Në biografinë që ia shkroi Marilyn Monroe-s, Norman Mailer i dha një kuptim të ri fjalës factoid (në shqip faktoid), duke shënjuar me të një “fakt” që ekziston vetëm në realitetin e përcjellë nga mediat. Faktoidi nuk është i gënjeshtërt – por vetëm rrëfim që ka filluar të këqyret si i vërtetë (si real, si fakt) thjesht ngaqë është përsëritur kaq shpesh nga mediat, sa e ka fituar statusin e vërtetësisë pa u provuar në mënyrë të pavarur. Faktoidi është një fakt që ekziston vetëm në diskursin që e përcjell.
Ndryshe nga gënjeshtrat, faktoidët janë thjesht rrëfime të paverifikuara, të cilët nuk validohen nga realiteti, por nga shkalla me të cilën përhapen dhe nga aftësia për të shtrembëruar perceptimin e realitetit (Andrey Mir). Një shembull klasik do të ishte “Vaksinat shkaktojnë autizëm”, një faktoid që nuk ka gjetur mbështetje nga shkenca, por që tani ka fituar qytetarinë në folklorin e dijes kolektive dhe mbështet jo vetëm pretendimet e konspiracistëve novax por edhe hezitimin e shumë prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre. Aq sa çdo instancë autizmi e diagnostikuar rishtas ka filluar të gjykohet – prej shumëve – si “provë” se vaksinat vërtet shkaktojnë autizëm.
Në mediat shqip të pas-1990-ës mori përhapje të madhe faktoidi i “Katovicës” (lexoni Katovica sans peine) sipas së cilës ndryshimet politike që ndodhën në Shqipëri gjatë viteve 1990 e më pas ishin të planifikuara gati në detaje që në fund të viteve 1980, në bazë të një letre që iu dërgua Ramiz Alisë nga Gorbaçovi – në atë kohë sekretar i përgjithshëm i PK të BRSS – në përfundim të një takimi sekret të krerëve të vendeve të Lindjes, në Katovicë të Polonisë. Në 2013-ën, i pata bërë edhe unë një analizë gjuhësore të ashtuquajturit fjalim sekret të mbajtur nga Ramiz Alia, në prag të ndryshimeve epokale të fillimviteve 1990, dhe “provokësh” ekzistencën e takimit të Katovicës (Dysh në drejtshkrim).
Por edhe përgënjeshtrimet e drejtpërdrejta që i janë bërë “Katovicës” nga historianët profesionistë nuk e kanë prekur statusin e këtij faktoidi brenda disa segmenteve të publikut, sidomos të atyre që organizohen rreth flamurit “antikomunist”. Duket sikur ky rrëfim, sado i pambështetur që është, nuk mund të preket nga kritikat dhe faktet që i sillen kundër; dhe vazhdon të mbahet si “i vërtetë” dhe “domethënës” për shumë prej nesh. (Do t’ju lutesha që ta trajtonit sa më lart si shembull subjektiv, jo si ftesë për ta rihapur diskutimin.)
Pse të ndodhë kështu? Një shpjegim është se historia e tranzicionit në Shqipërinë e 1990-ës ende nuk është analizuar mirë; dhe rrëfimi i Katovicës e ka thjeshtësinë e nevojshme për t’u besuar, sepse arrin të shpjegojë gjëra që përndryshe duan shumë mund që të kuptohen – mes të cilave edhe trashëgimi i pushtetit politik dhe ekonomik nga familjarët dhe pasardhësit e pushtetarëve të Shqipërisë totalitare. Sa kohë që Katovica funksionon si vegël shpjeguese, vërtetësia e saj historike nuk ngre dhe aq peshë, ose merret si e mirëqenë. Përkundrazi, ngre peshë çdo përmendje e këtij rrëfimi dhe çdo rimarrje e tij nga një media në tjetrën, përfshi edhe rrjetet sociale. Kush e ndesh në një tekst a në një status Facebook-u, e mban mend që e ka parë edhe gjetiu, teksa burimi origjinal i rrëfimit nuk mund të identifikohet më dhe rrëfimi vetë shoqërohet me një hyrje të tipit “siç dihet tashmë…”.
Edhe pse nuk është detyrimisht i gënjeshtërt a i gabuar, faktoidi fiton autoritet jo ngaqë mbështetet nga dija, por ngaqë përsëritet, çka i jep përparësi në rrjetet sociale, duke e bërë të preferuar për algoritmin.
Protesta e këtyre ditëve amplifikoi ose edhe thjesht shpluhurosi disa faktoidë, duke i huazuar nga konspiracistët dhe tabloidët – si ajo që prapa projektit në Zvërnec qëndronte Izraeli; që në Sazan do të ndërtohej një vendbanim sekret për hebrenjtë; që hebrenjtë do ta përdornin Shqipërinë si qendër për të projektuar fuqinë e tyre në Europë. Këto legjenda mund të kenë gjetur truall të përshtatshëm edhe ngaqë autoriteti i cili duhej t’i kish përgënjeshtruar – qeveria shqiptare – e ka humbur autoritetin përballë protestuesve dhe jo vetëm.
Nëse nesër ndodh diçka tjetër, që lidhet njëfarësoj me temën e faktoidëve “hebraikë”, mendja kolektive do ta ketë të lehtë që ta integrojë në narrativën, tashmë të kristalizuar, për “zaptimin e tokës shqiptare nga Izraeli”, e cila – jo dhe aq çuditërisht – replikon narrativën tjetër, të mirënjohur, për zaptimin e Palestinës nga shteti izraelit dhe trojeve palestineze nga kolonët hebrenj; paçka se kjo e dyta e ka një bazë reale të verifikuar.
Në rastin shqiptar kemi kështu të bëjmë me një fakt të shndërruar në faktoid, nëpërmjet importimit. Avantazhi i këtij importimi ka të bëjë jo vetëm me mirëmbajtjen e një narrative me të mirë dhe të ligj, heronj dhe viktima, që rimerr atë që po ndodh sot në Gaza; por edhe me atë që palët e interesuara e gjejnë të gatshëm ligjërimin dhe retorikën e nevojshme.
Shembuj të tillë tregojnë se, brenda rrjeteve dhe mediave sociale, faktoidët fillojnë të përsëriten dhe të fitojnë autoritet para se të verifikohen; meqë përsëritja është shumë më e lehtë dhe më pak e kushtueshme se verifikimi.
Fuqia e faktoidit shtrihet edhe mbi ngjarje të raportuara që, në vetvete, janë fakte të mirëfillta – si heqja e flamurit izraelit nga përfaqësia diplomatike e atij vendi në Tiranë. Që pa e rivendikuar kush e pa sjellë kush ndonjë të dhënë se kush e bëri këtë dhe pse, menjëherë u krijua përshtypja se kjo ngjarje qenkësh pjesë e protestës së tanishme; paçka se pyetja e parë që duhej të bënin mediat ishte se si ndodhi që ishte lënë pa roje të përforcuar një ambasadë kaq delikate, sa ajo e Izraelit, në një kohë trazirash sado paqësore dy hapa më tutje. Të tjera zëra menjëherë treguan me gisht krahun pro-islamik të protestës (nëse ky ekziston), si për të konfirmuar synimin e tyre “të vërtetë”. Në atë masë që heqja e flamurit izraelit ishte gjest simbolik, faktoidët menjëherë morën përsipër shpjegimin e saj të çastit.
Pse janë kaq të suksesshëm faktoidët? Kryesisht, për meritë të strukturës së tyre narrative të përsosur dhe ngashëryese, e cila i jep konfliktit një skenë teatri ku të artikulohet dhe të “kuptohet” më mirë nga publiku. Çdo situatë e re, ende e panjohur ose e pashpjeguar, vjen me një zgavër të cilën mund ta mbushë menjëherë një narrativë mitike – autizmi te një fëmijë mund të ketë shkaqe komplekse, disa prej të cilave të pandriçuara; por shpjegimi i kësaj katastrofe me një ngjarje paraprijëse të shmangshme, si vaksina, e projekton arsyen e viktimës (prindit) drejt një faktori (fajtori?) të jashtëm të identifikueshëm. Suksesi politik dhe financiar i pinjollëve të ish-kastës komuniste përballohet më lehtë, po të besohet rrëfimi magjik i Katovicës, i cili e shpjegon atë sukses nëpërmjet një super-komploti.
Nuk e përjashtoj që ka njerëz, sot në Shqipëri, të cilët duan ta integrojnë protestën e tanishme në një lëvizje globale, e cila e merr energjinë gati mistike nga konflikti në Palestinë dhe krimet që ka sjellë ai konflikt me vete. Kjo është pjesë e vetë interseksionalitetit të cilin në fakt e synojnë disa nga grupet që marrin pjesë në protestë. Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi, për CNN, se “i vetmi armik i Shqipërisë është Irani”; duke e lënë rrugën të hapur për të gjithë ata që duan të shohin, pas disa segmenteve të protestës dhe sidomos disa algoritmeve që nxitin përhapjen e faktoidëve në mediat sociale, dorën e shërbimeve sekrete dhe hakeruesve iranianë; por pa shpjeguar, megjithatë, pse Irani, sadoqë i përfshirë në një luftë ekzistenciale, për jetë a vdekje me dy fuqi atomike, si SHBA dhe Izraeli, gjen ende energjinë dhe motivimin për të kultivuar armiqësinë me një vend aq të vogël dhe aq të largët si Shqipëria!
Mes një kaosi informacional, ku faktet përzihen me faktoidë dhe faktoidët me hipoteza interpretimi, pa e ruajtur kufijtë mes këtyre ndonjë farë qartësie konceptuale të nevojshme, mbase është më e udhës të gjykojmë se krejt përpjekja për ta ri-kornizuar protestën e tanishme në Tiranë si epifenomen të këtij apo atij konflikti global mbetet faktoide në vetvete. Temat e mbrojtjes së mjedisit, të detyrimit për ta mbajtur publikun të informuar, të llojit të investimeve dhe të zhvillimit që i duhet Shqipërisë dhe të abuzimit me pronën e patundshme mund ta kenë vërtet një përmasë globale, por kjo nuk ua pakëson as ua zhvlerëson ngulitjen dhe natyrën lokale. Globalizimi, në atë masë që është i pranishëm në motivet e protestës, depërton më shumë falë tundimit replikues në hapësirën digjitale të rrjeteve dhe të mediave sociale; dhe arsyes tjetër jo më pak relevante, që mediat botërore i dhanë hapësirë protestës në Tiranë edhe ngaqë ajo zinte vend mirë në narrativën e përgjithshme kundër Trump-it dhe politikave të tij.
Përndryshe, faktoidët – të vjetër dhe të rinj – kanë sukses se pse i përgjigjen më mirë nevojës sonë elementare për kuptim, koherencë dhe identitet perceptiv: falë tejdukshmërisë narrative që i bëjnë të duken gjenuinë. Duke pasur parasysh konkurrencën për vëmendje në hapësirën e sotme digjital-mediatike, veçanërisht në rrjetet sociale, mënyra ndoshta e vetme për t’u mbrojtur nga korrupsioni kognitiv prej faktoidëve është të mësohemi që t’i identifikojmë. Siç edhe po e konfirmon polenizimi i kryqëzuar – ose kontaminimi, nëse duam – i mediave sociale dhe ligjërimit të deritashëm të protestës në Tiranë. Madje kërkesa për më shumë semaforë në trafikun digjital të rrjeteve u duhet integruar kërkesave të tjera të rëndësishme të protestuesve.
(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.