Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

THE WORST GENERATION

Semantika e aktit të protestës së ditëve të sotshme në Tiranë dhe më tej na paraqet një zhvendosje konceptuale, meqë nuk kemi të bëjmë më me marshime të organizuara hierarkikisht, lista kërkesash për t’u firmosur apo përplasje frontale me policinë si forma përfaqësuese të revoltës. Në vend të kësaj, simboli i protestave të gjeneratës Z kudo nëpër botë këto vitet e fundit ka qenë Jolly Roger i krijimit më të shitur ndonjëherë të shounen manga, One Piece [6], një ikonë e cila, ashtu si protestat e sotme, vepron më tepër përmes referencës kulturore dhe ironisë sesa përmes një programi politik të qartë.

Shfaqja më e hershme e këtij simboli duket të ketë qenë në protestat në Indonezi në vitin 2023. Pas kësaj është pasuar nga shfaqje të shumta në protestat e vendeve si në vijim: Nepal, Madagaskar, Filipine, Francë, SH.B.A., Marok, Meksikë, Peru, Paraguaj, Bolivi, Timori Lindor, Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, Sllovaki, Bullgari, Hungari dhe së fundmi në Shqipëri. Çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto protesta në pamje të parë është karakteri i tyre anti-establishment dhe revolta kundër korrupsionit. Krijimet letrare dhe jo vetëm, gjithmonë kanë arritur të frymëzojnë refuzim të elitave udhëheqëse përgjatë historisë, në këtë kuptim edhe One Piece i përket kësaj qasjeje nëpërmjet personazhit kryesor, Monkey D. Luffy i cili përgjatë kësaj vepre epike ndihmon popuj të ndryshëm të mposhtin qeverinë shtypëse dhe elitat e kalbura. Pas kësaj përmbledhjeje të shkurtër çdokush arrin të kuptojë pse kjo vepër ka arritur të frymëzojë gjithë protestat anti-establishment të renditura më sipër, por apeli i One Piece depërton më thellë se kaq. Në vazhdën e kuptimësisë për ndryshimet midis gjeneratave në mënyrën e të protestuarit, autori i kësaj vepre Eiichiro Oda na ndihmon shumë thjeshtë me pranëvënien që u bën tre personazheve në veprën e tij, përkatësisht: personazhi kryesor Luffy, i ati i tij Dragon dhe gjyshi i tij Garp. Nëpërmjet këtyre tre personazheve, Oda arrin të parashtrojë zhvendosjen e konceptit të protestës përgjatë gjeneratave. Në botën e One Piece, gjyshi i Luffy-t, Garp, u përket forcave ushtarake të marinës, pra instrumentit represiv me anë të së cilit qeveria ushtron në instancë të fundit pushtetin e vet. Garp përfaqëson ndryshimin brenda sistemit; ai përballet gjithë kohën me shpërfaqje të monstruoze të pushtetit, i cili arrin deri në ushtrimin e sistemit skllavopronar, por përsëri beson se n.q.s. qëndron brenda sistemit do të arrijë ta ndryshojë atë. Djali i tij Dragon, ashtu si Garp ka dëshmuar në vetë të parë padrejtësitë e pushtetit dhe ka marrë vendimin të themelojë “Ushtrinë Revolucionare”, një organizim që lufton drejtpërdrejtë me pushtetin duke ndihmuar popujt të organizohen dhe të mposhtin shtypësit e tyre. Gjenerata e fundit, të cilën në botën e One Piece pushteti përpiqet ta damkosë me etiketimin si “Worst Generation”  përfaqësohet nga Luffy. Luffy niset në aventurën e tij për të eksploruar botën duke mishëruar kësisoj romantizmin. Luffy e kërkon lirinë me një egoizëm vetëmohues që refuzon të kontrollohet, shkatërron kafazet e të tjerëve dhe buzëqesh në rebelim kundër çdo rregulli apo pushteti që do t’ia marrë atë liri.

Liria e Luffy-t është liria që kërkon të ketë gjenerata Z, një gjeneratë gjithashtu e damkosur me një mori etiketimesh ku disa syresh variojnë që nga gjenerata më e degjeneruar, gjenerata më brainrot, gjenerata më woke, gjeneratë naive e performative, e cila vendos estetikën mbi substancën. Në veprën e tij Oda arrin të përcjellë pikërisht këto ndasi ndërmjet gjeneratave në lidhje me luftën e këtyre të fundit kundrejt pushtetit. Ndryshimet në botëkuptimet e gjeneratave nuk lindën me Z-n, ato kanë ekzistuar gjithmonë, por çfarë e bën këtë gjeneratë të veçantë është mungesa totale e ekzistencës së lidhjes së saj me sistemin orkestrues të realitetit. Garp luftonte brenda sistemit, Dragon luftonte përballë sistemit, ndërsa Luffy nuk duket të ketë asnjë lidhje me sistemin. Ashtu si Luffy, gjenerata Z i përket shoqërisë por nuk i përket sistemit në kuptimin tradicional të tij. Sistemi e ka përjashtuar gjeneratën Z që në krye të herës, dhe gjenerata Z e ka përjashtuar mbrapsht atë. Për shumicën radikale, ky lloj konfigurimi në dukje apatik është problematik, pasi sipas tyre gjenerata Z duhet të marrë pjesë më shumë në organizimin e partive politike. Veçse kushtet e ashpra materiale të cilat qëndrojnë në qendër të realitetit të sotshëm krijojnë pamundësinë për këtë gjeneratë që edhe të konsiderojë jetën aktive politike. Gjenerata Z është gjenerata e punëve të paqëndrueshme, e mungesës së strehimit të përballueshëm dhe e borxheve studentore, faktorë këto që e përjashtojnë nga mundësia anëtarësimit në sindikata apo angazhimit afatgjatë politik. Kur nuk ke siguri të ardhurash, nuk mund të marrësh pjesë në greva të zgjatura e kur ndërron qytet çdo gjashtë muaj nuk mund të ndërtosh një parti lokale. Kësisoj, protesta horizontale, e përhershme dhe e lehtë për t’u shpërndarë nëpërmjet meme-ve dhe referencave prej anime-ve është jo thjesht një preferencë, por një përshtatje e detyruar ndaj jetës akute që sistemi na ka lënë. Thënë kjo, ndoshta radikaliteti i vërtetë sot ndodh kur një i ri lexon/sheh One Piece, dhe më pak radikal është organizimi prej një partie politike.

Pse pikërisht anime dhe manga, meme-t dhe flamuri i piratëve janë bërë gjuha e protestës në kuptimin e gjuhës si kushti njerëzor që përpiqet të përshkruajë dhe kuptojë realitetin. Gjuha në vetvete është një narrativë të cilën njerëzimi e ka ndërtuar e rindërtuar herë pas here përgjatë historisë për të kompensuar faktin se nuk mundet të aksesojë realitetin e papërpunuar përtej saj. Gjendur përballë një sistemi politik i cili ka dështuar të mbrojë narrativën e tij; historinë bindëse me anë të së cilës premton shpërblim të nesërmen për sakrificën e sotme, gjenerata Z thur narrativën e saj prej stofit të gjuhës së përditshme, asaj të artit e kulturës popullore, asaj që Deleuze dhe Guattari [3] e quajnë “letërsia e vogël”. Gjuha e gjeneratës Z përcillet kësisoj nëpërmjet serialeve anime, filmave, posterave, pra këtij arti postmodern i cili synon të na iluminojë mbi të tashmen duke ofruar vizione kritike të së ardhmes. Trendi i këtyre filmave dhe serialeve është një fenomen që reflekton fuqimisht kushtet që u krijuan në një kohë kur interneti u përhap masivisht, duke hyrë në përdorim publik dhe komercial, në një kohë kur realiteti virtual filloi të dukej si një mundësi reale, në një kohë kur trupi njerëzor po i nënshtrohej gjithnjë e më shumë modifikimeve teknologjike, në një kohë kur postmoderniteti kulturor mori hov dhe sigurisht në një kontekst ku fuqia e korporatave shumëkombëshe çoi në uljen e rëndësisë së kufijve kombëtarë. Kultura e internetit reflekton të gjitha këto ndryshime të situatës shoqërore bashkëkohore duke u kthyer kështu në gjuhën e protestës sonë. Por zhvendosja konceptuale e protestës së gjeneratës Z nuk përfundon tek gjuha e saj.

Këto protesta mund të kuptohen më mirë jo thjesht si një ndryshim taktik, por si një zhvendosje semantike e vetë aktit të protestës. Kjo zhvendosje mund të investigohet përmes tre nocioneve të aktit të protestës si në vijim:

Protesta si nocion

Në shekullin e 20-të nocioni i protestës konsistonte në arritjen e ndërmjetësimit midis pakënaqësisë popullore dhe zgjidhjes së përfaqësimit të tyre. Të protestuarit do të thoshte të artikuloje mangësitë dhe të drejtoje kërkesat përkatëse drejt një autoriteti qendror i cili varionte që nga shteti, partia e deri te sindikata. Kuptimi i asilloj proteste ishte teleologjik: ajo ekzistonte për të arritur diku dhe mbërritja në fjalë mund të ishte revolucion, reformë ose shtet të mirëqenies. Nocioni asokohe mbartte brenda vetes një “hartëzim njohës”, pra protestuesi e dinte se ku qëndronte në historinë gjithëpërfshirëse të luftës së klasave. Ndërkohë në shekullin e 21-të, nocioni ndryshon katërcipërisht. Badiou dhe Žižek [8] argumentojnë se protesta nuk është më një ndërmjetësim, por një acte gratuit (vepër falas) pasiqë të protestosh sot do të thotë të thuash “Jo” pa pasur domosdoshmërisht një “Po”. Nocioni tanimë merr formën e një ndërprerjeje “si me thikë” e cila nuk kërkon të dialogojë më me sistemin, por kërkon ta shkatërrojë atë simbolikisht. Protesta nuk ka një pikëmbërritje politike porse ajo është vetë të shprehurit të një jete të patolerueshme, kësisoj nocioni i “kërkesës” zëvendësohet nga nocioni i “manifestimit të pakënaqësisë totale”.

Protesta si Produkt

Cili është “objekti” që prodhonte protesta e shekullit të 20-të? Ajo prodhonte institucione të reja si sindikata të fuqishme, parti dhe shtete të reja, ose monumente ligjore si ligje të punës, dhe shtet të mirëqenies. Produkti i protestës së atëhershme ishte i qëndrueshëm, i ngurtë; ai ishte i kapshëm nga historiografia edhe kur dështonte sepse arrinte të linte pas një trashëgimi të dukshme si komunat apo këshillat. Ndërkaq protesta e shekullit të 21-të prodhon diçka rrënjësisht më të brishtë dhe më të vështirë për t’u kategorizuar si më parë. Produkti i saj nuk është një institucion, por një gjendje shpirtërore, ajo që në gjermanisht quhet Zeitgeist (shpirti i kohës), si p.sh. fryma e “Ne jemi 99%-ëshi”, ose ajo që Dean [2] e quan “mbetja e pastër e refuzimit”. Në aspektin e drejtpërdrejtë material, produkti shpesh është humbja e dukshme si masa e shpërndarë ose asambleja që nuk arrin në një apo disa vendime. Por produkti i këtyre protestave nuk duhet kërkuar në projektime materialiste pasiqë produkti i tyre gjendet në ndryshimin e fjalorit të mundësive duke prodhuar “trupa pa organe” [3] e mënyra të reja të marrëdhënieve shoqërore të cilat nuk prodhojnë domosdoshmërisht struktura të qëndrueshme por, siç do të thoshte Virno [7],  një intelekt kolektiv të lirë para se kapitali ta përvetësojë atë.

Protesta si Operator

Protesta si operator ka qenë vertikale dhe e centralizuar sepse aplikimi i produktit të saj përfshinte agjitacion nga një avangardë (partia), mobilizim të masave përmes sindikatave, marshim ose grevë si një trup i unifikuar, dhe së fundmi negocim me shtetin. Me këtë nocion të protestës në mendje kemi të bëjmë pra me një proces me karakter instrumental duke patur mjetet (protesta) të ndara nga qëllimet (revolucioni). Ndërkohë sot procesi është horizontal dhe i përhershëm duke përfshirë lidhje të shpejta përmes mediave sociale, asamble të hapura pa një udhëheqje formale, vendimmarrje me konsensus që zgjat orë të tëra, dhe krijim të menjëhershëm të hapësirave alternative. Ky lloj procesi është parafigurativ: pra mjetet janë qëllimet. Nuk kemi të bëjmë më me “të mëvonshmen” në kuptimin e shoqërisë së re e cila pret të ndërtohet pas marrjes së pushtetit porse kemi të bëjmë me të tanishmen; shoqëria e re provohet, praktikohet dhe gabohet tani, brenda guaskës së të vjetrës. Kësisoj koha lineare zëvendësohet nga koha ciklike e përsëritjes së kësaj asambleje.

Ky transformim semantik i protestës, pra nga nocioni teleologjik në acte gratuit, nga procesi vertikal te ai horizontal, nga produkti institucional te ai i gjendjes shpirtërore, nuk është thjesht çështje teknike; ai ka një shkak strukturor më të thellë: zhdukjen e vetë objektit të protestës klasike. Në shekullin e 20-të, protesta drejtohej ndaj një kontratë sociale të qartë, ajo kërkonte riparimin, zgjerimin ose përmbysjen e saj. Sot, para se të shohim se si protestohet, duhet të pyesim: a ekziston në krye të herës një kontratë sociale për të cilën mund të protestohet? Akoma dhe më larg se shekulli i 20-të, po t’i referohemi mesjetës, në ciklin e leksioneve të eventit “Festival della Mente” në Itali të mbajtur në vitin 2019, profesor Alessandro Barbero [10] tregon mbi historinë e tre revoltave ku hasim përsëri si mollë sherri kontratën sociale. Secila prej revoltave nis kur mbreti ose lordët e asaj periudhe nisën mosrespektimin e kushteve mbi të cilat supozohej të funksiononte shoqëria. Edhe asokohe kontrata sociale ishte e qartë dhe e ndërsjellë, “unë të jap mbrojtje dhe tokë, ti më jep besnikëri dhe taksa”. Kur mbreti e thyente anën e tij të dakordësisë, nëpërmjet taksave të tepruara ose dështimit për ta mbrojtur popullin, ky i fundit e shquante shkeljen dhe ngrihej në revoltë. Përkundra asaj kohe a mund të flasim sot për ekzistencë të një kontrate sociale? Sot, kontrata sociale e shekullit të 20-të e karakterizuar nga shteti i mirëqenies me punë të përhershme në këmbim të pensionit, rritje ekonomike, strehim të përballueshëm, etj., është shkatërruar për gjeneratën Z, dhe nuk është zëvendësuar nga një e re.

Gjenerata Z frymon dhe vepron “në të zezë”, në mungesën e një kontrate sociale, në një vakum ku pritshmëritë tona për punë të dinjitetshme, strehim, klimë të qëndrueshme nuk përputhen aspak me atë që na ofron sistemi. Për më tepër përshtypja e krijuar është ajo që ky sistem ekonomiko-politik ekziston jashtë kësaj gjenerate, meqë deri në ekonominë e modelit fordist, puna e kapitalit njerëzor ishte nafta për motorin e tregut të lirë, ndërkaq sot me në qendër kapitalin cloud [11], fitimi nuk korret më prej mbivlerës por prej vjeljes së qirasë dixhitale (rent-seeking) [11]: algoritmet e gjigantëve të platformave e nxjerrin fitimin e tyre duke ndërmjetësuar çdo transaksion dhe duke akumuluar çdo lëvizje tonën. Kësisoj paraja e krijuar nga bankat qendrore nuk investohet më në fabrika apo paga, por pompohet në tregjet financiare, duke fryrë rrjedhimisht çmimet e shtëpive dhe aksioneve. Fataliteti që përftohet prej kësaj suaze ka si protagonist gjeneratën Z e cila megjithë rritjen ekonomike është më e varfër se prindërit e saj, meqë nuk jemi më punëtorë që prodhojmë, por data center-a mbi dy këmbë. Kjo marrëdhënie me sistemin i përngjan filmave të zhanrit cyberpunk ku sistemi jeton dhe forcohet thjesht prej ekzistencës sonë, pavarësisht ndërveprimit me të ose jo; overlord-ët teknokratë nuk kanë nevojë për punën tonë, por thjesht që ne të gjallojmë. Tragjedia e gjeneratës Z luhet pikërisht në skenat e kinematografisë cyberpunk, ku kombinimi i gjithë këtyre tematikave: teknologjia e realitetit virtual, kapitalizmi kibernetik i përshpejtuar, dhe margjinalizimi i shtresave shoqërore, bënë që Fredric Jameson [5] ta cilësonte cyberpunk si pasqyrën letrare në mos të postmodernizmit, të vetë kapitalizmit teknokratik. Shumë nga fenomenet që cyberpunk ka parashikuar po realizohen. Të varfrit po varfërohen dhe të pasurit po pasurohen duke krijuar një hendek ekonomik gjithnjë e më të madh. Pikërisht kjo maskaradë pesimiste është konteksti i pyetjes së Fisher-it [4]: “Is there no alternative” – a nuk ka alternativë tjetër?

Gjenerata Z i përgjigjet kësaj pyetjeje duke trupëzuar Ockham-in me filozofinë e tij: pluralitas non est ponenda sine necessitate, pra “mos i bëj gjërat më të ndërlikuara nga ç’duhet të jenë”. Ontologjia e gjeneratës Z përballë strategjisë së mbi-komplikuar të shekullit të kaluar ravijëzohet nëpërmjet personazhit të Luffy-t. Ai nuk proteston kundër dikujt apo diçkaje, ai proteston kundër çdokujt që kërkon t’i heqë atij lirinë. Nëpërmjet kësaj qasjeje Luffy mund të kuptohet si heroi absurdist i Camus [1]. Në veprën e tij “Miti i Sizifit” [1], Camus rreshtonte disa hero të absurdit, ku ndër ta është aventurieri. Çfarë e karakterizon aventurierin? Ai nuk udhëton për të pushtuar apo për të akumuluar pasuri, ai udhëton sepse vetë të eksploruarit, të përballurit me të panjohurën, është kuptimi. Aventurieri është i vetëdijshëm për mungesën një kuptimi transhendental të botës sonë, por ai nuk zhytet në nihilizëm. Përkundrazi, ai e përqafon diversitetin e ekzistencës njerëzore si qëllim në vetvete. Luffy është ky aventurier, meqë ai kërkon të jetë i lirë të shkojë kudo, të ndihmojë këdo që do të thyejë kafazet e veta, pa iu nënshtruar asnjë autoriteti. Kësisoj edhe gjenerata Z, e lëvruar në epokën e absurdizmit, kundërshton pa një plan alternativ për shoqërinë, sepse të kundërshtosh nën absurd do të thotë të refuzosh të pranosh absurditetin e sistemit si të pashmangshëm. Lufta nuk kryhet më për një të ardhme më të mirë, sepse e ardhmja është zhveshur nga lineariteti i saj dhe për pasojë gjenerata Z lufton sepse të mos luftosh është tanimë e patolerueshme.

Ndërkaq edhe ky refuzim, kjo “jo” pa një “po” vjen me melodinë e vet. Kur Luffy çliron një popull, veprimi i tij shoqërohet me kolonën zanore të quajtur “Drums of Liberation”, pra daullet e çlirimit. Autori nuk është shprehur pse ka zgjedhur specifikisht instrumentin e daulleve, por nëse mendojmë për daullet si instrument muzikor i bazuar në melodinë e krijuar prej perkusionit, kujtojmë se perkusioni ka qenë tingulli i parë që mund të kenë prodhuar njerëzit para se të arrinin të shpiknin instrumente primitive muzikore, pse perkusioni mund të prodhohet edhe thjesht nëpërmjet përplasjes së pjesëve të trupit. Përzgjedhja e instrumentit të perkusionit mund të jetë e qëllimshme për të risjellë në vëmendje se muzika ka qenë aty me ne since the dawn of time, që në krye të herës, dhe muzika në thelbin e vet është çliruese nëpërmjet karakterit përbashkues të masave. Në të njëjtën mënyrë, në një kohë kur me rritjen e dimensioneve përmes mediave sociale e lidhjes së vazhdueshme virtuale dhe ku kuptimi tradicional i largësisë dhe afërsisë humbet, kënga “Rama jepe dorëheqjen” e protestës në Shqipëri arrin të bashkojë çdo shqiptar dhe jo vetëm. Gjenerata Z këndon dhe valëvit Jolly Roger-in jo sepse besojmë në fitore, porse kemi ndaluar së besuari plotësisht në lojë. Sistemi na ofron zgjedhje midis dy të këqijave, por ne zgjedhim një opsion të tretë: kafkën me kapele kashte, buzëqeshjen, dhe refuzimin për të luajtur.

(c) 2026 Klejda Rrapaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues i realizuar me AI bazohet në serialin manga One Piece.

Bibliografia


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading