Për Bulevardin e madh, në Tiranë, kam menduar se – me formën dhe shtrirjen që ka – fton bujarisht për gjithfarë paradash me këpucë dhe goma makinash dhe zinxhirë. Kam qenë kaq herë në ato parada, i vetëm mes shumëve, në 1 majet dhe 29 nëntorët. Edhe pse, si i brezit të boomer-ëve, e kam shkelur zakonisht bulevardin në xhiron e mbrëmjes, që ishte edhe ajo një lloj parade e heshtur, shirit magnetofoni i këputur, spërdredhje e plogët e një bishti gjarpri të gjymtë. Xhiroja ishte vendi ku banorët e Tiranës shihnin dhe shiheshin; vendi ku mbahej gjallë dhe riprodhohej vetëdija e të qenit bashkë. Ishte selfie e Tiranës. Edhe tani, pamjet e protestës më sugjerojnë të njëjtin efekt me njerëz që shohin dhe shihen, të diktuar sërish nga Bulevardi, që nuk ka ndërtesa përreth, veç mauzoleve të kryeministrisë, ish-KQ dhe hotel Dajtit ku nuk “hotelon” kush.
I vetmi “monument” institucional ndaj të cilit ende mund të protestohet politikisht në bulevard është Kyeministria – tashmë prej vitesh e larë dhe e hekurosur nga rezidenti V.I.P. i tanishëm, madje e zbukuruar edhe me një kopsht të varur “sekret”; por ku përndryshe Rama shkon rrallë, vizitor mes vizitorëve. C.O.D.-ja e katit të parë, me eventet dhe ekspozitat e saj të rralluara rimerr zbrazëtinë e brendshme të një ndërtese që sa vjen dhe u ngjan funksionalisht kullave të mbira rishtas në Tiranë, të cilat marrin kuptim urban vetëm në distancë.
Sot ndesha në Facebook te një status i Sali Berishës, i cili përshëndeste rrethimin e Kryeministrisë nga protestuesit, të ilustruar nëpërmjet një pamjeje me dron. Me sa duket ish-presidenti dhe ish-kryeministri mbetet i dashuruar me metaforat e kështjellës dhe të rrethimit, duke i përfytyruar manifestantët si ushtri rrethuese të një ndërtese ku është strukur e fshehur pushteti për t’u mbrojtur nga zemërimi i popullit – tamam si në një përrallë të ilustruar për fëmijë. Ndoshta ai vetë e pat banuar Kryeministrinë si të ishte kullë malësie; prandaj nuk e lëshoi edhe kur deshën t’ia marrin protestuesit me forcë, madje edhe me koston e të vrarëve në bulevard. Dy koncepte – ai i pushtetit të ngulitur në territor dhe ai i barazimit simbolik të institucionit me ndërtesën përkatëse – tani më tingëllojnë anakronike.
Në ligjërimin e sotëm urban, kulla spikat për plasticitetin mbresues – duke iu larguar shllimeve në librat e historisë dhe të etnografisë, për t’u imponuar si emër i obeliskëve që ngre e bekon regjimi arkitektorial; gozhdave që ngul regjimi në truallin e qytetit. Kullat në Tiranë janë garanci e një sundimi okult, aq më tepër sa kohë që (duket sikur) kanë mbetur ende bosh. Por banorët tashmë janë mësuar me idenë – absurde – që ndërtesat më të spikatura të e kryeqytetit kanë aq shumë zgavra brenda. Por njëherazi, kullë poquhet dendur edhe, në ligjërimin e folur, vila që ka ndërtuar kryeministri Rama në Surrel, ndoshta ngaqë kjo sugjeron, me trajtën dhe ngjyrat e saj, betonin e një fortifikimi që ka marrë formën e diktuar prej funksionit të vet: t’i bëjë ballë një rrethimi. Distanca nga kulla malësore e fëmijërisë së Berishës te rezidenca e tanishme e Ramës nuk është aq e madhe se ç’do të pandehnin snobët.
Në gjeometrinë urbane, kulla dhe sheshi janë dy skaje të kundërta të tensionit mes hierarkisë dhe rrjetëzimit të shqendërzuar (tregu, por edhe rrjete të tjera). Këto dy forma primordiale të qytetit i risolli në vëmendje para pak vjetësh një libër i shumë-lëvduar i historianit Niall Ferguson (The Square and the Tower, 2018), që merr pikënisje nga konfigurimi i qendrës së Sienës në Italinë mesjetare, për të analizuar marrëdhëniet e hierarkisë me “pjacën” horizontale. Por le të mbajmë parasysh se “kulla” metaforizuese e librit sundonte edhe mbi Palazzo Pubblico në Siena, i cili përndryshe ofronte një model të pushtetit dhe të administratës lokale edhe ai po aq sfidues sa sheshi ndaj vertikalitetit të Kullës.
Kullat e Tiranës përgjithësisht nuk kanë sheshe, as reale as simbolike, ku mund të mblidhet masa e njerëzve për të protestuar. Sikurse nuk kanë as ballkone si Bashkia e dikurshme e Tiranës “italiane”, ku të dalin qeveritarët para qytetarëve të mbledhur poshtë – siç dilte Mussolini në ballkonin e Palazzo Venezia në Romë. Edhe sheshi Skënderbej, dikur truall me një farë potenciali social dhe politik premtues, tashmë është bërë zap nga ambiciet, përndryshe dështake, të urbanistëve që e transformuan; aq sa e vetmja gjë që do t’i mbahet mend, prej vizitorëve të sotëm, janë gurët absurdë që e rrethojnë, dhe vapa e pjerrët. E mbushin periodikisht me gjithfarë podiumesh, dërrasash, barrakash, çadrash, listelash, karuselesh, skenash koncertesh anonime, të cilat njëlloj periodikisht zhduken pas pak – siç po rrezikon të zhduket tani edhe vetë kujtimi i kryebashkiakut Veliaj. Dy Skënderbejtë në skajet, dhe Skënderbeu i tretë i emrit, nuk mjaftojnë për ta mbajtur pjesë të Tiranës; edhe kulla e Sahatit duket si një maket plastik dhe i përkohshëm i kullës së dikurshme.
Masa që bëhet bashkë në shesh – për ndonjë arsye apo edhe ngaqë thjesht e ka çuar atje rruga – shërben si metaforë edhe për rrjetëzimin (network) e mediave sociale digjitale dhe mënyrën e re, teknologjikisht të ndërmjetësuar, me të cilën brezat e ri hyjnë në lidhje mes tyre dhe i mbajnë këto lidhje madje edhe i përdorin për t’u organizuar politikisht. Në gojën e optimistëve, mediat sociale i dëgjon ndonjëherë të quhen edhe agora; paçka se agora, si qendra e qytetit grek të lashtësisë, shërbente edhe si treg i përditshëm i ideve, ku qytetarët përfshiheshin në praktikat demokratike. Facebook-u, Instagram-i, X dhe TikTok-u mbeten larg spontanitetit të agorës ideale të lashtësisë, në mos për tjetër, edhe vetëm ngaqë këtu kontaktet i mirëmban algoritmi.
Tirana nuk ka pasur dhe as ka agora; ndoshta ngaqë, si qytet modern – i shekullit XX – ka ardhur duke u modeluar sipas kasermës, të paktën që kur kryeqyteti filloi të marrë përparësi ndaj qytetit. Mbase prandaj edhe regjimi totalitar e shkuli, me lehtësi mizore, Pazarin e Vjetër nga zona e qendrës, për ta zëvendësuar edhe atë, në thelb, me boshllëk. Boshllëku i atëhershëm të paktën të lejonte akoma që të shihje Dajtin dhe, sipas rastit, t’i faleshe; por sot të bën të futësh dorën në xhep, për t’u siguruar që e ke me vete ilaçin e agorafobisë, në një shesh qendror ku kullat e starkitektëve nuk arrijnë të lëshojnë as hijen ngushëllimtare, për të mbrojtur viktimat nga dielli (alegorik) që u përcëllon skalpin.
Sot në Tiranë, edhe më sy-gërvishtëse se kullat janë tani skelat, të shoqëruara nga kolona zanore e zhurmave të ndërtimit. Skelat lëshojnë një sinjal alarmi – atë të impermanencës së qytetit, në një kohë kur banorët, të rrethuar nga transformimi kaotik i gjeometrive urbane, janë të djegur për pak permanencë, aq sa janë kthyer dhe lektisen pas rrugicave të mjera të Tiranës së djeshme, shtëpive të shtrembra prej qerpiçi, dhe gëlqeres që duket aq bukur në fotot e retushuara. Teksa skelat të thonë: asgjë nga këto që shikon nuk do të jetë kështu; dhe ne vetë jemi lajmëtarët agresivë të së ardhmes.
Përndryshe, skelat janë edhe gardhet që rrethojnë strukturat vertikale të Tiranës, po aq bezdisëse sa gardhet e tjera, që sot i kanë nxitur njerëzit të dalin në rrugë dhe të kërkojnë heqjen e tyre, shkuljen, shqepjen, shthurjen, zhbërjen, zbythjen. Nëse në Shqipërinë e pas-1990-ës gardhet u kthyen bashkë me pronën private dhe metaforën filozofike përkatëse, heqja e tyre vjen edhe ajo me metaforën e vet, si për të treguar anën e tjetër, më pak politikisht korrekte, të asaj prone; ku përndryshe themelohet e mbështetet rendi social i tanishëm. E vërteta është që gardhet dhe muretbezdisin, sidomos kur ndajnë në ngastra dhe shndërrojnë në kantiera shesh ndërtimiatë truall që dikur ti e kujtoje publik, d.m.th. edhe tëndin (vetë termi, shesh ndërtimi, shënjon një hapësirë që tani ta kanë marrë, madje edhe kur nuk ka qenë kurrë jotja). Bezdisin njëlloj siç qetësojnë muret e shtëpisë sate, ose edhe të kullës, ku futesh për t’i shpëtuar rrugës.
Përndryshte, në leksikun urban, rrugaështë vendi ku mund të ndodhë gjithçka, duke filluar nga jeta jote. Në rrugë mund të gjesh egërsinë dhe lirinë, shpëtimin dhe vdekjen. Kur njerëzit dalin në rrugë (marrin rrugët) për të protestuar, rruga funksionon si skena teatrale e qytetit, e atij teatri që tani ka mbijetuar si shkapërderdhje e godinës që shkatërruan. Rruga mund të jetë e lodhshme, dhe jo gjithnjë e arsyeshme; ti asnjëherë nuk e di me siguri, se kush do të ecë përkrah me ty dhe pse. Por di që në rrugë ndahet virtyti i të ecurit, nga vesi i të bërit sehir. Këmbët e atyre që kanë dalë të manifestojnë janë tani tik-taket e orës, që afron të ardhmen; ndryshe nga hapat e kujt palestrohet me zell në treadmill, për të mbetur në të tashmen. Përndryshe, nuk ka njeri që të mos jetë dehur me rrugën – madje edhe me atë që është e mbushur me plehra, me betoniera, me qen, me spiunë dhe policë.
Tani rruga është edhe vendi ku qytetari takohet me turistin, banor të përkohshëm të qytetit – por që riprodhohet në mënyrë të tillë, sa ta bëjë Tiranën të turistëve po aq sa edhe të banorëve vendës. Kur ti, që ke kaluar në Tiranë jetën, fillon të mos e njohësh më peizazhin urban, a të mos e kuptosh dot më logjikën që bashkon pikën A me pikën B, dhe as hartën që orienton lëvizjet e grupeve të kalimtarëve në vapë, duhet të rikujtosh veten – pa u ligështuar – se qyteti që ti shikon, përjeton dhe përdor nuk është vetëm yti, për të mos thënë që nuk është më yti. Dhe rruga është e mbushur me sy që shohin ndryshe nga të tutë, pikasin ngjyra dhe motive të tjera; siç është e mbushur me këmbë që vizatojnë shtigje sado kaotike, por që nesër do të jenë edhe harta jote e vetme.
(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.