Revolucioni i Flamingove dhe fundi i një modeli komunikimi
Një nga momentet më domethënëse të Revolucionit të Flamingove deri më tani ishte thirrja: “Bojkotoni mediat!” Veçanërisht kur e artikuloi gazetarja e kronikës Klodiana Lala, e cila prej më shumë se njëzet vjetësh raporton ngjarjet më të vështira në vend dhe gëzon një besueshmëri të rrallë në publik. Më vonë ajo sqaroi se donte t’u jepte kurajë protestuesve të mos kishin frikë nga pasojat e fjalës së lirë apo nga humbja e vendit të punës.
Por ajo që më bëri përshtypje nuk ishte vetë fjalia e saj, por reagimi i turmës. Mijëra të rinj e përsëritën menjëherë në kor kërkesën për bojkotimin e medias. Në atë çast u bë e qartë se përplasja nuk ishte më vetëm mes protestuesve dhe qeverisë. Kishte filluar të lëkundej autoriteti i atyre që deri dje vendosnin se çfarë meritonte vëmendje publike.
Për dekada me radhë shoqëria e vëzhgonte vetveten përmes medias. Protestat, zgjedhjet, skandalet apo katastrofat bëheshin pjesë e realitetit publik sepse kalonin përmes saj. Sot kjo përgjigje nuk mjafton më. Revolucioni i Flamingove po tregon se media nuk e ka më monopolin e vëzhgimit. Ai u organizua, u dokumentua dhe u interpretua njëkohësisht nga mijëra telefona, kamera dhe profile në rrjetet sociale.
Ky ndryshim i mënyrës së informimit nuk është një fenomen shqiptar. Ai po transformon me ritme dhe forma të ndryshme komunikimin publik në të gjitha shoqëritë demokratike. Një nga ata që e vuri re shumë më përpara epokës së rrjeteve sociale ishte sociologu gjerman Niklas Luhmann[†]. Luhmann nuk e shihte median si “pushtetin e katërt”, por si mekanizmin përmes të cilit shoqëria vëzhgon vetveten. Jo sepse media zotëron të vërtetën, por sepse sipas logjikës së brendshme të sistemit (mediatik), ajo vendos çdo ditë se çfarë do të bëhet e dukshme dhe çfarë do të mbetet jashtë vëmendjes publike.
Prandaj, përplasja mes protestuesve dhe medias është lexuar gabim. Thirrjet për bojkotim nuk ishin thjesht revoltë kundër mediave të korruptuara apo të kapura nga politika, edhe pse ky mbetet një problem real i medias shqiptare. Gen-Z nuk braktisi informacionin, por ndërmjetësin tradicional të informacionit. Dhe kjo ishte shenja se një model i tërë komunikimi po humbet autoritetin e vet.
Shumica e analizave të këtyre ditëve e kanë interpretuar këtë përplasje si krizë besimi ndaj medias. Kjo është padyshim pjesë e problemit. Por mendoj se po ndodh diçka edhe më e thellë: nuk kemi të bëjmë vetëm me humbjen e besimit te media tradicionale, por me fundin e monopolit që ajo kishte mbi organizimin e vëmendjes publike.
Nëse deri dje ishin kryesisht redaksitë që vendosnin se çfarë bëhej lajm dhe çfarë meritonte vëmendje, sot ky autoritet është shpërndarë. Protestat organizohen në rrjetet sociale, videot qarkullojnë nga telefoni në telefon, sloganet dhe memet lindin jashtë redaksive. Madje nuk janë më as gazetarët aktorët e vetëm që përcaktojnë drejtimin e vëmendjes publike. Në këtë sistem të ri, këtë rol gjithnjë e më shumë e luajnë algoritmet, të cilat nuk pyesin nëse një informacion është më i vërtetë apo më i rëndësishëm. Atyre u mjafton vëmendja jonë; klikimet, komentet dhe shpërndarjet.
Me fjalët e Luhmann, do të thoshim se shoqëria nuk e vëzhgon më vetveten nga një qendër e vetme (media). Për pasojë, edhe vetë vëzhgimi është bërë i fragmentuar. Në këtë sistem të ri nuk ka më një vëzhgues. Ka vetëm vëzhgues që vëzhgojnë njëri-tjetrin.
Media vëzhgon protestën.
Protestuesit vëzhgojnë median.
TikTok-u i vëzhgon të dyja.
Politika vëzhgon reagimin e publikut.
Publiku vëzhgon politikën.
Askush nuk e sheh më të gjithë pamjen; secili sheh vetëm atë që i del përpara.
Por fakti që askush nuk e ka më monopolin mbi ndërmjetësimin e realitetit publik nuk prodhon automatikisht një komunikim më të lirë apo më racional. Përkundrazi. Në ditën e dytë të protestës e provova edhe vetë. Një video që shoqërohej me pyetjen “Protestë apo kaos?” u raportua masivisht si kundër protestës dhe llogaria ime në Instagram u mbyll përkohësisht.
Nuk ka rëndësi nëse reagimi ishte i drejtë apo i gabuar, me interes është se çfarë na tregon rasti. Në sistemin e ri të komunikimit nuk dënohen vetëm përgjigjet; shpesh dënohen edhe pyetjet. Algoritmi dhe turma ndajnë të njëjtën dobësi: të dy e tolerojnë gjithnjë e më pak paqartësinë. Të dy reagojnë më shumë ndaj interpretimit dominues të momentit sesa ndaj qëllimit të autorit.
Edhe publiku ka ndryshuar. Ai e dallon propagandën më shpejt se më parë. Kjo është një arritje. Por skepticizmi nuk prodhon automatikisht mendim kritik. Ai mund të prodhojë edhe një formë të re dogmatizmi. Në rrjetet sociale edhe një pyetje mund të lexohet si tradhti.
Prandaj slogani “Bojkotoni mediat!”duhet marrë seriozisht. Jo sepse ofron një zgjidhje, por sepse sinjalizon fundin e një modeli komunikimi. Me shumë gjasë, epoka kur media tradicionale ishte ndërmjetësi kryesor i realitetit publik ka përfunduar. Sfida tani është një tjetër: si krijohet një realitet i përbashkët kur askush nuk e ka më monopolin e vëmendjes publike?
Ndoshta ky është një nga mësimet më të rëndësishme që na ka dhënë deri tani protesta. Jo pse na detyroi të pyesim nëse media ka humbur besimin e publikut, por sepse na kujtoi se problemi nuk është më vetëm media. Por kush e vëzhgon sot shoqërinë.Dhe, mbi të gjitha, kush e vëzhgon vetë vëzhguesin?
(c) 2026 Jonila Godole. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[†] Në mënyrë të veçantë autorja i referohet veprës „Realiteti i masmediave“ (Die Realität der Massemedien, 3. Auflage, VS Verlag für Sozialwissenschaften, 2004)
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.