Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

KUSH E VËZHGON SOT SHOQËRINË?

Revolucioni i Flamingove dhe fundi i një modeli komunikimi

Një nga momentet më domethënëse të Revolucionit të Flamingove deri më tani ishte thirrja: “Bojkotoni mediat!” Veçanërisht kur e artikuloi gazetarja e kronikës Klodiana Lala, e cila prej më shumë se njëzet vjetësh raporton ngjarjet më të vështira në vend dhe gëzon një besueshmëri të rrallë në publik. Më vonë ajo sqaroi se donte t’u jepte kurajë protestuesve të mos kishin frikë nga pasojat e fjalës së lirë apo nga humbja e vendit të punës.

Por ajo që më bëri përshtypje nuk ishte vetë fjalia e saj, por reagimi i turmës. Mijëra të rinj e përsëritën menjëherë në kor kërkesën për bojkotimin e medias. Në atë çast u bë e qartë se përplasja nuk ishte më vetëm mes protestuesve dhe qeverisë. Kishte filluar të lëkundej autoriteti i atyre që deri dje vendosnin se çfarë meritonte vëmendje publike.

Për dekada me radhë shoqëria e vëzhgonte vetveten përmes medias. Protestat, zgjedhjet, skandalet apo katastrofat bëheshin pjesë e realitetit publik sepse kalonin përmes saj. Sot kjo përgjigje nuk mjafton më. Revolucioni i Flamingove po tregon se media nuk e ka më monopolin e vëzhgimit. Ai u organizua, u dokumentua dhe u interpretua njëkohësisht nga mijëra telefona, kamera dhe profile në rrjetet sociale.

Ky ndryshim i mënyrës së informimit nuk është një fenomen shqiptar. Ai po transformon me ritme dhe forma të ndryshme komunikimin publik në të gjitha shoqëritë demokratike. Një nga ata që e vuri re shumë më përpara epokës së rrjeteve sociale ishte sociologu gjerman Niklas Luhmann[†]. Luhmann nuk e shihte median si “pushtetin e katërt”, por si mekanizmin përmes të cilit shoqëria vëzhgon vetveten. Jo sepse media zotëron të vërtetën, por sepse sipas logjikës së brendshme të sistemit (mediatik), ajo vendos çdo ditë se çfarë do të bëhet e dukshme dhe çfarë do të mbetet jashtë vëmendjes publike.

Prandaj, përplasja mes protestuesve dhe medias është lexuar gabim. Thirrjet për bojkotim nuk ishin thjesht revoltë kundër mediave të korruptuara apo të kapura nga politika, edhe pse ky mbetet një problem real i medias shqiptare. Gen-Z nuk braktisi informacionin, por ndërmjetësin tradicional të informacionit. Dhe kjo ishte shenja se një model i tërë komunikimi po humbet autoritetin e vet.

Shumica e analizave të këtyre ditëve e kanë interpretuar këtë përplasje si krizë besimi ndaj medias. Kjo është padyshim pjesë e problemit. Por mendoj se po ndodh diçka edhe më e thellë: nuk kemi të bëjmë vetëm me humbjen e besimit te media tradicionale, por me fundin e monopolit që ajo kishte mbi organizimin e vëmendjes publike.

Nëse deri dje ishin kryesisht redaksitë që vendosnin se çfarë bëhej lajm dhe çfarë meritonte  vëmendje, sot ky autoritet është shpërndarë. Protestat organizohen në rrjetet sociale, videot qarkullojnë nga telefoni në telefon, sloganet dhe memet lindin jashtë redaksive. Madje nuk janë më as gazetarët aktorët e vetëm që përcaktojnë drejtimin e vëmendjes publike. Në këtë sistem të ri, këtë rol gjithnjë e më shumë e luajnë algoritmet, të cilat nuk pyesin nëse një informacion është më i vërtetë apo më i rëndësishëm. Atyre u mjafton vëmendja jonë; klikimet, komentet dhe shpërndarjet.

Me fjalët e Luhmann, do të thoshim se shoqëria nuk e vëzhgon më vetveten nga një qendër e vetme (media). Për pasojë, edhe vetë vëzhgimi është bërë i fragmentuar. Në këtë sistem të ri nuk ka më një vëzhgues. Ka vetëm vëzhgues që vëzhgojnë njëri-tjetrin.

Media vëzhgon protestën.

Protestuesit vëzhgojnë median.

TikTok-u i vëzhgon të dyja.

Politika vëzhgon reagimin e publikut.

Publiku vëzhgon politikën.

Askush nuk e sheh më të gjithë pamjen; secili sheh vetëm atë që i del përpara.

Por fakti që askush nuk e ka më monopolin mbi ndërmjetësimin e realitetit publik nuk prodhon automatikisht një komunikim më të lirë apo më racional. Përkundrazi. Në ditën e dytë të protestës e provova edhe vetë. Një video që shoqërohej me pyetjen “Protestë apo kaos?” u raportua masivisht si kundër protestës dhe llogaria ime në Instagram u mbyll përkohësisht.

Nuk ka rëndësi nëse reagimi ishte i drejtë apo i gabuar, me interes është se çfarë na tregon rasti. Në sistemin e ri të komunikimit nuk dënohen vetëm përgjigjet; shpesh dënohen edhe pyetjet. Algoritmi dhe turma ndajnë të njëjtën dobësi: të dy e tolerojnë gjithnjë e më pak paqartësinë. Të dy reagojnë më shumë ndaj interpretimit dominues të momentit sesa ndaj qëllimit të autorit.

Edhe publiku ka ndryshuar. Ai e dallon propagandën më shpejt se më parë. Kjo është një arritje. Por skepticizmi nuk prodhon automatikisht mendim kritik. Ai mund të prodhojë edhe një formë të re dogmatizmi. Në rrjetet sociale edhe një pyetje mund të lexohet si tradhti.

Prandaj slogani “Bojkotoni mediat!”duhet marrë seriozisht. Jo sepse ofron një zgjidhje, por sepse sinjalizon fundin e një modeli komunikimi. Me shumë gjasë, epoka kur media tradicionale ishte ndërmjetësi kryesor i realitetit publik ka përfunduar. Sfida tani është një tjetër: si krijohet një realitet i përbashkët kur askush nuk e ka më monopolin e vëmendjes publike?

Ndoshta ky është një nga mësimet më të rëndësishme që na ka dhënë deri tani protesta. Jo pse na detyroi të pyesim nëse media ka humbur besimin e publikut, por sepse na kujtoi se problemi nuk është më vetëm media. Por kush e vëzhgon sot shoqërinë.Dhe, mbi të gjitha, kush e vëzhgon vetë vëzhguesin?

(c) 2026 Jonila Godole. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[†] Në mënyrë të veçantë autorja i referohet veprës „Realiteti i masmediave“ (Die Realität der Massemedien, 3. Auflage, VS Verlag für Sozialwissenschaften, 2004)


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

1 Koment

  1. Këtë temë e ceku edhe A. Vehbiu te ai programi ADN – në një media tradicionale e nuk i shpëtoi pa e vënë re ironinë e një kritike të tillë nga TVSH-ja.

    Më interesante është të diskutohet sesi ky çvlerësim i medias tradicionale ndikon në mobilizimin politik. Kjo tej çështjes së rrezikut të “propagandës armike”, që ndoshta me të drejtë kryeministri, pa dhënë ende asnjë provë, ka hedhur si tezë. Nëse organizimi dhe mobilizimi janë kryer nën ndikimin e aktorëve të huaj, sidomos sa i përket sulmit që konkretisht shënjestron familjen Trump, duhet vërtetuar, por teza synon të argumentojë ndonjë ri-bllokim të TikTok-ut, si një vit më parë e nuk ja vlen të shqyrtohet.

    Që media tradicionale e ka humbur rolin e saj në mobilizimin politik nuk është e re dhe ka të bëjë me demokratizimin e mekanizmave dhe teknologjisë së mobilizimit politik. Metodat e mobilizimit dhe fushatave politike nëpërmjet rrjeteve sociale janë kryer fillimisht nga aktorë politikë, parti, deputetë, konsulentë të marketingut politik e të tjerë profesionistë – të cilët përdorinin njëkohësisht edhe median tradicionale. Në fushatën e kaluar u hodhën me qindra mijëra euro në fushata digjitale (Facebook) të ortakëve të partive socialiste dhe demokratike (Birn). Në shoqërinë civile kanë qenë kryesisht fushata emigrantësh për të mbledhur fonde për shërbime sociale (vdekje, lindje, sëmundje) dhe ato të mjedisit, relativisht të suksesshme. Protestat studentore në 2018 dhe ato kundër prishjes së teatrit mobilizonin gjithashtu kryesisht online. Kjo e flamingos është sërish online e thuajse në të njëjtat platforma, siç mund të evidentohet te Peizazhet.

    Një tjetër faktor është spirala/loop-i media-audiencë që zbeh dallimin ndërmjet tyre. Media përcakton audiencën, e audienca konsumin, konsumi median, etj. Audienca e medias tradicionale ndryshoi, paçka targetimit e (për)ndjekjes online, çka në fakt e përshpejtoi këtë spiralë e njëkohësisht distancim, edhe për shkak të brezave (Gen Z – revolution).

    Mobilizimi online kërkon angazhim në të njëjtën platformë, atë online, që është më afër gojës, veshëve dhe interesave të popullit digjital. Mobilizimi shoqërohet nga informacioni dhe korniza (framing) e çështjeve. Ky mobilizim tanimë nuk bëhet vetëm nga profesionistë të pajtuar nga partitë politike, por edhe nga profesionistë të lirë.

    Në fakt, ky revolucion është pikërisht ai i profesionistëve të lirë, të pangecur në strukturat partiake. Këta zotërojnë besueshmërinë, çinteresimin politik, integritetin profesional, paanshmërinë dhe esëllinë intelektuale për të vëzhguar qartë se çfarë po ngjet rreth tyre.

    Unë ndjek LinkedIn-in dhe është përdorur gjerësisht nga profesionistët, sidomos të marketingut online (me qindra profesione që kanë të bëjnë me promovimin e produkteve) për të mobilizuar.

    P.sh. një profesioniste si Flogerta L., me podkaste e qindra shkrime online, me një gjuhë tej asaj gazetariske, letrare, e më afër asaj të marketingut: actionable

    “Pra ti po më thua, që në Kashar, në gati 1.8 hektarë tokë do na u ndërtoka Data Center për AI-në?
    Mu pranë burimeve hidrike të kryeqytetit, kur ne akoma nuk kemi ujë të pijshëm 24 orë.
    Leja, my witchlings, u është dhënë brenda 60 ditëve në shkurt të këtij viti.
    E gjen dot se kush do të ndërtojë aty?
    (E hoqa se kush sepse më bën ban LinkedIn-i)
    Dhe i madhi Edvin Rama po i jep majtas-djathtas këto leje si pa të keq, si të jetë pronar???
    Jeni në vete? Po kjo nuk durohet më. Pse nuk dilni në shesh të gjithë? A e kuptoni se ç’po bëhet?
    Po heshtni për një rrogë e punë në administratë kur nuk kemi ujë të pijshëm? Kur nuk kemi mjekësi, kushte dhe ushqime?

    SOT EDHE MË SHUMË!

    Tek sheshi, në orën 7.

    #FlamingoRevolution”

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading