Ç’ka ngjarë?
Pushteti po lëngon. Polifemit i kanë nxjerrë syrin. Të vetmin sy që, sipas Homerit, e ka të fiksuar edhe tek gllabërimi i njeriut. (Atë sy, do të thosh një lexues i Tolkin, që në thelb, si Sauron, e ka në funksion të vetëm vetes dhe makutërisë së pathemeltë.) Veçse ky Polifem, që u trupëzua dhe vuri kravatë në Shqipërinë e pas komunizmit, mëton se mësoi dy-tri dredhi prej ndeshjes me Odisenë. Kështu, kur Shqiptari i dalë në sheshet e Tiranës, Nju Jorkut, Londrës, Berlinit, Vjenës e Parisit i përgjigjet së syrin ta nxori “Gjithkushi” ai mëton me të vetën t’ia dredhë edhe vetë këtë herë, e të bërtasë: Greku, Irani, Influencerat! E si kartë më të fundit: ata që nuk i kanë parë ndonjëherë flamingot!!! Polifem i përçudnuar në një masë banaliteti që të fyen inteligjencën edhe pa qenë Odiseu vetë.
Flamingot që nuk kemi parë.
“Gjithkushi” në anën tjetër, ka më mijëra sy, por sipas Kryeministrit aktual të vendit, që është veç një nga fytyrat e pushtetit, 99.99% e tyre s’i kanë parë ndonjëherë flamingot. Dhe kryeministri ka të drejtë, hamendja e tij edhe qëndron.
Si individ në këtë vend, “Gjithkushit” i lipsen me mijëra sy që t’i qaset tekstit edhe nëntekstit të mekanizmave të mbijetesës. Lëngimi i trupit lipset të verë në lëvizje një shpirt të tërë derisa t’ia djerrë dinjitetin. Shëndetësia është falas por nuk shërohesh pa lekë në xhep, lekë në dorë, lekë nën dorë. Dhunimi i kufijve, njësoj. Lexo ligjin, por lexo edhe Maliqin. Gjej një të njohur, fut një mik, jep një kafe. Edukimi njësoj. Diplomohesh po nuk, domosdoshmërisht, dijesohesh. Universitetet nuk kanë fonde për punë mirëfilli kërkimore, nuk kanë hapësira (fizike e psikike) për mendim kritik, nuk kanë kushte të dinjitetshme në konvikte, nuk kanë mirëfilli kampuse e qendra studimi. Punësimi njësoj. Tregu është i lirë por të burgos, investimi është në hapësirën e konkurrencës së lirë por edhe të liruar për ndërhyrje informale, puna është në shtet por edhe në parti-shtet. Kështu mund të ngacmohet një lumë ndërgjegjeje kolektive.
Këtyre shembujve, që më tepër sesa shterues janë paradigmatikë iu qasem qëllimisht gjerë dhe e vagullt pikërisht se këto pamje të tekstit dhe nëntekstit të mekanizmave të mbijetesës përjetohen e rezonojnë në masë. Me rëndësi në këtë pikë është se, “gjithkushi” vërtetë mund të mos ketë patur sy e sensibilitet të mbetur për t’iu vënë pas pamjes së mrekullueshme të flamingove e mund të mos ti ketë parë ndonjëherë ato. Por arsyeja prapa hamendjes së kryeministrit, përkundër linjës së tij që mëton poshtërimin e qytetarëve të vendit të vet, shenjon në thelb jo këtë poshtërim por dështimin e tij dhe të të ngjashmëve tij në kryerjen e detyrës së tyre kryesore në tri dekada pushtet. Nuk i kemi parë flamingot, fort jo i nderuar zotëri, se nuk dimë ku ta fiksojmë shikimin më parë!
Si kolektiv, “Gjithkushi” ka sërish me mijëra sy. Por mijëra sytë kolektivë janë tanimë sy të bërë bashkë, sy të të qendërzuar në sheshin më politik të po këtyre tri dekadave të fundit. Mijëra sy që rreken për mrekulli, të përmbysin mes të tjerash edhe rendin e hamendjes së kryeministrit shtruar në regjistrin e tij të zakonshëm që rreket të inferiorizojë. Ngase pas ditësh protestë, është e vështirë të dalësh në përfundimin se është “Gjithkushi” në shesh që nuk i ka parë ndonjëherë flamingot, por bash vetë kryeministri e të ngjashmit e vet! Ngase, pas ditësh rezistencë në sheshin e tyre dhe në sheshet ku një pjesë e madhe shqiptarësh janë shtrënguar të degdisen, këtij “Gjithkushi” as që i duhet të vërtetojë nëse i ka parë flamingot, pasi, këtyre ditëve, ky “Gjithkush” është vetë flamingot.
Flamingot që kemi parë.
Tani më duhet të shfrytëzoj një regjistër disi personal për të dalë aty ku synoj në këtë reflektim, që në princip nxitet tërësisht nga e kundërta e çfarë është personale dhe e mëvetësishme. Hera e parë që unë i pashë flamingot ishte në njërin prej kopshteve zoologjike të Berlinit, ku u zhvendosa për studimet e mia me një kredi, para të marra borxh nga të njohurit e mi dhe nga kursimet (dhe huat) e miqve të mi të afërt. Prindërit e mi që punonin prej një jete dhe unë vetë që punoja prej tashmë 5 vitesh, nuk mund të bënim bashkë as 10% të një llogarie bankare studentore prej 8000 Eurosh. Flamingot që vijnë e na vizitojnë në vendin tonë nuk kisha mundur t’i shoh më parë. Hera e dytë që unë reflektova thellësisht mbi flamingot ishte kur u bëra nënë. Flamingot, këto shpendë të mrekullueshëm, e rrokin vizualisht sakrificën e të dhënit jetë ngase atyre ju zbehet ngjyra tek përtreten atyre viteve të para për ta mbartur jetën më tej.
Hera e tretë që flamingot u kapën në vëmendjen time është pikërisht këtyre ditëve të fundit ku ato janë tashmë bërë simboli i një përmbysjeje. Mënyra se si kjo herë e tretë i sintetizon e i ngërthen dy të parat nuk mund të kish qenë më e qëlluar. Flamingot e kësaj here të tretë janë tanimë simbolikë. Një simbolikë që i përqafon, në majë të ajsbergut, edhe flamingot realë që na vizitojnë në Nartë (edhe Ivankën që i ngjitet Sazanit zbathur). Por që në thelb buron nga një revoltë që e përshkon ajsbergun gjer në bazë. Një revoltë që kërkon tekst në vend të nëntekstit: që është ligji, rregulli, barazia, meritokracia, drejtësia, demokracia dhe DINJITETI, në vend të informalitetit si riprodhimit i keqpërdorimit arrogant të pushtetit. Një revoltë që mëton të zbojë ankthin se përtretja e prindërve të Shqiptarëve mund të vazhdojë të ndehet aeroporteve e që, nuk do të munden më të ofrojnë shtëpinë e tyre si Shtëpi. Ankthin e prindërve shqiptarë gjetkë që nuk do të munden ta ofrojnë gjuhën e tyre si Shtëpi. Një revoltë, që në thelb, ngërthen pikërisht se ne “Gjithkushi” jemi të lodhur kur mundimi ynë (të mundesh e të mundohesh), siç vargëzoi një shqiptar shpirtbukur dekada më parë, tundet si flamur melankolie e endet si një përpjekje që lind vetëm një mi.
Flamingove iu duhet vënë veshi.
Së fundi, po punoj mbi konceptin e një largësie epistemike si një pikë kyçe që influencon pabarazinë. Ky koncept, përshenjuar nga punë të kryera më herët nga studiues në fushën e epistemologjisë feministe e të asaj të padrejtësisë epistemike mëton të përshkruajë atë largësi që vendoset midis dy botëve që zëne grupime të vendosura në qendërza të ndryshme të bézes sociale. Largësia rrjedh së pari prej përjetimeve krejt të ndryshme që mbrujnë palët. Së dyti, prej faktit se disa përjetime, ndonëse sistematike, ende nuk kanë hyrë në regjistrin e të menduarit politik si problem pabarazie apo padrejtësie. Një rast paradigmatik i largësisë epistemike, huazuar prej letërsisë, është bash ajo distancë që shtrihet midis Princit dhe të Varfrit në novelën klasike të Mark Tuejnit.
Prej këtu, pika që vyen në vazhdën e reflektimit mbi flamingot tanimë simbolikë, është një prej zgjidhjeve që është e arsyeshme t’i vihet kundruall problemit të largësisë epistemike, që sugjeron se pala që e shkakton ose është e implikuar në burimin e padrejtësisë, përveçse ta shohë (ose më shumë se sa ta shohë), duhet ta dëgjojë atë që i është bërë padrejtësia. E çfarë është më e rëndësishmja, ta dëgjojë radikalisht: si një histori që rrëfehet mirëfilli nga tjetri pa ia përvetësuar as strukturën, as përmbajtjen, dhe as tonin.
Pra për ta shuar largësinë, palës së dëmtuar i duhet vënë veshi radikalisht. Dhe kur pala që dëmton është pushteti i themeluar mbi shtetin, dhe shteti i themeluar prej një përbashkësie demokratike, ky i dëgjuar radikal nuk është më një detyrë morale mes të tjerash, por detyrim i vet qendror që buron nga marrëveshja demokratike mes palëve. Ndaj Polifemit, që tashme i është terur syri, i lipset të dëgjojë. Të dëgjojë radikalisht gjer në pikën e ndërrimit të rrobave me “Gjithkushin” që derdhet si një trup i vetëm prej ditësh në shesh. Kjo, ndryshe nga çfarë duket në pamje të parë nuk i vyen veç popullit politik por edhe Polifemit vetë, që ose ngrihet të përfaqësoje i përtërirë në nivelin që ia kërkon populli i vet ose bën udhë për përfaqësues të tjerë.
Për ta mbyllur. E bukura e të gjithë kësaj lëvizjeje e ngjarjeje politike është se flamingot, deri fill mbas derdhjes në shesh e sheshe nuk i kish parë bash askush. As ata që u pezmatuan e as ata që u mbushën plot shpresë. Kjo është e bukura, se flamingot shprishën rendin e një ekzistence kolektive që tërhiqej zvarrë.
(c) 2026 Dorela Dëgjoni. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.