Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Kulturë

EN VOYAGE AVEC FAMILLE VINCENT (I)

Ky shkrim mori shkas nga një gjetje e rastësishme në bibliotekën e prindërve në Elbasan. Sa herë që jam atje, gjej gjithmonë pak kohë të rrëmoj nëpër libra. Më këndell ndjesia që më sjellin kujtimet kur i kam lexuar libra të caktuar. Herën e fundit mbajta nëpër duar manualin Mauger bleu, një metodë për mësimin e frëngjishtes, e cila në faqen e parë mbante të shkruar emrin tim dhe vitin 1982. Ishte fundi i klasës së pestë dhe unë ndërkohë kisha filluar frëngjisht në shkollë. Kërshëria e së panjohurës më ishte fashitur shpejt nga modelet artificiale: “Est-ce que c’est une femme? Oui, c’est une femme”[1], modele të cilat me ndërmjetësimin e ngjyrave, orës dhe shumësit ishin zgjatur përgjatë gjithë vitit shkollor. Pikërisht në këtë kohë prindërit vendosën të angazhojnë për mua privatisht një mësues frëngjishteje. Aso kohe lexoja me shumë dëshirë komeditë e Molierit dhe një ndër komeditë më të dashura për mua ishte “Borgjezi fisnik”.[2] Monsieur Jourdain tek “Borgjezi fisnik” merrte mësime nga një sërë mësuesish privatë: mësuesi i kërcimit, i skermës, i muzikës dhe natyrisht ai i filozofisë. Specialiteti i këtij të fundit ishte jo vetëm filozofia, por shkencat në përgjithësi dhe gjuha konkretisht. Përmes mësuesit të filozofisë Monsieur Jourdain mëson se ka folur prozë gjithë jetën e tij dhe nuk e ka ditur (!). Mund të qeshja sa herë që më binte ndër mend ky episod. Ideja e një mësuesi privat, në një kohë kur edhe pse nuk e kuptoja, e ndieja se privatja ishte diçka kundër rrymës, i jepte flatra fantazisë sime prej fëmije.

Mësuesi im privat ishte një burrë i moshuar, trupvogël, tepër energjik për moshën e tij dhe quhej Sotir Paparisto. Në orën e mësimit mbante gjithmonë një laps fare të vockël. Pas disa javësh unë i dhurova një nga lapsat e mi. Duke buzëqeshur ai më shpjegoi, se edhe këtë laps do ta priste në katër pjesë si të tjerët, sepse shpesh i harronte ata nëpër shtëpitë e nxënësve dhe ishte më mirë të mos e humbiste krejt lapsin, por një çerek të tij. Pastaj duke mbajtur në njërën dorë lapsin e shkurtër dhe në tjetrën atë të gjatin shtoi: “Voilà, un crayon court et un crayon long.” Paparisto vinte një herë në javë për mësim dhe im atë e përshëndeste me shumë respekt. Mësimi bëhej në dhomën e miqve, dhoma më e bukur e shtëpisë, kurse metoda e mësimit ishte pikërisht Mauger bleu.[3] Kush ka mësuar frëngjisht në Shqipëri para viteve 90, e njeh shumë mirë këtë libër me kapakë bojë qielli.Kjo metodë për mësimin e frëngjishtes si gjuhë e huaj, botuar në vitin 1953, ka shërbyer për një kohë të gjatë si e tillë dhe ka pasur një përhapje të gjerë kudo në botë. Në Shqipëri, Mauger bleu ka qenë thjesht metoda për mësimin e frëngjishtes, sikurse ka qenë Essential[4] thjesht metoda për mësimin e anglishtes, të dyja pa alternativë dhe pa konkurrencë, pothuajse deri në prag të ndryshimeve të mëdha të viteve 90.

Mësimi i një gjuhe të huaj në Shqipërinë e viteve 80 ishte shumë më tepër se kaq, ishte një dritësore e cila të ofronte një lidhje me pjesën tjetër të botës, kapërcimin e kufijve, paçka se realisht ata ishin të pakapërcyeshëm, mundësinë për të lëvizur në një realitet që kurrsesi nuk ishte më aq lehtë i kontrollueshëm. Ishte një përvojë e pakrahasueshme me atë të sotmen, sepse metodat, mjetet ndihmëse, mundësitë për një udhëtim në vendin ku flitet gjuha që mëson, sot janë më se të zakonshme dhe normale. Aq më e pakapshme bëhet përvoja e atëhershme tashmë në kapërcyellin e një revolucioni digjital si ai i shkaktuar nga inteligjenca artificiale, revolucion i cili sapo ka filluar dhe do të sjellë me siguri ndryshime të qenësishme edhe në mësimin e gjuhës së huaj dhe qasjes ndaj saj.

Mauger bleu titullohet: Cours de langue et de civilisation françaises, duke gjeneruar qysh në titull synimin për të ndërmjetësuar bashkë me gjuhën dhe përmes saj kulturën franceze dhe vlerat e kësaj kulture, duke përcjellë kësisoj diskursin tipik të viteve 50 të shekullit të kaluar lidhur me përhapjen dhe epërsinë e frëngjishtes. Deri në gjysmën e dytë të këtij shekullit dhe më tej, mësimi i gjuhës së huaj në Francë mbizotërohej nga metoda e gramatikës dhe përkthimit, ndërkohë që mësimi i frëngjishtes si gjuhë e huaj konsiderohej si një qasje e privilegjuar karshi civilisation française, term i cili nën ndikimin e antropologjisë anglosaksone përdorej pa një ndryshim në përmbajtje nga koncepti kulturë dhe me këtë të fundit kuptohej letërsia.[5] Në këtë këndvështrim, aspekte të diturisë për vendin (asaj që në gjermanisht quhet Landeskunde) i nënshtroheshin plotësisht letërsisë sipas motos: civilisation c’est la littérature.[6] Përparësia e gjuhës së shkruar dhe letërsisë është tepër e dukshme në mënyrën si është konceptuar Mauger bleu. Synimi është të mësohet gjuha e librave, e cila i referohet një kulture të lashtë, komunikimi dhe kontakti ndërkulturor janë të parëndësishëm.[7]

Ky koncept ishte shumë i përshtatshëm për realitetin shqiptar, duke pasur parasysh që mësimi i frëngjishtes apo i një gjuhe tjetër të huaj kurrqysh nuk synonte komunikimin. Të komunikoje me një francez apo anglez ishte njëlloj si të doje të komunikoje me një krijesë mbinjerëzore të një planeti tjetër. “Të huajt” e parë që kam parë unë në jetën time para viteve 90 kanë qenë shqiptarët e Kosovës dhe ata flisnin shqip (!).

Mësimet në Mauger bleu janë të organizuara në dy nivele. Niveli i parë përfshin mësimet bazë, që ndërmjetësojnë njohuri të përgjithshme për ngjyrat, pjesët e trupit, moshën, orën, muajt dhe stinët. Në pjesën vijuese të nivelit të parë bëhet prezantimi me famille Vincent, e cila banon në zonën franceze të Kanadasë, me Madame dhe Monsieur Vincent si dhe me fëmijët e tyre Pierre dhe Hélène. Monsieur Vincent është gazetar dhe do të punojë një vit si korrespondent i gazetës së tij në Paris. Mësimet e nivelit të dytë përfshijnë mbërritjen në Francë dhe konkretisht në Paris, takimin me famille Legrand, gjetjen e një apartamenti në Paris, përshkrimin e shitoreve dhe shërbimeve të jetës së përditshme, të jetës kulturore, deri te pushimet në fshat, mal apo në det. Rubrika “En France, documents” ofron një material të pasur me fotografi dhe me shënime informative përkatëse (90 % e këtyre fotografive paraqesin vetëm Parisin). Pas këngëve, poezive dhe tabelave përmbledhëse gramatikore, manuali përmbyllet me pasqyrën e lëndës, në të cilën njohuritë e ndërmjetësuara paraqiten të përmbledhura në mënyrë progresive.

Mësimet bazë për mua kaluan shpejt. Përputhja e vizatimit apo ilustrimit të të shenjuarit me shenjuesin ishte e njëjtë me praktikën që ndiqej në tekstin shkollor. Madje edhe koncepti i shumësit konkretizohej gjithashtu përmes kësaj praktike: “Voilà des femmes. Ce sont des femes.”[8] Mësimet vijuese ofrojnë një skemë të njëjtë: paraprin tabela gramatikore, në të cilën përmes shembullit synohet formulimi deduktiv i rregullave. Ajo pasohet nga teksti i konkretizuar me vizatime apo skena ilustruese, i cili paraqet një episod nga përjetimet e famille Vincent. Pastaj renditen shqiptimi, bashkëbisedimi i strukturuar në formë pyetjesh dhe së fundi ushtrimet.[9] Leksiku organizohet në mënyrë onomasiologjike, pra tek fjala shkohet përmes konceptit dhe kësisoj parashtrohet një realitet i përbërë nga vende, objekte dhe persona. Listat e gjata dhe të hollësishme të fjalëve duhen memorizuar dhe riprodhuar të sakta përmes ushtrimeve, duke ofruar kësisoj një konceptim enciklopedik të leksikut, të thjeshtëzuar në strukturë (në dëm të tekstit dhe komunikimit), pa lënë vend për interpretim, arsyetim apo përdorim relevant në struktura komunikative.

Megjithëse mësimi i listave të gjata me fjalë të reja ishte i mundimshëm, përjetimet e famille Vincent dalëngadalë filluan të bëhen shumë të dashura për mua. Ishin tekste të vogla, të stërngarkuara me një pasurim rigoroz dhe progresiv të leksikut, por që ofronin megjithatë një vijimësi në narracion duke pasur të njëjtat personazhe. Larmia e temave dhe fotografitë në fund (edhe pse të një cilësie që linte shumë për të dëshiruar) ofronin një realitet tjetër. Madje jo vetëm kaq, ato ofronin mundësinë për të lëvizur në këtë realitet. Për të udhëtuar me avion dhe me anije, për të lëvizur me taksi dhe metro nëpër Paris. “Po sikur të mos i lësh bakshish shoferit të taksisë ose kamerierit, çfarë ndodh?”, e pyeta njëherë mësuesin tim të frëngjishtes, pasi e ndesha në disa tekste këtë fjalë (pourboire). “Asgjë”, m’u përgjigj ai i qetë, “përveçse kamerieri ose shoferi i taksisë të shikojnë shtrembër.” Copëzat e teksteve ofronin bashkë me simbolet e Parisit (Arc de Triomphe, Tour Eiffel, Tuileries, Place de la Concorde, Champs-Élysées) mjedise të jetës kulturore (një koncert në kopshtin e Luksenburgut, një shfaqje në Opera), por dhe shitoret e jetës së përditshme, duke nisur nga ushqimorja (l’épicerie), bulmetorja (la crémerie) e kështu me radhë deri tek ëmbëltorja (la pâtisserie), ku Helenës i shkon goja lëng nga ëmbëlsirat. Më kujtohet që u habita jashtëzakonisht, kur mësuesi im i frëngjishtes më shpjegoi se dhe në frëngjisht përdoret e njëjta shprehje frazeologjike: “ils mettent l’eau à la bouche”.

Vite më vonë, kur pata mundësi ta vizitoj Parisin, e ndjeva përnjëherë që më dukej i afërt, i njohur dhe i dashur, paçka se e shikoja për herë të parë. Pa dyshim që Parisi është një qytet i mrekullueshëm dhe është gjëja më e natyrshme në botë ta pëlqesh dhe ta duash, por udhëtimi im i fëmijërisë së bashku me famille Vincent dhe me mësuesin tim të frëngjishtes, një udhëtim përmes fantazisë, më kishte krijuar një lidhje tepër të veçantë me këtë qytet, lidhje që do të përtërihej vazhdimisht, po përmes fantazisë, sa herë që më pas do të ndiqja historitë e personazheve të mi të dashur letrarë nëpër rrugët e tij.

Por, kush ishte mësuesi im i frëngjishtes? Pak kohë pasi ai filloi të më jepte frëngjisht, kisha mësuar nga im atë që Sotir Paparisto kishte studiuar në Institutin Zhan Zhak Ruso (Institut Jean-Jacques Rousseau) në Gjenevë, kishte qenë mësues për një kohë të gjatë në Shkollën Pedagogjike (im atë kishte qenë nxënës i tij) dhe kishte përkthyer një libër të Rusoit[10] në shqip. Nga të gjitha informacionet për të, fakti që mësuesi im i frëngjishtes kishte studiuar jashtë më kishte lënë mbresë më shumë. Pikërisht te ndajfolja “jashtë” ndieja të pulsonte nervi i gjithë informacionit.

Në parashtrimin historik të mësimit të gjuhëve të huaja në Gjermani, Herbert Krist (Herbert Christ) nënvizon një lloj konflikti luajaliteti me të cilin përballet mësuesi i gjuhës së huaj, midis vendit ku jep mësim dhe vendit, gjuhën e të cilit ai ndërmjetëson.[11] Si shembull ai merr intervistën e një mësuesi frëngjishteje[12] që e ka ushtruar këtë profesion në sisteme të ndryshme politike përgjatë një shekulli (përfshirë këtu kohën e Republikës së Vajmarit, nazizmin dhe Gjermaninë e ndarë të pasluftës me dy sistemet e ndryshme politike). Krahasimi ndërmjet mësuesve të anglishtes në Berlinin Lindor dhe atyre të rusishtes në Berlinin Perëndimor, vë në dukje konotacionin politik që bart mbi vete ky profesion. Në kushtet e një Shqipërie totalisht të izoluar, ky konotacion politik i lidhjes me Perëndimin e anatemuar bëhej akoma më i koklavitur në rastin kur ndërmjetësi i gjuhës së huaj (konkretisht Paparisto) kishte studiuar në botën e ndaluar, pra “jashtë”. Ndërkohë, për atë që e mësonte këtë gjuhë të huaj, një fakt i tillë i shtresëzohej në mënyrë të pandashme vetë procesit të mësimit, duke nxitur kureshtjen dhe fantazinë për ndërmjetësin e gjuhës së huaj si përfaqësues i një kulture dhe realiteti të paarritshëm.

Hulumtimi më i thjeshtë në internet për Sotir Papariston të bën me dije se të dhënat për të ngatërrohen shumë shpesh me ato të Sotir Paphristos (1887-1979)[13], një personaliteti tjetër në fushën e pedagogjisë dhe përkthimit.[14] Rubrika kushtuar Sotir Paparistos në Arkivën Digjitale Shqiptare[15] nuk ofron as vitin e vdekjes dhe përmban për fat të keq shumë të dhëna që në fakt lidhen me biografinë dhe aktivitetin e Sotir Paphristos. Të dhëna të pakta tabelare ofron albumi historiko-pedagogjik i Genc Trandafilit.[16] Një informacion të shkurtër lidhur me shkrimet e Sotir Paparistos, por mbi të gjitha përfshirjen e tij në plejadën e intelektualëve “të integruar natyrshëm në mjedisin shkencor pedagogjik të viteve 1930-1940” dhe me kontribut  konkret në mendimin pedagogjik dhe në zhvillimin e arsimit shqiptar ofron artikulli i Tomorr Plangaricës[17] botuar në faqet e kësaj reviste. Studiuesi në fjalë e konsideron Papariston me të drejtë si pjesë të një “komuniteti intelektual”, diskursi i të cilit u ndërpre dhunshëm për arsye ideologjike.

Për të saktësuar së paku disa të dhëna biografike bazë për shkrimin tim, nisa të kërkoj në rrjetet sociale një fill që të më lidhte me pasardhësit e Sotir Paparistos dhe përpjekjet qenë të frytshme.[18] Isha duke bërë një përmbledhje të të dhënave që mora nga biseda me djalin e Paparistos Emilin dhe bashkëshorten e tij, poeten Merita Paparisto, të cilët jetojnë në Kanada, kur, ashtu si dikur famille Vincent, përsëri nga Kanadaja, tek unë erdhi një fletore. Një fletore titulluar “Rrëfimet e mia”, një kronikë personale dhe pedagogjike e mbajtur nga vetë Paparisto. Shënimet në fletore datojnë më 07.12.1998 (katër vjet para se ai të ndahej nga jeta në vitin 2002). Fletorja përmbledh 37 faqe të ndara në rubrika: Prejardhja, Fëminia/Rinia, Nëpunës (Nëpunësia e parë), Student (Jashtë Shtetit), Inspektor arsimi në Korçë dhe pastaj në Tiranë, Drejtor i Shkollës Ushtrimore në Elbasan, Nëpunësitë në arsim, Mësues i pedagogjisë-psikologjisë (Elbasan-Tiranë-Berat-Elbasan), Fati i fëmijëve, Shkrimet dhe botimet, Dalja në pension. Pikërisht në rubrikën e fundit Paparisto përshkruan dhe aktivitetin e tij si mësues i frëngjishtes.

Mbasi dola në pension (në gusht 1968), nuk ndenja fare pa punë, por, për t’i shpëtuar një plogështie fizike e mendore dhe për të bërë diçka të dobishme për vendin tim, fillova të jap frëngjisht në mënyrë private dhe individuale. Nuk formova grupe, mbasi në grupe gjuha e huaj nuk ka shumë rezultat, prandaj u shkoja nxënësve në shtëpi. Më kujtohet se nxënësi i parë që kam pasur ka qenë Sokol Qirbaka, në ciklin e lartë të shkollës tetëvjeçare. Pastaj kam pasur nxënës nga shkolla tetëvjeçare, nga të mesmet, studentë në shkollat e larta, nëpunës me arsim të lartë të profesioneve të ndryshme si arsimtarë, mjekë, inxhinierë, agronomë, etj., gjithsej rreth 500 e ca vetë të moshave të ndryshme.

Në më të shumtën e rasteve kam punuar me metodën e autorit Mozhé (Mauger), e cila më është dukur shumë sistematike, graduale dhe me shumë ushtrime të përshtatshme për ngulitjen e zbatimin e rregullave gramatikore dhe sintaktike, me gjithë që për ushtrime të foluri ka deri diku pak vend. Pastaj kam përdorur metoda për nxënësit e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme, hartuar nga mësues të frëngjishtes (shqiptarë), të cilat më janë dukur të mira. Metoda më e re, ajo Bon rut (Bonne route), më është dukur jo shumë sistematike e graduale dhe pak e vështirë për nxënësit, veç ka një të mirë që fillon e zhvillohet nëpërmjet bisedash, duke iu kushtuar nxënësit më shumë se ajo e Mozhésë në të folurit.

Këtë punë e vijoj edhe sot, por më pak, dhe shpresoj ta vijoj deri sa të ma lejojnë forcat e mundësitë.

Më vjen mirë kur takoj ish-nxënës të mi të frëngjishtes të profesioneve të ndryshme dhe i pyes se a u ka ndihmuar gjuha frënge në kryerjen dhe perfeksionimin e profesioneve të tyre. Kënaqem kur më thonë se kanë përfituar shumë në punën e tyre duke lexuar libra dhe revista rreth profesionit të tyre.

Disa radhë të shkruara fare thjesht, por me shumë informacion, që përshkruajnë një aktivitet 30 vjeçar të një intelektuali të përkushtuar ndaj mësimdhënies, një intelektuali rezilient i cili zotëronte jo vetëm një kulturë të gjerë pedagogjike, por edhe qytetare, duke mos hequr dorë për asnjë moment nga përgjegjësia për të qenë i dobishëm për vendin e tij. Qasja serioze pedagogjike për një mësim individual të gjuhës së huaj, numri i madh i nxënësve të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme, vlerësimi kritik lidhur me metodat e mësimdhënies, dëshmojnë një përvojë shumë të vyer praktike. Dhe së fundi përmasa humane e një njeriu fisnik, për të cilin mësimdhënia nuk është thjesht profesion, por mision. Kisha pasur fatin që në fëmijëri “të udhëtoja” për pak kohë me një intelektual të tillë. Rubrika e fundit e fletores së Paparistos duhej të ishte në fakt përmbyllja logjike e këtij shkrimi, i cili synonte një parashtrim të thukët të metodës së frëngjishtes dhe ndërmjetësit të saj në Shqipërinë e viteve 80, në një kohë kur mësimi i një gjuhe të huaj ishte shumë më tepër se kaq. Por fletorja me një rrugëtim të çuditshëm nga Shqipëria në Kanada, pastaj nga Kanadaja në Gjermani, më detyronte moralisht për ta kthyer kronikën e saj në Shqipëri, aty ku ajo duhej të zinte vend për të kuptuar në gjerësi zhvillimin e arsimit përgjatë një shekulli dhe në këtë kuadër edhe një aspekt të veçantë brenda tij, mësimin e një gjuhe të huaj. Kronika pedagogjike e Paparistos të jep mundësinë të udhëtosh në shekullin e kaluar dhe ky udhëtim do t’i paraqitet lexuesit në pjesën e dytë të këtij punimi.

© 2026 Jonida Xhyra Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Tupja, E. & Gjonaj, V. & Reka, Sh. & Çenko, K. (1984) Le français en 5e. Ribotim i dytë. Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, f. 6.

[2] Molier (2014) Borgjezi fisnik. Redona, Tiranë.

[3] Mauger, Gaston (1953) Cours de langue et de civilisation françaises I (1er et 2e degrés). Hachette, Paris.

[4] Eckersley, C. E. (1963) Essential English for Foreign Students Book 1. Longmans NaN, London.

[5] Thimme, Christian (1996) Geschichte in Lehrwerken Deutsch als Fremdsprache und Französisch als Fremdsprache für Erwachsene. Ein deutsch-französischer Lehrbuchvergleich (Vëllimi 6: Perspektiven Deutsch als Fremdsprache, botuar nga Gert Henrici & Uwe Koreik). Schneider Verlag, Hohengehren, f. 4-9.

[6] Citat nga Victor Hugo (1802-1885), marrë nga Cuq, J. P. (1991) Le français langue seconde. Origines d’une notion et implications didactiques. Paris, f. 104.

[7] Kthesa ndjehet dukshëm vetëm pas njëzet vjetësh me qasjen e formuluar qartë nga Reboullet, i cili thekson domosdoshmërinë e njohurive për shoqërinë dhe kulturën në mësimin e gjuhës së huaj. Shih më gjerë: Reboullet, André (1973) L’enseignement de la civilisation française. (Symposium sur l’enseignement de la civilisation française au niveau universitaire, Santiago-du-Chili, 16-29 juillet 1970). Paris.

[8] Tupja, E. & Gjonaj, V. & Reka, Sh. & Çenko, K. f. 9.

[9] Shpesh me germa të vogla në fund të faqes jepen shënime leksikore ose morfologjike plotësuese.

[10] Russo, Zh. Zh. (1966) Emili ose mbi edukatën. Biblioteka enciklopedike, Tiranë.

[11] Christ, Herbert (202) Geschichte des Fremdsprachenunterrichts im deutschsprachigen Raum, von den Anfängen bis 1995. Giessen, f. 72.

[12] Hartig, Paul (1981) Lebenserinnerungen eines Neuphilologen, aufgenommen in Berlin am 14. November 1980, von Werner Hüllen und Konrad Schröder interviewt und transkribiert. Augsburger I-&-I-Schriften, Band 16.

[13] Dragoj, Nuri (2015) Historia e arsimit në Përmet (1912-1944). West Print, Tiranë, f. 172: veprimtaria si drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme Arsimore (1925) i atribuohet Sotir Paparistos; Kola, Bedri (2012) Arsimi në Tiranë (1912-1939). Uegen, Tiranë, f. 207: teksti mësimor Qeverimi i fëmijëve në shkollë (1928) gjithashtu i atribuohet Sotir Paparistos. Në të dyja rastet bëhet fjalë për aktivitete të Sotir Papahristos.

[14] Shih për këtë: Gogaj, Iljaz (2001) Punëtorë të shquar të shkollës shqiptare. Eurorilindja, Tiranë, f. 60-76.

[15] https://adsh.al/s/adsh/item/14119#lg=1&slide=0 (vjelja e fundit më 26.05.2026, 12:16)

[16] Trandafili, Genc (2009) Shkolla Normale e Elbasanit në 100 vjetorin e themelimit. Album historiko-pedagogjik: 1909-2009. Reklama, Elbasan. Në faqen 98 ribotohet artikulli i Sotir Paparistos me bashkautor Abdyl Kajanakun: Puna që ka ba Normalja e Elbasanit për ndjekjen e zhvillimit të metodave mësimore 1909-1959. Ky artikull është botuar për herë të parë në: Numri përkujtimor “Normalisti” me rastin e 50-vjetorit të hapjes së Shkollës Normale (1909-1959). Elbasan, f. 47-49.

[17] https://peizazhe.com/2019/11/15/shurdhimi-i-nje-komuniteti-diskursiv/ (vjelja e fundit më 26.05.2026, 12:43)

[18] Diku në një cep të kujtesës kisha një informacion që djali i Paparistos quhej Emil (si Emili i Rusoit). Në këtë drejtim rrjetet sociale ofrojnë shumë lehtësira dhe me ndihmë nga Elbasani (gjej rastin të falënderoj mikeshat e mia Xhuljeta Kadilli Daja dhe Dhurata Valera për ndihmën e vyer) unë gjeta një lidhje me Emil Papariston dhe bashkëshorten e tij. Gjatë kohës që isha duke përmbledhur të dhënat e marra, më vjen një mesazh nga Merita Paparisto, e cila më shkruante, se në dokumentet që kishin marrë me vete nga Shqipëria në Kanada, duke kërkuar për diçka tjetër, kishte gjetur një fletore të Sotir Paparistos me titullin “Rrëfimet e mia”. “Unë nuk besoj në rastësitë”, përfundonte mesazhi, duke aluduar për faktin pse kjo fletore u gjet pikërisht tani.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading