Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

BESA NË THEMEL TË SHTETIT SHQIPTAR

Kritikë dhe një tentativë projekti

Për shekuj me radhë, një popull që jetonte mbi një nga trojet më të përgjakura të Evropës e qeverisi veten pothuajse pa ligje të shkruara. Pa kode. Pa kontrata. Pa arkiva. Ligji thuhej me gojë dhe mbahej në kujtesë. Gjaqet pajtoheshin. Borxhet nderoheshin. I huaji mbrohej. Marrëveshjet respektoheshin. Dhe pas gjithë kësaj qëndronte një forcë e vetme: Besa.

Në shekullin e XX, po ai popull u gjend nën një regjim që e ktheu dyshimin në virtyt dhe denoncimin në mënyrë jetese. Fqinjë që spiunonin fqinjët. Miq që spiunonin miqtë. Fëmijë që spiunonin prindërit. Jo me fjalën e gojës, ballë për ballë, por me letrën anonime. Jo me besim, por me frikë. Një komb që dikur mbahej bashkë nga fjala e gojës u gjunjëzua nga fjala e shkruar.

Çfarë ndodhi me Besën?

Kjo nuk është thjesht një pyetje për të kaluarën. Është një pyetje për të ardhmen e Shqipërisë. Sepse nëse Besa ishte dikur themeli moral mbi të cilin shqiptarët ndërtuan jetën e tyre shoqërore, atëherë lindin dy pyetje që nuk mund t’i shmangim: pse u shemb ai themel? Dhe, më e rëndësishmja, a mund të ndërtohet përsëri?

Pikënisja e drejtpërdrejtë për këtë shkrim janë tri esetë e Fatos Koplikut, të botuara në revistën online “Peizazhe të Fjalës”, ku autori rikthen në qendër të debatit një ide të vjetër të Sami Frashërit: se themeli më i natyrshëm për shtetin shqiptar nuk është as feja, as gjaku, por Besa.

Në pamje të parë duket thjesht romantike, e bukur për t’u thënë, e pamundur për t’u zbatuar. Por është një ide që, sa më gjatë shqyrtohet, aq më e vështirë bëhet të hidhet poshtë. Po sikur problemi i vërtetë i shtetit shqiptar të mos jetë mungesa e ligjeve, por mungesa e besimit?

Për lexuesin që dëshiron të ndjekë argumentin e Koplikut në formën e tij origjinale, po jap këtu tri shkrimet përkatëse:

  • https://peizazhe.com/2025/12/02/shqiperia-cdo-te-behet-besa-dhe-shteti/
  • https://peizazhe.com/2026/04/03/shqiperia-cdo-te-behet/
  • https://peizazhe.com/2026/05/28/shqiperia-cdo-te-behet-besa-si-logos-pjesa-iii/

Ky shkrim që vijon nuk është një përmbledhje e tyre. Nuk është as një mbrojtje e tezës së Koplikut. Është një përpjekje për ta marrë seriozisht. Së pari do të shqyrtoj se ku argumenti i tij më duket bindës dhe ku ngec. Pastaj do të përpiqem të bëj atë që, sipas mendimit tim, mungon në esetë e tij: të shqyrtoj se si Besa mund të kalojë nga statusi i një kujtimi historik dhe ideali moral në një realitet politik e institucional, në Shqipërinë e sotme. Sepse, në fund, ajo që ka rëndësi nuk është nëse Besa ka ekzistuar. Por nëse ajo mund të ekzistojë përsëri.

Kopliku dhe argumenti i tij

Për lexuesin që dëshiron ta ndjekë argumentin në formën e tij të plotë, esetë e Fatos Koplikut vlejnë të lexohen drejtpërdrejt. Këtu do të merrem shkurtimisht vetëm me thelbin e tezës së tij.

Argumenti i Koplikut është i thjeshtë dhe, në pamje të parë, bindës: nëse Shqipëria do të gjejë ndonjëherë një themel moral mbi të cilin mund të ndërtojë një shtet të qëndrueshëm, ai themel duhet të jetë Besa.

Arsyeja është e qartë. Pothuajse çdo komb fqinj në Ballkan u bashkua rreth një shtylle të vetme identitare, zakonisht një feje mbizotëruese. Greqia u ndërtua rreth Ortodoksisë. Po ashtu Serbia. Në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, feja shërbeu si ura që lidhte shtetin me kombin.

Shqipëria nuk e pati kurrë këtë luks. Shqiptarët ishin myslimanë dhe të krishterë. Katolikë dhe ortodoksë. Bektashinj dhe sunitë. Të ndarë mes krahinash, dialektesh dhe traditash. Çdo përpjekje për ta ngritur kombin mbi njërën fe do ta kishte përçarë më tej vendin para se ta bashkonte. Prandaj Samiu kërkoi diçka tjetër. Jo një fe të përbashkët, por një virtyt të përbashkët. Jo një dogmë, por një traditë. Jo një kishë apo një xhami, por Besën. Kjo është pjesa më e fortë e argumentit të Koplikut.

Besa është një nga institucionet e pakta morale që historikisht ka mbijetuar përtej ndarjeve fetare shqiptare. Ajo nuk i përket asnjë altari. Një katolik i Malësisë dhe një mysliman i Labërisë mund të mos ndajnë të njëjtat rite, por të dy e kuptojnë peshën e fjalës së dhënë. Si bazë për një etikë të përbashkët politike, është e vështirë të gjendet një kandidat më i mirë.

Deri këtu, Kopliku ka të drejtë. Problemi nis kur përpiqet të vërtetojë tezën e tij. Në vend që të argumentojë drejtpërdrejt pse Besa duhet të jetë themeli i shtetit modern, ai e mbështet një pjesë të madhe të çështjes mbi histori të lashtë, metafizikë dhe teori tradicionale të autoritetit. Faqe të tëra u kushtohen mbretërive të shenjta, riteve, miteve dhe origjinës së shtetit. Janë diskutime interesante. Madje shpesh janë edhe të bukura. Por ato nuk e zgjidhin problemin. Fakti që shtetet e para u ngritën mbi mite nuk na tregon si duhet të ndërtohet Shqipëria e shekullit XXI. Historia mund të na tregojë çfarë kanë bërë njerëzit. Nuk mund të na tregojë çfarë duhet të bëjmë ne. Për më tepër, Kopliku mbështetet pothuajse tërësisht mbi një traditë të vetme mendimi, shkollën tradicionaliste, dhe shpesh i paraqet përfundimet e saj sikur të ishin konsensus i historisë, antropologjisë dhe filozofisë politike. Në të vërtetë, nuk janë.

Edhe interpretimi i tij metafizik i Besës mbetet i pambështetur. Ai e përshkruan Besën si një jehonë të Logos-it hyjnor, si një pasqyrim tokësor të Fjalës krijuese. Por ky argument vërteton më shumë sesa duhet. Nëse vlen për Besën, vlen po aq mirë për drejtësinë, ndershmërinë, trimërinë apo çdo virtyt tjetër. Nuk na tregon pse pikërisht Besa duhet të zërë vendin qendror. Madje edhe termi logos që zgjedh për ta përshkruar më duket i gabuar. Farefisi i vërtetë klasik i Besës nuk është logos-i. Është pistis dhe fides. Besimi. Mirëbesimi. Fjala e mbajtur. Logos-i lidhet me arsyen, llogarinë, interesin dhe rendin racional të botës. Besa, përkundrazi, e tregon madhështinë e saj pikërisht kur bie ndesh me këto cilësi. Njeriu e mban Besën kur i kushton ta mbajë. Kur arsyeja e ftohtë i thotë se do të fitonte më shumë duke e thyer. Ta vendosësh Besën nën Logos-in është, në njëfarë kuptimi, ta matësh nderin me peshoren e interesit.

Por të gjitha këto janë mangësi periferike. Edhe sikur të pranonim çdo premisë të Koplikut, një pyetje vendimtare do të mbetej pa përgjigje: si bëhet Besa ligj? Si bëhet institucion? Si detyrohet një qeveritar i fuqishëm ta mbajë fjalën kur mbajtja e saj shkon kundër interesit të tij? Çfarë ndodh kur një ministër, një gjyqtar apo një polic e thyen Besën?

Kopliku na tregon malin ku duhet të ngjitemi. Nuk na tregon shtegun. Dhe pikërisht aty çalon mushka. Aty dua të filloj edhe unë.

Çfarë ishte në të vërtetë Besa?

Por ç’kuptim ka të flasësh për ringjalljen e Besës, nëse nuk e dimë se çfarë ishte? Kjo pyetje është më e vështirë nga sa duket. Sepse sa herë përmendet Besa, diskutimi zakonisht humbet në mjegullën e etimologjive, të rrënjëve indoevropiane dhe të krahasimeve me fides e pistis. Le t’ua lëmë këtë punë filologëve për momentin. Është një ushtrim interesant, por nuk na mëson asgjë që ka vërtet rëndësi. Mund të kesh një fjalë për Besën pa pasur Besë. Ashtu siç mund të kesh një fjalë për drejtësinë pa qenë i drejtë. Të dish nga vjen fjala “martesë” nuk të shpjegon çfarë është martesa; ashtu edhe prejardhja e fjalës Besë nuk hedh dritë mbi institucionin që ajo përfaqëson.

Pyetja e rëndësishme është tjetër: si mundi një shoqëri e tërë të qeverisej për shekuj me radhë mbi bazën e Besës?

Këtu fillon historia. Përpara se feja t’u jepte shqiptarëve identitete të ndryshme, dhe shumë kohë pasi ua kishte dhënë, shqiptarët jetonin nën një ligj zakonor: Kanunin. Dhe Kanuni kishte një veçori që sot na duket pothuajse e pabesueshme. Ai nuk ishte i shkruar. Jo sepse shqiptarët nuk dinin të shkruanin. Jo sepse nuk kishin dëgjuar për ligjet e shkruara. Por sepse nuk kishte nevojë. Kanuni mbështetej mbi Besën. Për aq kohë sa njerëzit kishin Besën, nuk kishte arsye që ligji të hidhej në letër. Fjala e folur mjaftonte. Ajo ishte kontrata. Ajo ishte dëshmia. Ajo ishte ligji. “Ku flet burri, zë vend guri.” “Burri lidhet nga fjala, kau nga brirët.” Këto nuk ishin figura letrare. Ishte mënyra si funksiononte bota shqiptare. Kujtesa popullore e ruan ende jehonën e saj: “Besa e shqiptarit si purteka e arit.” “Shqiptari kur jep fjalën, ther djalën.” Këto nuk janë thjesht proverba. Janë mbetje të një rendi moral ku fjala vlente më shumë se vula, dokumenti dhe nënshkrimi. Madje fama e Besës u përhap aq larg sa popujt fqinjë huazuan fjalën shqiptare për ta emërtuar idenë.

Por çfarë ishte në të vërtetë Besa?

Në thelb, diçka tronditëse në thjeshtësinë e saj: detyrimi për të mos gënjyer. Gjithçka tjetër ndërtohej mbi këtë themel. Mbrojtja e mikut. Garancia. Strehimi i të huajit. Pajtimi pas një armiqësie. Falja e një fyerjeje. Të gjitha këto ishin degë të së njëjtës pemë. Rrënja ishte fjala e vërtetë. Besa.

Le të ndalemi një çast të mendojmë sa e pazakontë është kjo. Pothuajse gjithçka që mendimi modern na thotë për natyrën e njeriut shkon në drejtim të kundërt. Njeriu është dinak nga natyra. Mashtrimi është aftësi mbijetese. Ai që gënjen me zgjuarsi fiton ndaj budallait të ndershëm. E megjithatë, për shekuj me radhë, ekzistoi një shoqëri që vuri bast pikërisht mbi të kundërtën. Një shoqëri që besoi se fjala e mbajtur kishte më shumë vlerë se interesi personal. Se nderi vlente më shumë se llogaria. Se kishte gjëra për të cilat ia vlente të humbisje gjithçka. Madje edhe jetën. Dhe ajo shoqëri mbijetoi. Vetë mbijetesa e saj është një argument i heshtur. Një argument se besnikëria ndaj fjalës mund të mos jetë dobësi. Se ndoshta nuk është një traditë primitive që evolucioni duhej ta kishte zhdukur. Se ndoshta është një nga format më të larta të asaj që njeriu mund të arrijë. Detyrimi për të mos gënjyer. Besa.

Mbajeni mend këtë. Sepse tragjedia e madhe e shekullit të njëzetë për shqiptarët nuk ishte vetëm varfëria. Nuk ishte vetëm diktatura. Nuk ishte vetëm izolimi. Ishte pikërisht vrasja e qëllimshme e kësaj bote morale. Ishte atentati ndaj Besës.

Si u vra Besa?

Besa nuk u zhduk vetvetiu. Nuk u venit ngadalë, si një zakon i vjetër që e gërryen koha. Ajo u shkatërrua. Me qëllim. Hap pas hapi. Dhe mund të thuash pothuajse me saktësi se kur dhe si ndodhi. Por për ta kuptuar këtë histori, duhet analizuar më parë sfondi i skenës së krimit.

Për më shumë se një shekull, trojet shqiptare u tkurrën vazhdimisht, si ajo lëkura magjike në romanin e Balzakut që zvogëlohej sa herë pronari i saj shprehte një dëshirë. Sa herë që një fuqi evropiane rishikonte hartën e Ballkanit, Shqipëria dilte më e vogël. Ky proces nisi me krijimin e shtetit grek në 1830 dhe vazhdoi pothuajse pa ndërprerje deri me ardhjen e komunizmit.

Brenda kësaj periudhe, Shqipëria e pavarur njohu vetëm dy regjime që patën kohë ta skalitnin vendin sipas vizionit të tyre: Mbretërinë e Zogut dhe regjimin komunist. Të dy, secili në mënyrën e vet, i dhanë goditjen vendimtare rendit tradicional.

Zogu, si thuajse çdo modernizues i kohës së tij, e pa Kanunin si një pengesë në rrugën drejt Evropës. Ai përdori Besën dhe autoritetin e Kanunit për të fituar mbështetjen e malësorëve. Por ndërtoi një shtet sipas modeleve evropiane duke lënë Kanunin krejtësisht jashtë rendit kushtetues. Ironia është therëse. Kanuni kishte tashmë brenda vetes institucionet e vetëqeverisjes: pleqësinë, kuvendin, vendimmarrjen kolektive dhe përgjegjësinë ndaj bashkësisë. Të gjitha të lidhura nga Besa. Shqiptarët zotëronin një gramatikë vendase të qeverisjes. Por kushtetutën vendosën ta shkruanin në një gjuhë të huaj.

Atë që Zogu nisi, komunistët e përfunduan. Për këtë përdorën dy armë kryesore. Arma e parë erdhi e maskuar si dhuratë, nën ambalazhin e progresit: arsimi. Alfabetizimi. Shkrimi. Regjimi mësoi një komb të tërë të lexonte dhe të shkruante. Dhe mbi këtë fitore vendosi një parullë: “E shkruara mbetet; fjalët i merr era.” Tingëllon si përparim. Ndoshta edhe ishte. Por ishte njëkohësisht një revolucion i heshtur vlerash.

Për një shoqëri ku e gjithë arkitektura morale mbështetej mbi peshën e fjalës së folur, mesazhi ishte vdekjeprurës. Nëse fjalën e folur e merr era, atëherë edhe Besën e merr me vete. Nëse vetëm letra ka vlerë, atëherë shekuj të tërë të rendit moral shpallen të pavlefshëm. Guri i themelit u hoq pa zhurmë.

Arma e dytë ishte akoma më e rrezikshme. Regjimi nuk u mjaftua duke dobësuar Besën. Ai e zbrazi nga përmbajtja dhe e mbushi me farë tjetër. “Njeriu i ri socialist” ishte në prag të lindjes. Besnikëria u kanalizua. Nuk i detyrohej më mikut, familjes apo bashkësisë. I detyrohej Partisë. Spiunimi i fqinjit u paraqit si virtyt. Denoncimi i mikut, si detyrë. Tradhtia ndaj prindit, si heroizëm. I gjithë sistemi ishte ndërtuar për një qëllim të vetëm: ta shembte besimin te njeriu që kishe pranë.

Besa kishte jetuar gjithmonë në dritë. Ballë për ballë. Para syve të fshatit, të katundit. Nën gjykimin e turpit publik. Letra anonime jetonte në errësirë. Pa fytyrë. Pa përgjegjësi. Pa turp. Mund të shkatërronte një jetë pa rrezikuar asgjë. Për herë të parë në historinë shqiptare, frika fitoi mbi nderin. Shoqëria që dikur mbante nderin në dritë të diellit, stolisur me kostumet që Bajroni i quante “më të bukurat në botë”, u mësua të jetonte në hije. Dikur krenaria kërkonte sy që ta shihnin. Tani frika lutej të mos e shihte askush. Muret kishin veshë. Heshtja u bë strehë. Lindi një botë ku mbijetesa nuk fitohej duke qenë më i zoti se të tjerët, por duke u dukur më i mjerë se ata. Aty gjendet dhe sekreti makabër i mbi njëqind mijë bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Jo në ndonjë ves të veçantë të karakterit shqiptar. Por në ndërtimin metodik të një bote infernale ku besimi ishte mëkat i rrezikshëm dhe tradhtia ndaj vetes e ndaj Besës, shpesh, e vetmja rrugë për të mbijetuar.

Pjesa tjetër e historisë tashmë dihet. Rënia e komunizmit. Kaosi i viteve nëntëdhjetë. Skemat piramidale të vitit 1997, kur miliona njerëz panë jo vetëm kursimet e tyre, por edhe besimin te shteti të avullohej brenda pak muajsh. Mërgimi masiv. Klientelizmi. Partitë politike pa fund. Gënjeshtra në rend të ditës. Shpërbërja e “njeriut të ri” që përshpejtohej. Vit pas viti, shqiptarët u përballën me realitetin e hidhur: mos i beso askujt. As të panjohurit. As institucionit. As shtetit. Beso vetëm rrethin e ngushtë. Një realitet që na mësoi të kundërtën e Besës. Sepse Besa është më shumë se besimi te rrethi i ngushtë. Besa është aftësia për t’i besuar tjetrit. Atij që nuk e njeh.  Sidomos atij.

Të ndalemi një çast, e të jemi të sinqertë me veten. Besa vdiq. Jo, nuk vdiq, u vra. U kryqëzua në heshtje, pa kryq e pa emër. Nuk e vajtoi askush. As gjamë burrat nuk i banë. Por në varrimin e saj morëm pjesë të gjithë.

Ringjallja e Besës në mendjen e njerëzve

Po, Besa u vra, u kryqëzua. Por historia ka dëshmuar dhe rilindje, ringjallje. Jo me ligj. Jo me kushtetutë. Jo me një dekret të parlamentit. Por në mendjen e njerëzve. Në zakonet e tyre. Në mënyrën si flasin dhe veprojnë. Në mënyrën si e mbajnë fjalën.

Dhe këtu Shqipëria ka një avantazh që pak vende e kanë. Ajo ende, në thelb, është një kulturë nderi. Si Japonia. Shqiptarët, në përgjithësi, nuk e ndiejnë ende peshën e fajit në ndërgjegje ashtu si e kuptojnë popujt e Evropës perëndimore. Por e ndiejnë thellë peshën e turpit. E ndiejnë peshën e asaj që thotë bota. E ndiejnë peshën e reputacionit më shumë se kushdo.

Ky nuk është problem. Ky është mjeti. Refleksi që dikur e mbante gjallë Besën nuk ka vdekur. Ka humbur drejtimin. Prandaj detyra e parë nuk është të shpikim një moral të ri. Është ta orientojmë të vjetrin drejt objektivave të reja.

Por këtu duhet kujdes. Turpi është një forcë e madhe në shoqëri. Dhe çdo mjet i fuqishëm mund të përdoret keq. Thuhet se Zogu, për të poshtëruar disa të burgosur, u dha laksativ dhe i detyroi të vraponin mes turmës në sheshin qendror të Tiranës. Nëse historia është e vërtetë, ajo na mëson pikërisht çfarë nuk duhet bërë. Qëllimi është turpërimi i sjelljes. Jo i njeriut. Jo i varfërisë. Jo i dobësisë. Por i tradhtisë ndaj Besës. Historia jonë nuk ka më nevojë për mizoritë e Ali Pashës apo të Enver Hoxhës. Por për një standard moral të qartë.

Sot, kur një zyrtar vjedh fondet publike, kur një drejtor punëson kushëririn, apo kur një ministër shpërblen mbështetësit dhe ndëshkon kundërshtarët, shpesh dëgjon admirim në vend të dënimit moral: “I zoti.” “Di si t’i rregullojë punët.” “Kështu funksionon bota.” Pikërisht këtu duhet të fillojë ndryshimi. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre. Korrupsioni nuk është zgjuarsi. Është besëthyerje. Një ministër që premton se do t’i shërbejë gjithë vendit dhe më pas ndëshkon një qytet sepse votoi kundër tij nuk ka bërë politikë të zgjuar. Ka thyer Besën. Një gjyqtar që shet drejtësinë nuk ka marrë thjesht një ryshfet. Ka thyer Besën. Një deputet që premton para zgjedhjeve dhe harron sapo merr mandatin nuk ka ndryshuar mendim. Ka prerë në Besë ata që i kanë besuar. Dhe fjala “besëthyer” apo “besëprerë” duhet të rifitojë peshën që kishte dikur. Jo si sharje. Po si gjykim moral. Si njollë reputacioni.

Po aq e rëndësishme është edhe ana tjetër. Nuk mjafton të dënojmë besëthyerjen. Duhet të nderojmë edhe Besën. Në një shoqëri të ndërtuar mbi Besën, nderi më i madh nuk i takon më të pasurit apo më të fuqishmit. I takon atij që e mban fjalën edhe kur është kundër interesit të tij. Sepse pikërisht aty matet karakteri. Jo kur është e lehtë. Por kur kushton.

Kjo nuk arrihet me urdhër. Arrihet përmes gjithçkaje që formon imagjinatën e një populli. Shkollave. Librave. Filmit. Humoristëve. Gazetarëve. Sportistëve. Artistëve. Sjelljes publike të njerëzve të famshëm. Fëmijët nuk duhet ta mësojnë Besën si një legjendë të mjegullt për malësorë heroikë. Por si diçka të zakonshme. Si mbajtja e një premtimi. Si kthimi i një borxhi. Si paraqitja në kohë. Si kryerja e një detyre që askush nuk do ta kontrollojë. Si ndershmëria ndaj një njeriu që nuk do ta shohësh më kurrë. Pikërisht aty Besa rritet dhe zgjerohet. Aty bëhet kalimi nga rrethi i ngushtë familjar te besimi i madh kombëtar.

Por as kjo nuk mjafton. Sepse njerëzit nuk u besojnë fjalëve. U besojnë shembujve. Prandaj ringjallja e Besës duhet të fillojë praktikisht në shkallë të vogël. Në vendet ku mund të shihet. Në vendet ku mund të preket. Një shoqatë profesionale që përjashton anëtarin mashtrues. Një biznes që shpërblehet sepse është i besueshëm. Një komunitet lokal ku mbajtja e fjalës prodhon rezultate të dukshme. Këto janë palestrat ku stërvitet besimi publik.

Edhe diaspora mund të ndihmojë me kontributin e saj. Miliona shqiptarë jetojnë çdo ditë në shoqëri me besim të lartë te institucionet, në vende perëndimore. Ata presin në radhë. Paguajnë taksat. Presin që institucioni ta mbajë fjalën. Dhe, në pjesën më të madhe të rasteve, institucioni e mban. Ata e dinë tashmë si duket një shtet që e mban Besën. Dhe sjellin atë përvojë me vete sa herë kthehen në Shqipëri.

Por asgjë nuk do të lëvizë pa hapin më të vështirë. Dikur, ata që u prinin shqiptarëve hidheshin të parët në luftë. Jo të fundit. Prijësi provohej në vijën e parë, jo prapa saj. I njëjti ligj vlen edhe sot, vetëm se beteja ka ndryshuar. Sepse njerëzit nuk imitojnë atë që mban leksione. Imitojnë atë që fiton. Të fuqishmit dhe të pasurit duhet të japin shembullin të parët. Nëse ata pasurohen në kurriz të shtetit, askush nuk do të besojë se Besa ka vlerë. Asnjë tekst shkollor nuk mund të konkurrojë me një mashtrues që fiton dhe pasurohet. Por një qeveritar që e mban fjalën kundër interesit të tij, ose që ndëshkohet kur e thyen, bën më shumë për ringjalljen e Besës sesa një mijë fjalime. Prandaj ndryshimi i mentalitetit dhe ndryshimi i institucioneve nuk janë dy projekte të ndara. Nuk mund të vijnë njëri pas tjetrit. Ata duhet të rriten së bashku. Ashtu si rrënjët dhe trungu i së njëjtës pemë.

Ringjallja e Besës në institucione

Nuk mjafton të bindësh njerëzit se Besa është virtyt. Nuk mjafton as ta rikthesh respektin për të në kulturë, në shkollë apo në familje.

Çështja vendimtare është tjetër: si ta detyrojmë një shtet ta mbajë Besën?

Sepse një republikë nuk mund të mbështetet mbi shpresën se njerëzit që e drejtojnë do të jenë të ndershëm. Nuk ka qenë kurrë kështu. As nuk do të jetë. Qëllimi nuk është të ndërtojmë një shtet të mbushur me njerëz të virtytshëm. Qëllimi është të ndërtojmë një shtet që e mban fjalën edhe kur drejtohet nga njerëz të zakonshëm. Madje edhe nga njerëz të këqij. Ky është funksioni i institucioneve. Ato ekzistojnë pikërisht sepse virtyti njerëzor nuk mjafton. Prandaj sfida e madhe nuk është ta lavdërojmë Besën. Është ta kthejmë në mekanizëm. Ta nxjerrim nga sfera e nderit personal dhe ta vendosim në zemër të shtetit.

Dhe kjo fillon me një ide që çdo shqiptar e kupton menjëherë: amaneti.

Detyra publike nuk është pronë. Nuk është shpërblim. Nuk është privilegj. Është amanet. Diçka që të është besuar përkohësisht dhe që duhet ta kthesh pa e dëmtuar. Por amaneti ka vlerë vetëm kur shoqërohet me pasoja. Përndryshe është vetëm fjalë. Prandaj deklarimet e pasurisë duhet të kontrollohen. Konfliktet e interesit duhet të ndëshkohen. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të verifikohen. Jo herë pas here. Jo kur është politikisht e përshtatshme. Gjithmonë.

Besa dhe institucionet duhet të ecin së bashku. Pa njërën, tjetra është mashtrim. Po aq e rëndësishme është që besëthyerja të mos mbetet vetëm çështje turpi. Ajo duhet të bëhet çështje ligji. Nuk mjafton të thuash se një ministër është besëprerë. Nuk mjafton ta quash të korruptuar. Ai duhet të hetohet. Të gjykohet. Të dënohet. Dhe kjo duhet të vlejë sidomos për të fuqishmit. Sepse drejtësia që prek vetëm të dobëtit nuk është drejtësi. Është administrim.

Institucionet kundër korrupsionit që Shqipëria po ndërton janë fillimi i kësaj rruge. Por Besa u jep atyre diçka që procedura nuk mund ta japë: legjitimitet moral. Sepse korrupsioni nuk është thjesht shkelje rregulli. Është besëthyerje. Është thyerja e një premtimi të dhënë ndaj gjithë qytetarëve. Po aq e rëndësishme është që qytetari të mund të shohë nëse shteti e mbajti apo jo fjalën. Besimi nuk ndërtohet në errësirë. Ai ndërtohet në dritë. Kontratat publike duhet të jenë të dukshme. Buxhetet, të lexueshme. Premtimet, të verifikueshme. Sa më shumë që qytetari mund të kontrollojë nëse shteti bëri atë që tha se do të bënte, aq më shpejt Besa pushon së qeni slogan dhe bëhet realitet. Premtimet e thyera duan errësirën. Besa do dritën, transparencën.

Por prova më e madhe e Besës nuk gjendet te mënyra si trajtojmë njëri tjetrin. Gjendet te mënyra si e trajtojmë të panjohurin. Çdo fis kujdeset për të vetët. Çdo klikë shpërblen miqtë. Çdo parti ndihmon mbështetësit. Në këtë nuk ka asgjë të veçantë. Prova e vërtetë është nëse një qytetar pa emër, pa mik e pa kushëri merr të njëjtën drejtësi si ai që i ka të gjitha. Aty jeton ose vdes Besa qytetare: në sallën e gjyqit, në sportelin e shtetit, në çdo përballje mes qytetarit të thjeshtë dhe pushtetit.

Dhe pikërisht ky është kufiri që ndan një republikë nga një fis i madh. Sepse i panjohuri nuk është thjesht qytetari pa lidhje. Është edhe pakica. Jobesimtari. Kundërshtari politik. Një shtet që e mban Besën vetëm me shqiptarët etnikë nuk ka ndërtuar një republikë; ka ndërtuar një etno-shtet. Prandaj Besa, për të mbijetuar si vlerë qytetare, duhet të bëhet universale, ndryshe degjeneron në nacionalizëm.

Edhe rruga drejt Bashkimit Evropian duhet parë nga i njëjti kënd. Sot shumë reforma perceptohen si detyra të imponuara nga Brukseli, prandaj zbatohen me gjysmë zemre. Por po t’i shohim si një mënyrë për ta mbajtur Besën me qytetarët tanë, kuptimi ndryshon. Nuk po u bindemi të huajve. Po mbajmë fjalën ndaj vetes. Dhe pikërisht këtu Besa fiton vlerë, jo si zëvendësim i institucioneve moderne, por si gjuha që i bën ato të ndihen tonat.

Dhe në fund vjen prova vendimtare. Sepse Besa nuk shpallet. Ajo fitohet. Nuk lind nga një nen kushtetute. Lind nga një histori e gjatë premtimesh të mbajtura. Çdo herë që pushteti e mban fjalën, vendos një gur në murin e kështjellës saj. Vetëm atëherë Besa mund të shkruhet në ligj. Sepse atëherë ligji nuk po krijon një realitet të ri. Po regjistron një realitet që tashmë ekziston. Madje ekziston edhe një barometër i ndershëm për ta matur suksesin. Nuk janë sondazhet. Nuk janë fjalimet. Nuk janë preambulat kushtetuese. Është emigracioni. Çdo i ri që largohet po jep një gjykim, po voton ndryshe, me këmbët e tij. Po thotë se shteti e ka thyer Besën me të.

Dhe dita kur të rinjtë fillojnë të qëndrojnë, ose kur disa prej atyre që ikën fillojnë të kthehen, do të jetë prova më e mirë se Republika ka filluar, më në fund, ta mishërojë Besën në themelet e saj.

Veza dhe pula

Para se të përfundoj, duhet të sqaroj një kontradiktë të dukshme. Institucionet kanë nevojë për besim që të funksionojnë. Por besimi ka nevojë për institucione që të lindë. Kush vjen i pari? Si mund t’i besosh një shteti që nuk e ka mbajtur kurrë fjalën? Dhe si mund të ndërtosh institucione të mira në një shoqëri që nuk i beson askujt? Kjo është nyja ku Shqipëria ka ngecur prej dekadash.

Dhe është konkretisht pika që si Kopliku, ashtu edhe kritikët e tjerë anashkalojnë. Kopliku supozon se kultura do të prodhojë institucione të mira. Kritiku i zakonshëm supozon se institucionet e mira do të prodhojnë besim. Të dy kanë pjesërisht të drejtë. Dhe të dy gabojnë. Sepse asnjëra nuk mund të vijë e para. Rruga e daljes nuk është të zgjedhësh njërën dhe të heqësh dorë nga tjetra. Rruga e daljes është t’i ndërtosh të dyja së bashku. Pak besim krijon pak institucione. Pak institucione krijojnë pak besim. Një reformë që funksionon i jep jetë reformës tjetër. Një qeveritar i fuqishëm që ndëshkohet e bën më të arsyeshëm besimin te ligji. Një premtim i mbajtur e bën më të arsyeshëm premtimin tjetër. Pak nga pak krijohet një rreth vicioz në drejtim të kundërt. Jo i mosbesimit. Por i besimit. Prandaj puna mbi mentalitetin e njerëzve dhe puna mbi institucionet nuk janë dy projekte të ndryshme. Janë dy anët e të njëjtës medalje. Njëra pa tjetrën dështon.

Dhe pikërisht këtu Besa na kujton diçka që shpesh harrohet. Në kohën kur Besa kishte forcën e ligjit, shqiptari nuk mbështetej vetëm te turpi dhe te nderi. Ai besonte se pas Besës qëndronte një garantues. Se betimi nuk ishte vetëm marrëveshje mes njerëzve. Ishte marrëveshje para Zotit. Se ai që e thyente fjalën mund t’i shpëtonte gjykimit të njerëzve, por jo gjykimit hyjnor. Nuk ka rëndësi nëse kjo ishte e vërtetë. Rëndësi ka që njerëzit e besonin. Sepse, në fund, i zhveshur nga çdo moralizim, një premtim është aq i fortë sa forca që qëndron pas tij. Dhe në një shoqëri gjithnjë e më anonime, ku turpi dhe nderi nuk mjaftojnë më, Besa ka nevojë për një aleat. Dikur ky aleat ishte Zoti. Sot duhet të jetë institucioni. Nuk kemi nevojë të rikthejmë perëndinë që ruante Besën. Për besimtarët ajo është gjithmonë prezente. Por kemi nevojë të ndërtojmë institucionin që kryen të njëjtin funksion për të gjithë qytetarët. Institucionin që i bën njerëzit të besojnë se besëthyerja ka pasoja. Se ai që e thyen fjalën do të paguajë. Se premtimi nuk është një fjalë që e merr era. Se fjala e dhënë ka peshë. Se Besa ka garantuesin e saj, dorëzanin.

Epilog

Ka pyetje që historia i zgjidh. Ka të tjera që i lë pezull.

Më shumë se një shekull e gjysmë më parë, Sami Frashëri shtroi një pyetje që historia ende nuk e ka zgjidhur. Fakti që ajo vazhdon të debatohet edhe sot është ndoshta prova më e mirë se ai kishte prekur një nerv të thellë të jetës shqiptare. Pavarësisht pavarësisë, diktaturës, tranzicionit dhe emigrimit masiv, pyetja mbetet e njëjta: Nëse shqiptarët nuk mund të bashkohen rreth një feje, rreth çfarë mund të bashkohen?

Përgjigjja që dha Samiu ishte një fjalë e vetme. Besa

Kjo ese ka qenë një përpjekje për ta marrë seriozisht atë përgjigje. Jo si nostalgji. Jo si folklor. Jo si kujtim i një bote që nuk ekziston më. Por si një problem politik. Si një pyetje institucionale. Si një mundësi reale për të menduar ndryshe shtetin shqiptar. Sepse problemi i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë mungesa e idealeve. Ka qenë mungesa e urave mes idealeve dhe realitetit. Dhe aty fillon sfida e vërtetë. Jo te adhurimi i Besës. Por te shndërrimi i saj në një forcë që vepron. Së pari në mendjet e njerëzve. Pastaj në zakonet e tyre. Pastaj në institucionet e shtetit. Derisa Besa të mos varet më nga karakteri i një njeriu të vetëm, por të bëhet mënyra normale e funksionimit të Republikës.

Sepse, në fund të fundit, një shtet nuk është gjë tjetër veçse një rrjet premtimesh. Kur premtimet humbasin vlerën e tyre, shteti mbetet vetëm forcë e verbërt. Por kur ato mbahen, lind besimi. Dhe mbi besimin ndërtohen kombet.

Ndoshta atëherë, kur shqiptarët të pyesin se mbi çfarë u ngrit më në fund shteti i tyre, përgjigjja nuk do të jetë një ideologji, një parti apo një udhëheqës. Do të jetë një fjalë e vjetër. Një fjalë që për shekuj me radhë vlente më shumë se vula, kontrata dhe ligji. Një fjalë që dikur lidhte njeriun me njeriun. Dhe që një ditë mund ta lidhë përsëri qytetarin me shtetin. Besa. Le të grinden filologët për prejardhjen e fjalës. Shqipërisë i mjafton ta mishërojë. Dhe, si dikur për shqiptarin e ndershëm, komplimenti më i mirë për të do të ishte: Fjala e saj është Besë.

(c) 2026 Sefer Tahiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading