga feministet.
Pushteti dhe presioni që shoqëria (patriarkati) ushtron mbi gratë për të qenë të dobëta, është i papërballueshëm dhe kërkon kështu, që gratë të turpërohen për trupin e tyre jo të përsosur (pra kur është i madh), i cili nuk i përmbush standardet e saj, sepse, siç e formulon Helene Hegemann: kush turpërohet për trupin e saj, nuk është në gjendje të organizojë asnjë lloj rebelimi: këto gra binden, nënshtrohen. Revistat e bukurisë janë ende një ftesë e pashmangshme për vetëshkatërrim. Gjithashtu, vështrimi mashkullor (male gaze) e ka vendosur trupin e gruas, i cili duhet të përputhet me normat shoqërore të bukurisë, në trupin e një fëmije 13-14 vjeçar që prej kohërave të Volterit dhe miqve të tij.
Më kujtohet mirë zgjimi që pësova, kur lexova për herë të parë mendimtaren marokene Fatima Mernissi, e cila shkruante se gratë në Perëndim, mendojnë se janë të lira, por si nuk arrijnë të kuptojnë, se nëse burrat, në botën arabe, i fshehin gratë nën ferexhe, në Perëndim, gratë janë të detyruara të futen në një bikini XXS (size zero) – se këto janë dy anët e të njëjtës medalje.
Më pëlqen të mendoj, se jam këtu për t’ju kujtuar (e t’i kujtuar vetes), që WOMEN DON’T OWE YOU THIN – Gratë nuk jua kanë për borxh të jenë të dobëta. Eat the carbs, go for a walk, take up space. Akti më revolucionar që mund të bësh për veten, është të injorosh vështrimin mashkullor, duke vënë në qendër të vëmendjes jetën tënde dhe jo miratimin shoqëror apo mashkullor. Zgjidh ti në mënyrë aktive, mos lejo të të vënë në pozicionin që të presësh për t’u zgjedhur pasivisht. Jemi në vitin 2026, dëgjo mirë, se kambanat e emancipimit po shkunden.
Në një botë ku burrat kanë vetësiguri, por gratë janë arrogante, burrat veprojnë pa kompromise, por gratë janë kokëforta, një burrë është i vendosur, por një grua është agresive, një burrë merr vendime strategjike, por një grua është manipuluese, mos lejo të të bëjnë të vogël, as në peshë, as në personalitet.
(c) 2026 Irma C. Të gjitha të drejtat, përfshi edhe të drejtat për imazhin në kopertinë, janë të autores.
[1]Personalisht i kam pasur këto përmasa në moshën 16 vjecare, kur flija gjumë pa darkë, se pëndryshe më anullohej ekzistenca, po të më kalonte beli në 61 cm. Vetëm njëra nga shoqet e mia të klasës i kishte gjithashtu këto përmasa dhe gjatë pushimit të gjatë beli i im dhe i saj do të shqyrtoheshin nga afër në prani të vajzave të tjera dhe do mateshin publikisht për të parë se kush e kishte tani më të hollë dhe një herë njera, një herë tjetra do akuzoheshim (apo do akuzonim njëra tjetrën) se mbanim frymën, në mënyrë që të na dukej beli më i hollë.
[2]Nëse shpresa ishte, se pas fitores ndaj Napoleonit, popullsia do të merrte më shumë të drejta për fjalë në politikë — nën frymën e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, këto dëshira, fatkeqësisht naive, u zhgënjyen shpejt. Për këtë arsye, tërheqja në privatësinë jopolitike të familjes u bë ideali i periudhës së Biedermeier-it.
[3]Studimet më të reja tregojnë mbi të gjitha një gjë: mbipesha është biologjikisht më e komplikuar nga sa mund ta shprehë një shifër në peshore. Për jetën e përditshme mbetet vendimtare t’u kushtohet vëmendje faktorëve të njohur, pra lëvizjes, ushqimit, analizave të gjakut dhe të mos e përkufizojmë trupin tonë vetëm përmes BMI-së (Indeksit të Masës Trupore), meqenëse kjo tashmë konsiderohet e vjetëruar, pasi për shembull, nuk mund të bëjë dallimin mes yndyrës dhe masës muskulore. Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm për shëndetin, i cili shpesh lihet pas dore, është një strategji e mirë e njeriut për përballimin e stresit – më i rëndësishëm se numri në peshore dhe më e rëndësishmja: konsultimi me profesioniste/ë jo konservatore/ë.
[4]Pikën më të lartë body positivity e pati në vitin 2021, kur Top Modelja plus size Paloma Elsesser u portretua në Vogue USA, si e para modele jo me veshje XXS.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.