Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Urbanistikë

BULEVARDI QË U SHNDËRRUA NË SHESH

nga Doriana Musai

Pak hapësira urbane në Shqipëri kanë ndryshuar aq shumë kuptim sa Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Për një shekull ai ka qenë njëkohësisht projekt urban, bosht administrativ i shtetit, skenë e pushtetit politik, korridor i transformimit ekonomik të kryeqytetit dhe, së fundmi, një hapësirë e ripërvetësuar nga qytetarët. Nëpërmjet historisë së zhvillimit të tij, mund të lexojmë edhe historinë e marrëdhënies që ka ndryshuar vazhdimisht mes qytetit, pushtetit dhe shoqërisë.

Bulevardi pa qytet

Bulevardi u konceptua nga Armando Brasini në vitin 1925. Arkitekti italian vendosi një aks të ri për Tiranën, i cili, i zgjatur në një vijë imagjinare, ecën paralel me vargmalin e Skënderbeut, takohet me kalanë e Lezhës dhe më tej me Shkodrën në veri, ndërsa në jug me kalanë e Petrelës, për të depërtuar mes masiveve malore drejt skajit më jugor të Shqipërisë. Punimet nisën jashtë zonës urbane të Tiranës së viteve ’20, në jug të vendbanimit historik që ishte zhvilluar prej shekullit XVII. Aksi i ri nuk përshkonte ende një qytet por i paraprinte atij, duke u përshkruar nga udhëtarët e kohës si “Bulevardi pa qytet”. Por ishte pikërisht ky aks që hapi mundësinë për zgjerimin e Tiranës drejt jugut dhe për ndërtimin, përgjatë tij, të një pjese të re të qytetit, e cila me kalimin e kohës mori emrin Tirana e Re, emër që e mban ende sot.

Në fillim të shekullit XX, bulevardi ishte një nga instrumentet më të rëndësishme të urbanistikës europiane. Ai nuk ishte thjesht një rrugë e gjerë, por boshti që organizonte zgjerimin e qytetit, orientonte institucionet publike dhe krijonte perspektivën monumentale të kryeqytetit. Në Itali, kjo logjikë kishte marrë forma të ndryshme, nga Via Roma në Torino dhe ndërhyrjet e mëdha në qendrat e Firences e Napolit, te boshtet monumentale të Romës, ku rruga përdorej njëkohësisht për të lidhur pjesë të qytetit, për të vendosur ndërtesat publike në një rend të ri urban dhe për t’i dhënë formë përfaqësimit të shtetit.

Bulevardi i pushtetit

Brasini vinte pikërisht nga kjo kulturë urbanistike, ku aksi nuk ndiqte vetëm qytetin ekzistues, por mund të përdorej për të projektuar drejtimin e zhvillimit të tij. Koncepti i tij për bulevardin nuk ishte vetëm ndërtimi i një infrastrukturë lëvizjeje për kryeqytetin e ri shqiptar, por ai vendosi skeletin mbi të cilin do të zhvillohej Tirana moderne. Bulevardi u shoqërua me ndërtesa administrative përgjatë viteve dhe mbajti për më shumë se 8 dekada, një karakter kryesisht administrativ e politik. Historia e zhvillimit të qytetit përgjatë tij na shërben sot si një historiografi e formimit të Tiranës, kryeqytetit permanent të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar njëkohësisht.

Megjithatë, përgjatë shekullit të kaluar bulevardi u përdor për shumë më tepër. Fillimisht ceremonitë e periudhës së Mbretërisë, paradat e pushtimit fashist dhe më pas manifestimet e regjimit komunist e përdorën atë aks urban, bashkë me Sheshin Skënderbej dhe Sheshin Nënë Tereza, si dy skajet ceremoniale të së njëjtës skenë ku pushteti shfaqte veten dhe propagandonte forcën e tij. Ky karakter politik e shoqëroi bulevardin për një kohë të gjatë edhe pas ndryshimeve politike të viteve ’90.

Gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, ndërhyrjet arkitektonike dhe urbane përgjatë tij mbetën të pakta. Ndryshimi i dukshëm erdhi në fillim të viteve 2000, me ndërtimin e dy Kullave Binjake, pothuajse në të njëjtën kohë me sulmet e 11 shtatorit 2001 ndaj Kullave Binjake të World Trade Center-it në Manhattan. Përtej kësaj koincidence të pazakontë, kullat e Tiranës shënuan një ndryshim të rëndësishëm në historinë e bulevardit: ato ndërhynë në siluetën relativisht të ulët të tij dhe, njëkohësisht, futën dukshëm në boshtin monumental të shtetit një funksion të ri, atë tregtar.

Bulevardi i kullave

Megjithatë do të ishte viti 2017 që do të shënonte një pikë kthese në hapësirën urbane të Bulevardit. Ndryshimi i kufijve dhe i regjimit të mbrojtjes së ansamblit historik, arkitektonik dhe urban të Tiranës ndryshoi me një vendim të Këshillit të Ministrave, edhe raportin që qyteti kishte ruajtur deri atëherë me boshtin monumental. Sipërfaqe dhe ndërtesa që më parë ndodheshin brenda një territori të mbrojtur ose trajtoheshin si pjesë e një tërësie urbane, tashmë mund t’i nënshtroheshin një regjimi tjetër zhvillimi. Kështu, presioni i ndërtimeve të reja, që deri atëherë ishte përqendruar kryesisht jashtë këtij territori, nisi të depërtonte edhe në vetë zemrën monumentale të Tiranës.

Shenjat e këtij transformimi u bënë shpejt të dukshme. Stadiumi historik “Qemal Stafa” u shemb për t’i lënë vend Arenës Kombëtare, ku funksioni sportiv u ndërthur me një kullë, hoteleri dhe hapësira tregtare. Më pas u shemb Teatri Kombëtar, ndërsa në territorin e tij dhe pranë tij u parashikua një zhvillim i ri 34-katesh; transformimi vijoi me kullat e ngritura pranë Kullës së Sahatit. Silueta monumentale e bulevardit nuk po ndryshonte më nga ndërhyrje të izoluara por po ndryshonte vetë logjika e zhvillimit të territorit përgjatë tij: nga territor i mbrojtur, në territor për zhvillim.

Këto ndërhyrje shënuan edhe hyrjen e një karakteri të ri përgjatë bulevardit: atij ekonomik. Por transformimi nuk ishte vetëm funksional. Ai hapi një nga konfliktet më të mëdha urbane të Tiranës që prej shembjes së Pazarit të Vjetër, duke e kthyer zonën historike në terrenin ku, gjatë dekadës në vijim, do të përplaseshin vizione të ndryshme për zhvillimin e qytetit, ruajtjen e trashëgimisë dhe mënyrën nëse duhej apo jo të transformohej qendra e tij. Sot, përgjatë këtij boshti po ndërtohen një duzinë kullash, duke sjellë një shkallë të re urbane për zyra, biznese, hoteleri dhe funksione të tjera ekonomike brenda qendrës administrative dhe monumentale të Tiranës.

Xhiroja në Bulevard

Megjithatë, qyteti e ka përdorur këtë bulevard edhe si hapësirë publike përgjatë gjithë jetës së tij. Në vitet 80’ dhe më pas në fillim të 90-ave, tiranasit e përdornin si shëtitore ku kalonin orët e pasdites. Qytetarët bënin xhiro apo uleshin përgjatë tij në bordurat e Hotel Dajtit, apo Parkut Rinia e deri te shkallaret e Sheshit Nënë Tereza dhe ato të ndërtesës së Universitetit Politeknik. Ende sot shumë syresh e kujtojnë këtë si një shkallë lirie brenda një regjimi politik shtypës, ku shëtitja ishte njëkohësisht takim, shkëmbim dhe mënyrë për t’u parë nga të tjerët.

Në shumë qytete mesdhetare dhe të Europës Jugore, xhiroja nuk ishte thjesht një zakon. Nga passeggiata në qytetet italiane, te shëtitjet e mbrëmjes përgjatë corso-ve dhe shesheve të Romës, Napolit, Barit apo qyteteve të Adriatikut, ecja ishte një institucion i jetës urbane. Në një orar pothuajse të përcaktuar, njerëzit dilnin jo domosdoshmërisht për të shkuar diku, por për të qenë mes të tjerëve: për të parë dhe për t’u parë, për të takuar të njohur, për të shkëmbyer lajme dhe për të marrë pjesë në jetën e qytetit. Rruga dhe sheshi shndërroheshin kështu në një lloj dhome të përbashkët të qytetit, ku marrëdhëniet shoqërore ripërtëriheshin çdo ditë. Edhe Tirana e përjetoi këtë traditë në mënyrën e saj. Bulevardi, veçanërisht gjatë xhiros së mbrëmjes, nuk ishte më vetëm aksi monumental i institucioneve dhe i pushtetit. Për disa orë ai ndryshonte përdorues dhe kuptim: bëhej vendi ku njerëzit takoheshin, njiheshin, shihnin dhe shiheshin, dhe ku ndërtoheshin marrëdhënie, besim dhe një ndjenjë përkatësie ndaj qytetit.

Pas rënies së regjimit komunist, bulevardi vijoi të mbartë karakterin e tij politik. Nga lëvizja studentore e vitit 1990 deri te protestat e dekadave të mëvonshme, ai mbeti adresa ku qytetarët i drejtoheshin pushtetit. Nuk ishte zgjedhur rastësisht. Përgjatë tij ndodhen ende sot institucionet kryesore të shtetit dhe çdo kërkesë politike merrte edhe një dimension hapësinor. Në këto protesta pati edhe viktima, dhe gjurmët e tyre kanë mbetur të regjistruara në kujtesën e vetë bulevardit. Ngjarjet e 21 janarit 2011 janë ndoshta shembulli më i fortë: katër qytetarë humbën jetën gjatë protestës përpara Kryeministrisë, duke e ngarkuar atë pjesë të bulevardit me një kujtesë që nuk është vetëm politike, por edhe njerëzore. Përkujtimoret e vendosura aty e bëjnë këtë kujtesë pjesë fizike të hapësirës.

Edhe ndërtesa e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës, sot selia e Kryeministrisë, e përforcon këtë vazhdimësi. Pavarësisht ndryshimit të sistemit politik dhe funksionit institucional, ajo vazhdon të mbartë në arkitekturën dhe pozicionin e saj përgjatë bulevardit më shumë kujtesën e pushtetit sesa atë të demokracisë.

Protesta e Flamingove

Në 101-vjetorin e krijimit të tij, bulevardi do të përjetonte diçka që nuk e kishte parë më parë. Më 1 qershor, në Ditën e Fëmijëve, protesta që kishte nisur në Zvërnec solli në bulevard mijëra qytetarë nga Tirana dhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë. Gjithçka kishte nisur disa ditë më parë, në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin e Vlorës, ku banorët e Zvërnecit dhe aktivistë mjedisore kundërshtuan vendosjen e gardhit, që do t’i hapte njëkohësisht rrugën ndërtimit të një projekti të madh turistik brenda zonës së mbrojtur natyrore dhe mënyrën se si po vendosej kufi fizik brenda territorit ku ata jetonin. Një konflikt që në fillim dukej lokal, për një dalje në bregun e detit dhe një komunitet të vogël, shumë shpejt u njoh nga të tjerë si një çështje që i tejkalonte kufijtë e Zvërnecit.

Kur protesta mbërriti në Tiranë, ajo nuk ishte më vetëm e Zvërnecit. Nuk ishte as një protestë e thirrur nga partitë politike. Në fakt, nuk ishte thirrur nga askush në veçanti. Nuk kishte një organizator që t’u kishte treguar njerëzve se ku duhej të mblidheshin dhe si duhej ta përdornin atë hapësirë. Ajo mbiu aty. Sikur, pas një shekulli gjatë të cilit bulevardi kishte mësuar qytetin si të ecte, të mblidhej, të shihte dhe të shihej, këtë herë njerëzit e dinin vetë çfarë duhej të bënin dhe ku duhej të shkonin.

Qytetarët vijojnë të rikthehen aty çdo ditë. Ndërsa pushteti i sulmoi e i përqeshi, madje edhe për mënyrën paqësore të të protestuarit u tall. Ironizoi dhe bullizoi lulet, flamingot, pelikanët, fëmijët, artin dhe dashurinë për atdheun e për të ngjashmin, megjithatë njerëzit bënë diçka që askush nuk e kishte parashikuar. Ata e rikrijuan hapësirën gjatësore të bulevardit, duke e shndërruar në një shesh.

Kur bulevardi u bë shesh

Në urbanistikë, dallimi midis bulevardit dhe sheshit nuk qëndron vetëm te forma. Bulevardi organizon lëvizjen; sheshi organizon qëndrimin. Bulevardi lidh pjesë të qytetit; sheshi lidh njerëzit. Një shesh nuk lind vetëm nga projekti i arkitektit apo urbanistit. Ai lind kur qytetarët vendosin ta jetojnë një hapësirë si vend takimi dhe jo vetëm si vend kalimi. Pra kur vendosin ta krijojnë edhe kur forma fizike nuk e ofron të gatshëm vendin.

“Takohemi në shesh”, “shihemi në shesh”, “protestojmë në shesh”, “këndojmë në shesh”. Këto shprehje tregojnë më shumë se çdo analizë arkitektonike apo urbane se si njerëzit e përjetojnë sot këtë hapësirë. Si e identifikojnë atë dhe si e përdorin atë. Përpara se të ndryshojë arkitektura, ndryshon gjuha. Dhe përpara se të ndryshojë gjuha, ndryshon vetëdija kolektive. Kjo e fundit është artikuluar si e pranishme në protestën e flamingove, në të cilën solidariteti, mungesa e akteve vandale, distancimi ndaj dhunës dhe fytyrat e buzëqeshura, kanë lënë pa fjalë shumëkënd që zgjedh ta komentojë duke e përçmuar.

Ky jetëzim i hapësirës së qytetit  është ndryshimi më i madh që ka pësuar ndonjëherë ky trup urban. Ai nuk jetohet më vetëm si bosht monumental i shtetit, por si shesh i shprehjes së ideve, i artit, i bashkërendimit të njerëzve dhe i ndërtimit të një hapësire të sigurt për ta. Prania e përditshme e njerëzve, me ide, kreativitet, vetorganizim dhe vetëfinancim, i ka hequr ngurtësinë funksionale kësaj hapësire dhe i ka dhënë një kuptim të ri. Arkitektura ka mbetur e njëjtë por qyteti jo.

Në fund të fundit, qytetet nuk ndërtohen vetëm nga arkitektët, urbanistët, planifikuesit apo inxhinierët. Ato ndërtohen çdo ditë nga mënyra se si njerëzit zgjedhin t’i përdorin hapësirat e tyre. Një bulevard mund të projektohet mbi letër. Një shesh, përkundrazi, lind vetëm kur një komunitet vendos të qëndrojë bashkë. Këtë vendkrijim dhe transformim të hapësirës e kemi parë tek sheshi i Teatrit Kombëtar, i cili e mori emrin e tillë, gjatë protestës për mbrojtjen e tij.

Ndoshta kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh në atë shesh përpara kryeministrisë këto ditë të nxehta vere është më e rëndësishme se vetë protesta. Aty nuk po ndërtohet vetëm një kundërshtim politik dhe nuk po kërkohet të rrëzohet vetëm një sistem. Aty, po ndërtohet një kulturë e re e dialogut, e vetorganizimit dhe e besimit mes qytetarëve dhe këto, janë themelet mbi të cilat ndërtohen demokracitë e qëndrueshme.

Andaj sot mund të themi se bulevardi ishte dikur vendi ku pushteti i fliste qytetit, sot ai është bërë vendi ku qyteti i flet pushtetit. Ky është transformimi më i madh që mund të përjetojë një hapësirë publike.

(c) 2026 Doriana Musai. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është i autores.

Shënim i redaksisë:

Ky tekst u lexua nga autorja në serinë e dytë të Bük Reading, organizuar në Tiranë më 7 gusht në Komiteti Bar si TEKSTE TË DËSHMISË. Të pranishmit lexuan fragmente tekstesh nga arkivi i revistës “Peizazhe të Fjalës”, të shkruara për protestën në bulevard gjatë këtyre dy muajve për të reflektuar pa ngut mbi aktualitetin dhe për të shtruar një mozaik dëshmish të epokës.

Përfitojmë nga rasti të falënderojmë Elsa Demon që lexoi poezinë “Me titull” të Ervin Hatibit, Rael Hoxhën që lexoi një tregim në dorëshkrim, Vladimir Dodën që lexoi “Liria e të varfërve” nga Ascanio Celestini, poezinë “Papafingo” të Ezra Pound dhe një tekst nga Elona Caslli, Alem Bedhinë që lexoi “The Worst Generation” nga Klejda Rrapaj, Eriola Pirën që lexoi një tekst që kishte përgatitur ta lexonte në shesh, Emi Beharin që lexoi nga ditari personal mbajtur gjatë protestës, Alen Bejkon që lexoi “Ur-Fashizëm” nga Umberto Eco dhe Elona Pirën që lexoi një fragment nga libri “Në atë vend” të Ardian Vehbiut dhe “E bukura e dheut” nga Ardian Klosi.

Leximet u pasuruan nga ndërhyrjet dhe reflektimet e të pranishmëve dhe disa prej aktivistëve të protestës me përjetime nga sheshi dhe përditshmëria sociale e politike në vend.

 —

Aty rrojmë për inat të turistëve
Që t’u shërbejmë
Jetojmë tërë vitin me atë që ata tërë vitin kursejnë
E vjedhim botën nga ky cep i vogëI fare ne
Aq sa mundim, kurrë sa ç’mundohemi

“Me titull” Ervin Hatibi, 1994


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading